Shumë vetë u skandalizuan nga njoftimi se, nga viti 2016, gjobat do të vendosen në vartësi të automjetit, të përvojës së drejtuesit e të përsëritjes së kundërvajtjes. E ashtuquajtura gjobë progresive.
Sipas rregullave të reja, kush ka makinë luksoze, ose me fuqi të madhe, kush ka vite që është i pajisur me patentë dhe kush i përsërit shkeljet e kodit rrugor, do të paguajë gjoba më të larta se të tjerët.
Në thelb, nuk ka asgjë të gabuar tek progresiviteti, sipas së cilës qytetarët i paguajnë taksat e shërbimet në vartësi të të ardhurave të tyre. E kanë shumë vende të botës, madje ndonjë syresh edhe në parimet kushtetuese. Progresiviteti në tatime është një zgjedhje, si çdo tjetër, mbështetur natyrisht në parime të caktuara.
Mbështetësit e tatimeve progresive mendojnë se ajo është mënyrë efikase për shpërndarjen e pasurisë së prodhuar në vend, meqë kush fiton më shumë duhet të kontribuojë më shumë për bashkësinë. Përkundrazi, kundërshtarët e progresivitetit të sistemit tatimor mendojnë se tatimet e shumta e reduktojnë konsumin e qytetarëve dhe e ndrydhin nismën e lirë.
Për t’iu kthyer sërish idesë progresive, jashtë fushës fiskale, nuk është për t’u befasuar kur dëgjojmë se dënimi mund të shtohet në rast përsëritjeje të tij. Pra, në qoftë se dikush e përsërit shumë herë të njëjtën shkelje/vepër penale duhet të vërë në llogari rritjen e ndëshkimit. Këtë e parashikojnë edhe shumë kode penale, që i ashpërsojnë dënimet kur krimi përsëritet.
Lidhur me gjobën ndaj automjetit mund të jepen argumente pro e kundër progresivitetit. Ka nga ata që e quajtën antikushtetuese, sepse gjobitet personi dhe jo makina me potencë ose luksoze; porse vetë Ministri i Brendshëm u përgjigj se makinat e rënda mund të bëjnë më shumë dëme. Dikush tjetër mund të shtojë se, ai që ka pasuri të mëdha mund ta paguajë me qindra herë kundërvajtjen, ta zëmë të ndalim qëndrimit, sepse nuk i dridhet qerpiku i syrit; madje të bën karshillëk, kur e parkon pa teklif makinën në vend të ndaluar, ngaqë e ka kuletën plot. Si rrjedhim, bashkësia mund të vendosë që personi të paguajë në bazë të mundësive që ka. Me fjalë më të rënda, që “ta ndjejë pak mbi kurriz”. Natyrisht, personi ka të drejtë t’i drejtohet gjykatësit dhe më pas kushtetueses për të parë nëse masa është kundër parimeve themelore (të gjithë të barabartë përballë ligjit). Në fakt, që tani ka plot analistë që e konsiderojnë ligjin pa bazë juridike.
Janë zgjidhje të diskutueshme si shumë të tjera. Ta zëmë si ajo e përvojës së shoferit. Sipas rregullave të reja ai që ka patentë prej vitesh gjobitet, kurse i porsapatentuari do të marrë vetëm një këshillë të ëmbël nga polici. Kushedi se ç’do t’i punojnë shoferit me përvojë, që i jep kamionit prej dyzetë vjetësh. A nuk ka të drejtë të gabojë edhe shoferi i moshuar? Dua të them, se masat janë të diskutueshme, po kështu parimet që i lëvizin ato.
Mirëpo, problemi, për mendimin tim, qëndron në kontekstin ku parimet e masat përkatëse zbatohen e konkretizohen. Parimi i progresivitetit kërkon sistem të konsoliduar fiskal dhe organizma publikë që ushtrojnë kontroll të rreptë, të saktë e të drejtë njëkohësisht. Ndoshta edhe një ndjenjë të lartë përkatësie në bashkësi. Për të mos folur për etikën private dhe publike. Mirëpo, në Shqipëri nuk ka ende sistem fiskal të saktë, ndërsa ekonomia informale vazhdon të jetë në nivele të patolerueshme.
Pastaj, janë doganat e famshme, për të cilat dëgjohen thashetheme të pafund. Është ai vend magjik ku, sipas llafeve, mund të kalojë pa u parë një maune e tërë, por të arrestohet personi për një stekë cigare; mund të zhdoganohet një anije dëng me mall, por duke deklaruar kapacitetin e një varke të vogël.
Pra mund të jesh i njerkës ose i nënës. Kjo është edhe arsyeja përse shumë vetë – me përjashtim të atyre që nuk e pranojnë ligjin a priori – nuk janë dakord me masat ndëshkuese për kuponin tatimor, ngaqë i perceptojnë si të padrejta. Nga një anë, thonë, të marrin shpirtin për kuponin e një kafeje, nga ana tjetër kalojnë pa taksë kamionë plot me thasë me kafe. Megjithatë, justifikimi mbetet i dobët, për atë që beson në respektimin e ligjit në çdo rast.
Për t’iu kthyer gjobës dhe taksimit progresiv, pavarësisht nga mendimet që kemi për to, duhet thënë se duken si shprehje e kultit të kargove, një transplantim mekanik i ligjeve, që kanë bërë historinë në vende të tjera, por që nuk e kanë humusin e mikroklimën e duhur për të zënë mirë në Shqipëri. Në kushtet aktuale shqiptare, i ngjajnë gjethes së fikut, sepse anojnë të mbulojnë lakuriqësinë e një shteti ligjor, që ende nuk mund të quhet i tillë.
budalleqe, tagji per mediat ne prag te vitit te ri qe te merren me gjera te tjera, jo p.sh. me reklamat e OSSHE, apo te Bashkise se Tiranes qe paguajne klientelen e PS-se.
Shihni p.sh. faqen e internetit te bashkise se tiranes, http://www.tirana.gov.al/sq/Buxheti-i-Bashkise-se-Tiranes1, do robi te shoh sesa kane shpenzuar per publikime (njoftime, shtypje fletushkash, apo aksione sensibilizuese – zakonisht voza salloje per te nginjur klientelen), nuk ka asnje njoftim pervec buxhetit afatmesem, i cili eshte vec per sy te bukur. Buxheti i fundit i publikuar eshte ai i vitit 2012.
Shkrimin e mësipërm e ka botuar edhe gazeta “Tema”. Duhet të pranojmë një farë përmirësimi në mediat shqiptare në marrjen e shkrimeve nga Peizazhe të fjalës. Dikur nuk përmendej fare as burimi, as autori. Sot vendoset adresa e faqes së blogut (lidhja përkatëse). Por autori sërish mungon. Pak e nga pak do të arrijmë citimet e sakta dhe në fund njohjen e të drejtave të autorit.