Shqipen shyqyr prej kohësh dhe pa vështirësi e kanë nxjerrë nga turqishtja (osmane) şükür, me kuptimin “mirënjohje”; çka shprehet edhe në paralelizma të tilla si shyqyr Zotit! (turq. Allaha şükür). Sikurse në turqishte, edhe në shqipe fjala i ka ruajtur lidhjet kuptimore me nocionin e fatit të mirë, për çka edhe zakonisht falënderohet Perëndia.
Ndërtime që i përmend Dizdari në fjalorin e vet, si “për shyqyre t’ardhshim”, “shyqyr i madh për atë shtëpi që iu kthye djali nga kurbeti”, etj. sot janë vjetruar dhe i dëgjon zakonisht në gojën e brezit të vjetër ose të emargjinuara në dialekt.
Nëse vendosëm ta futim edhe këtë fjalë në kategorinë e atyre huazimeve të shqipes nga turqishte-osmanishtja që kanë pasaportizuar rishtas, kjo erdhi jo aq nga ndonjë kuptim i ri që ka zhvilluar shyqyr në gjuhën tonë, sesa nga specializimi i shprehjes shyqyr që dhe përdorimi i saj mjaft i dendur, në regjistrin bisedor.
Në vështrim të parë, shyqyr që përdoret për të shprehur gëzimin, mirënjohjen, etj. të folësit, për diçka që ka ndodhur (ose nuk ka ndodhur):
Shyqyr që erdhe!
Shyqyr që pushoi bora para ndeshjes!
Shyqyr që ia mbërriti kjo ditë!
Shyqyr që shpëtove vetë!
Shyqyr që të erdhi djali shëndoshë!
Në mënyrë tipike, brenda ndërtimesh të tilla shyqyr që funksionon gati si të ishte pasthirrmë, ose duke vendosur një lidhje të shkurtër me emocionin; dhe i paraprin një fjalie shpesh me foljen në kohën e kryer të thjeshtë, e cila i referohet ngjarjes që (nuk) ka ndodhur (dikush ka ardhur, nuk ka rënë borë, ia ka mbërritur dita, dikush ka shpëtuar kur të tjerë s’e kanë pasur këtë fat, dikujt i ka ardhur djali shëndoshë, etj.).
Në këto ndërtime, shqipes shyqyr që i përgjigjet mirë italishtja meno male (che); sikurse i përgjigjet edhe shqipja asnjanëse (sa) mirë që.
Se si funksionon kuptimisht ndërtimi sintaksor, mund ta zbërthejmë si më poshtë (sipas një modeli analitik të përpunuar nga Anna Wierzbicka):
Shyqyr që nuk na pa njeri!
- Ka ndodhur kjo: nuk na ka parë njeri.
- Mund edhe të mos ndodhte kështu: mund të na kishin parë.
- Është mirë për ne që nuk na pa njeri.
- Nuk do të ishte mirë për ne sikur të ndodhte e kundërta.
- Ngjarja “nuk na pa njeri” dhe e kundërta e saj kishin probabilitet të ngjashëm; ose e kundërta kish probabilitet më të lartë.
- Ne patëm fat që ndodhi ashtu, dhe jo e kundërta.
- Për këtë fat të mirë shprehim gëzimin tonë ose mirënjohjen.
Me fjalë të tjera, ndërtimet me shyqyr që shprehin qëndrimin ose reagimin e folësit ndaj fatit të mirë; veçarisht në rrethanat kur fare lehtë mund të kish ndodhur e kundërta – pra në situata të pasigurta:
Shyqyr që më erdhi një fant!
Përndryshe, një thënie si:
Shyqyr që u ktheve edhe ti nga shkolla!
Nuk do të thotë që folësi (nëna) kish frikë se mos fëmija nuk do t’i kthehej nga shkolla; por vetëm ngaqë tani që ky është në shtëpi, mund të shtrojë drekën – pra, gëzimi këtë herë ka të bëjë me faktin që një ngjarje pak a shumë e rastit, ora e kthimit të fëmijës nga shkolla, e lejon prindin që të realizojë planin që ka bërë.
Nga pikëpamja sintaksore, dy janë ndërtimet me shyqyr që, të cilat meritojnë vëmendje.
Ndërtimi i parë ndjek rregullsinë e mëposhtme:
Thuaj shyqyr që s’të dëgjoi njeri!
Thuaj shyqyr që nuk pati trazira!
Thuaj shyqyr që nuk bëri shumë llafe!
Thuaj shyqyr që Xhaviti nuk ndenji për drekë!
Mekanizmi kuptimor i këtyre thënieve nuk mund të ndriçohet jashtë dinamikës së ndërveprimit në dialog.
Të analizojmë më thellë Thuaj shyqyr që Xhaviti nuk ndenji për drekë!
Xhaviti ka qenë për vizitë, por nuk ka ndenjur për drekë. Kjo konsiderohet si diçka e mirë nga folësi, por veçanërisht, folësi mendon se duhet të konsiderohet si diçka e mirë nga bashkëbiseduesi. Prandaj, duke e prezantuar thënien e vet me thuaj shyqyr që, folësi në dukje e fton bashkëbiseduesin që të shprehë gëzimin, kënaqësinë, falënderimin për çfarë ka ndodhur; dhe në thelb e bën këtë për të shprehur edhe ai vetë solidaritetin me bashkëbiseduesin. Pra, Xhaviti nuk ka ndenjur për drekë, por mund edhe të rrinte; dhe që nuk ka ndenjur është diçka e mirë për bashkëbiseduesin, dhe folësi e ka këtë të qartë dhe ia bën të ditur bashkëbiseduesit, duke e përdorur këtë shkëmbim edhe për të përforcuar lidhjet e miqësisë, mirëkuptimit, bashkëfajësisë, nëpërmjet shprehjes së solidaritetit.
Të shihen edhe:
Thuaj (sa) mirë që s’të dëgjoi njeri!
Thuaj (sa) mirë që nuk pati trazira!
Thuaj (sa) mirë që nuk bëri shumë llafe!
Thuaj (sa) mirë që Xhaviti nuk ndenji për drekë!
Nga pikëpamja kuptimore duket sikur arrihet i njëjti efekt; megjithatë, duke krahasuar thuaj shyqyr që nuk ndenji për drekë! me thuaj mirë që nuk ndenji për drekë!, duket sikur varianti me mirë që është më arsyetues se ai me shyqyr që; dhe kjo vjen kryesisht ngaqë folësit sot nuk ia dinë kuptimin fjalës shyqyr, jashtë ndërtimeve pak a shumë idiomatike (fati i shumë turqizmave që ende përdoren); prandaj edhe ndërtimet me shyqyr perceptohen dhe pas gjase funksionojnë si më të përshtatshme, në nivelin thjesht shprehës (ekspresiv).
Ndërtimi i dytë ka të bëjë me ndërfutjen e pasthirrmës (le ta quajmë kështu) shyqyr që në hapësirën midis kryefjalës dhe kallzuesit:
Ne shyqyr që s’u kthyem nga rruga!
Ti shyqyr që kishe marrë çadër, se do të ishe bërë qull!
Ti shyqyr që more në telefon, por unë jam duke dalë nga shtëpia!
Natyrisht, prania e vetorit në fjali ka të bëjë me nevojën për emfazë ose kontrast; dhe nëse ky ndërtim tërheq vëmendjen, kjo ka të bëjë para së gjithash me “dëshirën” e ndërtimit shyqyr që për t’i qëndruar afër foljes – në kuptimin që variantet:
Shyqyr që ne nuk u kthyem nga rruga!
Shyqyr që ti kishe marrë çadër, se do të ishe bërë qull!
*Shyqyr që ti more në telefon, por unë jam duke dalë nga shtëpia!
Në rastin më të pranueshëm, tingëllojnë artificiale dhe nuk i përkasin regjistrit bisedor; ndërsa i treti – të paktën për mua – është gramatikisht i papranueshëm.
Mbi bazën e kësaj sintakse të shyqyr që, ngrihen edhe disa përdorime që do t’i quaja ironike, të tipit:
Ty shyqyr që t’u dha rasti për t’u tallur me tët vëlla!
Shyqyr që fitove një herë edhe ti!
Shyqyr që re një herë në pare!
Shyqyr që më kape një herë në gabim!
Ndërtimin shyqyr që fitove një herë edhe ti! do ta zbërthenim kështu:
- Ndodhi kjo që ti fitove (në lojë).
- Kjo ndodh rrallë (rrallësinë e tregon togfjalëshi një herë).
- Që ti fitove është gjë e mirë për ty.
- Por fakti mbetet që ti fiton rrallë.
- Prandaj ti mund të mburresh dhe të gëzohesh dhe të thuash shyqyr që…, por kjo nuk i lëviz gjë faktit që ti nuk luan mirë (ose që nuk ke fat, etj.).
Në ndërtime të tilla ironike, shyqyr që shënjon, në analizë të fundit, rrallësinë e çfarë ka ndodhur.
Për ta përmbledhur argumentin: shyqyr është huazim i shqipes nga turqishtja-osmanishtja; në shqipen e sotme është dobësuar, duke gati e humbur statusin gramatikor prej emri (nuk lakohet, nuk merr nyje shqyese) dhe ka mbijetuar ekskluzivisht në ligjërimin bisedor sidomos nëpërmjet ndërtimit shyqyr që, i cili funksionon si pasthirrmë dhe shpreh një lloj mirënjohjeje ose falënderimi përballë një ngjarjeje me fat për folësin, bashkëbiseduesin ose një palë të tretë; duke u artikuluar pastaj edhe në funksione të specializuara ironike. Dhe, më në fund, barasvlera e shyqyr që, në ligjërimin neutral (mirë që…) jo gjithnjë konkurron dot me të, për nga fuqia shprehëse.
Si paske lene pa permendur nje nga urimet me te bukura te shqipes “shyqyr paç!”
Unë kam dëgjuar edhe versionin: “Shyqyr bëfsh!”. Por nuk e di se sa e përhapur është.
Me i lezeçmi nga gjithe ‘shyqyret’ do te ishte : “po shyqyr o muslluk.”
Shyqyr që le një koment, o Fatma, se po bëhesha merak 🙂
Hiç mos ki dert xhaxha,rri rehat,se nijet e kisha edhe vete , po ja mukajeti thuaj, hë nashti,hë pastaj..