Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

GRAFFITI MBI BUROKRACINË

Midis datave 11 shtator dhe 10 tetor, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ekspozojë 78 vizatime të vetat në Galerinë Kampl në Mynih.

Do të kisha dashur të shkruaja “artisti vizual Edi Rama” – por kjo nuk do të kish qenë e saktë. Pa vënë në dyshim e në diskutim mjeshtërinë e autorit dhe statusin inherent të artit që do të varet në muret e galerisë, kjo ekspozitë është e një kryeministri që vizaton – jo e një artisti që qëllon të jetë edhe kryeministër.

I njoh prej kohësh këto punë të Ramës, i kam parë në zyrën e tij, madje kam në shtëpi edhe një të tillë që ma ka dhuruar ai vetë, me autograf. Sikurse kam në bibliotekë edhe librin “Edi Rama” (2009, Botimet Toena), ku janë përmbledhur një pjesë e madhe vizatimesh të tilla, të periudhës kur autori ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Për ata që nuk e dinë, Rama i ekzekuton këto vizatime mbi shkresa gjithfarësh, që ia sjell puna e përditshme në tryezën e tij prej zyrtari të lartë: fletë kalendari, programe të ditës, tasks, ftesa, programe konferencash, konspekte, prospekte, skica idesh, propozime, përkujtesa, shënime mbledhjesh, orare avionësh, memo, letra protokollare – lista mund të vazhdojë gjatë.

Që në krye, më pat ngacmuar “semiotikisht” kjo ide e tij, për të kombinuar në një medium të vetëm, shkresurinën ose objektin burokratik tipik dhe vizatimin e lirë, si shprehje elementare të krijimit.

Të gjithë zhgarravitim në shkresa kur mërzitemi gjatë ndonjë eventi kolektiv, ose kur nuk gjejmë mënyrë tjetër për ta shtyrë ditën në zyrë; tek e fundit, këto gërvishtje të penës në anë të faqes janë EKG-ja e mërzisë sonë: forma gjeometrike, yje, unaza, lakore, spirale, firma, portrete, karikatura.

Kështu m’u paraqitën në fillim edhe vizatimet shumëngjyrëshe të Ramës – si variacione rreth mërzisë së një piktori, të mbyllur në një qeli shkresash të përsëritshme; ose materializim i konfliktit midis artit dhe burokracisë.

Autori e ka vazhduar këtë lloj arti, ose praktike artistike, që prej herët në vitet 2000 deri më sot – në përleshje të pandërprerë me shkresën dhe inercinë dhe mungesën e lirisë që sjell me vete çdo lloj planëzimi; në fakt me vetë institucionin i të cilit është pjesë ose që drejton.

imageNën penat e tij ngjyrosëse, shkresa nuk zhduket krejt por vetëm eklipsohet; mbulohet nga ngjyra, por ende mund të lexohet nëpër të; dhe asnjë lidhje logjike ose referenciale nuk ka midis imazhit të shtuar a të derdhur në letër dhe përmbajtjes së dokumentit vetë, përveçse faktit që të dy ato anë shprehin praninë e të njëjtit njeri në përmasën e tretë.

Rama shpesh ka lënë të kuptohet se e përfytyron veten më parë si artist, dhe vetëm më pas si politikan. “Marrëdhënia mes Kryetarit të Bashkisë dhe zgjedhësit është si ajo mes artistit dhe spektatorit,” pat shkruar në kopertinën e albumit-libër me këto imazhe, të viteve 2000-2009. “Është një raport tejet stresues, sepse është një përpjekje e përditshme, nën sytë e njerëzve, që në fund të fundit shënjestron zemrat e tyre.”

Askush nuk mund ta vërë sinqeritetin e ketij pohimi në diskutim – pa çka se materialet e ekspozitës së tanishme në Mynih, sikurse ato të librit të botuar vite më parë, në thelb portretizojnë shtetarin burokrat që rebelohet, në mënyrë jashtëzakonisht të artikuluar, kundër zhguallit të profesionit të vet.

Një politikan-artist që shënjon territorin e vet?

Të gjitha vizatimet e Ramës të paraqitura në ekspozitë mund të shfletohen këtu (duke klikuar mbi secilin kuadrat, imazhi do të afishohet më vete). Meqë botimi i art book-ut Edi Rama pati shpërndarje të kufizuar, kjo për shumë të interesuar do të jetë edhe hera e parë kur vizatimet e Ramës mund të kundrohen lirisht në masë, të riprodhuara me cilësi relativisht të lartë.

Profani u qaset objekteve të tilla vizuale me dëshirën për të identifikuar atje një formë çfarëdo – dhe ashtu do të gjejë atje gjithfarë sugjerimesh për prerje (seksionime) 2D nga atlasë të anatomisë, krijesa të dala nga katalogët zoologjikë dhe fantazoologjikë, shpesë dhe insekte të përbindshme, tentakula dhe apendikse të zdërhallura, deformime teratologjike, qeliza dhe mitokondri, mbetje paleontologjike; sikurse do të gjejë aluzione fotografish ajrore, hartash dhe planimetrish dhe fantazmagorish urbane; ose edhe arlekinë dhe maska primitive, etnike, ekzotike, të përfytyruara nga piktorët ekspresionistë europianë të fillimshekullit XX; dhe tek tuk jehona intertekstuale më dukshëm të identifikueshme nga Picasso, Max Ernst, Juan Mirò dhe Dali dhe kushedi kush tjetër i kanonit modernist.

Një sy më i stërvitur dhe më i rafinuar do të njohë atje lojën midis ngjyrës dhe trajtës, ose luftën primordiale – në pikturë – midis vijës dhe ngjyrës; një psikolog a psikometrist kushedi do të tundohet pastaj t’i lexojë vizatimet si një lloj testi Rorschach i anasjelltë: ku subjekti nuk i interpreton njollat, por i krijon vetë; duke ia lënë pastaj shikuesit të thotë se çfarë sheh.

Megjithatë, me kohë mua më kanë interesuar edhe lexime të tjera – sa kohë që këtu nuk bëhet fjalë thjesht për doodles të ngjyrosura dhe as ilustrime; por për vizatime mbi një medium të caktuar, i cili ofron jo vetëm kontekstin rrethanor por edhe merr pjesë aktivisht si në krijimin e vizatimit, ashtu edhe në pritjen e tij nga publiku. Prandaj, kushedi imazhet nuk na lejohet, veçanërisht këtu, që t’i ndajmë nga konteksti.

Vetë shkresat burokratike-institucionale, të përdorura si medium, vijnë me karakteristika vizuale specifike: janë rigorozisht bardhezi, me tekstin të organizuar në vija të drejta dhe kuadrate; u referohen ngjarjeve zakonisht rutinë të jetës së një institucioni – takimeve, mbledhjeve, telefonatave madje në një farë mënyre i krijojnë këto ngjarje; vijnë me data që jo doemos përkojnë me datat kur janë kryer vizatimet.

Autori punon mbi këto shkresa me një koncept praktikisht dadaist; duke i shfytyruar dhe shkatërruar ato, teksa i jep trajtë veprës së vet së mbivendosur. “Continuous artistic production therefore slowly contaminates and erases the minutiae of administrative language” ka shkruar për këtë lloj krijimi Vincent Van Gerven Oi. Dhe nëse është kështu, atëherë mund të pyetet, madje duhet të pyetet, se çfarë raporti ka midis gjestit të së vizatuarit mbi një medium jo të virgjër, as të pafajshëm; dhe gjurmës që lë vizatimi (trace), ose veprës vizuale të përmbyllur.

Sidoqë gjesti këtu nuk ndahet dot nga gjurma; në kuptimin që gjurma është efekt i një gjesti, sërish shikuesi, dhe kritiku, nuk e ka të lehtë të gjejë një drejtpeshim mes tyre.

Dhe le të mos harrojmë se ky gjest, sa u përket veprave në fjalë, është edhe një sfidë që ia bën vizualiteti i kulluar shkrimit; ose lëvizja e lirë e penës në letër, disiplinës së hekurt dhe gjeometrisë quasi fashiste të shkronjave në rreshta dhe kuadrate; si mishërim i një kundërtie themelore të epokës sonë, ajo midis tekstit dhe imazhit – ose, nëse duam t’i referohemi një miti jo dhe aq kosher të dijes kognitive, midis hemisferës së majtë dhe asaj të djathtë.

Çfarë vlere artistike mirëfilli kanë këto imazhe, të shkëputura nga mediumi shkresë? Nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje – edhe ngaqë ajo mund të mos ketë shumë kuptim, sa kohë që imazhet e reja i ka përftuar vetë mediumi, si prani kontekstuale dhe si rezistencë e botës ndaj vullnetit të lirë të artistit.

Van Gerven Oi (në esenë e lartcituar) priret të shohë, te ngjyrosja obsesive që i mbivendoset bardhezisë burokratike, një orvatje të ngjashme me bojatisjen e fasadave të Tiranës, kur Rama ishte Kryetar i Bashkisë; edhe pse atëherë gjesti u perceptua sakaq si utilitar, ndërsa ky i tanishmi vjen më intim, më i induktuar nga ennui-ja e dikujt që nuk gjendet në elementin e vet; sikurse lihet të kuptohet edhe nga një horreur du vide, ose tmerr metafizik nga zbrazëtia, që i torturon disa prej krijimeve.

Sepse në secilën prej këtyre veprave, së paku gjatë krijimit të tyre, materializohet edhe konflikti midis autorit institucional dhe publik, politikan të cilit ia ka hequr lirinë vetë detyra institucionale që ka marrë përsipër, dhe Ramës privat, nëse duam edhe piktor, që kërkon të ikë nga kafazi burokratik; aq sa vetë kjo dëshirë për ikje t’i shndërrohet në identitet, së paku në identitet artistit. Sërish Van Gerven Oi, nga eseja e lartcituar: “Doodling here becomes a sovereign gesture that cancels out bureaucratic and administrative procedure.”

Ka edhe më: mediumi, në këto vizatime, refuzon të tërhiqet krejt nga skena, të bëhet i tejdukshëm, të hiqet sysh; të reduktohet në kanavacën klasike të piktorit ose në sfondin ku do të projektohet rishtas vizioni i autorit. Mediumi mbetet atje, shkresat ende mund të lexohen, emrat të identifikohen, madje edhe numrave të telefonit mund t’u bëhet një thirrje, sipas dëshirës. Ndryshe nga imazhet, burokracia mbetet e rrënjosur në realitet edhe pas kaq vitesh.

Madje përmes këtyre shkresave tërthorazi edhe ato të ekspozuara, vizitori që i lexon dhe i kupton – edhe pse doemos jo ai në Gjermani – mund të krijojë një ide për rutinën gati pendesëtare të një Kryetari Bashkie, një Kryetari Partie, ose edhe një Kryeministri: programin e tij të ditës, mbledhjet, takimet, kafet, pritjet dhe bisedat; njerëzit që ka rrotull, njerëzit që i shkruajnë dhe ata që duan të flasin me të.

Në politikat e veta kulturore, Rama kryeministër ka ngulur këmbë te filozofia dhe praktika e hapjes – që nga shkyçja e bodrumeve të mykura të regjimit të vjetër, te hapja e dosjeve dhe e bunkerëve dhe e tuneleve, dhe ajo e ndërtesave qeveritare e më në fund tejdukshmëria e vetë punëve të institucioneve publike. Këto shkresa, mbi të cilat ai ka vizatuar dhe që tani ekspozohen lirisht, janë edhe ato një hapje, ose një dritare ndaj përditshmërisë institucionale.

Aq sa dikush përnjëmend do të tundohej t’i këqyrte dokumentet si Wikileaks të pushtetit në Tiranë; sikur të mos bëhej fjalë për materiale që me siguri do t’i kenë kontrolluar dhe shoshitur për shkelje të sekretit dhe të privatësisë; dhe sikur të mos bëhej fjalë, edhe këtu, për hapje gjithnjë të kontrolluara dhe të kuratuara deri në imtësi.

Por nuk e përjashtoj dot që një ditë të qëllojë që një antropolog a një historian i institucioneve a një arkeolog a mí arkivash ta fillonte, pikërisht nga këto palimpseste, punën e vet për një histori të rutinës në institucionet e Shqipërisë së fillimshekullit XXI – në mos për gjë tjetër, të paktën ngaqë, duke filluar që nga koha e ekspozimit të tyre publik si mediume vizatimesh – ato nuk do të mund të alterohen më. Ironikisht, gjesti i prishjes së tyre, ose i “vandalizimit” të tyre me graffiti d’auteur, do të shërbejë edhe për ruajtjen e tyre.

Nga ana tjetër, kam frikë se posti i tanishëm i autorit të këtyre vizatimeve – ose fakti që Edi Rama është Kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë – do ta deformojë pritjen e tyre derisa ta shndërrojë në një event të showbiz-it, në diçka zbavitëse dhe glamour-oze, ose një pretekst për të shpjeguar se sa cool është që kryeministri shqiptar (“i këtij vendi të vogël”) qëllon të jetë edhe artist vizual.

Dhe ky deformim i pashmangshëm të pikëllon. Jo se Rama artist duhet ndarë dhe mbajtur veçan nga Rama burrë shteti – edhe kjo do të ishte artificiale; aq më tepër në rastin e tanishëm, kur është pikërisht posti i lartë i Ramës që e mundëson statusin e këtyre veprave dhe hapjen e ekspozitës në Mynih: a mund të përfytyrojmë që t’i ndodhte kështu një burokrati çfarëdo nga Shqipëria, bie fjala një nëpunësi të Zyrës së Kadastrës, me talent për të vizatuar mbi shkresurina?

Jo, nuk e përfytyrojmë dot. Ekspozita në Mynih është e një pushtetari të lartë, të munduar nga ennui-ja; dhe vlerën e imazheve nuk e ndajmë dot nga statusi ekscepsional i autorit të tyre. Por sa do të jenë ata, mes publikut dhe kritikës, që këtë status ekscepsional do ta interpretojnë si kufizim, si mangësi, si handikap të autorit dhe vetë veprën si një përpjekje e tij, si një gjakim për të mos e lejuar këtë handikap t’ia mohojë lirinë për së jashtmi; njëlloj siç e marrim parasysh, bie fjala, faktin që Beethoven-i ishte pothuajse i shurdhër, kur kompozoi kuartetet e fundit ose Simfoninë e 9-të?

image 2Përndryshe, edhe lënda e vizatimit, ose denotacioni i imazheve nuk mund të lihet mënjanë; pavarësisht se shkalla e risisë aty mund të mos jetë e krahasueshme me atë të gjestit vetë. Morfologjia e vijës dhe e ngjyrës, në graffiti-t e Ramës, vjen nga një dorë sa e sigurt, aq edhe e mësuar me artin vizual – që di ta shtjellojë linjën me elegancë, sikurse di t’i ndërthurë ngjyrat dhe të krijojë efekte hipnotike me kromatizmin gati muzikor.

Duke mbajtur parasysh edhe shpjegimin që ka dhënë disa herë Rama vetë, për rolin sa terapeutik aq edhe katalitik të së vizatuarit në komunikimin e tij institucional, nuk do të gabonim sikur t’i përqasnim këto praktika me atë çfarë surrealistët e quanin écriture automatique; diçka të ngjashme me një peinture automatique, ashtu siç shprehet – mes të tjerash – në veprën e një André Masson (shih edhe praktikën e automatic drawing dhe shkollën e Les Automatistes).

Dhe nëse është kështu, atëherë lënda e veprës së Ramës, që do të ekspozohet në Mynih dhe që është botuar tashmë gjetiu e sigurisht vazhdon të përftohet, paraqitet si diskursi vizual i pavetëdijës së tij; në kuptimin që artisti vjen dhe manifestohet si pavetëdijë e politikanit.

Që këtej, sikurse çdo produkt tjetër i pavetëdijës, edhe ajo lëndë nuk mund të jetë veçse rikombinim i kodit gjenetik të pikturës moderniste europiane, që autori e pat përvetësuar gjatë viteve të tij si student i arteve vizuale. Këtë pavetëdije alter-ego të politikanit, që rreket të nxjerrë kokën herë më haptazi e herë më pak haptazi përmes vizatimit, nuk na lejohet ta ngatërrojmë, megjithatë, me idenë që ka kultivuar Rama vetë i ndihur nga mediat e oborrit, për identitetin e vet si artist, si artist politikan dhe si piktor kanavacash të shumëfishta.

Shënim: Lexuesit janë të lutur të shfletojnë edhe riprodhimet në katalogun e galerisë (duke klikuar në linkun përkatës), për t’i ndjekur më mirë përsiatjet më lart.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit ose të një administratori të blogut.

Pa Komente

  1. “Continuous artistic production therefore slowly contaminates and erases the minutiae of administrative language” — Vincent Van Gerven Oi.

    Not quite. “Erasure” nuk shkon, “contamination” po, ndoshta në momentin e krijimit. Përfytyroj situatën: kryeministri, mes delegacionesh, këshilltarësh, miqsh, armiqsh që referojnë e debatojnë, i armatosur me lapsa me ngjyra. Ata flasin, ai flet; kur nuk flet vizaton e ngjyros, ose edhe flet edhe ngjyros. Si munden ata që e shohin të përqëndrohen në listën e rendit të ditës, rregulloret, procedurat, shkresurinat, negociatat, kur Tjetri vizaton? Ku ta mbajnë mendjen më parë tek argumentat, hedhje-pritjet apo nuanca e radhës po zgjedh KM, që bën vaki i çon më afër përmbajtjes së skicës? Në këtë rrethanë ka kontaminacion e ndoshta hera-herës edhe fshirje, shuajtje të interesit për gjuhën administrative; interesi për dorën që ngjyros mbivendoset mbi idiomën e jakëbardhëve (në fakt edhe këta preferojnë ngjyra tani).*

    Por nga momenti kur vizatimi del nga salla e krijimit, afishohet nëpër facebookra, libra, galerira, gjuha administrative hyn sferën publike dhe tregun e artit. Kontaminacioni është i ndërsjelltë, fshirja e dyshimtë, sepse pa ngjyrat e KM, kjo gjuhë nuk do e arrinte ndoshta kurrë këtë publik. Sigurisht nuk do arrinte shikuesit në Mynih, nuk do shumëfishohej, përsëritej në lloj-lloj faqesh online, nuk do pretendonte të merrte lajke, lëre më lajka. Banale të shtosh që përsëritja është normalizimi dhe fundi i subversitetit. Më duket Kundera ka thënë se përsëritja është ajo që e bën kufirin të dukshëm, si dora që fshin pluhurin e zbulon vijën.

    Nga ana personale (ana psikoanalitike vetëm sa i kreh bishtin një bishti shumë të krehur, prandaj po e injoroj), KM tregohet largpamës, i ka thënë vetes “jam që jam, mundësinë e kam, pse mos t’i shtoj një këmbë CV-së sime si piktor i penguar. Was nicht ist, kann noch werden. A foot in the art scene’s door whilst I can.” Dhe mirë e ka, ndoshta këtu e dhjetë vjetë më vonë, interesi mund të jetë shuar. Aq më tepër, që tani edhe Shqipëria përfiton nga fama e tij prej ekzoti. Simbiozë, si ajo e grafitit me burokracinë. Njëra dorë lan tjetrën. Disa mund të thonë, të dyja duart i përkasin pushtetit, sepse vetëm ai mund të gëzoj lirinë e vizibilitetit, përfaqësimit, kremtimit deri në Mynih.

    *(Kam patur një shok që zhgarraviste labirinte gjatë leksioneve, çka ishte kaq shpërqëndruese për mua që e kisha pranë, saqë nuk ulesha më afër tij, paçka se të gjitha labirintet ia kërkoja të mi jepte për t’i zgjidhur).

  2. Koincidoi qe shkrimi i 2xha, u lexua nga une pas nje shkrimi te NYT mbi nje “incident artistik” te ndodhur keto kohe ne NY me nje artist akoma duke u bere, prej Kosove. Nuk ka paralelizma se si puna artistike eshte ekspozuar dhe ofruar publikut, por ne te dyja rastet ka nje “plot”, nje ngjarje per tu treguar. Per sinjifikancen e seciles pastaj eshte pune tjeter.

    Nese dikush ka moshen e Rames, apo ndoshta pak me i vjeter apo i ri, e mban mend rrugetimin insinjifikant artistik te ekspozimeve te tij, qe nga Galeria e Arteve, ku kishin nje vend te predeterminuar per tu ekspozuar(ne katin e pare, ne flankun qe shihte Shtepine e Pionerit), figurat e tij te lemuara si prej plasteri(nuk merrej vesh ishin kopje te zmadhuara te ndonje ilustrimi reviste kineze apo cfare…)

    Per nje qe merr sadopak ere nga arti i piktures apo eshte marre me te, e kupton qe ngjyrimet e fundit ne shkresat zyrtare jane, nuk prezantojne asnje lloj arti, pavarsisht se ka reminishenca te reminishencave te autorit prej dadaizmit te Pikasos.

    Art Hidden Behind A Condo’s Walls

    http://www.nytimes.com/2015/08/23/realestate/art-hidden-behind-a-condos-walls.html?_r=0

    1. Shkruan:

      Per nje qe merr sadopak ere nga arti i piktures apo eshte marre me te, e kupton qe ngjyrimet e fundit ne shkresat zyrtare jane, nuk prezantojne asnje lloj arti, pavarsisht se ka reminishenca te reminishencave te autorit prej dadaizmit te Pikasos.

      Andy Warhol:

      Art is what you can get away with.

      Me fjalë të tjera, në një epokë që pranon si art sa më poshtë (ose, kur ka qenë hera e fundit që ke vizituar MOMA-n?):

      https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/08/2013-09-11-a-new-collectible.jpg

      statusi artistik i vizatimeve të Ramës bëhet i krahasueshëm me të imazheve në Cappella Sistina.

      1. It turns out that our Primer is getting away with a lot of sh**t.

        Por ajo që më bëri më shumë përshtypje në përsiatjen tuaj Xha Xha ishte kjo:

        “Por sa do të jenë ata, mes publikut dhe kritikës, që këtë status ekscepsional do ta interpretojnë si kufizim, si mangësi, si handikap të autorit dhe vetë veprën si një përpjekje e tij, si një gjakim për të mos e lejuar këtë handikap t’ia mohojë lirinë për së jashtmi; njëlloj siç e marrim parasysh, bie fjala, faktin që Beethoven-i ishte pothuajse i shurdhër, kur kompozoi kuartetet e fundit ose Simfoninë e 9-të?”

        Nëse ju vetë nuk mendoni që qënia e Ramës kryeministër është vullneti i Zotit (sikurse shurdhëria a Beethoven-it), atëherë nuk ia vlen të spekullosh me pjesën tjetër të publikut e kritikës. Por nëse ke ndonjë të dhënë që vetë Rama apo Anri Sala mendonjë kështu, punë tjetër.

      2. Mund t’i qasemi artit edhe me Capella Sistina, por edhe duke patur si output artistik Manzoni-n, kanvase prej balte te lyer me te bardhe, tullumbace me frymen e artistit, skulptura, piedestale guri njerezish te gjalle me tatuazhe firmat e artistit, deri te konserva me jashteqitjen e artistit. Keto te fundit i prodhoi me shumice dhe numrin 014(jo objekti siper) iu dhurua MOMEs.

        Per mua jashteqitja e artistit e konservuar eshte nje lajm i vjeter. Keto dite vizitova ne Guggenheim, nje ekspozite, StoryLines, dhe ndesha ne nje ide deri diku te ngjashme me te Rames, faqe libri mbi te cilat ishte vizatuar sipas autorit(Simryn Gill) hena te plota(Full Moon). U kuriozova dhe e fotografova prezantimin. Sigurisht qe edhe kjo eshte art, por eshte nje art mbi njeren nga fazat e henes (te plote) mbi faqet e shkeputura te librave, pra lunatic(related to the full moon) art.

        Pyetja se cfare eshte art(i) eshte bere e behet vazhdimisht. Jam e sigurte qe nje dite vepra e Mikelanxhelos do te quhet dicka tjeter per ta dalluar nga Manzoni apo Andy Wharhol. Nuk e di, s’jam aspak i sigurte, nese do te quhet art.

        Nje estet dhe filozof arti, i cili ka vdekur para dy vjetesh, Arthur Danto, ka bere te njejten pyetje edhe e vendos si titull libri qe eshte botuar kete vit me duket, pasi duket se ka zbuluar se cfare eshte arti: What art is

        Sipas tij…a work of art is always defined by two essential criteria: meaning and embodiment, as well as one additional criterion contributed by the viewer: interpretation.

        Ishte nje admirues i Andy Warhol dhe pyeste/pergjigjej se: perse duhet qe Brillo Box e Warhol-it duhet konsideruar si veper arti?

        Pergjigja e Dante-s: …Brillo Box is a work of art, unlike the Brillo box in the store, which looks essentially similar. Brillo Box is a work of art because it exemplifies and instantiates a theory of the nature of art. And what this demonstrates, he argues, is that Warhol was a distinguished visual thinker, a true philosopher of art.

        Ky pohim do te konfuzonte shumicen besoj, kur parakalon, kihet parasysh udhetimi i gjate nga arti i Mikelanxhelos deri tek ai i Warhol-it.

        Te kthehemi tek Rama, arti i tij, nuk eshte i te njejtes natyre, lunatic si i henave te plota Gill-it, por sigurisht sic permendi Relapso eshte nje pikenisje e mire per te analizuar origjinen dhe insipirimin e artistit: meaning, embodiment, per te arritur te faza qe ka te beje me shikuesin, per te interpretuar origjinen dhe domethenien e artit te Rames.

        Po e pranojme se nuk eshte thjesht Doodling ne orarin e punes(E dime qe: Doodling is a way of passing the time when bored by…) por eshte art i mirefillte. Qe bazuar ne definicionin e Dante-s origjinon nga nje “distinguished visual thinker, a true philosopher of art”. Ne te njejten kohe per njerez si une lind pyetja: Does it improve or hinder attention to the primary task which in our case is being the prime minister of the country?

        Kete je perpjekur te besh edhe ti Xaxha, interpretimin, nje analize te artit te Rames.

  3. Vizatimi përmbi axhendën e 4 Marsit 2015, që ka në krye “Takimin me delegacionin e FMN-së”, m’u duk interesant. Kushedi sa kushton!

  4. Di gje njeri a do te shiten me pas vizatimet e Edit? Apo jane prone e shtetit meqe jane realizuar gjate orarit te punes? Nese jane te tilla, duhen shitur me ankand per te shmangur ndonje abuzim te mundshem me pasurite shteterore.

  5. Keto vizatime mund te sherbejne per te kryer nje test psikologjik mbi personalitetin dhe shendetin psikik te kryeministrit tone sipas metodes Rorschach.

  6. Përsiatjet e Xhaxhait më pëlqyen shumë. Po kështu këndvështrimi i adoptuar për analizën e pikturave të Ramës.

    Pas leximit të shkrimit, po mendoja për raportin midis artit (graffiti) dhe politikës (burokracisë). Kur flasim për piktura ose vizatime të bëra mbi fleta zyrtare ose agjendash, automatikisht i vendosim në raport mes tyre (çka është e detyrueshme, sepse janë të pandara e të pandashme). Vetëm se në këtë raport, në mënyrë ndoshta të pavetëdijshme, ne vendosim një farë hierarkie midis artit dhe politikës, duke ia dhënë primatin të parit dhe vartësinë të dytës. Madje, tek ato fletë ku Edi Rama ka derdhur talentin e vet, perceptohen si ana negative e politikës, që mund të jetë p.sh. burokracia ose diçka tjetër. Jemi gjithashtu të shtyrë të besojmë se ka një farë lufte midis piktorit e politikanit, duke e nënvleftësuar të dytin në rrafshin etik. E bëjmë këtë se pse jemi enë të mbushura me gjykime e paragjykime.

    Në këtë hierarkizim na ndihmon edhe vetë akti i piktorit, që nuk zgjedh as pëlhurën, as fletë të bardha, për të hedhur emocionet e veta, por një fletë çfarëdo në zyrë. Madje as një fletë çfarëdo, por një shkresë zyrtare, me datë të saktë e numër protokolli. Në këtë rast piktori e detyron spektatorin t’i lidhë që në fillim gjërat, duke i ngjitur ngushtë rrafshet e pamjes; por tregon gjithashtu se po e zbut egërsinë e burokracisë, nëpërmjet kamxhikut të lapsave me ngjyra.

    Po sikur tek ato shkresa zyrtare të shikonim funksionimin e një shteti të vërtetë? Në kuptimin që Shteti nuk mund të funksionojë pa shkresa, madje Shteti është shkresa. Asnjë nga ato shkresa nuk duken të kota, madje nuk mund ta pohojmë të kundërtën, përndryshe na duhet të pranojmë se takimet zyrtare të Ramës Kryetar Bashkie dhe Kryeministër e mërzisnin shumë; deri në atë pikë saqë merrte laps e laps…

    E pavarësisht se mund të jenë fotokopje, përsëri simbolikisht nuk kemi ndryshuar këndvështrim. Këtu, ndokush mund të shihte edhe shpirtin anarkist të artistit Rama, i cili e snobon, e sfidon, e personalizon “pëlhurën” zyrtare. Por kjo funksionon për sa kohë në Shqipëri e gjetiu do të ekzistojë një epërsi vlerore e veprës së artit ndaj shkresës burokratike. Por edhe kjo e fundit – në një vend ku shteti funksionon mirë – mund të jetë vepër arti. Në një kontekst të tillë, ndoshta ideal, piktori do të dilte si një snob alternativ, i mërzitur nga rutina e së përditshmes dhe i gërryer nga pendesa e zgjedhjes; në mos indiferent e irriverent ndaj autoritetit shtetëror.

    Nuk mund të mos i bëja një pyetje tjetër vetes: ç’mendon vallë autori i një shkrese zyrtare që e shikon emrin e vet brenda pikturës së Edi Ramës? E ndjen shkresën e vet pjesë të artit, të vlerësuar, të zbukuruar, apo të nëpërkëmbur e të shkarravitur? Po organizatorët e konferencës ndihen të lakmuar që programi i tyre po ekspozohet sot në Gjermani? Pa folur për fletët e agjendës ku takimet shoqërohen me emra e mbiemra, madje edhe me numra telefonikë personalë. Kësaj pyetje nuk i jap dot përgjigje.

  7. i pashe pjesen me te madhe te grafiteve, dhe me pelqyen. Ka nje ndryshim te tematikes kur ishte kryetar bashkie. Tirana, si harte, vizatohej here si nje perbindesh, here si nje projekt per nje kamp pushimi. Kam mendimin se ka nje qasje holistike, prandaj i meshon idese se sistemit. Shoqerine ne Shqiperi e sheh si nje organizem te percudnuar – sistem milingonash a bletesh pa nenen mbretereshe. Shpresoj qe te mos kete idene memesore se eshte Rama qe mund ta kryeje kete rol.

    Por pertej interpretimit artistik, qe nuk marr shume vesh, me interesonte forma e komunikimit me subjektet. Menyra sesi sekretarja Denada i perpilonte agjenden tregon sesi mendon Rama, prioritetet qe ai vendos, organizimin e takimeve (dreke, darke, kafe, takim ne zyre etj.), peshen e gjithsecilit ne keto takime (nga orari, p.sh. ne mengjes takonte G. Rucin per rreth 1 ore – por le per darke A. Harasanin, dhe i kushton 1:30). Gjithashtu, kam idene se e ka nderruar sekretaren nga ajo qe kish ne bashki, e cila dukej shume e zonja.

    Me tej agjenda dhe memot mbi te cilat vizatonte rrefenin sesi punonjne ‘gatekeeper’ ne bashki apo parti – cilat shkrese do ti shkojne, cilat jo (p.sh. nje shkrese e nje ish-keshilltare bashkie i kish shkuar). Kjo tregon se Rama nuk do qe ti filtrojne shkresat dhe komunikimit me popullin – e ndoshta pikturat i sherbejne per te vizualizuar e perpunuar konfliktet e mundshme qe rezultojne nga informacioni i bollshem.

    Mua me shqetesoi menyra sesi ai komunikon deshiren e vete. Ne keto memo normalisht behen shenime me udhezimet perkatese, sikur edhe per agjenden. Ne asnje prej tyre nuk kishte as edhe nje fjale. Ose udhezimet jepen gojarisht, per te mos lene gjurme, ose Rama karakterizohe nga nje indiference e tejskajshme mbi cfare ndodh ne zyren e tij. Ose ate dite ka qene teresisht ne nje gjendje jermi, te lodhur, prandaj edhe pikturat. Nese eshte kjo e fundit, atehere gjithkush mund te perllogarise nje kalendar te shendetit mendor te kryeministrit dhe te caktoje ato dite per marrjen e vendimeve te rendesishme, me pasojen qe vullneti kryeministror do te manipulohet nga tekniket qe ka poshte vetes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin