Duke komentuar për esenë time Shurdhmemeci, një lexues e quajti “mëkat të ulët” të shkruaje për të thyer krenarinë e dikujt; komenti ishte pa vend, mori përgjigje prej meje dhe nuk dua ta diskutoj më tutje e aq më pak këtu. Përkundrazi, po përfitoj për të diskutuar shkurt nëse krenaria është apo jo virtyt.
Ideologjitë si ajo kombëtariste (por jo vetëm) na kanë mësuar që ta marrim këtë pa vërtetim – dhe pikërisht, që të ndihemi krenarë, zakonisht që jemi shqiptarë; çka nënkupton premisën tabu, se paska diçka të turpshme ose të pahijshme në të qenët shqiptar, të cilën e pretendojnë dhe e besojnë të tjerët, vërtet armiq, por që dashur pa dashur ua pranojmë autoritetin.
Çfarë do të thotë edhe se ky kultivim i krenarisë, veçanërisht në kontekste patriotike, është simptomë e kompleksit të inferioritetit kolektiv.
Një përgjigje për natyrën e krenarisë e gjeta te një tekst nga Bruce Lee, që përveçse artist marcial, ka qenë edhe filozof dhe kineast. Krenaria (pride), vëren Lee, është një ndjesi vlere që rrjedh nga çfarë nuk na përket; ndryshe nga vetë-vlerësimi (self-esteem), që mbështetet në potencialet dhe arritjet vetjake. Jemi krenarë, vazhdon ai, kur identifikohemi me një vetvete imagjinare, me një prijës, me një kauzë të shenjtë, me një bashkësi kolektive zotërimesh.
Brenda krenarisë, thotë Lee, gjen frikë dhe intolerancë; ajo është e pandjeshme dhe e pakompromis. Sa më pak të ketë shpresë dhe potencial te vetja, aq më imperative bëhet nevoja për krenari.
Thelbi i krenarisë është refuzimi i vetes, përfundon ai.
Unë do të shtoja këtu se një elite, e cila nuk ka qenë në gjendje ose ka dështuar sistematikisht që t’u japë qytetarëve mundësi për t’u vetë-realizuar dhe për të kultivuar vetë-vlerësimin, nuk i mbetet veçse t’i bindë pastaj këta qytetarë për të qenë krenarë. Arsyet nuk mungojnë: jam krenar që jam shqiptar, jam krenar që jam nga Zvarrishta, jam krenar që rrjedh nga një fis luftëtarësh dhe barinjsh ilirë, jam krenar që shqipja është një nga gjashtë gjuhët kryesore të Europës, jam krenar për shqiponjën në flamurin kombëtar…
Të gjithë i dimë, të gjithë i kemi dëgjuar, të gjithë gati i pranojmë këto si të natyrshme dhe të mirëqena.
Doemos, të thuash se je krenar nuk është njëlloj me të jesh krenar; mund edhe ta thuash sepse ashtu ke dëgjuar të tjerët ta thonë; ose sepse të pëlqen bullshit-i; ose ngaqë e ke zakon të mburresh, të pëllasësh dhe të tërheqësh vëmendjen. Nëse dikush ndihet krenar, bie fjala, se është nga Zvarrishta, por nuk e thotë këtë botërisht, as hiqet si i fyer kur ti thua diçka për Zvarrishtën që atij nuk i pëlqen – këtij unë i heq kapelën.
Por nëse krenaria është “virtyti” i humbësit dhe i dështakut, të cilit shpesh i ka mbetur në dorë si armë kundër të tjerëve vetëm fyerja; dhe nëse vetë-vlerësimi kërkon suksese vetjake që ndoshta jo të gjithë mund t’i arrijnë dhe një lloj aftësie për introspektim që shumëve u mungon, atëherë çfarë mbetet?
Mbetet dinjiteti. Te një fshatar që shet qepë të njoma në cep të trotuarit, do të më habiste krenaria (“jam krenar që shes zarzavate”); por gjithnjë do ta mirëprisja, madje do ta admiroja dinjitetin, si virtyt që buron së brendshmi dhe nuk ka nevojë të amplifikohet nga arritjet, reale a imagjinare, të së tjerëve.
Do të thoja, prandaj, se pas dinjitetit qëndron njeriu; pas krenarisë, qëndron skllavi i arsyes për të cilën ndihet krenar.
(Dicka e vogel nga Peshperima)
Ishte dite e diele.
Kombetarja e futbollit, vetem nje dite me pare, ishte kualifikuar ne europian. Nderkohe Elhaida jo vetem ishte kualifikuar, por e kishte fituar finalen. Majlinda Kelmendi nderohej ne Japoni me titullin mjeshtre e perjetshme e Judos. Ermonela sapo kishte dhene nje koncert ne Hannover. Elina kishte marre nje te ftohte te lehte nga performanca e disajte zbathur. Shkendija e Tetoves ishte shpallur kampion dhe Edi kishte kercenuar me veto Maqedonine per ne Nato. Nderkohe Greqia perhere e me shume ne pikiate. Kosoven sapo e kishte njohur shteti i Antigua dhe Barbuda (literalisht). Kishte dhe ngjarje te tjera, por te nje rendesie me te vogel natyrisht.
Shkurt, ishte nje “momentum” per kombin, nje nga ato dite per te mos u harruar gjate, ne mos asnjehere. Fytyra e tij (kombit pra) pasqyrohej tashme e fresket dhe rruar taze ne televizionet, parfumosur e krenare per fitorjet dhe fitorjet dhe fitorjet…
Doemos, edhe antiheroi yne ndihej i tille : krenar. Ishte dite e diele, dhe kohe per t’u ndiere krenar kishte sa ti donte kokrra e qejfit. Hodhi syte nga ushtari i panjohur, dhe per nje moment e imagjinoi se aty mund te ishte edhe busti i tij. Imagjinaten ja nderpreu, per fat te keq, nje bori makine. U hap xhami dhe nje ze i foli : A ke matrapik ? Hajde hip.