I.1. Ancora oggi non esiste edito un corpus delle opere della letteratura albanese, che sia frutto di una filologia scrupolosa. Di esso non si può fare almeno se si vuole documentare una vita letteraria di oltre quattro secoli, la quale è spesso ignorata non solo dal pubblico comune ma anche da quello colto, e uscire dalla precarietà e dalla confusione in materia di testi, che, se non vagliati nei modi dovuti, non possono offrire base certa e sicura ad uno studio critico.
Romë, janar 1977*
(*Giuseppe Gradilone, në Francesco Antonio Santori, Panaini e Dellja & Fëmija pushtjerote, Editio princeps, prolegomeni, trascrizione e apparato critico a cura di Giuseppe Gradilone, Bulzoni Editore, Roma,1979, f. 5)
I.2. A confermare l’incompletezza delle storie della letteratura albanese finora note, concorrono due fattori: da un lato il numero considerevole di opere ancora inedite (secc. XVIII-XIX) giacenti presso archivi e biblioteche pubbliche e private; dall’altro l’assenza di un corpus completo delle opere letterarie, edite con le garanzie offerte dalla moderna ecdotica.
Relativamente al primo problema, va detto che alcune importanti biblioteche europee custodiscono un patrimonio di inestimabile valore fatto di pregevoli manoscritti… Per quanto riguarda, poi, il secondo aspetto, va aggiunto che la critica testuale solo in tempi recenti si è andata affermando nelle lettere albanesi, per cui si avverte sempre più urgente l’esigenza di procedere sistematicamente nella pubblicazione delle edizioni critiche delle opere, finora note in versioni o poco affidabili o di difficile lettura.**
(**Italo Costante Fortino, “Un inedito di Giuseppe Angelo Nociti”, në Albanistica novantasette, Napoli, 1997, ff. 235-236)
I.3. Deklarata e kohëve të fundit me të cilën Ismail Kadare ka njoftuar se nuk do të shkruajë më letërsi artistike shtron disa probleme delikate para studiuesve të letërsisë shqipe. Duke filluar, së pari, nga kujdesi kritiko-filologjik me të cilin duhet shqyrtuar pasuria e madhe artistike më se pesëdhjetëvjeçare e autorit, për të mbushur a për të kapërcyer vonesën që krijohet kur autori është ende në jetë dhe në aktivitet të plotë. Për të vazhduar, së dyti, me përpunimin e një projekti editorial, i cili, përmes një qasjeje ekdotike moderne dhe shkencore të synojë një botim kritik të korpusit të plotë të veprave të Kadaresë, në vargje dhe sidomos në prozë, për të përvijuar një kuadër analitik shterues të procesit të ndërlikuar krijues që karakterizon fazat e ndryshme të prodhimit artistik të shkrimtarit të gjallë shqiptar më të njohur e më të vlerësuar sot.***
(***Matteo Mandalà, “Për një botim kritik të ‘Nëpunësit të pallatit të ëndrrave’ Shënime paraprake”, në Kadare, leximi dhe interpretimi, Onufri, Tiranë, 2016, f. 15.)
II.1. Enkas sjellim citimet nga ndihmesa të studiuesve arbëreshë përsa u përket botimeve kritike të veprave të autorëve shqiptarë. Deri me sot arbëreshët janë ata që i kanë kushtuar më shumë rëndësi kësaj fushe. Dy citimet e para na mbajnë në studimet mbi autorët arbëreshë, kurse citimi i tretë na sjell në një të tashme fare të afërt dhe tek autori e tek vepra që na intereson: tek romani Dasma i Ismail Kadaresë. Kjo vepër (pasi u prezantua me një kapitull në gazetën “Drita”) u botua në fillim si variant i shkurtuar romani në revistën “Nëndori”, më pas si vëllim më vete në Kosovë, si vëllim më vete në Shqipëri, si novelë në vëllimin “Gjakftohtësia”, e më vonë në vëllimet e veprave të zgjedhura të autorit. Së fundmi doli sërish si vëllim më vete me të dy titujt së bashku me të cilët ishte paraqitur më parë: “Dasma” dhe “Lëkura e daulles”. (Për këtë shiko punimin tim në SF pdf 10)
II.2. Viti 2016 është një vit që filloi përmallshëm për letërsinë shqiptare. Kjo sepse është viti i 80-vjetorit të lindjes së Kadaresë. Është edhe viti i 90-vjetorit të lindjes së K. Trebeshinës, por për këtë deri tani nuk ka pipëtitur njeri.
Nga botimet mbi Kadarenë përmendim vëllimin e dytë të bibliografisë (Lili Sula – Jorina Kryeziu, “Kadare. Bibliografi. Vëllimi II”, Botime Pegi, Tiranë, 701 ff.) dhe përmbledhjen “Kadare, leximi dhe interpretimi. Ese dhe studime. Në nderim të shkrimtarit me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Përmbledhje e përgatitur nga Ardian Ndreca” (Onufri, 2016).
Volumi “Kadare. Bibliografi. Vëllimi II (studime për të) (1953-2010)” është vijim i punës së filluar nga të dyja autoret me volumin tjetër “Kadare. Bibliografi I. Vepra (1948-2010)” (Botime Pegi, 2014, ff. 405). Është botimi i plotë i parë bibliografik mbi Kadarenë. Sipas nesh është një pikënisje e domosdoshme për çdo kërkim bibliografik mbi veprën e autorit.
Përmbledhja “Kadare, leximi dhe interpretimi” na intereson në mënyrë të veçantë se përmban dy ndihmesa që trajtojnë botimin kritik të veprës së autorit dhe botimin e plotë të veprës së tij në vargje. Bëhet fjalë për punimin “Për një botim kritik të Nëpunësit të pallatit të ëndrrave. Shënime paraprake” të M. Mandalà-së, që e cituam në fillim të shkrimit, dhe “Per un’edizione integrale dell’opera poetica di I. Kadare: l’esempio di Ëndërrimet…” (1957) të G. Belluscio-s.
III.1. Gabime në kapak
Jo në përputhje me kërkesat e mësipërme është rishtypja e fundit e Dasmës si vëllim më vete. Ndalemi vetëm tek një hollësi: tek disa gabime në kapak. Ne e kemi konsultuar veprën “Dasma” këtu:
1) Ismail Kadare, Dasma, në Drita, Tiranë, e djelë 30 korrik 1967, [fragment nga romani, kapitulli “Nepërka”, kap. III];
2) Ismail Kadare, Dasma, në “Nëndori”, 1967/8, ff. 3-104 – botimi i parë;
3) Ismail Kadare, Dasma, Rilindja, Prishtinë, 1967, ff. 146 – rishtypje;
4) Ismail Kadare, Dasma, Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, Tiranë, 1968, ff. 224 – botimi i dytë; (shiko këtu pdf 3)
5) Ismail Kadare, The Weding, Naim Frashëri, Tiranë, 1968 – përkthimi anglisht i librit;
6) Ismail Kadare, “Dasma”, në Antologji e letërsisë shqipe të realizmit socialist (dispencë) për klasën XI, Tiranë, 1968, ff. 441-454, [fragment nga romani, kapitujt “Nepërka”, “Natën e mirë, xha Shurko” dhe “Katrina”];
7) Ismail Kadare, “Dasma”, në Antologji e letërsisë shqipe të realizmit socialist për klasën XI (Dispensë), Shtëpia botuese e librit shkollor, Tiranë, 1969, ff. 462-476, [fragment nga romani, kapitujt “Nepërka”, “Natën e mirë, xha Shurko!” dhe “Katrina”];
8) Ismail Kadare, “Dasma”, në Antologji e letërsisë shqipe të realizmit socialist. Për shkollat e mesme (Dispensë), Shtëpia botuese e librit shkollor, Ribotim, Tiranë, 1970, ff. 464-478 [fragment nga romani, kapitujt “Nepërka”, “Natën e mirë, xha Shurko!” dhe “Katrina”];
9) Ismail Kadare, Lëkura e daulles, në “Gjakftohtësia”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1980, ff. 361-485 – botimi i tretë;
10) Ismail Kadare, Lëkura e daulles, në “Prilli i thyer”, Shtëpia botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1980, ff. 187-290 – rishtypje. [U shtyp në shtator të vitit 1980];
11) Ismail Kadare, Lëkura e daulles, në “Vepra letrare 8”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, ff. 243-355 – rishtypje; (shiko këtu pdf 5)
12) Ismail Kadare, Lëkura e daulles, në “Vepra”, vëllimi i nëntë, Shtëpia botuese Fayard, 2000, ff. 19-128 – botimi i katërt; (shiko këtu pdf 6)
13) Ismail Kadare, “La Peau de tambour”, në Œuvres tome neuvième, Fayrd, Paris, 2000, ff. 19-146 – përkthimi frëngjisht i librit;
14) Ismail Kadare, Lëkura e daulles, në “Vepra. Vëllimi i katërt”, Onufri, Tiranë, 2008, ff. 495, ff. 357-494 – botimi i pestë;(shiko këtu pdf 7)
15) Ismail Kadare, Dasma (Lëkura e daulles), Onufri, Tiranë, 2015, ff. 159 – rishtypje.
III.2. Në kapakun e pasmë të rishtypjes së fundit të romanit kemi një prezantim të shkurtër nga i cili citojmë vetëm pesë rreshtat e parë (shiko këtu pdf 9):
Romani “Lëkura e daulles” është botuar së pari më këtë titull / në vitin 1967, në revistën “Nëntori”. Një vit më pas ka dalë si / libër më vete nën titullin “Dasma”. Më pas, pas shkurtimeve të / ndjeshme, është ribotuar më 1981 me titullin e kahershëm / “Lëkura e daulles”.
Është i njëjti prezantim që kishim gjetur edhe në f. 359, në vëllimin e katërt të veprave të vitit 2008 (shiko këtu pdf 8).
Vërejmë se shkruhet:
Romani “Lëkura e daulles” është botuar së pari më këtë titull / në vitin 1967, në revistën “Nëntori”. Një vit më pas ka dalë si / libër më vete nën titullin “Dasma”. Më pas, pas shkurtimeve të / ndjeshme, është ribotuar më 1981 me titullin e kahershëm / “Lëkura e daulles”.
-Romani është botuar në revistën “Nëndori”, në numrin 8 të vitit 1967, me titullin Dasma. (shiko këtu pdf 1)
Vërejmë se shkruhet:
Romani “Lëkura e daulles” është botuar së pari më këtë titull / në vitin 1967, në revistën “Nëntori”. Një vit më pas ka dalë si / libër më vete nën titullin “Dasma”. Më pas, pas shkurtimeve të / ndjeshme, është ribotuar më 1981 me titullin e kahershëm / “Lëkura e daulles”.
-Romani ka dalë si libër më vete që në vitin 1967 në Prishtinë. (shiko pdf 2)
Vërejmë se shkruhet:
Romani “Lëkura e daulles” është botuar së pari më këtë titull / në vitin 1967, në revistën “Nëntori”. Një vit më pas ka dalë si / libër më vete nën titullin “Dasma”. Më pas, pas shkurtimeve të / ndjeshme, është ribotuar më 1981 me titullin e kahershëm / “Lëkura e daulles”.
-Ka dalë me shkurtime dhe me titullin “Lëkura e daulles” në vitin 1980, në përmbledhjen “Gjakftohtësia”. (shiko pdf 4)
III.3. Romani Dasma ka rëndësi në strukturën e sistemit letrar të Kadaresë sepse është i lidhur me disa vepra të tjera: me Ura me tri harqe, me Prilli i thyer, me Dimri i vetmisë së madhe. Ecuria e botimit të tij është emblematike. Romani është keqtrajtuar, nënvleftësuar dhe lënë mënjanë edhe nga vetë autori. Ka pësuar ndryshime, sidomos eliminime që kanë çuar në shkurtim të librit. Keqtrajtimi dhe nënvleftësimi padrejtësisht i kësaj vepre është një shembull edhe i qëndrimit ndaj një pjese të mirë të letërsisë shqiptare të realizmit socialist, e cila është lënë mënjanë, është përjashtuar dhe vlerësuar negativisht vetëm sepse i përket realizmit socialist. Është e pakuptueshme dhe dashakeqe ndaj Kadaresë zhurma e ngjallur rreth romanit nga ndodhitë personale të jetës së shkrimtarit Bilal Xhaferri, i cili, kur u shpreh negativisht për librin e sapodalë, e gjykoi atë duke u mbështetur në kritere joshkencore dhe nga pozitat e ortodoksisë më të skajshme të realizmit socialist.
IV. Romani Dasma që marrim në shqyrtim është një shembull i nevojës së botimit kritik të veprave të Ismail Kadaresë. Nevoja e botimeve kritike të veprave të letërsisë shqipe diktohet nga shumë arsye. Përmendim faktin që alfabeti i sotëm është vendosur vetëm në vitin 1908 dhe që drejtshkrimi i sotëm është vendosur vetëm në vitin 1972. Në rastin e Kadaresë nevoja diktohet edhe nga botimet e shumta të librave të tij: në periudha të ndryshme, në botime të pjesshme, në antologji, në botime të plota, në gazeta e revista, si vëllime më vete, dhe në seri veprash. Kemi gjithashtu disa herë ripunimin e veprave në këto botime. Një jo specialisti mendja do t’i shkonte edhe tek ndryshimet e bëra për motive politike, ose për ndryshimet e bëra për arsye ideologjike për t’iu përshtatur ndryshimeve të kohës. Ne këto ndryshime, nëse ka pasur dhe nëse ka, do të na interesonin vetëm në analizën shkencore të tekstit, pra nëse ndikojnë në strukturën e tekstit. Në rastin e Dasmës këto ndryshime autori i ka bërë, por që para vitit 1990. Përmendim këtu vetëm trajtimin e rolit të fesë në letërsi. Mund të themi që autori ka shkuar kundër realizmit socialist që gjatë realizmit socialist: këtë gjë e kemi trajtuar më parë në një kumtesë në sesionin shkencor të seminarit ndërkombëtar të Prishtinës (shiko pdf 11).
V. Vetë Kadare është shprehur disa herë për ripunimin dhe ndërhyrjet që ka bërë në veprat e tij dhe e ka sqaruar mirë këtë gjë nga pikëpamja e tij si shkrimtar. Sjellim vetëm dy shembuj. Njëri shembull është një intervistë në revistën “Nëndori” (“Pesë pyetje Ismail Kadaresë për romanet”, në Nëndori, janar 1972, f. 51-53) dhe tjetri pas vitit 1990. Ja si përgjigjet në v. 1972: Romani juaj i fundit “Kronikë në gur” praktikisht është një ripunim i “Qytetit të jugut”. Ripunimi është një karakteristikë e mënyrës suaj krijuese. Ç’ndryshim ka midis këtyre dy veprave, ç’ide e vlera të tjera dallojnë veprën e fundit nga e para? A mendoni se kritika ka mundur të evidencojë anët e qenësishme të veprës suaj të fundit?
Natyrisht që ka mjaft ndryshime midis veprave. Por ndryshimi kryesor është se tregimi është më tepër lirik kurse romani më tepër epik. Dozat e një tregimi / me ngjyrë pak a shumë tradicionaliste për fëmininë në “Qytetin e jugut”, janë pakësuar në dobi të një mozaiku më epik, më të ashpër dhe më kontemporan në “Kronikë në gur”. (f. 52-53)
Dhe ja si përgjigjet më vonë (Bashkim Kuçuku (bisedoi), “Me Ismail Kadarenë. Ripunimi i veprës është i shpeshtë, sikurse ndodh edhe e kundërta”, në Universi shqiptar i librit, nr. 2, Toena, Tiranë, 1998, f. 5-6.): Universi: -Më 1993 FAYARD-i në Paris ka filluar botimin e serisë së veprës suaj, krahazi në shqip dhe në frëngjisht, prej së cilës kanë dalë deri tani pesë vëllime. Si lindi ideja e këtij botimi?
I.K. –Mendimi ka qenë i përbashkët. Ka qenë mendimi im dhe i presidentit të FAYARD-it, z. Claud Durant.
Universi: -Me këtë rast, ju plotësoni, herë-herë, në mënyrë të ndjeshme dhe rishikoni veprën në tërësi. Është, pra, kjo një ndërmarrje e rallë dhe e vështirë?
I.K. –Këtë punë e bëjnë të gjithë shkrimtarët kur kanë mundësi.
Universi: -Vëllimi i pestë që doli shtatorin e kaluar hapet me Kronikë në gur. Ky roman, me sa dimë, që prej botimit të parë (1971) nuk ka patur ripunime të veçanta. Në këtë vëllim ka ndonjë përpunim?
I.K. –Ka retushe të natyrës artistike.
Universi: –Kronikë më gur është, gjithashtu, romani juaj i parë ku përmendet Enver Hoxha. Keni bërë ndyshime në figurën e tij?
I.K. –Nuk kam bërë asnjë ndryshim. Ato që kam shkruar për të qëndrojnë. Siç mund ta keni parë, kritiku francez Éric Faye, që është prezantuesi i botimit komplet, e ka vënë në dukje këtë gjë.
VI. Sipas nesh duhet të shkohet drejt botimit kritik të veprave të letërsisë shqipe që tashmë zënë një vend të rëndësishëm në sistemin e saj letrar. I tillë është edhe rasti i romanit Dasma, një roman-laborator i shkrimtarit tonë të madh. Botimi kritik i këtij romani do të nxirrte më mirë në pah vlerën e tij artistike, vendin e tij në sistemin e veprës së Kadaresë dhe në sistemin e letërsisë shqipe të realizmit socialist.