Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

MË THUAJ SI VISHESH…

Ka bërë bujë libri i fundit i studiuesit të mirënjohur shqiptaro-amerikan Jeb Pantolli për modën dhe veshjen moderne në Shqipëri.

Titulli i vëllimit të tij të njëzetë është elokuent: “Antropo-psiko-socio-logjia e modës shqiptare” ku analizon modën shqiptare që nga vitet e totalitarizmit deri në shekullin e ardhshëm.

Studiuesi i njohur thekson që në parathënie se moda ka ekzistuar gjithnjë e nuk do të vdesë kurrë. Edhe në vende që qeverisen nga diktatura moda gjen mënyra shprehëse. Prof. Pantolli jep shembullin e pantallonave kauboj që u përhapën në vitet shtatëdhjetë në Shqipëri, pavarësisht se kishte kufizime të rënda, ngaqë ndjekja e modës konsiderohej “shfaqje e huaj”, një shprehje që autori e konsideron të papërkthyeshme, sepse hermetike dhe e pakuptueshme për çdo kulturë aktuale.

Detaj_vitrine_Tirane

Detaj vitrine

“Disa dëshmi – shkruan Jeb Pantolli – tregojnë se gjatë regjimit komunist, në periudhat më të ashpra të represionit, kishte kryetarë frontesh që sorollateshin me metër në dorë për të matur se sa cm ishin poshtë pantallonat”.

Pastaj i vjen radha analizës së pantallonave tub, që u përhapën në vitet tetëdhjetë, që patën sukses të ngadalshëm por të sigurtë, sepse nuk mund të kontrolloheshin ashpër nga regjimi për faktin se ishte një farë “kthimi në identitet”. Me fjalë të tjera metri doli jashtë përdorimit si instrument kontrolli.

Përkundrazi, ka qenë më i lehtë kontrolli i fundeve, të cilat vërtet toleroheshin si modele, por jo mbi gju. Pas liberalizmit të viteve 1960-1970, koha kur edhe në Shqipëri sikur u shkurtuan pak fundet, por pa arritur statusin e minit, erdhi shtrëngimi i stofit asfiksues dhe i rrobës ushtarake.

Sipas autorit, edhe rrobat ushtarake i nënshtroheshin modës. “Disa gra, që në atë kohë ishin vajza, më treguan se rrobat e zborit i nënshtroheshin makinës qepëse, herë për t’i shtrënguar dhe herë për t’i shkurtuar, por duke pasur kujdes që oficeri i radhës të mos i pikaste”.

Kapitulli më aktual është ai i fundit, ku flitet për modën e sotme. Në këtë kapitull prof. Jeb Pantolli, ka dalë me një tezë kontroversiale që ka shkaktuar polemika të shumta. Sipas tij, në shoqërinë aktuale shqiptare ka një shfazim kohor të përdorimit të modës e të veshjeve.

“Vajzat moderne shqiptare, përsa i përket të veshurit në publik, duket sikur vuajnë nga shqetësimet e jet lag-ut, në kuptimin që vishen në mënyrë të shfazuar. Ato vishen bukur e plot sharm, por jo në mënyrë të sinkronizuar me kohën dhe mjedisin”. Kështu shkruan prof. Pantolli, duke shpjeguar se femrat shqiptare në kryeqytet shkojnë në punë të veshura sikur do të shkonin në një festë balloje, shkojnë në bar të veshura sikur do të shkonin në diskotekë dhe shkojnë në diskotekë të veshura sikur do të shkonin në pishinë ose në plazh.

Këto pohime, siç mund të merrej me mend, shkaktuan ilaritet edhe gjatë prezantimit të librit të publikuar nga shtëpia botuese “Kopsa”. Një nga gazetarët e revistës “Dantella” kërkoi të dinte nëse studiuesi kishte marrë në konsideratë hipotezën se vetë shoqëria shqiptare, për fat të mirë, ishte e shfazuar, në kuptimin që puna është mjedis i hareshëm si një party, lokali është zbavitës si një diskotekë dhe diskoteka është cool si një pishinë.

Në rrjetet sociale debati plasi me të madhe e nuk po shuhet ende. Nexhmija, pastruese në një institucion, shkruan në profilin e vet: “Për cilat femra flet ky zotëri? Se të lash banjat me taka dymbëdhjetëshe nuk është e lehtë”. Fabiola shkruan në twitter: “Unë vishem siç e ndjej veten në mëngjes”, kurse Doris shprehet: “Ç’janë këta talebanë të modës? Na urdhërojnë veshjet sipas orareve? Trupi është i imi dhe e vesh sipas qejfit”. Kurse Hatixhja shkruan: “Qyqja!”.

Disa deklarata negative kanë bërë edhe disa Ojq vendore, të cilat e kanë quajtur librin e Jeb Pantollit si maskilist e mizogjin, ndërsa kryeredaktorja e revistës “Sfilata ime” ka shkruar në editorialin e sotëm: “Po ti prof. Pantolli çfarë fundi vesh?”. Pritet që edhe kjo pyetje me spec të provokojë polemika të tjera.

Me sa duket, moda dhe veshja në Shqipëri janë tema tejet të rëndësishme.

Pa Komente

  1. E lexova me një frymë librin e Prof Pantollit (e njoh qe nga koha e shkollës “Petro Nini” në ambientet e së cilës zhvillohej shkolla e rrobaqepësisë me shkëputje nga puna. Asokohe Jeb quhej Xhemil dhe punonte tek sporteli i NPV-së).

    Libri është interesant nga pikëpamja gjinore. Titujt e kapitujve tradhtojnë vëmendjen diskriminuese të autorit:
    – Hyrje në modë: si visheshin gjyshet tona?
    – Vështrim transversal ndërkontinental mbi modën e vathëve: nga vajzat maore tek gjyshet apache – aplikime në hundë, veshë dhe gjuhë.
    – Vështrim longitudinal mbi Tudorët dhe Windsorët: nga Maria Stjuart tek Kejt Midëllton.
    – Ç’është bërë dhe ç’bëhet brenda gardhit tonë: Princeshat mbretërore dhe zonjat e para të Republikës së Shqipërisë.
    – Si të vishemi? Ç’rroba të zgjedhim? Shqipëria në dilema femërore.

    Më duket e ekzagjeruar stuhia e mediave sociale. Lexueset si Dorisi duhet ta shikojnë librin si një kontribut në sjelljen e tyre shoqërore dhe jo si polici morale. Po ashtu. ankesat e qytetares Nexhmije duhen marrë me rezervë. Është provuar shkencërisht se qëndrimi mbi taka të larta të shton krahun e forcës (koncept fizik ky) kur të duhet të përkulesh për arsye pastrimi.

    Në fund, përgëzime autorit dhe në pritje të vëllimit të dytë të librit me konsiderata dhe këshilla për modën e veshjeve dhe të aksesorëve mashkullorë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin