Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

SI TË SHNDËRROHESH NË MIT

Këto javë në ShBA, por jo vetëm, është kremtuar 45-vjetori i misionit Apollo 13, pjesë e atij gjakimi kolektiv aq epik që çoi, mes të tjerash, njerëzit e parë në Hënë.

Tre astronautët, James A. Lovell (komandant), Jon L. Swigert (Pilot i Modulit të Komandës) dhe Fred W. Haise (Pilot i Modulit Hënor), u lëshuan drejt hapësirës më 11 prill 1970, që nga Kennedy Space Center.

Por Apollo 13 nuk arriti dot, megjithatë, të zbriste në sipërfaqen e Hënës, për shkak të një aksidenti mekanik.

Pas shumë manovrash dhe vështirësish që shpesh ia rrezikuan jetën e ekipazhit gjatë rrugës së kthimit, Moduli i Komandës arriti më në fund të ulej butë në Paqësorin e Jugut, jo larg Samoas Amerikane.

Nga të gjitha misionet Apollo për të çuar amerikanët në Hënë, Apollo 13 ishte i vetmi që dështoi.

pr10214Bota mbarë kish festuar, më pak se një vit më parë, triumfin e misionit Apollo 11, kur Neal Armstrong, i pari prej nesh njerëzve, shkeli në truallin e satelitit natyror të Tokës.

Paskëtaj, edhe pesë misione të tjera do të dërgonin të astronautë në Hënë – por interesi i publikut për këtë ndërmarrje njerëzore, teknologjike dhe politike erdhi duke rënë, derisa programi përfundoi në 1972.

Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, zbritja në Hënë kish pasur rëndësi strategjike për supremacinë teknologjike të ShBA-ve, në Tokë dhe në hapësirë – por vetë Hëna rezultoi të kish qenë truall jo-tërheqës për njeriun.

Suksesi i misioneve Apollo – me përjashtim të atij të 13-të – i detyrohej programimit të suksesshëm në detaje, përfshi këtu edhe gatishmërinë e astronautëve për t’i zbatuar urdhrat dhe udhëzimet pa hezitim. Në vija të trasha, ishte një skript i ekzekutuar me përsosmëri.

Përkundrazi, misioni Apollo 13 u kërkoi astronautëve të improvizonin, në kërkim të një plani që do t’u shpëtonte jetën, për t’i kthyer në Tokë në rrethana të pamundshme.

Prej dëmtimeve të shkaktuara nga shpërthimi i një bombole oksigjeni, por edhe situatës së paparashikuar, astronautëve dhe krejt ekipit të misionit në Houston iu desh t’u gjenin përgjigje sfidave të njëpasnjëshme, brenda një periudhe kohe fatalisht të shkurtër.

Që këtej edhe fama që gëzoi ekipazhi i Apollo 13-s pas kthimit në Tokë, e stilizuar edhe në filmin e mirënjohur Apollo 13, të drejtuar nga Ron Howard, me Tom Hanks, Kevin Bacon dhe Bill Paxton në rolet e tre astronautëve.

Një gjurmues i miteve bashkëkohore, mund të pyesë këtu pse, nga gjithë misionet Apollo, pikërisht ky i 13-i pati fatin të pavdekësohet në një film të kalibrit të lartë, që nuk mbetet prapa colossal-ëve të fantashkencës, si 2001, A Space Odyssey i Kubrick ose tani së fundi Interstellar.

Në fakt, imagjinatën njerëzore gjithnjë e ka ngacmuar shpirti i aventurës dhe dëshira për t’u kuturisur në udhëtime drejt së panjohurës – në zbulim të botëve të reja; por edhe më shumë e ka ngacmuar forca e karakterit, këmbëngulja, integriteti dhe pathyeshmëria e atyre që pengohen, prej rrethanave, në përpjekjet e tyre për t’u kthyer.

Nisja drejt së panjohurës dhe kthimi në shtëpi janë dy shfaqje të së njëjtit heroizëm bazë.

Ekipazhi i Apollo 11-s i përkiste asaj kategorie eksploratorësh, të cilëve ua gjen zanafillën tek argonautët dhe të tjerëve udhëtarë të paepur në mitologjitë anembanë planetit.

Përkundrazi, rrëfimi i Apollo 13-s na i ngacmon telat, sepse dështimi teknologjik i misionit krijon kontekstin e duhur për një triumf të njerëzores.

James A. Lovell dhe dy astronautët e tjerë të misionit janë mishërimi modern i Uliksit dhe të vetëve, që duan të kthehen në Itakë pas përfundimit të Luftës së Trojës.(*)

Edhe pse ishte Kubrick që e titulloi filmin e vet A Space Odyssey, odiseja e parë e mirëfilltë në hapësirë ishte kjo e misionit Apollo, që u rrëfye pastaj mjeshtërisht në filmin e Howard-it.

Historia e përpjekjes titanike për të çuar njeriun e parë në Hënë është rrëfyer disa herë dhe mund të quhet pa frikë aventurë teknologjike e dorës së parë; por ajo ndërmarrje shkoi sipas planit dhe, bash për këtë arsye, nuk mund të bartë shumë interes dramatik.

Një film popullor për Apollo 11-n vështirë se do të mund të kapte imagjinatën e publikut anembanë botës, meqë artet narrative e mirëpresin dramën e karakterit dhe luftën për të mbijetuar nëpërmjet improvizimit edhe kur kjo rimerr fabula, konflikte dhe formula të konsumuara; por jo përsëritjen e një historie drejtvizore rrëfimi të kalkuluar deri në hollësi.

Për arsye të ngjashme, luftrat moderne të amerikanëve, fuqive perëndimore dhe ushtrive të NATO-s, me raketa të telekomanduara, avionë stealth, helikopterë që këndojnë Wagner-in dhe sidomos dronë u rezistojnë dramatizimit dhe epizmit, madje edhe në duart e atyre që i mendojnë si absolutisht të drejta, të nevojshme dhe të moralshme.

Historia e Apollo 13-s, përkundrazi, me siguri do të mbetet – edhe për shumë kohë – kremtim emblematik i përpjekjes njerëzore, për t’u kthyer në shtëpi pas një aventure; në luftë me mallkimin që i kanë hedhur në kokë udhëtarit Zotat, jo aq pse ka mëkatuar diçka a pse ka trazuar të fshehta të amshuara, sa thjesht nga xhelozia për guximin. Ajo u jep kështu kuptim tjetër, më të thellë e njerëzor, të gjitha misioneve të tjera Apollo që u mbyllën sipas parashikimeve, ose me sukses.

(*) Një paralele na e jep historia e njohur e përpjekjeve të dy eksploratorëve, Robert Scott dhe Roald Amundsen, drejt Polit të Jugut. Të dy ia dolën mbanë, por Scott-i arriti 34 ditë me vonesë; dhe pastaj nuk u mbijetoi dot vështirësive në rrugën për t’u kthyer. Megjithatë, ndërmarrja e të dytit e ka tërhequr imagjinatën e shekullit XX më fort se ajo e të parit: ndoshta ngaqë Scott-i la pas një ditar dramatik të ditëve të tij të fundit; ndoshta ngaqë ky i përkiste botës dhe kulturës anglo-saksone, ndryshe nga një “i jashtëm” si Amundseni; por pas gjase, ngaqë ai dështoi në mundimin e tij titanik dhe pastaj e humbi jetën në përpjekjet për t’u kthyer. Duke spekuluar, më thotë mendja se sikur Scott-i të kish vdekur rrugës drejt Polit, fati i trajektores së tij narrative do të kish qenë tjetër. Dhe meqë jemi në temë, le të kujtojmë se Amundsen-i mbahet mend edhe ngaqë aeroplani i tij humbi pa lënë gjurmë, vite më pas, në kërkim të së mbijetuarve të një dirigjibli italian, në ujërat e Arktikut; dhe se, sërish, imagjinatën e ngacmoi më shumë katastrofa e dirigjiblit (është bërë edhe një film i mirënjohur për këtë), meqë të mbijetuarit u rropatën që të kthehen, madje disa syresh ia dolën mbanë. Ndërsa Amundseni nuk pati shumë fat, as i gjallë as i vdekur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin