“Çfarë zanati ke?” e pyeti anëtari i komisionit të përzgjedhjes së personelit, ndërkohë që shikonte një listë të shkurtër kandidatësh për punë. “Unë jam prezencialist profesionist”, u përgjigj kandidati duke e parë drejt e në sy me një farë krenarie. Të gjithë anëtarët e komisionit ngritën kokën si me sustë dhe i ngulën sytë kandidatit përballë. Pritën disa sekonda një shpjegim të mundshëm, por nga goja e tipit misterioz nuk doli asnjë fjalë. Guximin e mori Kryetari: “Ju lutem, na shpjegoni më mirë, se çfarë është ky profesion që ju e quani prezencialist”. Nga fytyrat e të tjerëve dukej qartë se Kryetari interpretoi drejt kërshërinë e të gjithëve. Shtendosje u vu re edhe në mimikën e kandidatit, i cili mori frymë i lehtësuar. “Unë marr pjesë në mënyrë profesionale në aktivitete të ndryshme, tha ai. Në fillim nuk e dija që ishte profesion i vërtetë, sepse e bëja rrallë, por tani më zë pjesën më të madhe të ditës. Është punë e nderuar.”. “Më falni, i tha anëtarja bionde e komisionit, por ende nuk e kam të qartë. Si e filluat këtë profesion dhe çfarë jetëshkrimi keni?”. Kandidati pothuajse nuk e la të mbaronte fjalinë. “E fillova me mitingjet e partive shqiptare. Merrja pjesë në çdo miting, të çfarëdo partie. Madje shkoja edhe nëpër rrethe. Pastaj, meqë mitingjet filluan të rralloheshin, mendova ta shtrij aktivitetin tim në nismat e ndryshme me karakter politik e kulturor. Kështu nisa të shkoj në takime me politikanë, në konferenca shtypi, në prezantime librash, në emisione televizive, në kongrese partish, në mbledhje shoqatash, në dasma, në funerale, në fotografi grupi, në shkrepje selfiesh, e të tjera si këto. Kriza solli një farë rënie në punën time, kështu që mendova të shkoj jashtë shtetit, sidomos kur u shtuan takimet e politikanëve me diasporën. Edhe atje kishte shumë nevojë për prezencialistë profesionistë”. Me një buzëqeshje formale anëtari tullac i komisionit e pyeti: “Ju e quani profesion këtë aktivitetin tuaj, madje nënkuptoni se ka edhe amatorë. Mendoni se ju shërben për aplikimin e sotëm për këtë vend pune në shtet? Pra jeni i përshtatshëm?”. “Patjetër që është profesion, madje i vështirë, ia ktheu kandidati. E nuk ngjason fare me aktrimin, i cili zgjat disa minuta para telekamerave, ose dy orë para publikut. Ne prezencialistëve na takon shpeshherë të rrimë me orë të tëra në një konferencë, të dëgjojmë emisione televizive, të ndjekim me vëmendje konferenca shtypit, të brohorasim në mitingje partish… Nuk është aspak e lehtë. Ne jemi multifunksionalë. Duhet të kesh edhe physique du rôle, ose më saktë physique de l’emploi. Sa për vendin e punës nuk e kam problem. Ka plot punonjës shteti që janë kryesisht prezencialistë, njëlloj si puna ime, çka mund të merret edhe si konkurrencë e pandershme”. Në atë çast ndërhyri sërish Kryetari i komisionit: “Pra e konsideroni veten të aftë. Mendoni se do ta fitoni vendin e punës?”. Kandidati u përgjigj pa hezitim: “Unë kam etikën time profesionale, nuk mund ta pranoj fitoren e konkursit, ngaqë jam këtu për të bërë numër dhe për të krijuar imazhin e pluralizmit në aplikime. Pra, po punoj profesionalisht për të mirën e porositësit, me dy fjalë punëdhënësit tim, por indirekt edhe për ju”. Nga komisioni nuk pati pyetje të tjera.
2 Komente
Komentet janë mbyllur.
haha.. shkëlqyeshëm! më sjellë ndërmend ca emra dhe fytyra prezencialistësh të zanatit, që nga ata “të bazës” – alias mitingashët – deri te zanatçinjtë e lartë, po fare “të lartë” ama, që luajnë role 5 vjeçare.. 🙂
E bukur dhe mund te mbushej edhe me teper!