Për dërgesat financiare të emigrantëve, ose siç quhen ndryshe remitancat, shkruhet herë pas here në media, të cilat citojnë shifra të ndryshme, por pa i nyjëtuar të dhënat. Sa parà çojnë në vendlindje emigrantët shqiptarë me banim në Itali?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje na ndihmon raporti i institutit të studimeve Ismu për remitancat e migrantëve nga Italia drejt vendeve të tyre. Njohja e këtyre shifrave ka rëndësi për ta njohur migracionin vetë, por edhe ekonomitë e vendeve që përfshihen në këto transaksione, pra si vendi pritës ashtu edhe ai ku përfundojnë remitancat.
Vitet e fundit, kryesisht për shkak të krizës ekonomike, remitancat nga Italia drejt familjeve të emigrantëve janë tkurrur disi. Sa për shembull: ishin 7,394 miliardë euro më 2011, ndërsa në vitin 2014 u ulën në 5,533 miliardë. Siç mund të pritej, paratë dërgohen kryesisht nga zonat e zhvilluara ku ka edhe më shumë emigrantë.
Për nga sasia e remitancave, Rumania zë vendin e parë për vitin 2014. Lista vijon me Kinën, Bangladeshin, Filipinet, etj. Rasti i Kinës është përnjëmend interesant sepse pas shumë vitesh ia lë vendin e parë Rumanisë, duke treguar qartë se nga Italia drejt Kinës dërgimi i parave ka pësuar një ulje të jashtëzakonshme. Specialistët mendojnë se kjo varet edhe nga kontrollet e institucioneve bankare që kanë filluar t’i ndajnë remitancat nga dërgesat financiare tregtare.
Emigrantët shqiptarë në Itali kanë çuar në vendlindje gjatë vitit të kaluar shumën prej 126.828.000 €uro. Për nga remitancat e dërguara, Shqipëria zë vendin e 12-të, pas Ukrainës dhe Ekuadorit. Nga viti 2005 e deri më sot është regjistruar rritje e tyre, pavarësisht se vihet re një ulje relative gjatë viteve 2012 e 2013.
Mirëpo shifrat e përgjithshme që komunitetet e ndryshme dërgojnë në vendlindje nuk i tregojnë të gjitha përmasat e dukurisë, sepse duhet të merren parasysh si numri i emigrantëve ashtu edhe aspekte të tjera të migracionit. Rumunët zënë vërtet vendin e parë, por përbëjnë gjithashtu komunitetin më të madh në Itali. Po të kishim parasysh vetëm numrin e emigrantëve, shqiptarët duhet të ishin në vendin e dytë ose të tretë, çka nuk ndodh sepse ka faktorë të tjerë që ndikojnë, siç është shkalla e zhvillimit ekonomik në vendlindje, niveli i integrimit të emigrantëve, procesi i migracionit, përbërja demografike, e kështu me radhë.
Në ndihmë na vjen shuma pro capite (për kokë) e remitancave nga Italia. Mesatarisht në vitin 2014 çdo i huaj ka dërguar në vendlindje rreth 1.084 euro. Shqiptarët këtu zënë vendin e fundit, me 256 euro për kokë, ndërsa qytetarët e Republikës Dominikane me 3.700 euro për kokë zënë vendin e parë. Edhe faktori gjeografik ka peshën e vet, sepse sa më afër të jetë një vend aq më shumë paratë dërgohen jashtë kanaleve zyrtare. P.sh. emigrantët shqiptarë parapëlqejnë t’ua dërgojnë të hollat dorazi familjes, nëpërmjet shokëve ose kushërinjve, kur nuk presin t’ua japin vetë në kohën e pushimeve.
Mirëpo të dhënat e raportit në fjalë (Le rimesse degli immigrati, Ismu 2015) nuk i regjistrojnë këto kalime parash, ndaj edhe statistikat mund të rezultojnë të pjesshme. Edhe prania e emigrantëve pa dokumente ndikon në regjistrimin e remitancave. Një emigrant pa lejeqëndrim preferon të gjejë kanale të tjera për t’i dërguar kursimet në vendlindje.
Megjithatë, edhe sikur të ishin vetëm këto, remitancat e llogaritura nga institucionet përkatëse përbëjnë një shumë të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare. Fotografia e këtyre burimeve financiare u jep mundësinë ekspertëve dhe politikanëve shqiptarë të reflektojnë për peshën dhe përdorimin e tyre në ekonominë shqiptare. Ndërsa opinionit publik, edhe pse nëpërmjet një aspekti jo thelbësor, i ofrohet mundësia për të kujtuar rëndësinë e emigracionit.
Falemnderit. Të dhëna interesante. Mua do të më interesonte të dija nëse ka ndonjë korrelacion të studiuar midis përmasës (extent) të integrimit në vendin pritës dhe grafikës së remitancave. Tentoj të besoj se sa në shumë integrohet emigranti në psh Itali, sa më solid është pozicioni i tij atje, sa më shumë Italia bëhet atdheu i tij i ri, sa më të mëdha bëhen kërkesat për të jetuar si vendasit, aq më shumë bjerren remitancat për në vendin e origjinës. Mbase kjo nuk pasqyrohet kësisoj në komunitetet që ndonëse jetojnë prej dekadash atje, nuk e shohin Italinë si atdheun e tyre të ri, si psh filipinasit. Gjithsesi do të më pëlqente të dija më shumë për këtë.
Vëzhgimi është i saktë. Ka patjetër një lidhje midis shkallës së integrimit në vendin pritës dhe prurjes së remitancave drejt vendlindjes. Ekspertët e kanë vënë re, për shembull, në rastin e bashkimeve familjare. E them këtë sepse bashkimi familjar është tregues i integrimit të emigrantit, i cili me këtë vendim tregon se ka ndërmend të stabilizohet me familje në vendin tjetër, pra ka një objektiv afatgjatë.
Kur një emigrant kërkon bashkim familjar, pra tërheq eventualisht gruan e fëmijët, remitancat fillojnë e ulen. Kjo mund të konfirmohet edhe nga përvoja personale e gjithkujt, sepse familja kërkon shpenzime të mëdha (banimi, shkollimi, veshmbathja, shëndeti, etj.), që nuk mund të krahasohen me ato të jetës prej single të personit. Paratë që deri dje emigranti ia dërgonte familjes në atdhe, duhet t’i harxhojë tashmë në vendin ku jeton.
Falemnderit, kjo mbase qartëson edhe një arsye tjetër të diferencës midis dërgesave të remitancave prej emigrantëve shqiptarë dhe prej atyre psh nga Republika Domenikane, përveç arsyes që përmendët ju më sipër në artikull.
Ashtu, sic edhe ju shpjegoni, shifrat e siperpermendura te remitancave kane si burim te dhenat zyrtare nga kanalet bankare, pra transfertat/dergesat nepermjet sistemit financiar (perfshi ketu psh edhe Western Union ose menyra te ngjashme). Po dergesat ne cash jashte ketij sistemi sa mund te jene? A ka ndonje studim, qofte edhe nepermjet ndonje anketimi te pjesshem? Sepse pa ditur kete te fundit eshte e veshtire te analizosh situaten. Keto dergesa “informale” mund te jene sa 10 % e dergesave formale, mund te jene 50%, por mund te jene edhe sa dyfishi! E sikur te koecidoje rasti i fundit, atehere permbys gjithshka qe eshte supozuar, apo analizuar me te dhenat per dergesat formale.
Nga fundi i vitit 2005, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaronte në Londër:
Nënvizimet janë të miat, tekstin e fjalimit mund ta gjesh këtu.
Kurse në një studim të IOM e ILO, me titull “Rritja e ndikimit të remitancave të migrantëve në Shqipëri” (2007) lexoj:
T’i dhashë këto dy shembuj sa për ngacmim, sa për të treguar se dukuria është komplekse. Situata e dërgesave në para me siguri ka ndryshuar vitet e fundit, në favor të kanaleve formale, me përmirësimin e shërbimeve të transferimit nga ana e bankave dhe agjencive të ndryshme. Por për arsye objektive, si gjeografia për shembull, remitancat brevi manu do të vijojnë edhe më tutje.
Tani po shoh se edhe Banka e Shqipërisë, në “Raportin Tremujor të Politikës Monetare”, Maj 2015, flet për “rritje vjetore të dërgesave prej emigrantëve me rreth 22.1%”. Pra edhe Bankës kombëtare i rezulton një rritje, por nuk flet për dërgesat në para nëpërmjet rrugëve informale.