Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Kulturë

DHJETË ME YLL

Gjatë intervistave për një artikull të këtij viti, kushtuar artit bashkëkohor në Shqipëri, për revistën franceze Prussian Blue, pata rastin të njihem më nga afër me artistin Gentian Shkurti, dhe disa prej veprave të tij. Me daljen e artikullit, disa prej punëve të përmendura ishin tashmë të mirënjohura dhe të ekspozuara në hapësira prestigjioze, si Bienalja e Venecias, apo muzeu Beaubourg, në Paris. Disa të tjera ishin ende në vazhdim, dhe na kishin ngjallur padurim dhe kureshtje të thellë, si drejtorit të kësaj reviste, shkrimtarit dhe fotografit të mirënjohur Guillaume De Sardes, ashtu dhe mua.  “Vepra e tij e fundit, ende në vazhdim e kthen Shkurtin drejt fëmijërisë së tij, e cila i vjen në ndihmë për të arritur një stampim natyral të autoportretit të tij, mbi një gjethe mëllage, përmes reaksioneve të ndryshme të klorofilit”. Kështu i referohet artikulli veprës “Selfie me fotosintezë” (2016), atëherë vetëm në imagjinatën tonë.

Për këtë vepër, mëllaga, kjo gjethe-simbol e kërshërisë sonë fëmijërore, i është nënshtruar një eksperimenti, të cilin Shkurti e kujton nga faqet e revistës “Horizonti”. Në këtë eksperiment, procesi i printimit të negativit të një filmi, shpjegohet përmes reagimit të dritës së diellit dhe fotosintezës, mbi një gjethe mëllage. Dhe ja pavdekshmëria e imazhit tonë, e sjellë në dritë mbi një suport të cilin e kemi të gjithë të fshehur, diku në sirtarët e kujtesës dhe të nostalgjisë.

“Selfie me fotosintezë” (2016)

Ky kombinim – befasues dhe, të paktën, fatlum, i një introspektive mbi tendencat-kthyer-në-veti të kohëve të sotme dhe kërshërisë fëmijërore mbi fenomenet natyrore dhe botën që nuk na rrethon më, por që artisti duket ta ketë gëlltitur të tërën – është aktualisht (dhe më në fund) pjesë e ekspozitës personale të Shkurtit, në Galerinë Zeta në Tiranë, të cilën, duke u ndodhur larg, nuk kam pasur ende rastin ta vizitoj. Thënë kjo, me veprat që përmban ekspozita, jam prezantuar gjatë bashkëpunimit për artikullin në Prussian Blue.

Kjo ekspozitë që përfshin gjithashtu gjashtë piktura të serisë “Back to the future” (2016) dhe serinë me grafika “Conform” (2016), e tëra dalë nga kujtimet fëmijërore – nga rrjedh dhe titulli “Fletore Vizatimi” – ishte në fakt e shumëpritur, nga ky artist që na prek veçanërisht me veprat e tij. Jo pa arsye.

Për intelektualin francez André Malraux, “arti është rruga më e shkurtër nga njeriu tek njeriu” dhe vërtet, me veprat e tij, Shkurti duket se ngacmon pikërisht ato burime tonat, ku ruhet ende me fanatizëm kureshtja, shpresa, imagjinata, dëshirat:
“Back to the Future” është përmbledhja në piktura të pjesëve të ndryshme nga revista “Horizonti” (duhet të ketë qenë i abonuar, me siguri) e kohës së monizmit, ku vitet 2000 – tashmë të shkuara dhe të harruara – imagjinoheshin si vazhdueshmëria e sistemit komunist, në një botë plot anije kozmike dhe qiellgërvishtës. Naivitetit të këtyre tregimeve, artisti i vjen në ndihmë përmes pikturës – na pëlqen dhe mjeti klasik, por i përdorur nga një këndvështrim tepër bashkëkohor, për t’i kthyer në vepra kuptimplota, bashkëkohore dhe skeptike mbi epokën tonë, e cila zhvillohet – nuk jam ende e sigurt nëse – pa asnjë lidhje me të shkuarën apo tërësisht e lidhur me të. Një triumf i imagjinatës mbi realitetin, ose anasjelltas.

Nga ana tjetër, “Conform” i kthehet literalisht fëmijërisë e për më tepër fëmijëve, duke vënë në punë dhe bërë pjesë të krijimit, nxënësit e shkollës “Pal Ëngjëlli” në Tufinë. Secili prej tyre ka shkruar me dorën e tij/saj eponime,  një kolonë nga tabela e shumëzimit ose një fjali, në fletë të bardhë. “Konformizmi ndoshta fillon me të shkruarit brenda katrorëve apo vijave të fletores shkollore », komenton artisti në shpjegimin e kësaj serie me grafika. Ndaj dhe në këtë seri, katrorët dhe vijat janë shtuar më pas, dhe janë ato që formohen sipas shkrimit të nxënësve, si për të shtyrë disi procesin e nënshtrimit shoqëror ndaj konformizmit.

Pra, titulli “Fletore vizatimi” vjen natyrshëm, madje imponohet, për të përmbledhur në një ide dhe linjë kuratoriale veprat e kësaj ekspozite, vërtet të shumëpritur, pasi është e para ekspozitë personale e artistit, në Shqipëri. Hera e vetme që artisti i është drejtuar me një ekspozitë vetjake publikut, ka qenë vite më parë, në galerinë Exit, të Pejës, atëherë nën drejtimin e Erzen Shkolollit. Kanë paraprirë apo vijuar mjaft ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare në grup, por duket se anti-konformizmi e ka shoqëruar artistin edhe në zgjedhjet e bëra gjatë rrugëtimit të tij si artist. Si mjaft artistë, edhe Shkurti ka pasur disa herë mundësi të ketë ekspozitën e tij vetjake në ambientet e Galerisë Kombëtare. Megjithatë, kundërshtimet e tij personale mbi politikat e kësaj strukture mbi artet pamore ndër vite, e kanë bërë atë t’i qëndrojë larg, duke preferuar pastërtinë e veprës nga jehona që mund t’i jepej asaj në një hapësirë si GKA.

Gjithashtu, para disa muajsh, nisur nga një qëllim i qartë për të ruajtur pavarësinë e veprës së tij, dhe duke mbetur gjithnjë kritik besnik dhe i ngacmuar nga debatet publike dhe tundimi i vlerave artistike në një rreth mjaft të mbështetur mbi jehonat e hapësirave institucionale, artisti zgjedh të mos jetë pjesë e ekspozitës “1207KM EST”, në hapësirën prestigjioze Muceum, në Marsejë, megjithëse i përzgjedhur që në kapitullin e parë të kësaj nisme të ambasadës franceze në Shqipëri, gjatë së cilit në ambientet e Muzeut Kombëtar, në Tiranë, u ekspozuan punë të artistëve më premtues të vendit tonë. Për arsye që i përkasin vetë organizatorëve, kapitulli i dytë i kësaj nisme, ekspozita në Muceum, pësoi disa ndryshime, të cilat nuk gëzuan pëlqimin e artistit në mbrojtje të dinjitetit dhe vlerës së veprës së tij. Dhe ja një mohim më shumë, ndaj një hapësire prestigjioze, që vjen, në fakt, si një angazhim më tepër mbi vlerën, si artistike, ashtu dhe shpirtërore, të veprës së tij.

“Art dhe artistë të angazhuar janë ata që shkruan emrat e deputetëve nëpër kazanët e plehrave, jo ata që firmos Rama për të prezantuar Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Eshtë e kundërta. E rëndësishme është që kur të shihni punët e mia, ju lutem mos i asocioni me kësi banalitetesh. Ju mirëpresim!” përfundon Shkurti një status të tijin në rrjetet sociale, përmes të cilit kërkon të vendosë si në formol, veprën e tij, të paraqitur në ekspozitën “Teatri i Gjelbërimit”, pranë Galerisë FAB, ballë një printimi në përmasa të mëdha të një fotografie nudo të Edi Ramës, nga Armando Lulaj, printim të cilin artisti e konsideron  “vetëm provokim që i bëhet provincializmit mediatik “. Për t’iu referuar sërish Malraux-së, “Një vepër lind në kohën e saj dhe prej kohës së saj, por bëhet vepër arti nga ajo çka i shpëton.” Po ia lëmë kohës, pra, të vendosë.

Duket se besnikëria fëmijërore ka mbetur e paprekur dhe nuk është (kon)formuar në qenien e artistit Shkurti. Duke ndjekur hapat e tij artistikë, kjo është më e pakta që mund të themi, tek e shohim të shfaqet bujar, me baulen e fëmijërisë por dhe filizin bashkëkohor brenda tij.

Gjatë hapjes së ekspozitës, ambientet e Galerisë Zeta gumëzhinë nga artdashës, por jehona mediatike shkëlqeu sërish përmes mungesës së saj. Kjo ndoshta ngaqë prej kohësh Gentian Shkurti, ky grindavec i artit bashkëkohor shqiptar, duket të ketë marrë një notë të thyer në sjellje, gjë, kjo, që s’na ndalon aspak t’i japim, me plot meritë, një dhjetë me yll.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin