Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

VLERA E DIPLOMËS

Realiteti shqiptar ka veçoritë e veta, që e kushtëzojnë diskutimin për vlerën ligjore të diplomave universitare, duke e nxjerrë atë nga modeli i njohur i ballafaqimit, përndryshe skematik, midis dy traditave të konsoliduara në botë: nga një anë vendet anglosaksone e nga tjetra ato të bazuara në të drejtën romake.

Duhet të pranojmë se diplomave universitare e pasuniversitare në Shqipëri, nëse do t’ua zbatonim me rreptësi ligjin e tregut, sikurse ndodh me aksionet në bursë, vlera e tyre do të rrokullisej teposhtë drejt numrit zero.

Arsyeja është e thjeshtë. Oferta e arsimit universitar është rritur në mënyrë eksponenciale njëzetë vitet e fundit, si nga pikëpamja e numrit të institucioneve që e trajtojnë atë, ashtu edhe nga sasia e kurseve didaktike që ofrohen brenda universiteteve. Janë rritur gjithashtu progresivisht studentët që shkojnë jashtë shtetit për të studiuar në universitete të huaja.

Po të kemi parasysh situatën e universiteteve në Shqipëri, shtetërore e private, po të kemi parasysh, gjithashtu, situatën jo shumë të ndryshme në vendet e tjera, nga pikëpamja e zgjerimit të ofertës arsimore, del se në Shqipëri ka një “superprodhim” diplomash të niveleve të ndryshme.

Me fjalë më të thjeshta, në Shqipëri diplomat universitare, masterat e doktoraturat, shtypen me shaptilograf, në seri, sa për të mos përmendur mjete më moderne si fotokopjueset dhe printerët me ngjyra. Nuk duhen statistika për ta mbështetur këtë fakt. Deri në vitet nëntëdhjetë, të diplomuarit në dy universitete, nëse kanë ekzistuar, kanë qenë përjashtime të njohura me gisht, kurse vitet e fundit, ata që kanë vetëm një diplomë, paradoksalisht, mund të quhen “analfabetë relativë”, për sa kohë nuk zotërojnë master të nivelit të parë, të dytë, ose diploma të degëve të tjera.

Po të shikosh jetëshkrimet e politikanëve shqiptarë, për shembull, të paktë janë gjynahqarët pa diplomë ekonomiku ose juridiku, ose pa titull (doktor i shkencave, asistent profesor, profesor). Kjo veçori bën gjithnjë përshtypje jashtë shtetit, ku politikanët ose nëpunësit nuk janë të lidhur shumë me botën akademike e gjithsesi nuk janë të obsesionuar nga certifikatat. Në letër, Shqipëria ka klasën drejtuese më të kualifikuar në botë, kurse në realitet…

Dyndja masive drejt diplomave duhet të lidhet medoemos me vlerën legale të saj, sepse lipset kryesisht për të gjetur një vend pune. Në fakt, shtysa më e madhe për diplomim nuk ka qenë pasioni për degën, por filozofia që bazohet në parimin “ta kem një copë letër se nuk i dihet”.

Rendja ndaj diplomave mund të shihet gjithashtu edhe si një mbrojtje preventive ndaj blicit të mundshëm të pushtetit/punëdhënësit të radhës. Ky i fundit, lidhur me nivelin arsimor të punonjësit në shtet, mund të vendosë rregulla të reja në çdo moment, madje me efekte prapavepruese, çka mund ta vendosë të punësuarin në pozita të brishta.

Mungesa e një masteri mund t’i japë pushtetarit sebepin e largimit nga puna, për të marrë dikë tjetër “më të kualifikuar”. Megjithëse praktika tregon se nuk ka qenë diploma, specializimi ose masteri, që i ka mbrojtur njerëzit nga pushimi nga puna. Megjithatë, “mirë është – mendon punonjësi – ta kem copën e letrës”, sa për mos t’i dhënë shkak furisë militante, ose sa për të fituar kohë për t’i futur mik shefit, ose thjesht për të ndërruar (përditësuar) teserën e partisë.

Ndërkohë, edhe brenda botës akademike, po shtohen koleksionuesit e titujve dhe diplomave, sikurse janë bërë të panumërt ata që studimet dhe artikujt i bëjnë më shumë për pasurimin e CV-së, sa për numër pra, se sa për dobishmërinë studimore në vetvete. Natyrisht, në këtë vrapim drejt diplomave, viktima e parë është cilësia, si e mësimdhënies ashtu edhe e veprimtarisë akademike. Kemi, pra, triumfin e sasisë.

Jo shumë vite më parë, diploma universitare, ose masteri, mund të ishte motiv krenarie, kurse sot, falë edhe ndryshimit të sistemit arsimor universitar, është diçka e zakonshme. Kjo është aq e vërtetë, saqë ka nga ata që u vjen turp t’i përmendin titujt që kanë arritur, ca ngaqë “u bëmë si këmbët e dhisë” e ca ngaqë “universiteti është bërë si shkolla e mesme”. Megjithatë, prestigji i shkollës si medalje mbetet ende i konsoliduar në Shqipëri.

Ka edhe një kategori tjetër: janë ata të cilëve u vjen ndot të futen në llumin e garës për diploma, ndaj u rrinë larg ciklave, por jo nga paaftësia, thjesht sepse kanë bërë një zgjidhje tjetër në jetë.

Pra diplomat, siç është thënë edhe herë tjetër, mund të konsiderohen si shprehja arsimore e sistemit piramidal. Ky i fundit, për mënyrën si ndërtohet, presupozon gjithnjë kolapsin, sepse arrin një moment që sistemi bëhet i pambajtshëm. Por kolapsi, nuk është e thënë të ndodhë me zhurmë të madhe, mund të verifikohet gradualisht e në heshtje.

Në Shqipëri, përderisa universitetet lulëzojnë, kërkesat për studime vijojnë dhe diplomat lëshohen me shumicë, nuk mund të flitet për krizë. Pasqyra shkëlqyese e diplomave, edhe pse e ciflosur nga skandale kombëtare e ndërkombëtare, vijon t’ua tërheqë vëmendjen turmave të diplomakërkuesve, që në plot raste janë më shumë klientë se sa studentë. Në këtë kuadër, ndarja midis universiteteve private dhe shtetërore, e aq më shumë debati përkatës i disa kohëve më parë, janë të tepërta dhe jo funksionale.

Një gjë është e qartë. Në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet më tej. Në radhë të parë për respekt të atyre që diplomën e meritojnë me të vërtetë. Sepse, pavarësisht nga ekzigjenca e përgjithësimit për trajtimin e problemit, ka shumë njerëz, studentë, profesorë, studiues, që diplomat e titujt i kanë merituar me djersë e mund. E ndoshta, viktimat e para të sistemit aktual, ku diplomat jepen si letrat që mbështjellin qofte, janë pikërisht ata që diplomën ose titullin e kanë marrë me meritë.

Si mund të dilet nga kjo situatë ekstreme? Me ndonjë retushim estetik, apo me ndërhyrje kirurgjikale? Një nga opsionet drastike mund të ishte heqja vlerës ligjore të diplomave. Natyrisht, me vlerë ligjore, përveç regjistrimit e njohjes zyrtare, duhet të kuptojmë efektet juridike e titujve shkollorë e universitarë, që mund të veprojnë brenda botës akademike dhe jashtë saj, për të bërë karrierë në universitet, ose për të gjetur punë në ministri.

Me fjalë më të thjeshta, për një vend pune në shtet, ose për një titull akademik, kandidati duhet të dëshmojë se i ka kompetencat e duhura për ta kryer veprimtarinë që i kërkohet, dhe jo sa diploma e specializime ka, brenda e jashtë shtetit. Kjo nuk do të thotë se titujt që ka marrë dhe puna që ka bërë, të mos merren parasysh, por që të relativizohet rëndësia e anës formale të diplomave. Pra më shumë përmbajtje se sa vërtetime.

Mbrojtësit e vlerës ligjore mendojnë se është e vetmja mënyrë për të vlerësuar përgatitjen e kandidatëve, kurse avokatët e abrogimit mendojnë se konkurrenca midis universiteteve do të çojë në rritjen e cilësisë së diplomave. Duhet thënë se ligjet e tregut, jo gjithnjë të drejta dhe efikase, nuk mund të veprojnë vetëm pozitivisht mbi vlerën e diplomave universitare. Rritja e konkurrencës midis universiteteve nuk çon automatikisht në rritjen e cilësisë, madje mund të shkaktojë uljen e stekës drejt standardeve më të ulëta. Shembulli shqiptar është elokuent në këtë pikë.

Në prani të një krize ekonomike strukturore, me përqindje të lartë papunësie, studimet universitare dhe nivelet e ndryshme të diplomave, që duken ndonjëherë si ato nivelet e lojërave që të shtyjnë në stadin e mëpasshëm, janë shndërruar në magazinë, parking, dhomë pritjeje, ku sistemohen të gjithë ata të rinj që presin të dalin në jetë. Ndërkohë, që të mos mërziten, u jepet diçka për të bërë: të marrin ndonjë diplomë.

Nuk mund të harrohet mungesa e lidhjes midis studimeve shkollore dhe tregut të punës. Në Shqipëri, por jo vetëm atje, sistemi shkollor dhe universitar nuk përgatit qytetarë të përgatitur për t’u futur në punë, në përputhje me kërkesat e tregut. Kjo është aq e vërtetë, saqë gjen sekretare me dy universitete, dy mastera dhe tre specializime, por asnjë prej tyre nuk pi ujë për të gjetur punë më të mirë. Ndonjëherë çan më shumë miku, partia, ryshfeti dhe minifundi, se sa diplomat e titujt. E jo gjithnjë për faj të inflacionimit të diplomave dhe titujve.

Natyrisht, çështjen e vlerës së diplomës nuk mund ta lëmë jashtë sistemit të meritokracisë, që nuk ekziston asfare në Shqipëri, sikurse nuk mund të lëmë jashtë dukurive, si ajo e emigracionit, që në pamje të parë duken si pa lidhje me temën.

Eliminimi i vlerës ligjore të diplomës nuk mund të jetë shkopi magjik i sistemit universitar shqiptar. Tek e fundit, edhe ata që do të vlerësojnë kompetencat, komisionet e gjykimit pra, janë të ndikueshëm e subjektivë. E denoncimi i tyre pranë drejtësisë, ashtu siç funksionon në Shqipëri, nuk ngjall shpresa të posaçme. Jemi pothuajse pa rrugëdalje.

Megjithatë, vlera ligjore e diplomës është eliminuar praktikisht nga vetë realiteti. Ose më mirë është vetëeliminuar. Se atje ku të gjithë kanë diplomë, askush nuk ka diplomë. Praktikisht rezulton e padobishme për të bërë diferencime të besueshme në vlerësimin e aftësive. Lufta për vend pune bëhet me një vërtetim më shumë, por edhe ai ka vlerë të luhatshme, në vartësi të konjukturave të tjera, kurse në botën akademike beteja bëhet në mënyrë krejt autoreferenciale.

Ndoshta, për t’ia shtuar vlerën diplomës, i duhet hequr pjesa ligjore. Pra më shumë “vlerë”, se sa “vlerë ligjore”.

6 Komente

  1. mjafton debati i fundit mbi ligjin e arsimit te larte ne parlament per te kuptuar mendesin popullore mbi diplomen.. U ndryshua drafti per te perfshire ne detaje edhe diplomat (jo medoemos kualifikimet) e administratoreve, rektoreve etj. me specialitetet perkatese (juridik ose ekonomik).. tani mendo se perse ky fiksim per te detajuar ne ligj kriteret e punesimit dhe emerimit te administratoreve ne nivelet e ndryshme drejtuese te universiteteteve? sepse diploma nuk eshte kriter perfshires, sikur edhe te universalizohet, por kriter perjashtues..

    ndersa kam kritika ndaj qasjes dhe argumentimit ne kete shkrim.

    .. edhe pse ka nje zhvleftesim te diplomes se arsimit te larte – statistikat e INSTAT tregojne se 34% e te diplomuareve jane te nenpunesuar (underemployed), te angazhuar ne sektore ku nuk mund te ushtrojne aftesite e nxenura ne universitet, apo mbi 7% e te papuneve jane me arsim te larte (nje rritje prej 3% nga 2008) — numri i te diplomuareve eshte i vogel. Keshtu qe frika juaj nuk justifikohet.

    Perqindja e te diplomuareve eshte ende rreth 35%, pra vetem 35% e atyre qe regjistrohen ne nje vit arrijne te perfundojne ne nje periudhe prej 4-6 vjetesh (nga 3 ose 4 vjete kohe te rregullt). Numri i personave te dipluar per 100 000 banore eshte ende i vogel ne krahasim me vendet e Evropes Perendimore dhe ne rajon (Rumani, Bullgari). Mendoni se ne Shqiperi regjistrohen cdo vit rreth 30-35000 studente.

    Ndersa prej vitit 2014 numri i te regjistruareve ne arsimin e larte ka filluar te shenoje ulje, qofte prej tarifave te larta (sipas nje studimi te Friedrich Ebert Stiftung, 2015), por edhe per shkak te kufizimeve ne kuota (jane ulur kuotat ne universitetet publike dhe mbyllur rreth 18 institucione private). Cdo vit mendohet se largohen mbi 3000 te rinj per te studiuar ne Perendim. Pjesemarrja e te rinjve 18 vjec ne arsimin e larte (rreth 70%) pas diplomimit ne arsimin e mesem eshte ne shifrat normale, ne krahasim me vendet e perparuara si SHBA, Angli (Gjermania dhe Austria per shkak te arsimit profesional kane shifra me te uleta).

    Sa i perket propozimit per ti zhvleftesuar diplomat si kriter punesimi, eshte disi pa vend. Diploma certifikon nje lloj pritshmerie per tregun e punes, premton se i kualifikuari pervec profesionti zoteron edhe disa aftesi si mendimi kritik, aftesite e te nxenit etj. qe shume pak punedhenes jane ne gjendje ti vleresojne ne sektorin e tyre. Madje as shteti, qe se fundmi i ka hyre testeve, sikur tani me administraten shteterore, nuk eshte ne gjendje te vleresoje te gjitha ato aftesi relevante me sherbimin publik (njohurite e pergjithshme etj.).

    Problemi eshte se shume skeptike ndaj zhvillimeve te arsimit te larte ne Shqiperi, ose nisen nga nje vleresim romantik i se kaluares, ose nga situata ne vendet perendimore. Historia na meson qe ne Shqiperi historikisht arsimi i larte nuk ka pasur lidhje me sektorin e punesimit, edhe kur ka pasur planifikim e politika te koordinuara. Kjo eshte teza ime, ngelet per tu vertetuar. Ndersa papunesia p.sh. nuk eshte nje pasoje e inflacionit te diplomave, zhvillimi ekonomik eshte. P.sh. Spanja ka deri ne 23% papunesi nder te rinjte, dhe kjo jo pse nuk kane vlere diplomat, por per shkak te veshtiresive qe po ndesh vendi.

    1. Tema që preka është shumëpërmasore dhe kontroversiale. E kam fare të qartë. Madje shkon kundër mendësisë dhe jurisprudencës së konsoliduar. Ndoshta edhe kundër mentalitetit tim. Gjithsesi, nuk propozova heqjen e vlerës së diplomave, por heqjen e vlerës ligjore.

      Le të marrim një shembull të thjeshtë. Qeveritë e Tiranës kanë vite që botojnë tabelat e pagave të nëpunësve publikë, ku bie në sy diferencimi midis atyre që kanë master dhe atyre që nuk kanë master. Mund të shikosh këtu ose këtu. Po kështu kur shpallen vende vakante, ka rëndësi jetike (përjashtuese) diploma dhe titulli i radhës. Mjafton t’i hidhni një sy faqeve në internet. Pra kur nga copa e letrës (sepse në disa raste ashtu është) siguron të ardhura automatikisht, atëhere kuptohet gjithë kjo dëshirë për t’u diplomuar e për të marrë dëftesa.

      Sistemi shqiptar nuk është meritokratik. Unë njoh persona shumë të vlefshëm në veprimtaritë e tyre, me shkollë të mesme e të lartë, që kur shkojnë në Tiranë, me letra duken si njerëz me shkollë fillore, pothuajse analfabetë, sepse ndërkohë vrapi drejt arit arsimor ka dhënë frytet e veta: ka plot me dy diploma, disa mastera, specializime dhe tituj sipas dëshirës. Këta persona të përgatitur do të përjashtoheshin a priori nga çdo garë e ndershme (nëse do të kishte të tilla).

      Diplomat nuk duhet të përjashtohen nga kriteret e punësimit, por vlera e tyre duhet të relativizohet, ose më mirë të objektivizohet. Sepse ka plot nga ata, që e kanë kokën me kapele diplomash, por nuk vlejnë shumë. Dhe e kundërta. Fakti është se po rrisim një brez të rinjsh e më pak të rinjsh, që duan t’i koleksionojnë diplomat dhe titujt, por pa i ndjekur studimet e profesionin me pasionin e duhur.

      Kemi edhe një element pabarazie. Kush ka mundësi ekonomike, se e ka babanë biznesmen dhe mamanë deputete (çdo referim është krejtësisht rastësor), mund të mbledhë diploma sa të dojë, brenda e jashtë shtetit, aq sa të mos kenë korniza për t’i nxjerrë në mur. Po ky fëmijë është i privilegjuar, me letra, që të zërë një vend pëllumbash në sektorin publik.

      Pastaj ke ata që kanë studiuar jashtë shtetit në nivele të ndryshme. Kjo është temë që duhet të trajtohet veçmas, sepse sistemet arsimore jashtë nuk është se kanë bërë përparime vitet e fundit. Megjithatë, çdo i diplomuar në Perëndim e Lindje, nuk mund të konkurrojë me diplomat e shumta në Shqipëri. Nga pikëpamja sasiore e kam fjalën.

      Shifrat e shkollës së lartë duhet të kontekstualizohen. Këto njëzetë vitet e fundit janë ngritur Universitete kudo, madje ndonjëherë më duket sikur ka më shumë pedagogë se sa studentë. Nëse ka një rënie relative të numrit të studentëve, kjo duhet të shikohet edhe si pasojë e zhvleftësimit të diplomës.

      Po e përsëris, diploma më shumë duhet të ketë vlerë, se sa vlerë ligjore. Të ketë rëndësi të madhe, dakord, por jo absolute. Kjo vlen edhe për titujt akademikë. Kush ka nge le të kontrollojë CV-të e politikanëve shqiptarë. Do ta bënin me turp edhe parlamentin më përparimtar në vendin më të zhvilluar. Një herë, unë e bëra një verikim të vogël, një farë loje, pa pretendime shkencore, me disa qeveritarë shqiptarë: diploma universitare, mastera, specializime, PhD, doktorata, profesorë, asistentë profesorë, botime shkencore, botime letrare, artikuj, mësimdhënie, etj. Të isha ministër i huaj nuk do t’i takoja nga kompleksi i inferioritetit, natyrisht derisa t’i shikoja rezultatet politike në vend. Por kjo mund të thuhet për të gjithë klasën drejtuese.

      Temë e ndërlikuar “vlera e diplomës”, me siguri për t’u argumentuar më mirë, por ia vlen të hapësh një debat serioz. Megjithatë nuk kam iluzione të kota, i tërë sistemi shqiptar bazohet në njohjen ligjore të diplomave. Por të paktën për respekt të atyre që e kanë marrë me djersë e mund, mirë është të thuhen disa gjëra.

  2. Shkruani:

    Megjithatë, vlera ligjore e diplomës është eliminuar praktikisht nga vetë realiteti. Ose më mirë është vetëeliminuar. Se atje ku të gjithë kanë diplomë, askush nuk ka diplomë. Praktikisht rezulton e padobishme për të bërë diferencime të besueshme në vlerësimin e aftësive. Lufta për vend pune bëhet me një vërtetim më shumë, por edhe ai ka vlerë të luhatshme, në vartësi të konjukturave të tjera, kurse në botën akademike beteja bëhet në mënyrë krejt autoreferenciale.

    Pikërisht. Në Shqipërinë e sotshme është e mirënjohur që dëftesat, vërtetimet, diplomat, masterat etj. kanë vetëm një rol, kur vjen puna te punësimet pranë administratës shtetërore – të shërbejnë si “gjethe fiku” për të mbuluar kriterin e vërtetë të punësimit në administratën shqiptare: përkatësinë familjare, klanore dhe sidomos atë partiake. Prej këtej, edhe vlera e këtyre dokumenteve nuk mund të jetë më e lartë se ajo e një gjetheje fiku.

    Eliminimi i vlerës ligjore të diplomës është një mjet që, për mendimin tim, ndihmon të luftoj simptomat por jo shkaqet e sëmundjes, që për mua janë dy:

    liberalizimi i pakontrolluar, madje i shfrenuar, i sistemit arsimor shtetëror por sidomos atij privat pas 1990-ës, dhe
    politizimi total i administratës shtetërore dhe përdorimi i saj si rezervat për të strehuar aty militantët partiakë, familjarët dhe miqtë e pushtetarëve të rradhës.

    Të dyja janë të korrigjueshme, sigurisht. Por jo me këtë klasë politike që Shqipëria ka sot.

    1. vete fakti qe kane vendosur kritere per punesimin ne administraten shteterore, me titujt perkatesisht pozicionit te punes (pergjegjes e siper me master) do te thote se ka perpjekje per te njohur merita per kualifikimin e metejshem (te mesuarit gjate gjithe jetes etj.) .. pervec faktit qe diploma si kriter eshte nder te paktat kritere objektive, edhe pse ka pasur raste kur kerkesat ligjore jane injoruar (me diploma fallso ne rastin me te mire, ose nuk jane punesuar me arsim te larte per hir te lidhjeve politike).

      Problemi eshte se keto kritere, qe jane vendosur me synim te mire – per te ndaluar revanshin partiak dhe rritur profesionalizmin e administrates – kane sherbyer gjithashtu si incentiva per te rendur pas letrave dhe kritereve formale.. por keto instrumente gjykohen gjithkund si problematike, edhe ne SHBA kredencialet jane kthyer ne nje instrument per diskriminim (ivy leagues), e megjithate diploma eshte nder te paktat letra qe deshmon sadopak mbi aftesite e punemarresit potencial.

      Keto diskutime mb relativizimin e kredencialeve kane perligjur qeverine qe te fuse ne testim mesuesit, mjeket,e adminstraten shteterore se fundmi – e megjithate une ju kujtoj Stalinin per votat, se edhe pse testohet, testimet i korrigjojne po ata njerez, meritat profesionale dhe kredon e te cileve nuk i njeh njeri.

      1. Më duket se në thelb po arsyetojmë njëlloj. Edhe ti po përdor gjykime që i vendosin në perspektivën e kontekstin e duhur diplomat e titujt në Shqipëri. Sa për ato që po bën qeveria lidhur me testimet masive të administratës, mund të jap mendimin tim: janë palaçollëqe të pista. E nuk duhet t’i ngatërrojmë me çka po diskutojmë këtu.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin