Zakonisht, me të kaluar tutje kufijve të Shqipërisë, gjithçka harrohet shpejt. Mjaft gjëra zhduken vetë nga kujtesa, të tjera dematerializohen, të tjera akoma je ti vetë që ke qejf t’i harrosh. Për këtë mjafton pak përpjekje e vetëdijshme. Por ka edhe asish që të ndjekin pas. Se vërtet, që ta duash Shqipërinë, nganjëherë duhet të dish të harrosh. Shpesh edhe të bësh sikur nuk sheh. Për ne që vijmë nga larg, kjo nuk është tmerrësisht e vështirë. Se vetëm sa kemi iluzionin se kthehemi aty. Në të vërtetë ne vetëm se kthehemi në skenën paksa të ndryshuar të kujtimeve tona. Shohim gjëra që nuk i shohin të tjerët. Nganjëherë na duket se njohim një mik së largu, bëhemi gati t’i flasim, por pastaj mësojmë se prej tij ka mbetur vetëm emri që i kanë vënë rrugës ku po ecim. Por edhe ato gjëra që shohim realisht nuk i vlerësojmë në përmasën e tyre të vërtetë. Është e pamundur.
Por më duhet të pranoj se gjithçka që ndodh aty është brenda një logjike mjaft koherente. Pasi u drakulizua, Tirana e meritonte edhe një hu në zemrën e saj, që të mos lëviste më. E bënë të rrumbullt poshtë e katror sipër dhe ia ngulën. Për ta poshtruar e tallur edhe më keq hurit i vunë emrin TID. Mirpo dikur vunë re se qyteti jepte shenja jete. Politikanët nisën të dyshojnë se në cilën anë gjendet zemra e tij. Dhe për t’u siguruar vendosën t’i ngulin edhe një hu tjetër, simetrik me të parën, në anën tjetë të Bulevardit të madh. Kjo u solli qetësinë dhe gjumin. Por më tej, ngjarjet te Liqeni, protestat qytetare, u dhanë të kuptojnë prokonsujve të krimit se Tirana lëviz akoma. Dhe meqë ata nuk janë mësuar t’i lënë gjërat përgjysme, ka fjalë se për ta mbyllur këtë histori me qytetin-lugat, po merren masat që t’i ngulet edhe një hu tjeter, mu te gropa e grykës, aty te stadiumi.
Megjithatë eci rrugëve dhe kujdesem të mos e ngre vështrimin më lart se lartësia e trupit tim. Tamam në atë nivel lëviz materia e gjallë e qytetit, në atë lartësi shoh veç mrekullira. Me e madhja prej tyre (këtë herë) ishte se nuk pashë njerëz të shtyheshin para kioskave të gazetave. M’u duk shenjë e jashtme emancipimi dhe pavarësie opinioni. Shpresë se do të ketë gjithnjë e më pak njerëz të manipuluar, shenjë se tani shumica e shqiptarve kanë opinionin e tyre.
Natyrisht, është edhe interneti, informacioni falas. Por megjithatë unë nuk besoj se të gjithë këta njerëz në rrugë, para se të kenë lënë shtëpitë e tyre, kanë kaluar orë të tëra duke u intoksituar para ekranit të vogël. Nuk besoj. Indiferenca ndaj gazetave në rrugë, është pa dyshim shenjë refuzimi, por është edhe një shenjë reale emancipimi. Dhe një emancipim i tillë « politik » duhet parë edhe si shprehje e një emancipimi më të thellë shoqëror. Kush mund të më thotë të kundërtën ?
Asnjëherë nuk i kam kuptuar njerëzit optimistë. Por ato ditë në Tiranë më pëlqente optimizmi im. Kështu ndodhi që të nesërmen të futem në një lloj salle interneti ku mund të “kyçesha” në linjë për t’u bindur se me të vërtetë qe fjala për një optimizëm solid, të arsyeshëm. Por e ndjeja se kisha nevojë “përditësohesha” ca me vendin tim, se kisha ikur fluturimthi pa u informuar se ç’bëhej aty. Për të nesermen f.vj. kisha lënë mënjanë çdo gjë dhe isha përgatitur të shkoja në një panair libri. Nuk e di pse më ishte krijuar kjo ide. Mbase nga viti i kaluar. Dhe do të isha nisur, po qe se në mbrëmje, nuk do të kisha takuar Ardian Vehbiun në rrugë, që më njoftoi se një panair i tillë nuk ishte planifikuar të bëhej.
Pra, ishte kjo domosdoshmëri përditësimi me që më shtyu të ulem para ekranit, por në faqen e një portali të njohur, më tërhoqi vemëndjen një artikull nga Fatma Haxhialiu (nuk e di cila është). Titulli ishte: O k*urvë mbyll gojën dhe hap këmbët!
Nuk më ka qëlluar shpesh të shoh shprehje të tilla të thella zemërimi e revolte, që m’u duk sikur vinin nga shkëmbej që digjeshin nën tokë, por jo fort thellë, jo fort larg këmbëve të njerëzve. Qe vërtet diçka që të bënte të ngrije kokën e të shihje rrotull për t’u siguruar se gjithçka shkon mirë.
Duke lënë mënjanë çdo cilësim politik e social (edhe pse gjithçka aty është rezultat i uzurpimit dhe kriminalitet politik, por edhe i një lloj fibromialgjie sociale), pra duke lënë mënjanë diçka të tillë, ajo revoltë në trajtë artikulli, më ngjau edhe si një lloj thirrje për ndihmë, si një SOS njerëzish të dëshpëruar, lundërthyer, të lodhur së vozituri kundër tërbimit të natyrës.
Dhe përgjigjet nuk vonojnë, ndihma vjen! Si mund të ndodhte ndryshe?
Janë pothuaj pesëdhjetë burra shqiptarë që hidhen menjëherë në ujë. Veçse duke ndjerë se diku përtej është një vajzë e dëshpëruar, e lodhur, ata kanë ide të tjera në kokën, ata janë të vendosur të notojnë gjithnjë drejt saj… por më parë menduan të zhvishen lakuriq. Të paktën kjo përshtypje të krijohet kur lexon shumë nga reagimet ndaj këtij artikulli (copy paste):
- Bravo fatma, hapi këmbet se e meriton.
- Ky bitchi paska dale nga shinat po normal, cdo femer eshte kurve…
- Eksperte palle kjo Shkrim cop cop
- Ka ngren pallen kjo … e e mir mir…
Ndonjë tjetër nuk ka kuptuar asgjë e thotë:
- Prostituta. Por kur te behen nene këto, si do t’i edukojne vajzat e veta?
- Kjo Fatma eshte nji femer debile.
Dikush përgjigjet në anglisht, pra pa dyshim shkruan nga një vend anglofon, por kur e lexon, i bën pyetjen vetes se çfarë bën ai kultivar i rrallë atje ku është. Thotë:
- Who ever write this article is a retarded vulgar bitch, sold to the brothel for nothing
Ata më “intelektualët “ kënë vrarë diçka mendjen dhe si përfundim gjithçka e shohin si pergjigje personale të autores ndaj dikujt qe e ka “fyer”.
Në ditët që erdhën, gjithnjë duke ruajtur optimizmin tim, m’u krijua një lloj imazhi i çuditshëm. M’u duk se duke u kthyer në shtëpi, humba nëpër natë dhe u gjenda në një rrugicë qorre. Dhe aty u bëra dëshmitar i ndjekjes së një gruaje nga një grup burrash të tërbuar, që shkumbonin e tundnin thikat në ajër. Përleshjeja ishte mjaft e shkurtër, por shumë e dhunëshme. Një grirje me thikë dhe një largim i shpejtë nga vendi i krimit. Askush nuk e mori vesh, askush nuk doli në dritare të thërrasë. Madje nuk kishte as dritare.
Vetëm ca mure të lartë, deri në qiell. Mure kullash që shkonin thellë zemrës së qytetit. Se vetëm me një një arkitekturë të tillë në sfond, që luhatet midis simbolesh falikë e ankthit që ndjell përndjekja nga personazhe vampirë, mund të gjejnë shpjegim e ngjasin egërsi të tilla.
Më tej asgjë. Asnjë shenjë jete e shoqërisë civile.