Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

FATI I SË BUKURËS

Një shkrim sot në “Panorama”, për një punonjëse të Policisë së Shtetit, që e “pengon” bukuria në detyrë: me frymë pozitive për personazhin në fjalë.

E megjithatë, shkrime të tilla ndonjëherë nxjerrin në pah paragjykimet ose “idetë e gatshme” – në rastin konkret, pritjet e autorit të shkrimit në lidhje me perspektivat në karrierë të një vajze që qëllon të jetë e bukur.

Shkruhet aty:

“Dea Ricku të sjell në mend, sapo e takon, që ajo të bëhej një vajzë pasarelash dhe jo police.”

Me sa kuptoj unë, fjalë si këto më sipër sillen si shenjë simpatie ose kompliment, për personin në fjalë; por çfarë i nënvendoset, tradhton të kundërtën.

Dhe pikërisht: që në shoqërinë e sotme, një vajzë a një grua e bukur pritet që t’i përdorë hiret e veta për të bërë karrierë.

Vetëm pak ditë më parë, Enkel Demi ngriti një stuhi të vogël në mediat, kur i denoncoi këto – sado tërthorazi – se po i përdornin rubrikat promovuese të femrave gjysmë-lakuriqe si reklama për escort girls.

Nuk di ç’të them për këtë kritikë; por edhe më duket logjike që në një shoqëri që vazhdon ta objektifikojë femrën publike në mënyrën më flagrante, një vajzë e bukur automatikisht do të shihet si kandidate për t’u identifikuar – edhe profesionalisht – me pamjen e vet.

Që këtej edhe proliferimi i pasarelave, VIP-ave, selfie-ve, zhveshjeve, velinave dhe dukurive të tjera parazitare, që synojnë të mbushin zbrazëtinë e mjerë në komunikimin publik.

DeaPër t’u rikthyer tek tema: profili i Deas vjen në shkrim i ngrohtë dhe njerëzor; madje në një vend autori – anonim – denoncon edhe gjestin e faqes online opozita.com, e cila e vendosi foton e kësaj vajze në kopertinë, të shoqëruar me diciturën “Buçet e Saimir Tahirit.”

Në fakt, opozita.com është nisur të bëjë diçka veçanërisht të ndyrë dhe ia ka arritur qëllimit; ndërsa ky portret i “Panoramës”, edhe pse plot dashamirësi në vetvete, sërish i dorëzohet të njëjtit paragjykim: femra e bukur, larg “pasarelës dhe skenës dhe krevatit”, nuk është në vendin e vet.

Çfarë më kujton edhe një përkufizim të mirënjohur të antropologes Mary Douglas, për fëlliqësinë (“dirt”): matter out of place; dhe në rastin e tanishëm, të një femre të bukur që refuzon t’i nënshtrohet vështrimit mashkullor si kërcënim për rendin patriarkal.

Aq më relevante bëhet kjo për një grua si Dea, e cila ka marrë përsipër një rol profesional tradicionalisht të rezervuar për burrin: atë të ruajtjes së rendit publik.

Sa më lart, nuk e kam me shkrimin në “Panorama” natyrisht; por me një poshtërim të llojit të ri, që po i bëhet vajzës dhe grua, kinse në emër të çlirimit të saj – nëpërmjet megafonit të mediave.

10 Komente

  1. Po vete Dea pse pranon te trajtohet keshtu, si vajza e bukur qe i ka hyre nje karriere “ekskluzivisht” per burra? Po fotot qe sherben Dea ne shkrimin e gazetes ne fjale, pse jane te tilla qe kerkojne te vene ne dukje hiret e bukuroshes police, me teper sesa te polices qe rastis te jete edhe e bukur? Apo mos valle edhe Dea, si femer kerkon kete lloj perkedhelje te natyrshme per femrat, qofte edhe duke u ekspozuar keshtu ne gazete? Fotoja e pare, modeli i dashuruar nga te gjithe shqiptaret: gjysme profil, qe shikon ne horizont te larget, foto me mendim, por edhe “shije”. Dea qe kerkon te shprehe femren brenda uniformes me ere kazerme te policise. Ajo po na thote se nga “kopshti zoologjik” i policise ka akoma “njerez”, se brenda kambaleve jane dy kembe te imeta qe ende nuk kane zene kallo. Se ne furgonin e grupit te gatshem nuk mban e era hudher, apo raki.
    Nuk po zeme ne gojesh ketu sesi ja ben Dea me ato duar te buta dhe te brishta te mbaje nje shkop gome, detyra e pare qe i atribuojme ne imagjinate policite. Jo, ajo del aty me nje “reksi” si shpirt, me tualet kopertine dhe ja, polic(j)ia qe duam. Truk origjinal ky i perdorur edhe ne protestat e fundit: ti nisesh me nje tulle ne dore te qellosh ndaj fasadave te autokracise, kur befas turbullohesh, gati dehesh, nga aroma e flokeve qe leshon rreshti i policeve femra qe qendrojne aty para. Nje paralegalizim i kanabisit.

    Nga e bukura qe po na u keqperdorka ndyrazi, mund te kalojme tek etika dhe vleresimi per veten. Mund te pyesim se si ka mundesi qe akademike, kritizere profesioniste, artiste te perhumbur ne pluhurin e poshtersive, vijojne te perdorin veten per te thene te verteta kaq sublime, pra te dalin, e ridalin ne mediat qe vetem bejne pis? Si ka mundesi qe kjo kategori e distiluar, ca nga vullneti qe po ua ndrysh maskaralleku, e ca nga fati, si rasti ne fjale, nuk arrijne te krijojne nje mjedis higjenik, ku e bukura te shihet si e tille, por edhe mencuria te gjeje vendin qe i takon?

    Ky qendrim ndaj medias mendoj se ne kushtet e botes online, eshte disi i tejkaluar. E theksoj Disi. Dikur Pasolini, kur fliste per televizionin, e cilesonte me te drejte ate si je mjet autokratik, emetimi i pamjeve dhe zerit nga i cili kishte sic shprehej si nje natyre “ex cathedra”. Kjo ne kohen kur televizioni ishte autokrati i komunikimit vertikal, nga lart poshte. Ne boten e sotme, te medias se personalizuar, ky qendrim kritik i drejte per kohen, do rishikuar, edhe kur flasim per normat etike dhe morale. Ato vlejne si parime te patjetersueshme, si hierarki qe nuk mund te kapercehen, por ne nje media kaq te decentralizuar, nuk ka autoritet rregullator qe ta imponoje kete. Jemi ne mes te nje procesi ndoshta.

    1. Unë nuk di se ç’bën Dea dhe nuk më intereson; shqetësimi im më lart është për mënyrën si abuzojnë mediat me vajzat dhe gratë, madje edhe kur mediat nuk duan.

      Sikurse nuk di edhe se ku i gjetur gazeta fotot e asaj vajzës; por di se, si në rastin e një vetëvrasjeje për të cilin kam shkruar, gazetat nuk nguruan të shkojnë dhe të plaçkitin Facebook-un e viktimës.

      Sikurse nuk di edhe pse shumë “akademikë, kritizerë profesionistë, artistë të përhumbur në pluhurin e poshtërsive” vijojnë të përdorin mediat, madje edhe kur duan t’i kritikojnë mediat. Ndoshta ata shpresojnë që t’i korrigjojnë këto media duke u folur atyre; ndoshta nuk janë ata që përdorin mediat, por janë mediat që i përdorin ata.

      Thua: “Si ka mundesi qe kjo kategori e distiluar, ca nga vullneti qe po ua ndrysh maskaralleku, e ca nga fati, si rasti ne fjale, nuk arrijne te krijojne nje mjedis higjenik, ku e bukura te shihet si e tille, por edhe mencuria te gjeje vendin qe i takon?”

      Kjo pyetje çalon, sepse presupozon që mjedise të tilla nuk ekzistojnë; ndërsa në fakt ekzistojnë për bukuri dhe prej kohësh; për shembull, kjo faqe ku ti komenton tani nuk ka lidhje me lapërdhitë për të cilat flasim; por edhe nuk është e vetmja. Reporter.al gjithashtu ka një qasje tjetër shumë më profesionale ndaj informacionit; pa folur për portale si postbllok.com ose tesheshi.com.

      Ti flet gjithashtu për media të decentralizuar, por mua kjo nuk më rezulton – përkundrazi, dhe pavarësisht divergjencave mes pronarëve përkatës, mediat në Tiranë, së paku në versionet e tyre online, shkëmbejnë të njëjtat lajme, të njëjtat editoriale dhe të njëjtat pornografi: edhe bœthët që dalin në faqet e para janë po ato!

      Dhe pastaj thua “nuk ka autoritet rregullator që ta imponojë këtë” [normat etike]; vërtet, edhe pse unë do të mendoja më shumë për një vetë-rregullim, që do ta bënin gazetarët vetë, të neveritur me natyrën fekale të faqeve ku punojnë. Disa parime elementare, si respekti për njeriun, respekti për privatësinë e individit, respekti për viktimat, respekti për të drejtat e autorit, dinjiteti profesional e kështu me radhë nuk më duket se varen nga decentralizimi.

      1. Eshte e vertete qe faqet shkembejne te njejtin informacion – qe eshte me sakte event-uacion – por ketij problemi(desh e vura ne thonjeza) nuk mund t’i qasesh me gelbazen gati duke thene: u kam dhjere mu ne te se nuk u bete njerez njehere! Se edhe inati nje lloj tifozerie eshte.

        Tjeter pune kur shkembejne Informacion, atehere po qe ka diferenca. Edhe pse shpesh me keqdashje dhe perzgjedhje. Edhe shpesh JOPROFESIONALE patjeter. Dhe kete mund ta beje edhe dikush tjeter nga nje blog qe ka karkateristikat e nje medie. Ne kete kuptim thashe qe eshte e decentralizuar. P.sh “Jeta osh Qef” qe ka mbi 1 milion ndjekes ne FCB, apo “Annabel” qe mikson moden me politiken e ku di une.

        TI flet per faqen e ketushme, “reporter.al”, “postbllok.com” dhe “tesheshi.com”. Faqja e ketushme dhe “postbllok” jane me te aferta, por ne te dyja rastet(me shume ketu) kemi te bejme me kritike, me rralle, letersi apo ese dhe publicistike. Nuk krahasohen qe ne pikenisje, as qellim me faqet e nje medie te pergjithshme, ku plekset cdo aspekt i se perditshmes.

        Sa per tesheshi.com, une me shume aty shoh nje kujdes ne perzgjedhje, mbulim me te gjere territorial me lajme dhe eliminim i rubrikave O(u)FF.

        Reporter.al pretendon te qendroje te gazetaria investigative, ndonese – ky eshte gjithnje gjykimi im dhe mundet te jem i afektuar nga lulekuqet poshte mureve – deri me tani, pervec nje shkrimi te Altin Raxhimit per ndotjen ne Elbasan, keto dy vjet kam pare shkrime qe shfrytezojne te drejten qe jep ligji i informimit qe xhaxhi Edi ia fali popullit me te ardhur ne karrige. Investigimi eshte tjeter gje. Ne te tria rastet pervecse te “tesheshi” kemi permbajtjen tematike qe dominon.
        Eshte si te krahasosh “Daily Mail” me “The New York Review of Books”, nese nuk gaboj.

        Dikur ke shkruar se nuk do doje kaq shume klikime ketu ne faqen tende, as e prisje ne fillese se do kishte kete fluks. Dakord. Shikueshmeria nuk eshte gara jote. S’ka asgje te keqe. Por ja nje statistike: tri faqet me te klikuara te medias online ne Shqiperi jane: Balkanweb, Tema dhe “shqiptarja.com”. Ti keto i quan faqe laperdhish, ose ku laperdhite sundojne lirshem. Ne Tirane i quajne faqe te majta. Tani ose jemi dy bote, ose ka nje komplot ndaj te majtes.
        Te tria bashke bejne 1.5 milione page views ne dite afersisht.
        Ti ke vendosur thirrjen per te mbeshtetur blogun. Shume e drejte. Por duke qene ne gare me cilesine dhe permbajtjen tematike dhe ne “perpjekje per te mbajtur driten ndezur”. Pra i zgjedh vete prioritetet dhe pajtohesh per bukuri me suksesin qe ka arritur faqja qe eshte perhere publike ne planin numerik. Ti madje zgjedh edhe autoret qe do te publikohen, zgjedh edhe te miratosh ose jo komentet. Ti je Komiteti Qendror i faqes. Dhe ky eshte maksimumi. Kjo nuk ndodh ne ASNJE media. Thjesht nuk mundet te ndodhe.

        Duke e konsideruar si nderhyrjen e fundit per kete teme, them se ndersa sulmojme mediat me te drejte, nuk duhet te bejme gabimin qe cdo model te nje gazetarie te keqe, ta vleresojme sipas raportit: Media injorante dhe agresive, e paprincipte dhe nga ana tjeter, viktimat e pafajshme. Se keshtu i bie qe te jete e vertete ajo qe tha ndonje Punetor Partie, se edhe Edi Rama eshte viktima e mediave. Kjo nuk eshte e vertete.

        Shumica e atyre qe sot punojne pas mediave online nuk jane gazetare, por Operatore Lajmi dhe ketu nuk
        ka ndonje sekret. Po une nuk di – sinqerisht – kush eshte gazetar ne Shqiperi.

        Ndaj, eshte e pamundur sot qe te kontestosh mbi kritere profesionale ate qe publikohet: thjesht operatori tjeter e ben kete pune. Me duket e pafrytshme, edhe pse e lavderueshme, qe thirrjen per etike, respekt etj., ta kerkosh te nje operator qe edhe sikur te doje, me aq sa di, ne shume raste nuk e kupton per cfare eshte fjala.
        Kjo lloj medie do te humbase peshen qe ka sot kur te braktiset, pra te humbase interesin si biznes dhe kur viktimat te kundershtojne ne rruge ligjore dhe deri ne fund te drejtat e shkelura. Nje shembull eshte gjyqi qe po behet nga nje gazetar i nje televizioni ndaj nje portali: gjoba mund te sjelle dhimbje te forta koke.

        Nuk bej padrejtesi, as s’ka pse te fyhet njeri po te them se ata qe kritikojne, shajne, ironizojne dhe pastaj nje dite i shikon ne nje opinon aty, e nje interviste atje, jane bashkefajtore. Cdo bashkepunim eshte Bashkefajesi. Une te pakten keshtu e shoh sa kohe qe gjithesecili ka lirine dhe mundesine te thote ate qe mendon dhe nyjetoje mendimin dhe idete e veta ne mjedisin qe i duket me i pershtatshem. Perndryshe kemi vesin e amnistise.

        1. Faqja e këtushme nuk është drejtpërdrejt e krahasueshme me mediat për të cilat flasim: ne nuk japim lajme, as përcjellim. Nëse e përmenda, e bëra për të dhënë shembullin e një mediumi i cili kërkon të ruajë disa standarde elementare – me një minimum rregullash dhe kriteresh. Tani, duke qenë kjo faqe një realitet që prej nëntë vjetësh, ajo u tregon të tjerëve se diçka e tillë është e arritshme – me pak vullnet të mirë. Nuk të kuptoj kur thua “ti zgjedh edhe autorët që do të publikohen” – vallë di ndonjë medium që nuk e bën këtë? Gjithsesi synimi ynë këtu – sepse nuk jam vetëm unë – është që filtrimi të bëhet vetvetiu, në bazë të profilit që ka faqja; ose të afrohen për të botuar ata autorë që i përshtaten profilit. Natyrisht, nuk është njëlloj si të menaxhosh një faqe lajmesh – por edhe kaq e lehtë nuk është. Përndryshe, ajo çfarë unë nuk gjej në mediat shqip online janë LAJMET: mund të duket si absurditet, por lajmi si i tillë atje nuk ekziston; sepse mundon ndërmjetësimi i gazetarit. Nëse kjo punë u ka mbetur në dorë operatorëve të lajmit, siç thua ti, atëherë kemi të bëjmë me katastrofë për lirinë e fjalës dhe lirinë e informacionit: një arsye më tepër për ta ngritur si shqetësim. Unë që flas kështu, e bëj edhe ngaqë e krahasoj median shqip online me media të tjera – dhe diferenca që gjej është e papranueshme. Edhe në UK, për shembull, The Daily Mail funksionon dhe klikohet sa kohë që ekziston edhe The Guardian, The Independent dhe të tjera faqe të një natyre tjetër, më serioze. E them këtë se, edhe vetë mediat online të Tiranës, kur zgjedhin ndonjë artikull për ta përkthyer, shkojnë dhe e marrin nga La Repubblica, Le Monde ose El Pais ose The NYT; jo nga The Daily Mail, e cila, përkundrazi, i furnizon me trash. Çfarë ka ndodhur, në Tiranë, është asgjësimi i gazetarisë së shkruar profesioniste – e cila shpresoj të ketë migruar në televizion dhe jo në kafetë ose te The Friend’s Bookhouse; ti nënkupton që kjo është pasojë e tregut, por unë kam frikë se vjen ngaqë gazetarinë e mirë pushteti nuk e do, as një biznes i lidhur me një mijë fije me krimin nuk e do. Prandaj, nëse do të flasim për konspiracion a komplot, ky ekziston kundër së drejtës së publikut për t’u informuar në mënyrë profesionale, jo kundër preferencave politike të disa mediave. Dhe lapërdhitë, që disa i përligjin me nevojën për klike dhe disa të tjerë me nevojat ekzistuese të publikut, do të ishin në fakt instrumente të këtij kospiracioni. Unë nuk di ç’të them tjetër për këtë punë, përveçse që unë përpiqem t’i ruaj disa standarde atje ku mundem; jam i sigurtë që, sikur të tjerë gjetiu të vepronin njëlloj ose të përpiqeshin njëlloj, gjendja do të ndryshonte. Nga ana tjetër, e kam të qartë edhe se unë dhe të tjerët që merremi me Peizazhet nuk e nxjerrim bukën këtu, pavarësisht nga koha që harxhojmë; prandaj edhe nuk dua ta teproj duke marrë qëndrime etike.

        2. n! – hidhi një sy këtij shkrimi të freskët te “Lapsi”:

          http://www.lapsi.al/ide/2016/02/08/e-v%C3%ABrteta-p%C3%ABr-bu%C3%A7et-e-saimir-tahirit#.VrizzxUrKhc

          E kanë marrë postin tim pa leje (gabimi i parë), ia kanë ndryshuar titullin pa më pyetur mua (gabimi i dytë) dhe ia kanë vënë titullin e ri të tillë, që ta gabojë lexuesin (gabimi i tretë).

          Më thuaj të lutem si e mendon ti këtë, në lidhje edhe me dy komentet që bëre më parë.

          1. Mua më duket se gabimi i tretë përvijohet si faj, sepse e kushtëzon rëndë kuptimin e shkrimit. Të paktën kështu është përshtypja ime.

          2. E kishte hedhur edhe “Tema” me nje titull: Si poshterohen femrat…Por nuk po e gjej dot tani.

            Sa per kete te Lapsi-t mendoj se eshte harbuteri, kombinuar me ligesi, ndonese kishin vene foton tende te pakten…

            Por une kam nje kunderpyetje: Ne rastet kur ke vene poshteshenimin “Ndalohet…”, eshte marre shkrimi?

            Jo se kjo i shton ndonje pike mediave ne Tirane, por thjesht konfirmon ate se pergjegjesia qe nuk duket, nuk vjen vetiu, por mund te nxitet me masa shtrenguese. Aq sa te kushtezoje deri diku mediat.
            Une edhe me lart fola per nje proces gjyqesor dhe nese sot ti do te atakosh ligjerisht portalin ne fjale, ka shume gjasa qe shaka te tilla te mos ndodhin me. Dhe kam thene qe eshte e kote te kerkohet kjo me te Drejten e Zotit…

            Une kete mundesi dhe rruge shoh aktualisht per te frenuar te pakten kete qe po ndodh me importimin e shkrimeve dhe deformimin e titujve.

            Edhe nje pyetje tjeter: Neser Lapsi te kerkon interviste. Pergjigja jote?

            Tani ky eshte rast qe vetedenoncohet, eshte flagrant. Por shiko te te jap nje shembull te lojes me informacionin qe ben nje media qe ti pak me lart e cilesove si profesionale.
            Shkrimi ketu: http://www.reporter.al/ortaku-i-olsi-rames-qendron-pas-kerkeses-se-koncesionit-te-tvsh-se/

            Ky nuk eshte versioni origjinal, por une askund nuk shoh shenimin per korrigjimin qe eshte bere. Pa folur per disa elemente qe cojne ne keqlexim te qellimshem(????). Pse ndodh kjo? Dhe kujdes: ti je ne mirebesimin e nje medieje profesionale, mendim ne te cilin ke ardhur duke mbajtur kritiken ne gatishmeri.

          3. Shkrimin e ka marr dhe nje port(h)al(e) tjeter si 27.al, po ashtu pa leje. Tani, nuk kemi kohe teper per te ndjekur keto portale qe po mbine si kerpurdha pas shiut por dhe kjo praktike qe te furnizojne faqet e tyre me shkrime per te cilat nuk jane te gatcem te paguajne me duket abuzim etik. Nuk ekzistojme per te justifikuar kliket qe i shesin per reklama.

            Te pakten te vinin linkun perkates qe lexuesit te kish mundesine te ndiqte dhe debatin ne komente.

  2. Nuk mundem që ta kaloj këtë konflikt nëpër gjyqe – sepse pastaj do të më duhej të dilja në gjyq me gjysmën e mediave në Tiranë: duke filluar nga ato që më kanë pasur bashkëpunëtor të rregullt, me kontratë, por nuk më kanë paguar punën e disa viteve; dhe pastaj me ato të tjerat që kanë lejuar fyerje të rënda dhe sulme personale kundër meje si autor dhe administrator edhe të blogut PTF, në komentet dhe nga editorialistët e tyre; dhe të tjerat që në mënyrë selektive kanë lejuar vetëm komente që më fyejnë mua dhe blogun PTF, duke penguar komentet që shkojnë kah të kundërt; dhe të tjerat që thjesht kanë shpifur; dhe kështu me radhë… ku i gjendet fundi kësaj? Po të jetoja atje, kushedi do të gjeja ndonjë formulë; por edhe shumë para nuk kam, që t’i harxhoj për avokatët. Pastaj, disa nga këta të mediave unë edhe i njoh, i konsideroj si miq: si t’i nxjerr në gjyq? Gjyqi është energji negative, dhe unë nuk kam nevojë për energji negative; dhe ndëshkimi i tjetrit, qoftë ky edhe një gomar i trishtuar, nuk është se më jep ndonjë kënaqësi… Sa për Lapsin, nëse do të më kërkonte një intervistë për KËTË ÇËSHTJE, do t’ia jepja patjetër; sepse më intereson që e drejta e autorit, marrja e shkrimeve pa leje dhe shtrembërimi i tyre, pa dashje ose qëllimisht, të diskutohen në publik; por për çështje të tjera nuk do t’ia jepja, pa më kërkuar ata paraprakisht të falur, për dëmin moral. Natyrisht, kjo nuk është se do t’i vriste shumë – por deri më sot janë ata që kanë marrë prej meje dhe kanë përfituar nga materiale të dala nga dora ime; sikurse edhe media të tjera që kanë vepruar njëlloj. Por e kam të qartë se, me kalimin e kohës, në mediat elektronike të Tiranës ka humbur koncepti i pronësisë intelektuale – këta po gjetën një gjë, e marrin pa të keq: është faza më primitive e kontaktit midis dy kulturave, ku këto mund të komunikojnë vetëm nëpërmjet vjedhjes. Ka ndodhur në ishujt e Paqësorit, po ndodh edhe mes nesh tani. Nga ana tjetër, për shkrimin e tanishëm unë harrova që ta shtoj atë “ndalohet…” në fund; prandaj një pjesë të fajit e kam edhe unë; pa çka se njoftimi për copyright-in gjendet në fund të faqes kryesore të blogut, si pjesë e përhershme e faqes. Të paktën, të gjitha këto media, pronarët e të cilave dhe ndonjëherë edhe botuesit krekosen nga një restorant në tjetrin dhe nga një avion në tjetrin, të jepnin ndonjë kontribut, qoftë edhe simbolik, për materialet që marrin – duke klikuar në butonin përkatës; e them këtë, sepse kur merr duhet edhe të japësh; merr atë që të duhet, në rastin konkret një shtjellim, dhe jep atë që mundesh, në rastin konkret një shpërblim monetar të arsyeshëm.

    1. “disa nga këta të mediave unë edhe i njoh, i konsideroj si miq: si t’i nxjerr në gjyq? Gjyqi është energji negative, dhe unë nuk kam nevojë për energji negative; dhe ndëshkimi i tjetrit, qoftë ky edhe një gomar i trishtuar, nuk është se më jep ndonjë kënaqësi…”

      I ke miq? Me ben cudi, sepse miku, kur eshte i tille, kupton me fjale, e ndonjehere edhe me sy shqetesimin dhe sikletin e tjetrit. Po qe se nuk e ben kete dhe i hap rruge mendimit per ta zgjdhur ndryshe, ky nuk eshte me Mik.

      Une kuptoj se askush nuk ben dot duke mbyllur dyert, edhe kur ato jane rruge per ne han. Ky eshte kompromisi me i mirekuptueshem, por eshte ai qe une – mendim personal ky – gjykoj se po e legjitimon deri diku kete situate. Se ne emer te miqesise, mundet qe dikur te shmangim edhe kritiken te cilen e kemi kaq te nevojshme.

      Ti shkruan per median qe ka marre per keq, e krahas teje edhe te tjere. Ku jemi? Jemi ne situaten ku opinioni – ose zhurma opinionale – e ka bere te veten kete “ide” PA LEXUAR fare. Ti ben kritike si njohes dhe ndjekes i mediave, ajo jehon si inerci e kundrinave dixhitale pasive qe e bejne share…me vetem dy klike. Pra vete kritika jote peson autogol dhe me keq: adoptohet si bindje apo sherrnaje titujsh ne vend se te nxise polemiken. Njesoj si rasti i sotshem,

      Kur antropo-byte kodohet me titren se media eshte pacavure, sado e vertete te jete kjo, atehere atij i eshte ofruar si te thuash nje kartele per semundje terminale. Ky perkufizim qe eshte perhapur gjeresisht ka ndikuar me shume per keq sesa per mire: ai ka vrare aspektin themelor te rolit te medias dhe opinionit qe eshte Komunikimi, qe qarkullon Fjalen si akreditim te mendimeve. Kjo ka zevendesuar Leximin me Kundrimin dhe indiferencen. Te cilat prekin per keq edhe faqe si kjo ketu. Per ta mbyllur, une mendoj se ne kushtet e ketij niveli kulturor e intelektual ku jemi, nuk ka zgjidhje tjeter perpos normimit qe vjen nga ndjekja deri ne fund e te drejtes qe ta jep ligji, por qe eshte harruar ne sirtar. Qofsha i gabuar, por ne nje vend ku Qyteti po themelohet si hierarki degjenerimi, Fjala nuk pi shume uje. Pervec se kur eshte biznes.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin