Këto ditë festash, si të gjithë zombie-t që enden nëpër supermarkete, të shtyrë nga fjalët magjike të konsumizmit, edhe unë renda të blej dhurata në dyqanet vezulluese.
Mirëpo, për herë të parë në jetën time, hasa në një gjest që më bëri të mendoj. Shitësja që rri pranë kasës më bëri pyetjen e përhershme: “E ke për dhuratë?”. “Po” i thashë. Në atë çast prisja që ajo të merrte kutinë, letrat e dhuratës, shiritat me ngjyra, gërshërët dhe ta paketonte më së miri. Sepse nënteksti është ky: nëse sendin e blerë nuk e ke për dhuratë, atëherë merre kështu siç është.
Në të vërtetë, të paktën për mua, sidomos pas rraskapitjes për identifikimin e dhuratës, kjo është pjesa më e bukur e blerjes. Lëvizjet e duarve të shitëses, zgjedhja e letrës, prerja sipas përmasës, palosja e saktë, ngjyra e fjongos, kapja me shirit ngjitës, të gjitha këto, kanë një efekt hipnotik mbi mua. Sa për dhuratat, gjithnjë kam vlerësuar më shumë bukurinë e jashtme, pra konfeksionin, se sa çfarë ka brenda.
U zhgënjeva. Shitësja nuk bëri asnjë nga veprimet prej prestidigjitatori, por futi brenda qeses letrën e paketimit, fjongon me xixa, e diçka tjetër, dhe më tha: “Për paketimin e dhuratës, i ke të gjitha brenda. Gëzuar festat!”. U largova nga trysnia e padukshme e radhës së klientëve në pritje për të paguar sendet e zgjedhura.
Praktikisht punën e paketimit të dhuratës, dyqani ma rrasi mua. Bëra një rikthim të imazheve të ditës në mendjen time dhe e kuptova se nuk paskësh qenë ngarkesa e vetme e gomarit.
Në mëngjes më duheshin të holla. Thashë që të shkoja në bankë për të parë sa kisha në llogari, por pastaj u kujtova që punën e kontrollit të llogarisë nuk e bën më punonjësi i bankës, por unë. Madje ma kanë shpjeguar si përparim të teknologjisë. Më kanë dhënë një farë telekomandoje të vogël, disa shifra enigmatike dhe një faqe internet ku të futem (pa problem se ka 128 bit siguri, po çfarë do të thotë asnjë nuk e di). Aty mund të shoh të gjitha veprimet e llogarisë sime. Por, po bëra një pyetje më shumë, jashtë standardit, sistemi ngec se është memec.
Pak më vonë më treguan (jo pa ngazëllim) se mund t’i bëja të gjitha veprimet bankare (në siguri totale, patjetër) nga shtëpia: të dërgoja para, të kërkoja informacione, etj. Për të marrë cash, natyrisht nuk duhet të shkoja më tek sporteli i nëpunësit me kollare, që t’i jep paratë me firmë. Ka gjithkund, në çdo cep të rrugës, një ATM, me siguri të lartë edhe aty, derisa nuk të vjen dikush e të godet me levë pas koke, por pasi e ke kryer veprimin e tërheqjes së parave.
Nga dreka desha të shkoj në ndonjë agjenci udhëtimi për të prerë një biletë avioni. Dikur, punonjësja simpatike të priste me buzëqeshje dhe fillonte kërkimin e ethshëm për tarifën më të mirë, duke i kaluar në skaner të gjitha kompanitë. Ti nuk mërziteshe, ja nga dekolteja bujare e saj, ja nga fletëpalosjet me fotografi ekzotike, që të çonin larg me imagjinatë.
Tani është e pamundur. Këtë punë ma kanë dhënë prapë mua. Madje nëpërmjet sistemit superteknologjik të internetit, nga ku mund të kontrolloj e ballafaqoj edhe tarifat e udhëtimeve për në Mars. E bëra rezervimin e avionit, veçse m’u desh një orë kërkim dhe në fund, para se t’i thoja OK, prapë se prapë nuk e kapa ofertën marramendëse të kompanisë.
E ndjej veten pak të lodhur e të stresuar. Punën e bankës e bëj, punën e agjencisë së udhëtimit e bëj unë, punën e shitëses e bëj unë. E kushedi ç’punë të tjera bëj pa e kuptuar. Ky sistem krijon punë apo papunësi? Është pasojë e lirisë personale, apo e zhvillimit teknologjik?
Po shkoj të paketoj dhuratën me letrën farfuritëse të dyqanit. Por për cilësinë nuk jap garanci.
ne fakt une jam i lumtur qe i beje te gjitha vete.. as me duhet marredhenia njerezore, njerez qe te gjemojne nga mbrapa neper dyqan, sikur duan te te zene ne momentin qe ja keput me vrap, me apo pa gje neper duar.. edhe kur te pyesin duket sikur te godasin me shpulla, me kapin gafil kur endem kot pa qellim, sa per tu ngrohur apo pritur gruan .. pershendetjet me dalin sikur kollitem, nje sforcim i panevojshem,.. e perse duhet me pershendet kur del? .. sa per paketimin, ashtu e shemtuar me qoshe te dala eshte me origjinale, se paku e di se c’eshte brenda.