Të dashur qytetarë të Tiranës, madje të gjithë Shqipërisë,
Lexova këto ditë disa deklarata e njoftime që kanë lidhje direkt me mua. Po reagoj, jo sepse më dridhen tubat e galexhanti nga frika, por për hir të së vërtetës, që është e çmuar më shumë se uji.
Zhurma e përgjithshme poshtë pallateve filloi me deklaratën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sipas të cilit së shpejti do të fillojë heqja e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve të kryeqytetit. Një gazetë titullonte “Veliaj: Do çmontojmë depozitat e ujit“, një tjetër “Marrëveshja me USAID, Tirana do të jetë pa depozita në tarraca“, një tjetër akoma “Veliaj: Depozitat mbi tarracat e shtëpive dhe pallateve do të hiqen, janë burim infeksioni“, së fundi “Veliaj: Do çmontohen depozitat e ujit në pallate, shëmtojnë qytetin“.
Siç e shikoni, fillohet me kërcënime me çmontime (a nuk është sinonim i vrasjes për mua?) dhe vijohet me akuza të ulëta, siç është ajo e burimit të infeksionit dhe e shëmtimit të qytetit.
Me pak pika, po sqaroj pikëpamjen time si depozitë uji.
– Unë nuk erdha të instalohem vetë mbi pallatet tuaja, me ose pa hipotekë, të legalizuara ose jo. Ju më thirrët dhe unë u tregova e disponueshme. Pra fajin nuk e kam unë, që jam mbi kokat tuaja.
– Fakti që gjendem pothuajse në të gjitha tarracat është thjesht simptomë, që thotë pak për mua dhe shumë për ju. Si depozitë uji, gjendem aty, sepse mungon uji, jo si orendi tarrace. Pra shikoni sëmundjen, jo puçrrat.
– Në qoftë se keni nevojë ta devijoni vëmendjen e publikut nga çështjet delikate drejt çështjeve dytësore, bujrëm, ja ku më keni. Por mos më nxirni sikur jam problemi kryesor i Shqipërisë aktuale.
– Në kulturën tuaj e keni për zakon t’i shfrytëzoni mjetet e njerëzit dhe më pas t’i hidhni si limon i shtrydhur. Kjo është çështja kryesore, jo që do të më flakërini mes hedhurinash me ndryshk në landfillet ndotëse të qyteteve shqiptare.
– Mania juaj me pamjen e jashtme nuk mund ta gjejë kokën e turkut tek unë. Kryetari i paradokohshëm i bashkisë e kapi keq me fasadat e pallatave dhe i leu me bojëra ylberi, a thua se ngjyrat mund t’i fshihnin rreckat e varfërisë, a thua se muret e rrjepura të pallateve ndihen më qytetare me një dorë boje të skaduar sipër. Prania ime prish estetikën e kryeqytetit? Bukuria e qytetit tuaj varet nga unë? Hidhem vetë që nesër nga tarraca. E di që nuk do të prish ndonjë lulishte…, në rast se nuk bie mbi tarracën e pallatit ngjitur.
– Infeksionin nuk e solla unë, por e gjeta mes jush. Dua të them se uji juaj ka kohë që nuk është i standardeve të larta. Ujësjellësi, tubat, rrjeti kanë humbje, por edhe infiltrime. Ka ende familje që e ziejnë ujin para se ta pinë. Jam unë fajtore për këtë? Po për familjet jashtëzakonisht të pasura, që rrezik lahen me ujë mineral, ose kanë lidhje me tubacionin qendror, prapë unë e kam fajin?
– Nuk e kuptoj obsesionin që keni me aksionet. Edhe mua doni të më hiqni me aksion. Është një lloj sikur unë ta depozitoj e ta lëshoj ujin me aksion, herë pas here, jo rregullisht.
– Mora vesh se do të filloni të më hiqni në disa zona. Mos janë të privilegjuara? Sepse unë do të iki vetë, kur të ketë ujë gjithë ditën. Ndoshta doni të më varrosni nën tokë, meqë ka edhe depozita poshtë pallatit, ose të më ndërroni pamje duke më mimetizuar mbi pallat. Nga cili pallat do ta filloni?
– Dëgjoj nga shumë anë, se tani u jeni qepur tarracave të pallateve për t’i bërë fusha me gjelbërim. Cool, shumë cool. Nuk po dua t’i referohem gjuhës së dikurshme, por para se të mbillni pemë mbi tarraca eja e më pyesni mua për problemet që kanë. Kam përvojë në këtë sektor, rri gjithë ditën mbi tarracë, herë plot e herë bosh. Kam parë njerëz që nuk bien dakord për pastrimin e shkallës, njerëz që zihen për pompën e ujit, njerëz që u pikon tarraca prej vitesh, njerëz që hedhin lëkura bananesh në çati, njerëz që bien nga shkallët… Pa llogaritur heqjen e antenave, ose të paneleve diellore.
– Meqë porosisni masterplane urbanistike të hatashme, me fjalë moderne e dizajn mahnitës, që u kushtojnë shtrenjtë taksapaguesve, po ju jap unë një mendim. Përse nuk i shndërroni tarracat në kopshte botanike e zoologjike? Me bimë të rralla e kafshë në shuarje e sipër? Të zbukuruara me piktura shumë ngjyrëshe? Do të ishte bukur për turistët e huaj.
Së fundi, pa nostalgji dhe retorikë, po ju them se këto vite, edhe pse mes problemeve, kam qenë element barazues në qytetet tuaja. U kam dhënë ujë atyre që në rubinet e shikonin vetëm në pesë të mëngjesit. U kam dhënë ujë atyre që banojnë në periferi, ku nuk qarkullojnë makina luksoze, as kostumet e modës. Por u kam shërbyer edhe të pasurve, në vilat e tyre tashmë të kontrolluara me telekamera.
Por ajo që më bën të ndihem krenare, është se u kam krijuar mundësinë njerëzve të komunikojnë mes tyre, edhe pse për tuba, galexhantë, pompa e të tjera mjete mbijetese. Tek e fundit, kam bërë detyrën time seriozisht.
Kur uji të vijë realisht për 24 orë në ditë, natyrisht me presion dhe në të gjithë qytetin, do të ketë ardhur koha të dal në pension. Do të shkoj me kënaqësi drejt vendeve të botës së tretë. Por kam frikë se duhet ende kohë. E nuk mjafton dëbimi im për t’u bërë botë e parë.
Me respekte.
Depozita e ujit