Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

FOLI SHOFERIT

Në çastin kur hipa në autobus, shënimi “Mos i fol shoferit”, nuk më bëri ndonjë përshtypje të veçantë. Fundja jemi rritur me këtë njoftim standard, që në vegjëli. Si me të tjera, që flasin për thyerje xhamash në rast rreziku, për hapje dyersh në rast urgjence, për ndalimin e duhanit… Bëjnë pjesë, si të thuash, në panoramën urbane e të urbanit njëkohësisht.

Urdhri për të mos i folur shoferit është i qartë dhe i paqartë njëkohësisht. P.sh. si pasagjer që jam, nuk duhet t’i flas shoferit fare, apo vetëm në raste të caktuara? Duhet të hesht vetëm kur i jep autobusit, apo edhe kur qëron hundët gjatë ndalesave?

Për të qenë brenda, unë komshiut tim, i cili punon si shofer autobusi, nuk i flas fare, që nga koha kur erdhi në pallatin tonë. Ai shofer mbetet me zanat, edhe kur nuk është në timon. Kështu, për të respektuar rregullat deri në fund, nuk i uroj as mirëmëngjesin.

“Mos i fol shoferit” thotë tabela, por kujt t’i flas? Nuk saktësohet se me kë duhet të komunikojmë në rast nevoje. Në Shqipëri, ku figura legjendare e faturinos vijon t’u rezistojë kohëve moderne në autobusët urbanë, mund të shtohej fare lehtë: “Drejtohuni faturinos”. Mirëpo ky e ka mendjen tek biletat dhe tek të hollat, që manovron me shkathtësi të pashoqe duke rrëshqitur si ngjalë në turmën e njerëzve të ngjeshur si sardelet në kuti.

Një herë mendova se mos urdhri kishte të bënte me faktin se shoferi nuk duhej shqetësuar, jo për sigurinë e qytetarëve, por ngaqë kishte punët e veta. Të paktën kështu e ka kuptuar ai shoferi që pashë pardje duke folur në telefon me gruan, ose ai shoferi i para disa viteve, që dëgjonte muzikë tallava nga një radio dore, duke i shurdhuar udhëtarët.

Kam përshtypjen që tabela është pak diskriminuese ndaj meshkujve. Jo për gjë, por kur e pyeta një herë shoferin për diçka, ai mezi ktheu kokën. Kurse, kur i foli një bionde me minifund e kanotiere, filloi t’i përgjigjej gjithë qejf duke e tjerrë muhabetin e duke e parë herë nga pasqyra dhe herë duke u kthyer i tëri, pa e parë fare rrugën. Mezi po pres të shtohen shoferet gra të autobusëve, nëse ka ndonjë. Veçse, seç kam një parandjenjë se as ato nuk do të ma varin fare.

Ka shumë prej nesh, që urdhrin “Mos i fol shoferit” e kanë kapur nga ana metaforike, meqë edhe politikanët shqiptarë kështu sillen sapo marrin pushtetin. Nuk duan t’i shqetësosh e t’i flasësh, as t’i kritikosh, sepse demek janë duke drejtuar fatet e vendit, sikur të ishte autobus. Në buzë të greminës.

Mirëpo, këtij njoftimi, po t’ia marrësh kuptimin fjalë për fjalë, do të thotë që shoferit nuk duhet t’i flasësh në asnjë rast e në asnjë mënyrë. P.sh. edhe kur andej nga fundi plas zjarri, kur një xhepist ushtron artin e vet, kur kacafyten dy tipa të dehur, kur ngacmojnë një vajzë, etj.

Ka diçka prej modeli të sjelljes kjo shprehje. Sepse mund të adoptohej në shumë fusha: p.sh. mos i fol doktorit (kur të dëgjon me stetoskop), mos i fol mësuesit (kur po korrigjon detyrat), mos i fol drejtuesit të emisionit (kur është në transmetim) e të tjera si këto. Ose mos i fol burrit (kur sheh ndeshjen), mos i fol gruas (kur flet me shoqet në telefon), mos i fol politikanit (kur merr ryshfet), mos i fol kirurgut (kur ka bisturi në dorë), etj.

Por a mund të rrihet pa folur? Ka diçka antidemokratike e antinjerëzore ky urdhër, edhe për faktin se nuk shpjegon, përse nuk duhet t’i drejtohemi shoferit simpatik. Njerëzit për të folur janë bërë. Ndërkohë, duket se viktima më e madhe e urdhrit është shoferi vetë. E përfytyroni për një çast: orë të tëra, madje muaj të tërë, në trafikun e çmendur të Tiranës, pa folur me njeri. Gojëkyçur. Natyrisht nënkuptohet që shoferi nuk duhet të flasë as me veten, përndryshe shpërqendrohet nga drejtimi i automjetit. Torturë e vërtetë.

mos-i-fol-shoferit-okPikërisht kur po bluaja këto mendime në kokë, dalloj se autobusi ku sapo kisha hipur, sikur e kishte tepruar ca me tabelat për të mos folur. Kishte shumë prej tyre. Përse vallë? Mos kjo linjë ka pasagjerë tejet kureshtarë? Llafazanë të regjur? Apo është shoferi veçanërisht fjalëpakë? Direktiva nga qendra? Urdhri i ri i drejtorit të ri? Udhëzimet nga Europa? Kusht për integrimin? Nuk i rezistova dot tundimit. E theva urdhrin e përsëritur dhe shkova drejt shoferit për ta pyetur.

“Më falni zotëri. Përse është shkruar kaq shumë ‘mos i fol shoferit’ në autobusin tuaj?”. Shoferi ngriti kokën drejt pasqyrës, më pa me vëmendje e u përgjigj: “Se mërzitem e dua muhabet. Njerëzve, sa më shumë t’u thuash mos e bëj këtë gjë, aq më shumë e bëjnë atë. Sidomos ne shqiptarëve. Apo jo?”.

Buzëqesha automatikisht, por nuk e mora vesh, nëse e kishte me ironi, apo me gjithë mend. Sidoqoftë, nuk i fola më.


 

P.S. Fotografia është e vërtetë, jo e fotoshopuar. Linja Kombinat – Kinostudio.

2 Komente

  1. Shkrim me hile ky. Dardi me siguri qe po i shtie ne mend Saje Qorrit qe te shtoje sanksionet me gjoba per ata “qe i flasin shoferit”, nderkohe qe ky vete mundet t’i nxise qe ata t’i flasin.

    Do pyese Dardi: Po ku do e kape policia se i fole apo jo shoferit?

    Ketu dalim te goli i dyte. Dardi po i shtie ne mend Sajes qe te vendose edhe kamera ne autobuza.
    Dardi, mbiemrin ja ke qelluar vetes. Po se bere mire, se fundja do nxisesh braktisjen e linjes nga njerezit nga frika e gjobes, cka me ben te mendoj se ti perfaqeson ndonje tregetar bicikletash.

  2. Me te thane te drejten mu vec pjesa e fundit me pelqej! Ato qe ke shkru ma siper jane per mendimin tem sa me mush faqen.
    Autobuzet e Tiranes te mbushin me frymzim dhe jete, po po … ska 1 jave qe isha ne Tirane dhe nga kureshtja morra autobuzin. A kishte gja ma bukur? Kur fatorinoja vinte e te thote, ti? ti? ti djali? ti vajza? kur mu drejtu mu i thash, po ma lezetshem mar tamarsha pse kshu ti…ti..ti, qeshi e me tha ‘erdht ju djepi kulturs me na msu si me fol aaa?’ ktu e kuptova qe ishte shkodran. UneIsha ne midis te autobuzit, kur shkoj deri ne fund dhe u kthy e pyeta, mfal ti pervec shkodranshes a din gja edhe kinezshe??? (nuk e di a e keni vu re, por te tabela e destinacioneve aty u shkrute gjithmon kinezshe) prep u qesh e me tha: e kena na nji shprehje n’shkoder me kinez hahaha nderkoh qe qeshte bertiste hajde 21shi gatiiiiiii . Une nderkoh po mendosha shprehjen, dhe mu kujtu… e thash me mend edhe fatorino edhe zog kurvet …. nderkoh ky vinte e shkonte neper autobuz… kur me erdhi rradha mu ul, se ku mkishte pa dhe bertit : Shkodra tana t’mirat….nderkoh tan po mshifshin…. ah cfar fatorinot mendova me e pas zili tan shqipnia.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin