Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

KUSHTRIMI I RUMUNËVE

Lajme të mira për të gjithë ne që kemi ndjekur kronikat e zgjimit kombëtar të bullgarëve në Shqipëri.

Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, George Miku, i paska thënë gazetës “Shqip” se:

Në Shqipëri nuk ka popullsi bullgare. Mund të ketë ndonjë familje bullgare tek-tuk, por jo aq sa të përbëjë dukuri demografike.”

Unë intervistën në “Shqip” nuk e gjeta dot, por e lexoj tani lajmin këtu.

“Të thuash që ka 100 000 bullgarë që jetojnë sot në Shqipëri është pothuajse skandaloze,” paska deklaruar ambasadori rumun (përkthimet janë të miat, Xh.).

Përkundrazi, shpjegoi ai, ka disa komunitete (a)rumune në disa zona të Shqipërisë, nga të cilat më i madhi jeton në qytetin e Fierit.

Çështja e arumunëve në Shqipëri është edhe ajo në pritje të heronjve. Kush është kurioz të lexojë se ç’mendojnë arumunët vetë për të shkuarën dhe të ardhmen e tyre, mund të lexojë një artikull nga Stephanie Schwandner-Sievers; por edhe më elokuente se artikulli është kjo hartë, e përpiluar nga Dr. Thede Kahl (Institut für Geographie, Universität Münster) dhe e mbështetur në kërkimet që ka bërë vetë autori në terren në vitet 1995-6; e cila mëton të tregojë ngulimet arumune (vllahe) në trojet e Shqipërisë.

Zgjidhni e merrni, tha.

27 Komente

  1. “mire” duket, shqiptareve u rrofte emri se te tjeret jane hedhur ne sulm per te zene vendin, ne mos e kane zene.

  2. Ka një përmasë qesharake gjithë kjo historia e komuniteteve që jetojnë në Shqipëri dhe kërkojnë atdhe. Ose më mirë, vende që kërkojnë bashkësitë e tyre nëpër troje të huaja. Gjenerali kërkonte dikur eshtra, sot kërkohet mish i gjallë.
    Shqipëria merr kështu pamjen e një jetimoreje gjigande ku prindërit e kamur kërkojnë fëmijët e tyre të humbur, në kushedi se çfarë peripecish, ose enden të pavendosur në turma vogëlushësh për të birësuar ndonjë mundësisht me sy bojëqielli. Kurse sytë e vobektëve vocërrakë kërkojnë me padurim një dorë që ta përkëdhelë. Mundësisht e mbushur me unaza floriri.

  3. Ka zëra se vëllezërit Frashëri kanë qenë, etnikisht, vllehë të islamizuar; dhe fshati i tyre konsiderohet si fshat vllehësh (aromunësh).
    Unë këtë nuk e verifikoj dot, por edhe nuk habitem; sepse dihet që vllehët luajtën rol aktiv në Rilindjen shqiptare; sikurse kontribuan në formimin e Toskërisë si koine kulturore.
    Vllehët ishin njëlloj aktivë në lëvizjen komuniste.
    Në të dy rastet, ky aktivitet shpjegohet me nevojën e një minoriteti për t’u ngjitur disi në hierarkitë sociale, duke përfituar nga një situatë e krizës së përgjithshme. Në kohë të Rilindjes, shumë nga elitat vllahe mendonin se një Shqipëri e pavarur do të ishte edhe zgjidhja më e mirë për vllehtë e Ballkanit Perëndimor. Në kohë të Luftës, vllehët e varfër panë te komunizmi një mundësi për të promovuar komunitetin e tyre.
    Nuk ka asgjë të keqe në këtë mes. Sikurse nuk ka gjë të keqe që vllehët e sotëm kërkojnë të përfitojnë nga statusi i Rumanisë në Ballkan, përsëri për t’i garantuar komunitetit diçka më tepër.
    Çka më intrigon mua, janë përpjekjet e disa qarqeve greke për t’i afruar vllehët e Shqipërisë nëpërmjet asimilimit. Tradicionalisht, vllehët në Shqipëri janë ndarë në filogrekë (moskopolitë) dhe në filoshqiptarë (farsaliotë); të dytët ndoshta duke ruajtur edhe lidhje më të forta me Rumaninë.
    Po sa e vështirë është t’i shkoqësh këto gjëra në Ballkan!
    Megjithatë, grekët nuk i akuzon dot se nuk përpiqen. Lexoj tani se autoritetet konsullore greke në Shqipëri u paskan ofruar, në 1992, privilegje në viza dhe në leje pune vllehëve të zonës së Vlorës, me kusht që këta të identifikoheshin si “heleno-vllehë”.
    Heleno-vllehë? Në Shqipëri?
    Unë heleno-vllehë do të kisha quajtur vllehët që jetojnë në Greqi, ose që janë greqizuar, sikurse janë shqiptarizuar shumë vllehë të Shqipërisë.
    Prandaj, ç’të kenë qenë këta heleno-vllehë në Shqipëri?
    Vallë vllehë me origjinë nga zona e Pindit në Greqi, që pastaj u zhvendosën drejt Shqipërisë (siç bënin zakonisht vllehët nomadë) duke sjellë me vete tradita të fituara prej grekëve kur jetonin atje?
    Kjo puna e heleno-vllehëve nuk di pse më kujtoi tezën e Bizantinit, për Naim Frashërin si “grek për nga gjuha” – të ketë qenë edhe ky heleno-vllah?

  4. Nje karte ne doren e grekeve jane vllehet e jugut. Qe te gjithe i identifikojne si greke.
    Ata kane dhe nje ministri te quajtur “Ministria e Maqedonise dhe Trakes”, me ane te se ciles japin bursa per komunitetin vlleh prej Shqiperie.
    Vertetimi i identitetit te ashtuquajtur greko-vllah, con direkt ne marrjen e kartes se homogjenitetit ne Greqi. Tashme marrjen dhe te leternjoftimit.

    Kot nje kuriozitet, i shoqeruar me nje pyetje: Keto te dhena vertet nuk i dinit me pare?
    Nese i dini, pse nuk i bini asaj te shkrete kembane te nacionalizmit?

  5. Që Naimi ishte vllah nuk përbën sihariq në vete dhe për mua çështja vllahe mbetet një nga misteret e kulturës shqiptare. Megjithatë kombësia është më e re se vllehtë, gjë që tash për tash ma ka zgjidhur mistern, edhe pse nuk kam nderin të jem vllah. Edhe nga surrati ngjaj më shumë me Zogun (mjerisht!) që ishte mysliman, sesa me vllehtë. Pra, nuk kam asnjë dilemë antropologjike se kam qenë, jam dhe mund të jem shqiptar.

    Për parantezë, këto ditë u zgjodh primati i ri i kishës ortodokse rumune, Danieli i Moldavisë, i cili do të fronëzohet së shpejti Patrik i Rumanisë. A kemi ndonjë aktivist vllah këtu të na thotë nëse ky ishte eksarku rumun që u dërgua në Shqipëri në vitin 1991? Unë them se ky është, por mund të më jetë regjistruar gabim, edhe për faktin se sendet rumune atëherë nuk i merrja seriozisht. Ky është një burrë shumë aktiv, akademik, me arsim e kulturë latine e neolatine, dhe pritet të trazojë ujërat e fjetura të ish patrikut 93 vjeçar që vdiq së fundi.

  6. Ironia eshte qe shume nga Moskopolet (grekofile me thagem, por vetem kur jane afer grekut) u shperngulen ne Prizren pas rrenimit te Voskopojes, dhe u asimiluan ne PAKICEN serbe brenda nje gjenerate. As liturgji ne greqisht nuk kerkuan atje dhe as shkolla ne greqisht jo.
    Lufta e 99-es i gjeti keta “serbe te rinj”, ne balle te spastrimit etnik te Prizrenit me rrethine, si rrjedhim sot ne Prizren nuk jeton me asnje familje vllahe nga te Voskopojes.
    Dikush mund te thote, qe zgjedhja qe gjysherit e tyre bene ketu e 200 vjet te shkuara, i dha me ne fund rezultatet dhe niperit e sodit kurre me nuk do jetojne ne mes te shqiptareve.
    Ironike, apo jo?

  7. Duke iu referuar radhëve të mia për çështjen e heleno-vllehëve në Shqipëri, Julius shkruan:

    Keto te dhena vertet nuk i dinit me pare? Nese i dini, pse nuk i bini asaj te shkrete kembane te nacionalizmit?

    Për mua, e vetmja formë e pranueshme e nacionalizmit sot për Shqipërinë është gatishmëria për shërbim publik.
    Kjo do t’ia sillte Shqipërisë forcimin e institucioneve; institucionet e forta do t’i jepnin Shqipërisë dinjitet dhe qytetërim; aq sa njerëzit nuk do të donin ta hidhnin në plehra qytetarinë shqiptare, siç bëjnë sot.
    Përndryshe çfarë? Ç’t’u bësh tani atyre qyqarëve që e përdorin ndërrimin e identiteteve si mjet për të mbijetuar? Apo t’i tregosh dhëmbët Greqisë? Si? Përsëri në kurriz të miletit do të bjerë.
    Edhe të flasësh për këto gjëra, siç bëjmë këtu të gjithë, ndoshta është njëfarë kontributi. Unë nuk u besoj letrave, peticioneve, thirrjeve dhe gjesteve të tjera kolektive.
    I besoj më shumë logos-it.

  8. Dakord me Xha Xhain. Patriotzimi sot duhet te jete pragmatik. Fillohet duke i pajisur institucionet me dinjitet dhe dhe duke dhene shembuj te mire, duke qene shqiptare te mire – ne cfardo profesioni qofshim bejme me shume se cdo benim me retorike.

    Une them se nje debat kerkon dy pale. Duke e injoruar kete teme, i shmangemi kesaj humbje kohe dhe ketij debati qe qofte dhe duke u hapur na demton. Une them: “stonewall it to death”. We are moving on!

  9. Për mua, e vetmja formë e pranueshme e nacionalizmit sot për Shqipërinë është gatishmëria për shërbim publik.

    Shkrim tërheqës dhe bisedë interesante. Jam edhe unë dakord me Xha Xhain. Ndaj kërrcënimeve të huaja shqiptarët kanë punuar pa u lodhur e kanë dhënë edhe jetën, dhe besoj se edhe sot gjendet mes nesh një shtresë shqiptarësh të cilët mendojnë e punojnë për dhe mbi Shqipërinë. Vetëm se ata nuk janë në pushtet. Mbase gabohem, por për mendimin tim nuk ka asnjë ndryshim cilësor ndërmjet një politikani të korruptuar dhe një krimineli që të grabit nën kërrcënimin e armës – thjesht njëri ka zgjedhur të veprojë jashtë ligjit dhe tjetri “brenda ligjit”. Nqs do të marrësh atë që s’të takon, ose e merr me dhunë, ose me politikë. Njeriu i ndershëm (përkufizoje si të duash) as nuk kërkon të jetë pushtetar e as kriminel, dhe përfundon i shfrytëzuar nga të dy. Siç thoni ju, ajo që duhet është gatishmëria për shërbim publik.

  10. Fillohet duke i pajisur institucionet me dinjitet dhe dhe duke dhene shembuj te mire, duke qene shqiptare te mire

    Shqiptari behet ‘i mire’ vetem kur del jashte gjirizit ne te cilin u lind. Per mua, ata te Shqiperise jane bageti e trashe. Mall pa zot. Atehere pse te mos pretendojne per ta Rumunet? A nuk jane ‘cobenj’ edhe ata?

  11. Xha Xhai,
    tema eshte teper e thelle, per ndonje edhe tabu, por..
    Ballkani, thuajse te gjitha kombe e sotme ne te, nuk kane asgje te perbashket me emrin qe mbajne. Maqedonia, emer i lashte qe s’ka asgje te perbashket me populsi sllave qe jeton ne te; Serbia, Kroacia me popuj sllave, ndersa emrat qe ata mbajne, kroate serbe, jane ato te fiseve persiane a ariane. Bulgaret po ashtu. Per greket e sotem, shume historiane jane shprehur se nuk kane asgje te perbashket me greket e lashte, aq shume jane perzier e ndryshuar. Perse te mos mendohet se edhe me shqiptaret ka ndodhur e njejta gje; Ata nuk quhen ilire e as arber sepse nuk mbajne mend te kene qene te tille, ne rast te kundert, perse do ta ndryshonin emrin. A mos jemi ne nje amalgame kombesish greke, kelte, latine, normane, germanike italike, bullagare, arumune, sllave, rome, turke, arabe, te cilet duke jetuar per nje kohe te gjate prane ose bashke, e larg trungjeve te tyre te prejardhjes, formuan, ndoshta vetem fale konjukturave, nje komb, qe sot quhet shqiptar?

  12. Ata nuk quhen ilire e as arber sepse nuk mbajne mend te kene qene te tille, ne rast te kundert, perse do ta ndryshonin emrin.

    Albanofonet e Italise dhe Greqise nuk e ndryshuan emrin.

  13. ‘Fillohet duke i pajisur institucionet me dinjitet dhe dhe duke dhene shembuj te mire, duke qene shqiptare te mire’

    Me ndihmoni pak sepse kam veshtiresi te kuptoje cfare domethene te jesh ‘Shqiptar i mire’.

  14. “Albanofonet e Italise dhe Greqise nuk e ndryshuan emrin.”

    Kjo le te kuptohet se gjate periudhes midis ikjes se albanofoneve nga vendi dhe daljes se emrit ri brenda vendit, dicka transformuese ndodhi.

  15. Kur territoret shqiptare përfunduan pjesë e Perandorisë Osmane, pati edhe disa përmbysje të mëdha demografike, të cilat mund të përmblidhen si më poshtë:
    1. Pjesa më e qytetëruar e arbërorëve të fesë katolike, e cila jetonte në vijën bregdetare dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me Perëndimin, u largua kryesisht drejt Italisë së Veriut (Venezia, Marche) ku edhe u asimilua shpejt në vendasit. Këta i kishin përjetuar si protagonistë përpjekjet e Skënderbeut për t’i ndalur osmanët dhe kishin pasur mundësi të zhvillonin edhe një vetëdije pothuajse kombëtare, edhe pse të rrënjosur në përkatësinë fetare.
    2. Të tjerë arbërorë, më shumë të fesë ortodokse, u larguan drejt Italisë së Jugut, ku kanë mbijetuar edhe sot e kësaj dite si arbëreshë; po t’i gjykosh nga gjuha dhe zakonet, këta ishin me prejardhje nga Jugu i Shqipërisë dhe bartës të një kulture në thelb bizantine (më pas këtyre iu shtuan arbërorë të shumtë që ikën nga Moreja, kur kjo ra në duart e turqve; dhe këta të fundit iu mbivendosën të ikurve nga trojet shqiptare, dhe i asimiluan edhe nga pikëpamja kulturore).
    3. Me konsolidimin e pushtetit osman në trojet shqiptare, këto u ripopulluan me popullsi të zbritur kryesisht prej maleve ose zonave të brendshme, të cilat nuk e kishin përjetuar drejtpërdrejt qëndresën e Skënderbeut.
    4. Një pjesë e popullsisë, duke filluar nga shtresat e larta e për arsye kryesisht ekonomike, u islamizua.
    Pikërisht në këtë kohë shfaqet edhe emri “shqiptar”, i cili dalëngadalë do ta zëvendësojë emrin e vjetër “arbën/arbër” (“arbnor/arbëror”, “arbnesh/arbëresh”).
    Tani lexoj te “Hylli i Dritës” një studim shumë të mirë të Engjëll Sedaj, i cili hedh atje hipotezën se fjala “shqiptar”, pavarësisht nga etimologjia, do të jetë përdorur në fillim për të emërtuar arbërit e fesë islame, e për t’i dalluar këta nga turqit.

  16. “3. Me konsolidimin e pushtetit osman në trojet shqiptare, këto u ripopulluan me popullsi të zbritur kryesisht prej maleve ose zonave të brendshme, të cilat nuk e kishin përjetuar drejtpërdrejt qëndresën e Skënderbeut.

    Xha Xha,

    Pas vdekjes se Skenderbeut, pushteti osman u konsolidua relativisht shpejt, nuk mendoni keshtu? Nese po, a nuk ishte popullsia e maleve apo edhe zonave te brendshme ajo qe formonte edhe pjesen kryesore te ushtareve skenderbejane (ne mos ata vete, prinderit apo gjysherit e tyre)? Ne kete rast, si mund te thuhet qe kjo pjese popullsie nuk e kishte perjetuar drejtperdrejt ate qendrese? Nese mendoni qe osmaneve ju desh nje shekull a me shume per t`u ngulur mire, ndoshta atehere mendimi juaj qendron, edhe pse ne baza jo fort te verifikueshme.

    “Tani lexoj te “Hylli i Dritës” një studim shumë të mirë të Engjëll Sedaj, i cili hedh atje hipotezën se fjala “shqiptar”, pavarësisht nga etimologjia, do të jetë përdorur në fillim për të emërtuar arbërit e fesë islame, e për t’i dalluar këta nga turqit.”

    Kjo thenie apo teori e Sedajt (nuk e kam lexuar studimin, por po marr per baze permbledhjen tuaj), ka ca rrjedhime qe duhen sqaruar mire: Nese arberit islame u quajten “shqiptare” per t`i dalluar prej turqve, kush kishte nevoje ta bente kete dallim? Nese supozojme qe ishte keshtu, c`u be me arberit e krishtere, sepse e dime qe ata ose ca prej tyre vazhduan te jetojne ne Shqiperine e atehershme. Pra, emri “shqiptar” nuk ju mvesh edhe ketyre? Dhe me tej, vete emri “arber” a nuk do ishte i mjaftueshem per te treguar dallimin e nevojshem?

    Ndoshta teoria e Sedajt ka njefare baze, por sic ndodh zakonisht me hulumtimet e historise, njerit faktor i jepet peshe me shume se te tjereve, ose te tjeret harrohen nderkaq.

  17. Emri duket se nderrohet ose vertetohet se ndodh ne keto raste, se paku ne nivel individesh;
    p.sh.; kur njeriu nderron vendin; jo vendin por kulturen; kur kerkon te fshehe identitetin; kur sapo lind. Nga kjo mund te nxirret se; shqiptaret nuk jane arber nga etnia; nuk jane arber kultura; jane nje berthame e atyre arberve qe gjate periudhes se Skenderbeut nuk morren pjese ne perpjekjet e tij; ose kane qene pa identitet e u krijuan nga shtresa me e paformuar e arberve.

  18. Tani lexoj te “Hylli i Dritës” një studim shumë të mirë të Engjëll Sedaj, i cili hedh atje hipotezën se fjala “shqiptar”, pavarësisht nga etimologjia, do të jetë përdorur në fillim për të emërtuar arbërit e fesë islame, e për t’i dalluar këta nga turqit.

    Me se dakord. Kam lexuar nje tekst kenge Arberishte (Arvanitase) ku protagonisti Marko Bochari i cilesonte si ‘shqiptare’ Albanofonet myslimane

  19. Losttext shkruan:

    a nuk ishte popullsia e maleve apo edhe zonave te brendshme ajo qe formonte edhe pjesen kryesore te ushtareve skenderbejane (ne mos ata vete, prinderit apo gjysherit e tyre)? Ne kete rast, si mund te thuhet qe kjo pjese popullsie nuk e kishte perjetuar drejtperdrejt ate qendrese?

    Për këto gjëra nuk është se ka shumë të dhëna historike; por kam frikë se ajo pjesë e popullsisë së Arbërit që ishte drejtpërdrejt e përfshirë në luftrat e Skënderbeut ose u shfaros prej turqve, ose u largua drejt Italisë ose Dalmacisë (Raguzë), ose u skllavërua, ose lëvizi brenda për brenda Ballkanit (p.sh. edhe sot e kësaj dite do të dëgjosh në Himarë njerëz që të thonë se e kanë prejardhjen nga Kruja). Popullsia që u zuri vendin këtyre, nuk do ta ketë pasur atë ndjenjë të përkatësisë etnike që u zhvillua nga shtresat e larta, në kohë të Skënderbeut; sepse aso kohe populli i thjeshtë identifikohej më shumë nga përkatësia fetare.
    Përsëri Losttext:

    Nese arberit islame u quajten “shqiptare” per t`i dalluar prej turqve, kush kishte nevoje ta bente kete dallim? Nese supozojme qe ishte keshtu, c`u be me arberit e krishtere, sepse e dime qe ata ose ca prej tyre vazhduan te jetojne ne Shqiperine e atehershme.

    Logjikisht, ma merr mendja se këtë dallim donin ta bënin ata vetë (për t’u veçuar prej turqve në bazë të gjuhës; meqë “shqip” në origjinë ka pasur kuptimin “qartë”, “shkoqur”; pra shqiptarë ishin ata që flisnin qartë, shkoqur, mirë); por nuk përdornin dot “arbër”, sepse ky emërtim përdorej për shqiptarët e krishterë. Por edhe të krishterëve mund t’ju ketë shkuar kjo për shtat. Sa për arbërit e krishterë, këta e mbajtën emërtimin arbër për shumë kohë; sepse deri edhe themeluesit e ngulimit të Borgo Erizzo-s në Dalmaci, në fillim të shekullit XVIII, e quanin veten arbneshë.

  20. Xha Xhai: “Popullsia që u zuri vendin këtyre, nuk do ta ketë pasur atë ndjenjë të përkatësisë etnike që u zhvillua nga shtresat e larta, në kohë të Skënderbeut; sepse aso kohe populli i thjeshtë identifikohej më shumë nga përkatësia fetare.”

    – Se cfare permase perkatesie etnike paska patur popullsia zevendesuese ne krahasim me shtresat e larta, me duket me shume ceshtje interpretimi. Si e thoni ju, del qe me pare se te jene arber (para pushtimit osman) popullsia e lartpermendur ndjehej se pari e krishtere. Ndoshta. Gjithsesi, nevoja per diferencim nga te krishteret e tjere ballkanas do e kishte nxjerre koken gjate luftimeve apo pushtimeve te meparshme (Car Stefan Dushani etj). Me kete dua te them se mbase identifikoheshin me shume nga ana etnike se nga ajo religjioze.

    Per pergjigjen e dyte; del se myslimanet arberore, te ripagezuar “shqiptare” ndjene nevojen te diferencoheshin prej turqve ne sy te arberve te mbetur te krishtere. Ndersa teorizohet, ndoshta deri diku drejte, se emri shqiptar rrjedh prej “fol shkoqur,” nuk e shoh sesi kjo nevoje per te folur shkoqur nuk u aplikohet arberve te krishtere. Kur permend keto te fundit e kam fjalen per ata qe mbeten ne Arberi, jo ata qe u shperngulen jashte saj. Ka nje mundesi qe emri shqiptar te kete mugulluar e filluar te perhapet kur Skenderbeu ishte akoma gjalle, si pasoje e qendreses dhe njefaresoj bashkimi qe ai i beri fiseve dhe orincipatave arberore.

  21. del se myslimanet arberore, te ripagezuar “shqiptare” ndjene nevojen te diferencoheshin prej turqve ne sy te arberve te mbetur te krishtere

    Jo ne sy te arberve te krishtere por thjesht per veten e tyre. Anadollaku eshte shume ndryshe nga Albanofoni dhe perfshirja ne oqeanin e Ymetit Islam dhe kalifatit thjesht sa nxorri ne pah ato dallime.

  22. Pikërisht si thotë Kreshniku: shqiptarëve myslimanë u duhej një identitet që t’i dallonte nga myslimanët e tjerë në Ballkan (grekë, sllavë, turq); në një kohë që “arbër” me versionet e veta ishte zënë tashmë prej të krishterëve, të cilët vazhduan ta përdorin edhe për shumë kohë pas shek. XV. Prandaj edhe identifikimi në bazë të të folurit shqip u krye natyrshëm.

  23. Athere po te marrim shek e 18te si pikenisje del qe emri ‘shqiptar’ nuk eshte me shume se 300 vjecar. Kjo perkon edhe me hendekun gjenealogjik qe shumica e ‘shqiptareve’ do te hasin. Shume pak mund te shkojne me shume se 300 vjet prapa ne kohe.

  24. Shprehja “qi vjen me thashun shqip” ndeshet që te Buzuku, por me kuptimin “flas qartë”, meqë po te ky autor gjendet “ndë gjuhu të arbëneshe”; në një kohë që Bardhi nuk e ka fare “shqip”, as si temë fjalësh të tjera. Osman Myderrizi mendon se emri “shqiptar” mund të jetë përdorur nga myslimanët shqiptarë që në shekullin XVI, por këta “ishin një pakicë” aso kohe. Gjithsesi, fjala “shqiptar” del për herë të parë në veprën Kuvendi i Arbënit (1703) krahas “arbënesh”, ndërsa “Shqipëri”, si emër kolektiv (“tërësia e shqiptarëve”) në një vjershë të Hasan Zyko Kamberit, të fundit të shek. XVIII. Kur e shqyrton ndërrimin nga arbërshqiptar, Engjëll Sedaj në studimin e vet i referohet gjerësisht studimeve të Myderrizit dhe të Kasem Biçokut, të cilët edhe ata e lidhin ndërrimin e etnonimit me një nevojë për të pajtuar fenë e re me vetëdijen etnike të mbijetuar ose të fituar rishtas nga ana e myslimanëve shqiptarë; por Sedaj shtyhet edhe më tutje dhe përhapjen e emrit “shqiptar” e sheh si pasojë të shkombëtarizimit ushtruar mbi shqiptarët prej osmanëve; me çka unë nuk pajtohem dot.

  25. Sedaj shtyhet edhe më tutje dhe përhapjen e emrit “shqiptar” e sheh si pasojë të shkombëtarizimit ushtruar mbi shqiptarët prej osmanëve; me çka unë nuk pajtohem dot.

    A ben te na thuash arsyen e mos-pajtimit me tezen e Sedajt?

  26. Kreshnik, nuk është se e kam studiuar këtë temë me rrënjë, por po të përgjigjem ashtu si e mendoj në këtë moment:
    – Osmanët nuk më rezulton të ndiqnin ndonjë politikë shkombëtarizuese; në fakt struktura etnike e Ballkanit në shekullin XX nuk më duket e ndryshme nga ajo e Ballkanit në shekullin XV – po ata popuj që ishin atëherë, janë edhe tani, pak a shumë në po ato troje, me përjashtim të elementit latin në Dalmaci që është larguar drejt Italisë ose asimiluar nga sllavët; ose elementit arbëror në Greqi, që është asimiluar prej grekëve, dëbuar në Shqipëri dhe Turqi (çamët, përsëri prej grekëve) ose mërguar drejt Italisë së Jugut.
    – Nuk di as të ekzistojnë dokumente ose projekte osmane për shkombëtarizimin e Ballkanit dhe veçanërisht të trojeve shqiptare; normalisht, shkombëtarizimi do të kryhej (1) nëpërmjet zhvendosjes me dhunë të popullsisë; (2) sjelljes së kolonëve nga zona të tjera; (3) genocidit; (4) asimilimit kulturor të detyruar – por edhe këto nuk di të kenë ndodhur.
    – Edhe vetë ekzistenca e shqiptarëve shëndoshë e mirë sot e kësaj dite tregon se asnjë shkombëtarizim nuk ka ndodhur; përkundrazi.
    Sedaj flet për shkombëtarizim duke i turbulluar pak ujërat e duke e lidhur etninë shqiptare të periudhës paraosmane me katolicizmin, ose me krishterimin në përgjithësi; edhe pse osmanët i toleruan gjerësisht të krishterët në Ballkan, duke i përndjekur vetëm kur këta ngrinin krye ose bashkëpunonin me armiqtë e Portës së Lartë; por jo si të krishterë në vetvete.
    – Nga ana tjetër, është anakronike të kërkosh prej osmanëve përpjekje për zhvillimin e kulturave lokale (siç bënte, bie fjala, Austro-Hungaria); jo vetëm sepse të parët ndiqnin modele të tjera kulturore, por edhe se kultura osmane, vetë, buronte prej Islamit dhe i kishte rrënjët në arabishten; edhe pse perandoria u përkiste, në thelb, turqve etnikë, jo arabëve. Islamizimi ua ndryshoi identitetin etnik shqiptarëve, por nuk mund të konsiderohet si formë shkombëtarizimi; meqë njëlloj mund të thuhet edhe se i mbrojti prej asimilimit prej fqinjëve (spekulime, në të dy rastet).
    – Më në fund, ndikimi i turqishtes në shqipen, sado i konsiderueshëm, nuk mund të krahasohet me ndikimin, bie fjala, të latinishtes në parashqipen. Nga ana tjetër, kam pasur rast të studioj të folmen e qytetit të Gjirokastrës (të myslimanëve), dhe të siguroj se atje ndikimi i greqishtes së re është shumë më i madh se ai i turqishtes; meqë ky i dyti ushtrohej gjithnjë në mënyrë institucionale, ndërsa i pari ishte kapilar.

  27. shkombëtarizimi do të kryhej
    (1) nëpërmjet zhvendosjes me dhunë të popullsisë;
    (2) sjelljes së kolonëve nga zona të tjera;
    (3) genocidit;
    (4) asimilimit kulturor të detyruar – por edhe këto nuk di të kenë ndodhur.

    Nr 4 ka ndodhur mendoj une. Evlija Celebia kur vizitoi Al-Bassan-in rrefen se Arrnautet atje kujtonin veten si pas-ardhes nga fisi i Muhamedit (Kureishi) dhe se emri Arrnaut ishte turqizim i fjales Ar-na-bud (arabisht) qe dmth “turpi nuk durohet”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin