Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE (V)

Në vitet 1970-1980, kur totalitarizmit shqiptar i kishte rënë hovi revolucionar, dhe po preokupohej çdo ditë e më tepër me mbijetesën e vet, edhe ligjërimi publik do të rimodelohej për t’iu përshtatur këtyre rrethanave.

Njësimi i gjuhës, i zyrtarizuar në vitin 1972, ishte akti i fundit kulturor i fushatës maoiste-radikale për revolucionarizimin e vendit, e cila ishte shtjelluar pothuajse e tëra në dhjetëvjeçarin e mëparshëm (emancipimi i gruas, antipatriarkalizmi, industrializimi i përshpejtuar, përfundimi i kolektivizimit).

Që atëherë, totalitarizmi do të vinte duke ushtruar më pak ndikim në gjuhë, dhe më shumë ndikim në ligjërim; duke transformuar mënyrën e komunikimit dhe sidomos materializimin e autoritetit në ligjërimin publik.

Që atëherë gjithashtu, do të vinin duke u shtuar në përdorim jo vetëm frazat dhe sloganet e gatshme, por edhe blloqe të plota teksti, madje edhe struktura shabllone artikujsh ose fjalimesh, thelbi i të cilave nuk ishte aq se çfarë kumtonin, sesa vetë fakti që riprodhoheshin nga teksti në tekst.

Kryet e vendit në këtë teknikë e zinin natyrisht citatet nga Enver Hoxha, Stalini, Lenini dhe Marksi.

Megjithatë, frazat e gatshme, pseudo-proverbat, klishetë ligjërimore, citimi i bollshëm e zemërgjerë nga Libri (vepra e Enverit) dhe të tjera përftesa si këto, përveç riprodhimit të hierarkive të pushtetit, kishin edhe një efekt tjetër: zbehjen deri në zhdukje të autorit në ligjërim – me përjashtim të Autorit vetë.

Në rrethana normale, autori i një ligjërate publike, p.sh. dikush që mban një fjalim në një konferencë, ose që shkruan një artikull në gazetë, është garant i koherencës së tekstit.

Mirëpo kur kjo ligjëratë publike është e mbushur me klishe, citate, slogane; dhe shtjellohet sipas një skeme të sprovuar – p.sh. ne kemi arritur këto dhe ato suksese, por ende kemi këto dhe ato mungesa, prandaj duhet të mobilizohemi për të bërë më tepër, etj. etj. – atëherë vetë roli i autorit ripërmasohet.

Alexei Yurchak, i cili ka studiuar ligjërimin publik në Bashkimin Sovjetik të periudhës brezhnjeviane, vëren se autori në atë lloj ligjërimi nuk është më krijues i dijes, por vetëm ndërmjetësues.

Qëllimi i ligjërimit publik është, kështu, gjithnjë e më pedagogjik – meqë folësit ndërmjetësojnë midis burimit të informacionit (udhëheqjes së lartë) dhe publikut.

Yurchak vëren gjithashtu se, në periudhën e totalitarizmit statik, ligjërimi publik i referohet rregullisht të shkuarës, meqë gjithçka që ndodh, ishte parashikuar rregullisht nga “udhëheqësi”, ose nga “Partia” (shumë nga ju nuk do t’i kenë harruar format e edukimit).

E gjithë kjo në emër të induktimit të një ndjesie difuze të përhershmërisë.

Idealisht, ligjërimi publik në Shqipëri kishte një autor të vetëm: Enver Hoxhën. Të tjerët autorë ishin më tepër surrogato, propagandistë dhe ndërmjetësues të “mësimeve të Partisë”; me fjalë të tjera, instrumente.

Nga ana tjetër, ligjërimi publik i udhëheqësit fitonte edhe disa atribute të papritura të profecisë, ose ligjërimit prediktiv; sidomos sa herë që udhëheqësi vetë e kishte në dorë për ta rishkruar të ardhmen sipas parashikimeve të veta.

Figura e Autorit Suprem shërbente, kështu, për të lidhur të shkuarën me të ardhmen, nëpërmjet një të sotmeje absolutisht statike, e cila vetëm riprodhohej.

Nga ana e tyre, autokratët tradicionalisht e kanë pasur të lehtë të komunikojnë me turmat amorfe, brohoritëse dhe duartrokitëse. Brenda kësaj skeme komunikimi, autorët e mirëfilltë janë gjithnjë të rrezikuar – nga të dy krahët.

E kam fjalën për figura të tilla, relativisht të domosdoshme, si shkrimtarët, artistët, historianët, sociologët, publicistët dhe të tjerë individë që janë aktivisht të përfshirë në komunikim të përditshëm me publikun; pa përjashtuar edhe bashkëpunëtorët e afërt të Liderit.

Disave do t’u kujtohet këtu zemërimi i “plenumit” me citatet e Mehmet Shehut afishuar në Shkollat e Lira Ushtarake…

Si shembull i irritimit të publikut me autorin mund të sillet reagimi i ashpër i lexuesve ndaj romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, botuar në vitin 1973; i cili reagim mund të ketë qenë orkestruar nga policia sekrete, por mund edhe të ketë qenë i vetvetishëm.

Në atë kohë vetëm ndërhyrja e Enver Hoxhës e shpëtoi autorin nga linçimi politik!

Më pas, ndoshta në romanin “Koncerti”, Kadareja bën fjalë për një propozim, ndoshta në Lidhje të Shkrimtarëve, për t’i eliminuar fare emrat e autorëve nga veprat.

Kam dëgjuar që një ide e tillë ka qarkulluar në Kinën e Revolucionit Kulturor; në një kohë që edhe kritika avangardiste në Perëndim fliste gjithashtu për effacement de l’auteur dhe të tjera marifete strukturaliste e post-strukturaliste.

Dobësimi i rolit të autorëve në artikulimin e ligjërimit publik në Shqipëri u shoqërua me një gjallërim të pashembullt të kultit të krijimtarisë folklorike; e cila është me përkufizim anonime, formulaike dhe përsëritëse (deri edhe autorë të mirëfilltë u detyruan të krijojnë gjëra pseudo-folklorike, për të mbijetuar, në emër të popullit.)

Roli i ligjëruesit publik në totalitarizëm mund të krahasohet, për nga efektet, me rolin e rapsodit me çifteli – edhe teksti i këngës edhe melodia janë standard; me të vetmin variacion të modeleve të ndryshme të mustaqeve rapsodike, sipas krahinës.

Në të vërtetë, totalitarizmi nuk pajtohet dot jo vetëm me autorin, por edhe me vetë aktin krijues; sepse çdo akt krijues sjell diçka të re në strukturën e sendeve, duke e vënë ekzistuesen në pikëpyetje e duke krijuar probleme me statu-quo-në.

Kjo sepse thelbi i komunikimit, në totalitarizëm, nuk është shkëmbimi i informacionit, por përsëritja, e ideve dhe e formave, për të ruajtur ekuilibrin në hierarkinë midis skajeve të komunikimit.

Autori, që nuk mund të jetë autor veçse sa kohë që synon origjinalitet, e fut në krizë këtë ekuilibër, duke i dhënë publikut dyshimin – ose bazën për individualitet.

5 Komente

  1. Uroj ta vazhdosh e ta shtrish këtë ese brilante edhe për shqipen e viteve 90, Xha Xha, mbi përplasjen e “gjuhëve shqipe”, por dhe për vitet 2000 e gjer sot, mbi mbetjet e shqipes totalitare.

    Ne kemi nevojë që temat e stërthëna e të banalizuara nga përsëritja mbi diktaturën të çbanalizohen e të ndriçohet e vërteta, për të zbërthyer banalen shqiptare.

    Kur shkruante Kadareja-Ideolog në 74-ën, se “Realizimi Socialist është art i së ardhmes”, qenkësh profet i vërtetë, se shqipja totalitare, si pjesë i atij arti, na mundon të gjithëve sa jemi arsimuar në shkollat shqiptare. Nëse i jepesh intuitës gjuhësore, është e pamundur të mos rrëshqasësh në formulime (Do t’ia dija për nder dikujt, nëse del e dëshmon të kundërtën, se ajo/ajo është i/e paprekur shtypja e asaj gjuhe).Të paktën unë jam i vetëdijshëm, prandaj dhe jam përpjekur t’i mbroj tekstet e mia.

    Ata që harrojnë të mbrohen, qoftë nga shkujdesja, qoftë nga fuqia, ka raste kur e shkelin keq. Në polemikën historike për këtë brez midis Qoses dhe Kadaresë, apo Kadaresë dhe Qoses, ky i fundit e lexoi Kadarenë me lupë dhe i gjeti shprehje e formulime që ishin mirëfilltas të diktaturës. Sepse arti i Realizmit Socialist ësht art i së ardhmes.

    Një gjë që del këtu, Xha Xha, është dhe hartimi si gjini, si ligjërim i përditshëm në jetën shqiptare. Ju kujtohen hartimet e shkollës? Atje e kam llafin. Besoj se hartimi, apo diktimi për ta bërë ashtu hartimin, përbën tharmin e shqipes totalitare sot. Shquani, e mos gjykoni, aktivistë nacionalistë nga më të nyjëtuarit mbi çështjet shqiptare, se si i shkruajnë artikujt. Ose më mirë, si i mbarojnë: me optimizëm, siç na mësonin në shkollën e diktaturës. Duhet të ketë një dozë të madhe optimizimi në fund, edhe kur ajo që përdoret për t’u ndezur është ashkë, sepse hartimi, them unë, siç na u dha është një formë ligjërimi marrë nga predikimi kishtar.

    Për të mos kundërshtuar këtë fakt, kujtoni shkrimet e atyre që nuk u cënuan nga gjuha e viteve 70-80, sepse, ndoshta, fizikisht nuk ishin në kontakt me të.

    Duke lexuar librat e Fatos Lubonjës, për shembull, unë shqova një shqipe tjetër, bashkekzistuese, por e ngujuar, të cilën autori nxitoi të na e regjistrojë, para se ai vetë të pajtohej me gjuhën e sotme. Nëse dikush kërkon një ndjesi të tillë kulturore, i sugjeroj të rilexojë librat e Lubonjës, sidomos sot kur shqipja e pasdiktaturës ka marrë tipare disi të ngurta.

    Ishte kaq e ngulitur shqipja totalitare, sa qoftë edhe një rrokje ndryshe të bën të përsiatesh gjuhësisht. Kujtoni edhe njëherë Fatos Lubonjën dhe ish të burgosurit e tjerë, në një dokument (nuk më kujtohet saktësisht) shkruar mbas themelimit të PD-së, kur në fund thuhet “Të rrojë Partia Demokratike”, jo “rroftë”, siç e thoshnim ne. Më e forta është se, për ne më të rinjtë, kjo do të thoshte se edhe fjala “rroftë” mund të thuhet ndryshe. Apo nuk?

    Dhe mbrapsht te kulti, tek përmasa hyjnore (jashtë thonjëzave) e diktaturës komuniste në Shqipëri.

    Kur Alexei Yurchak përdor fjalën “ndërmjetësues”, dua të kujtoj se ky është term i mirënjohur teologjik mbi doktrinën e krishtërimit, madje mbi dogmën e krijimit, ku njeriu konsiderohet “ndërmjetësues dhe mikrokozmos”. Sepse, sipas asaj, ndërmjetëson, me gjithçka që bën, tek Krijuesi, duke qenë midis krijimit dhe Atij. Dhe besoj se Yurchak nuk e ka shpërnjohur teologjinë ruse në leximin e tij. Nuk po ndalem këtu, sepse e solla për parantezë. Shumë e zgjata, madje.

    Përgëzime, Xha Xha.

  2. Shume interesante gjithe kjo ese per shqipen totalitare Xha Xha. Shpresoj ta vazhdosh e ta botosh gjekundi si punim te vecante. Une vetem do te shtoja qe te gjitha sistemet totalitare ne nje menyre apo tjeter selitin nje gjuhe te tyren te vecante, si ajo e Orwell-it.
    Shembulli me i paster qe me vjen nder mend eshte gjuha fetare. Kam vene re se sa me purist apo fondametalist te jete nje sekt, aq me e vecante, dmth me totalitare, behet gjuha e tij, jo vetem krahasuar me gjuhen e zakonshme, por edhe me gjuhet e sekteve “mainstream” te se njejtes fe (ketu flas per krishterimin, se te tjerat nuk i njoh).
    Po ashtu besoj se ky diferencim duhet te jete i vlefshem edhe per gjuhet e ndryshme te llojeve te ndryshme te komunizmit: s’ma merr mendja se shqipja totalitare te kete qene e njejte te themi me hungarishten totalitare, kjo e fundit duhet te kete qene me afer gjuhes se zakonshme. Po ashtu, nga ana tjeter, koreancja totalitare duhet te jete me larg realitetit se sa shqipja totalitare.
    Nuk di nese u shpreha qarte.

  3. Bizantin dhe Neke, ju falënderoj për fjalët e mira e sidomos për interesin ndaj kësaj teme, e cila mua më mundon si pak gjuhëtar që jam, por edhe si viktimë e trysnisë totalitare në gjuhë; sepse unë i përkas atij brezi që e ka totalitarizmin të shkruar në tru me hekur të skuqur. Bizantini përmend, me shumë vend, hartimet; si ritual iniciatik, që na afronte të gjithëve me frymën e ligjërimit panegjirik totalitar… dhe më duhet ta pranoj se unë në hartime gjithnjë shkëlqeja, madje i bëja ndonjëherë edhe me porosi, për të tjerët! Prandaj reflektimin për shqipen totalitare e përfytyroj edhe si një vetëpastrim, për veten dhe të tjerët si unë; të infektuar prej kohësh nga viruse të një sëmundjeje të vjetër, e që tani pothuajse na janë integruar në kodet gjenetike të kulturës (apo të them më mirë memetike). Ligjërimi totalitar nuk u përmbys në 1990-ën; përkundrazi, mbetet i gjallë sot e kësaj dite, dhe manifestohet sapo dikush hipën në podiumin real ose virtual dhe i drejtohet publikut. Është i gjallë sepse nuk ka dalë kod tjetër që ta zëvendësojë, dhe zhargonet pseudo-teknokratike të të diplomuarve në Perëndim janë artificiale, nuk e konkurrojnë dot. Prandaj them se ligjërimi totalitar vijon t’i japë formë politikës në Tiranë, pavarësisht nga kushtetuta dhe fondacionet e shumta; sepse e vetmja alternativë ndaj tij është kaosi, gjuha e rrugës, ose e deputetit që flet në kuvend si xhambaz ose shitës makinash të përdorura. Edhe unë vetë ia ndiej pasojat kur shkruaj; me disa fraza që më dalin të gatshme pa e kuptuar as unë vetë; ose me disa pohime tepër të prera, madje absolutizuese; ose me të tjera tipare e marifete të cilat ndoshta do të kem rast t’i shtjelloj veçmas ditët e ardhshme. Dezintoksikimi nga kjo flamë është proces i dhimbshëm, por duhet bërë me thonj e me dhëmbë, përndryshe totalitarizmi përsëri fiton, megjithë bindjet tona të ndryshuara, ose të rilindura, ose të pagëzuara rishtas. Nga ana tjetër, Nekja me të drejtë përsiat se ligjërata totalitare shqiptare i ka pasur disa karakteristika të vetat, që e dallojnë nga ajo në vende të tjera totalitare; çka duket e drejtë, por kërkon gjithsesi studime krahasimtare. Unë vetëm do të shtoja se karakteristikë e shqipes totalitare ishte përvetësimi, in toto, madje instrumentalizimi i frymës ngazëllimtare të Rilindjes shqiptare, ose patetizmi i tepruar i tipit “div dragoi i Dragobisë” ose “ky dhé i larë me gjakun e dëshmorëve” (po me çfarë ishte bërë pis, që duhej larë, xhanëm?), sidomos kur vinte fjala për tema të larta, si komunizmi, atdheu, të rënët, Partia, udhëheqësi e kështu me radhë; së bashku me një stilizim praktikisht të neveritshëm të diskursit folkloristik, i cili paraqitej kinse si triumfi i baltës mbi mermerin.

  4. Analize e shumeduhur, Xha Xha. Do ishte mire te zgjerohej si debat ne mediat shqiptare, sepse dezintoksimin si domosdoshmeri, e pastaj si proces, pakkush e ka te ndergjegjesuar. Nuk ushqej ndonje iluzion; pasojat e ligjerimit totalitar ne shqipen jane dicka qe nuk mund t`i pervishesh en masse, por do ishte mire te ngulmohej per zbehjen graduale te tyre.

  5. Interesant, dhe i dhimbshëm shumë, është konstatimi yt se ligjërimi totalitar nuk mund të tejkalohet sot në shqipe, Xha Xha, por dhe provokues, në fakt. Por kur përmend zhargonet perëndimore të përsjella artificialisht në shqipen e këtyre viteve, ç’të themi? Një pjesë e kësaj të vërtete i përket përkthimtarisë, domethënë se si të arsimuarit në Perëndim e kanë të vështirë mjaft herë t’i sjellin mendimet e tyre natyrshëm në shqipe, por me të drejtë është edhe një sugjerim ligjërimor, siç e thua aq mirë. I dështuar rëndom, si sugjerim.

    Kjo përsiatje tashmë të shtrëngon të pajtohesh me gjuhën mbizotëruese, por nga ana tjetër ekziston edhe udha e mesme. Ti, Xha Xha, si dhe disa intelektualë të tjerë, keni bërë diçka, aq sa mund të shpresohet për një krasitje e lëmim të ligjërimit publik.

    Përndryshe, nëse shqipja totalitare do të ishte aq “e paepur”, për të përmendur një nga cilësimet aq të shpeshta të saj, nuk do t’ia vlente të eptoheshim shqip. Ajo është e fuqishme, por jo e pandryshueshme.

    Kyçi, për mua të paktën, ka qenë jashtë shqipes dhe madje jashtë gjuhës, në eseistikën kulturore, sidomos në atë jo shqiptare. Për një lexues që e vuan gjendjen e sotme shqiptare, ndryshimi gjuhësor do t’i vijë nga pranimi i një mendimtarie ndryshe dhe tejkaluese njëherësh, nga kryqëzimi pastaj i leximeve, ku do të ndeshen, në përqasje e shtjellime të ndryshme midis tyre, të njëjtat fjalë-terma, të njëjtat shprehje-koncepte, nocione që e tejkalojnë lexuesin, aq sa i imponohen përhershëm në mendime, në nyjtëtimet vetë me vete, para se t’i lektëzojë ato në zanore e bashkëtingëllore.

    Për këtë ndryshim në mendime që sjell ndryshimin ligjërimor, gjë që kjo rëndom e ndan/veçon bashkëkohësin nga ata që e rrethojnë, ekziston një dëshmi e madhe sot: Jo ata që lexojnë dhe ata që s’lexojnë mendimtarinë bashkëkohore kulturore, por ata që dorëzohen dhe ata që nuk dorëzohen; kuptuar kjo në zellin dhe afshin e një letërsie nacionalkomuniste.

    Interneti tashmë nuk është vetëm një mjet komunikimi ligjërimor midis nesh, por dhe mënyra e vetme për mjaft shqiptarë që i dorëzohen këtij ndryshimi mendor: ai që e ndan nga të tjerë, por dhe që e afron me bashkëvuajtësit, për të vijuar këtë udhë të re, të dhimbshme, por dhe ngushëlluese.

    Prandaj dhe shpresoj se fuqizimi i këtyre debateve, përafrimi i debatuesve midis tyre, janë një alternativë e madhe gjuhësore, sado e kërcënuar kjo nga zhurma e teneqeve të kombit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin