Kur flet për njëgjuhësinë (monolinguizmin), filozofi Ivan Illich vëren se janë të rralla ato komunitete ku anëtarët zakonisht flasin vetëm një gjuhë – p.sh. komunitetet fisnore që nuk e kanë arritur periudhën e neolitit të vonë; komunitetet që kanë përjetuar forma të caktuara të diskriminimit të ashpër; dhe qytetarët e shteteve kombe që, për disa breza me radhë, i janë nënshtruar arsimit të detyruar.
Përndryshe, thotë ai, njerëzit priren të jenë vetvetiu poliglotë, anembanë botës.
Njëgjuhësia nuk duhet ngatërruar, megjithatë, me analfabetizmin; ose me atë gjendje gjuhësore të një individi ose të një komuniteti, ku çdo lloj komunikimi kryhet vetëm me gojë dhe ku shkrimi nuk ekziston; madje për qytetarë shtetesh me arsim të detyruar, njëgjuhësia mund të jetë e kundërta e analfabetizmit. E megjithatë ka diçka që i bashkon, dhe që lidhet me sa të vetëdijshëm jemi për mënyrën si artikulohemi; ose, ndërsjellazi, për mënyrën si na artikulon gjuha.
Ne që jemi mësuar “që në vezë” me shkrimin, madje jemi disiplinuar mendërisht me shkrimin si mjet komunikimi, e kemi të vështirë, në mos të pamundur, të kuptojmë, të përjetojmë dhe të riprodhojmë magjinë e komunikimit gjuhësor të analfabetit, ose të një kulture të sunduar nga oraliteti.
Pa çka se gjurmë të këtij oraliteti – jo si praktikë, por si formë të kulturës – ende i gjen tek-tuk edhe sot; për shembull në ligjërimin e disa të moshuarve, që edhe kur kanë mësuar pak shkrim e këndim më pas e kanë shpërfillur; ose të disa shtresave zakonisht pak të arsimuara të popullsisë, që riprodhohen në kontakt mes tyre, jo me mass mediat.
Dhe këtu s’e kam aq fjalën te folklori, i cili tashmë është karnevalizuar prej kohësh; por më tepër te forma të shkëmbimit gjuhësor që mbijetojnë në periferi të qytetërimit; dhe që i gjej kur më kap ndonjëherë veshi, sa për të sjellë një shembull, muhabetet mes grave të thjeshta në lagjen time.
Oralitet, doemos, por edhe sundim total i ligjërimit nga gjuha, si koncentrat i pavetëdijes komunitare; ose tërësi shprehish të eksperiencës dhe të mendimit, që riprodhohet me çdo instancë komunikimi të përditshëm.
Përndryshe, e ndesh këtë kolonizim të disave nga gjuha edhe te rezistenca, ndonjëherë e pamposhtur, ndaj gjuhës tjetër; si në emigracion. Kjo rezistencë nuk ka të bëjë me IQ-në, as me kompetencën sociale; por është refuzimi i identitetit të vjetër, të formuar si kryqëzim marrëdhëniesh brenda komunitetit, për t’ia lënë vendin një identiteti të ri, kërcënues dhe enigmatik.
Më vijnë në mendje shqiptarët që kam ndeshur, kur kam ardhur në fillim në NYC; me fjalë që mezi i kishin zbutur nga anglishtja, si koret, (për monedhat 25-centëshe), çiriozat, klozetat, bejsmenin, irishët ose billdingjet; të cilat gjithashtu i shërbenin, rekrutë të momentit të fundit, mbijetesës in extremis të një komuniteti tashmë vetëm të imagjinuar.
Shkrimtari turk Aziz Nesin përmend, në një tregim të vetin, ca imigrantë turq në Gjermani, tashmë të dalë në pension, që e kalonin kohën në kafene, por që nuk kishin arritur – lexo: kishin refuzuar – të mësonin qoftë edhe një fjalë gjermanishte. Dhe aq të rregullt ishin bërë në këto kafene, sa u kishin mësuar pak turqisht kamerierëve gjermanë.
Vetëm oraliteti ta jep këtë farë sigurie, që përndryshe mund të duket si ndonjë lloj obtuziteti.
Edhe satiristi Aleksandër Zinoviev shkruan, te Homo Sovieticus, për një imigrant rus në Bavarinë e viteve 1970, që edhe pse kish kaluar tashmë gjashtë vjet në Gjermani, nuk fliste asnjë fjalë gjermanisht; por ama kish filluar ta fliste rusishten me theks gjerman. Mbase, po të kish punuar si kamerier në atë kafenenë e turqve pensionistë të Nesinit, ky do ta fliste rusishten me theks turk. Gjëra më të çuditshme kanë ndodhur.
Unë nuk kam dëgjuar shqiptarë të imigracionit që ta flasin shqipen me theks anglez (mbase do të dalin të tillë në tubimin e ardhshëm të diasporës); por kam dëgjuar shqiptarë të imigracionit që ta flasin anglishten me theks të gegnishtes. Për ta kjo gegnishte është një mënyrë të qeni, ose një modalitet zanor që shkon më thellë se gjuha e përditshme.
(Kam dëgjuar shqiptarë të këtushëm të flasin mes tyre edhe serbisht, por kjo i ka arsyet tjetërkund; dhe ndoshta edhe thjesht te një përpjekje e tyre që të mos i marr vesh unë se ç’thonë.)
Një gazetë e këtushme më ka njohur me një fushatë masive të shtetit të Kalifornisë, për t’i alfabetizuar fëmijët e imigrantëve të freskët meksikanë duke ua mësuar shkronjat në spanjishte, jo në anglishte.
Përpjekje fisnike, por që nuk kish marrë parasysh se shumë nga këta imigrantë të rinj në Kaliforni vinin nga komunitete indigjene të Meksikës, ku spanjishtja praktikisht nuk përdorej, dhe aq më pak me fëmijët. Kësisoj, shkruante gazeta, meksikanët e vegjël detyroheshin të mësonin spanjishten kur vinin në ShBA.
(Rreth 21.5% e meksikanëve identifikohen si indigjenë, ose me prejardhje nga popullsi dhe komunitete që ekzistonin në Meksikë para ardhjes së europianëve; një pjesë e këtyre përdorin lirisht në komunikim gjuhët e tyre të origjinës, çfarë edhe u njihet tanimë me ligj. Duke pasur parasysh se janë më të varfrit dhe të emargjinuarit e këtyre që emigrojnë, numri i fëmijëve meksikanë që vijnë në ShBA pa ditur spanjisht duhet të jetë relativisht më i madh se ç’kujtohet.)
Në botën e sotme “të qytetëruar”, ku procesi i qytetërimit shpesh fillon dhe mbaron me alfabetizimin, oraliteti është si ata shpesët e rrallë dhe të mefshtë, që duhet t’i kërkosh me ngulm dhe durim, për t’i gjetur. Shpresoj që me dy-tre anekdotat që solla më lart t’ju kem dhënë së paku një ide.
Emigranti, në anije drejt Korfuzit, fliste me gruan në telefon në Shqipëri: “Jam n’karav, mos m’merr mo, se marojn lekt!” (karavi (greq. καράβι) = anije).
Kurse një tjetër herë, vetëm përmes shqiptimit arrita të pikas, po në Korfuz se prindërit e dy fëmijëve që flisnin greqishte njësoj si bashkëmoshatarët e tyre grekë, ishin nga Laçi. Pasi kreva detyrën fisnike të përkthyesit, për të ndihmuar prindërit të kuptonin ç’thoshin fëmijët (të cilën nuk shpreheshin dot qartë në shqip, kurse prindi nuk kuptonte greqishten e fëmijëve), u prezantuam alla shqiptarçe, duke këmbyer informacionet përkatëse mbi prejardhjen, i kuja jam, ku e kam shtëpinë, etj. Shqipja laçiane, ndërkohë, zhvillohej në sintaksë të greqishtes. Vrava ca mendjen, çfarë amalgame duhej të ishte “gjuha e nënës” për fëmijët e tyre, po u lodha shpejt.
Perla të qytetërimit (ose qyqeqërimit)!
Foreign Accent Syndrome është një tjetër dukuri interesante që thuhet se është pasojë e dëmtimeve në tru.
Ardian Vehbiu e keni kapur shume keq me verioret.Megjithese mundohesh ta fshehesh mllefin ndaj verioreve.
Nuk e di nga e ka origjinen ky mllef i joti ndaj verioreve e shqiptareve te Kosoves ne vecanti.Mbase me eksperiencen tende si emigrant ne ShBA,ku mund te kete rene rasti te kesh te besh me veriore.
Jeni mesuar ju tosket per gjyseshekulli diktature komuniste-krahinore,me njelloj superioriteti te rrejshem ndaj verioreve ne pergjithesi,e kosovareve ne vecanti.
E kur tani ju bie rasti te keni te beni me veriore ne diaspore,qe nuk ju pjerdhin fare “superioriten” tuaj te pordhem e te shkalafenem krahinore,mllefoseni dhe mbusheni me urrejtje.
Ardian Vehbiu kot mundohesh me ta fshehesh (mbase edhe nuk do ta fshehesh,ku i dihet) mllefin tende per veriun dhe verioret pas etikes se sforcuar,tejet te sforcuar,deshperimisht te sforcuar.
Hajt met mira, e lodhut gjithe diten te militosh kunder bashkimit te Shqiperise me Kosoven,ne menyren tende skuthe “etike”,te terthorte,se ai ka per te ndodhur.
Ka per te ndodhur per inatin tuaj.Per inatin e sojit tuaj.Per inatin e muceve,taceve,meteve,kicove,baceve,syrjave….
Timur, më vjen keq për shqetësimin që ju ka kapluar. Por ju siguroj se e keni lexuar mbrapsht shkrimin tim dhe, për pasojë, nuk e keni kuptuar. Ju paralajmëroj këtu, për hir edhe të atyre që ju lexuan, që të mos kërkoni me zor armiqësi imagjinare në shkrimet e mia, për të shprazur pastaj mllefet dhe komplekset tuaja provinciale.