Një studim i shkëlqyer për dönme-të e Ballkanit, prej historianit izraelian Zvi Kashah, të Universitetit të Haifa-s; dhe zbulimet e vona për fototekën e famshme të vëllezërve Karkanakis, në Janinë, nga Dora Anitsiridis, profesore e historisë vizuale në Universitetin e Selanikut, hedhin dritë mbi marrëdhëniet kulturore të Ballkanit Osman me Perëndimin, në kapërcyellin midis shekujve XIX dhe XX.
Në atë kohë, komandanti i Kalasë së Gjirokastrës Jushud Beu nga Selaniku, kish ftuar për një vizitë të gjatë në qytet mikun e vet që nga koha e studimeve, mjekun dhe fiziopatin vjenez David Innsig, së bashku me të shoqen Hannelore dhe dy fëmijët, Dietrich dhe Augustina; të cilët u vendosën në sarajet e tij në Libohovë.
Ky David Innsig, në vetvete një figurë pionieri për historinë e fizkulturizmit austro-hungarez, njihet në analet e kalistenisë si shpikës i një numri të madh makinash për ushtrime fizike, të cilat ishin instaluar në palestrat më ekskluzive të Perandorisë, përfshi edhe në palestrën totalisht sekrete të Schönbrunn-it, të frekuentuar nga pjesëtarë të familjes perandorake.
Çfarë nuk dihej deri më sot, por që doli në dritë falë kërkimeve të palodhura të profesorit izraelit Kashah, është që Innsig i pat marrë me vete disa nga këto makina gjatë udhëtimit të tij në Epir; dhe pastaj i pat instaluar në mjediset e Kalasë së Gjirokastrës, për kënaqësinë e mikpritësit të tij Jushud Bej, familjes dhe miqve të tij dhe të tjerëve dinjitarë të lartë osmanë dhe deri edhe konsujve të fuqive të mëdha në Janinë.
Një konfirmim i tërthortë për këtë vjen tani nga fototeka e vëllezërve Karkanakis, pasi prof. Anitsiridis zbuloi, në arkivin e shkollës femërore amerikane të Janinës, një fond deri më sot të pakataloguar, me lastra fotografike të ruajtura mirë të asaj fototeke, mes të cilave edhe disa që janë nxjerrë mu në mjediset ku ishin instaluar makinat fizkulturore të Innsig-ut.
Këto foto paraqitin vetë mjekun dhe fizkulturistin vjenez, që demonstron për publikun përdorimin e njërës prej makinave; fëmijët e tij; por edhe të shoqen e Jushud Beut, Nedime Hanëmin, mbesa e Xhuvit Pashë Beratit; të bijën e tij Fetijeh që më pas do të martohej me ambasadorin osman në Marok, Vahid Beun, dhe të shoqen e konsullit të Egjiptit në Janinë, dhe njëkohësisht mbesë e liderit xhonturk Talat Pasha, Ganimet Hanëmin.
Aso kohe ekzistenca e kësaj palestre brenda në kalanë e Gjirokastrës u mbajt sekret, për të mos nxitur indinjatën dhe protestat e myslimanëve më fanatikë të zonës; çfarë shpjegon edhe pse vëllezërit Karkanakis nuk i publikuan fotografitë e tyre dhe as i ekspozuan më pas, në butikën e tyre “Llamba”, në Janinë.
Sipas prof. Kashah-ut të Universitetit të Haifa-s, doktor Innsig-u nuk i mori me vete në Vjenë makinat e veta gjimnastikore, kur u kthye atje në pranverë të vitit 1902; por ia la ato si dhuratë mikut Jushud Bej; dhe se palestra e themeluar dhe e pajisur prej tij vijoi të funksiononte, me hope, si klub ekskluziv për parinë e ndriçuar të zonës, mes të cilëve kriptohebrenj dönme nga Libohova dhe Gjirokastra, por edhe të qytetarë të pasur të krishterë, shqiptarë, vllehë dhe grekë.
Gjithnjë sipas këtij studiuesi izraelit, në palestër mblidheshin, me pretekstin e eksperiencave gjimnastikore ekstreme dhe kultivimit të shëndetit trupor, edhe anëtarët e Lozhës Masonike të Gjirokastrës, të drejtuar nga vetë Jushud Beu; madje prof. Kashah spekulon edhe me idenë se vetë vizita e Innsig-ut ka shërbyer, mes të tjerash, për konsolidimin e frankmasonerisë në qarqet bektashije të Jugut, si lëvizje liberale, anti-otomane dhe të frymëzuar nga iluminizmi frëng. Nuk është e rastit, shkruan ai, që dëshmitarë okularë të kohës kanë konfirmuar se në bibliotekën e Xhuvit Pashë Beratit gjendej botimi më i hershëm i L’Homme Machine të Julien Offray de la Mettrie në turqishte, me dedikimin kaligrafik nga dora e vetë Jushud Beut.
Interesi për higjienën atletike dhe mirëmbajtjen e trupit përfaqësonte, në vetvete, diçka të re dhe subversive, për mendësinë osmane, shkruan prof. Kashah – deri atëherë qytetari standard i perandorisë e këqyrte trupin e vet si një burim të mundshëm vuajtjesh dhe kënaqësish, nga të cilat të parat ishin për t’u minimizuar dhe të dytat për t’u maksimizuar; por vetë ideja se trupi ishte si një makinë që kish nevojë për kujdes praktikisht nuk ekzistonte.
Për këtë arsye, të gjithë ata që i provuan makinat e prof. Innsig-ut dhe që filluan të frekuentonin mjediset e palestrës së improvizuar, por larg syve të njerëzve, dhe të mbrojtur mirë nga muret e kalasë së Gjirokastrës, ishin të vetëdijshëm se po luanin rol në ndriçimin jo vetëm fizik, por edhe intelektual dhe moral të asaj province të largët të Perandorisë. Që gratë e dinjitarëve të lartë osmanë të lejonin të fotografoheshin, për më tepër nga fotografë të njohur “kaurë”, duke përdorur makina të tilla, kjo i komprometonte ato vetvetiu, aq sa t’i përfshinte në një rrugë pa kthim drejt emancipimit.
Gjithsesi, për fatin e mëtejshëm të makinave gjimnastikore të Innsig-ut nuk ka shumë të dhëna; edhe pse një oficer grek, Ioannis Zakkarioudakis, që pat inspektuar mjediset e kalasë gjatë Luftës I Botërore, ka shkruar pastaj në kujtimet e veta se kish parë, në ca prej qelive, instrumente torturash të sofistikuara, prodhuar nga mjeshtrat të punishteve të Vjenës dhe Innsbruck-ut; një dëshmi që asokohe u quajt si absurde, aq sa koloneli Zakkarioudakis të akuzohej pastaj se e kish vizituar kalanë nën efektet e hashashit, të konsumuar në Lazaratin aty pranë.
Ka shumë të ngjarë, shkruan Kashah-u, që pas transferimit urgjent të Jushud Beut në Anadoll në vitin 1906 dhe shpërndarjes së lozhës frankmasonike në Gjirokastër, makinat gjimnastikore të Innsig-ut të jenë përshtatur, nga pasardhësi i Jushud-it, për nevoja të ngutshme të marrjes në pyetje të së burgosurve të kohës.
Gjimnokaster!
fantastik komenti 🙂 🙂