Herë pas here lexon, në ese që merren me leksikun e anglishtes, se kësaj gjuhe i mungon një fjalë për prindin të cilit i ka vdekur fëmija; në një kohë që ekzistojnë emra për fëmijën që i kanë vdekur prindërit (orphan) dhe për dikë që i ka vdekur bashkëshorti (widow, widower); sikurse ekziston termi për njerkën (njerkun) – rol themelor dhe mjaft i rëndomtë, në shoqëritë ku vdekja u mbërrinte njerëzve në moshë të re.
Vërejtja për mungesën e këtij “termi” farefisnor nuk vlen vetëm për anglishten, por edhe për shumë gjuhë europiane të tjera; edhe pse në diskutime joprofesionale kam parë që hebraishtja ta ketë një fjalë të tillë, po ashtu edhe greqishtja e re (χαροκαμμένος, -νη, -νο) madje edhe në gjermanishte mund të thuhet verweiste Eltern.
Këto janë kuriozitete (që nuk i verifikoj dot); në një kohë që mungesa mbetet rregullsi.
Disa besojnë se fjala mungon ngaqë është trajtuar si tabu; për shkak të traumës që përjeton prindi. Ky shpjegim ka më shumë vlerë poetike – aq më tepër që, deri vonë, humbja e fëmijës ka pasë ndodhur rëndom; në kuptimin që, historikisht dhe deri vonë, nuk ka pasur nënë, së cilës të mos i kish humbur një fëmijë në moshë të vogël, për shkak të sëmundjes ose kequshqyerjes.
Prandaj mund edhe të guxohet shpjegimi tjetër – se ky term mungon jo ngaqë humbja është e tmerrshme, por për një arsye të kundërt – ngaqë humbja e fëmijës ka qenë e rëndomtë; aq e rëndomtë, sa gjuha të mos ketë pasur nevojë për të.
Dhe pikërisht kundërshembulli tregon se arsyetime të tilla sillen zakonisht ad hoc; dhe, kur vjen puna për terma të farefisnisë, gjuha i ka të gjithë termat që u referohen pozicioneve shoqërisht relevante.
Në këtë mes, leksikologu nuk mund të mos habitet me disa prej dallimeve, edhe mes gjuhëve përndryshe të afërta. Kështu, një anglishtfolësi, që dallon rëndom midis nephew dhe grandson, do t’i dukej relativisht absurde që italishtja (dhe shqipja) i quajnë këta me të njëjtin term: nipote (nip). Në shqip ne dallojmë me lehtësi midis tezes dhe hallës, ose xhaxhait dhe dajës, ndryshe nga shumë gjuhë të tjera.
Nga ana tjetër, në shumë gjuhë europiane nuk bëhet dallim midis kunatit (burrit të motrës) dhe kunatit tjetër (vëllait të gruas); sikurse nuk bëhet dallim midis gjyshit (babait të babait) dhe gjyshit tjetër (babait të nënës). Turqishtja ka terma specifikë për “motër e madhe” (abla) dhe “vëlla i madh” (abi); gjuhë të tjera do të përdorin parafrazën, për ta shprehur këtë koncept.
Shpjegimi më teknik, për anomali të tilla leksikore, përfshi edhe mungesën e termave, lidhet me statusin social që i bashkëlidhet termit – në kuptimin që, për shembull dhe nga një këndvështrim historik, një grua që humb fëmijën do të ketë një status zakonisht fare të përkohshëm, meqë së shpejti do të bëjë (duhet të bëjë) një fëmijë tjetër; ndryshe nga gruaja që nuk bën fëmijë, për arsye biologjike (dhe për të cilën zakonisht termi nuk ka munguar, edhe pse jo-relacional; kuptohet që për burrin që nuk bën fëmijë, gjithnjë për arsye biologjike, termi tipikisht mungon).
Përndryshe, gjuhës do t’i duhej të kish fjalë të veçanta për prindin që i ka humbur të gjithë fëmijët dhe për prindin që ka humbur dikur një nga fëmijët, dhe për gruan që e ka dështuar (miscarry) një fëmijë, dhe për gruan që i dështon fëmijët etj. Gjithsesi, leksiku nuk funksionon kështu.
Një diskutim më teknik për “mungesat” e perceptuara në leksik mund të lexohet këtu.
Termat e farefisnisë janë relacionalë; në kuptimin që dikush nuk mund të jetë vëlla në të njëjtën mënyrë sikurse është mashkull, polic, bask ose tullac: që të jesh vëlla, në kuptimin farefisnor të fjalës, duhet të kesh (pasur) një vëlla ose motër (shqipja nuk ka një fjalë neutrale për vëllain/motrën pavarësisht nga gjinia; që t’i përgjigjet gjermanishtes Geschwister ose anglishtes siblings; në vend që të pyesim se pse i mungon shqipes kjo fjalë, ndoshta do të kish më interes të pyesnim se pse e kanë parë të nevojshme disa gjuhë që ta “krijojnë”).
Një shembull më domethënës e gjejmë te shqipja jetim, e huazuar nga turqishte-osmanishtja. Këtu shumëkush do të pyeste nëse kish apo nuk kish fëmijë që i kishin humbur prindët mes shqipfolësve, para kontakteve të shqipes me turqishten; në kuptimin që çfarë mund t’i ketë shtyrë stërgjyshët tanë të huazonin një term të tillë sa elementar, aq edhe teknik.
Dhe, në fakt, shqipja e ka huazuar dikur edhe latinishten orphanus, duke e ruajtur huazimin sot e kësaj dite, në trajtën i varfër (i vorfën) edhe pse me kuptim të ndryshuar. Prandaj një arsye e ri-huazimit nga turqishtja mund të ishte se i vorfën e humbi kuptimin teknik-relacional, duke u përgjithësuar me metonimi; prandaj gjuhës iu desh një fjalë tjetër që e gjeti të gatshme te turqishtja; por kjo s’është arsyeja e vetme që mund të sillet. Ka të ngjarë edhe që, me disiplinimin e jetës sociale, pas pushtimit osman të trojeve të shqipes, jetimi të ketë fituar një status edhe juridik; gjithsesi diçka për t’u ndriçuar prej historianëve dhe antropologëve.
Për të njëjtën arsye – besoj – ndonjë dialekt i shqipes ka huazuar prej turqishtes edhe emrat për vëllain e madh (abé, në Gjirokastër) dhe motrën e madhe (abllá, sërish në Gjirokastër); sikurse ndonjë dialekt tjetër i shqipes ka huazuar fjalë të tilla si byrazer ose baxhanak. Në përgjithësi, termat e farefisnisë, të përkufizuar me saktësi pothuajse matematike, ngrenë peshë edhe në çështje të ndarjes së pronës ose të shkoqitjes së testamenteve; ose edhe çështje të tjera të kodeve zakonore.
Tani, për t’u kthyer te prindi – zakonisht nëna – që humbet fëmijën, shqipja e ka një fjalë që mund ta përshtatë për këtë përdorim: qyqe; e cila mbështetet mbi një metaforë unike. Natyrisht, qyqe (së bashku me qyq) shënjojnë një person “që ka mbetur vetëm”, jo detyrimisht ngaqë i ka vdekur një i afërm; por për nevojat ekspresive të komunikimit, termi del dhe tepron. Nga ana tjetër, qyqe si fjalë e regjistrit ekspresiv nuk mund të përdoret në nomenklatura ose kontekste përshkrimore (me vlerë juridike, etj.); por as ka arsye që të përdoret.
Nuk besoj se shqipja ka ruejtë veç njenin kumt prej latinishtes, por atë fillestarin që me gjasë do ta ketë pasë edhe vetë: mpakjen. Për ma tepër që ajo asht latinishte e vonë, e huazueme prej greqishtes. E nëse heqim drejtëza prej mendësisë sonë me logjikën fjalëformuese të gjuhëve që e kanë, shqipja regjistron në mënyrë idiomatike “i fiket dera” ose “i mbyllet dera” – Shkodër e mbrendatokë, me gjasë edhe ma gjanë – kjo pengesë që shkakton një avarí e natyrës shihet krahas derës, farës, e ndoshta edhe zjarrit (zjermit; iu shkim zjermi). Shqipja për natyrë nuk çanëson doemos me sa duket, tue pasë mbetë ende primordiale me asosacionet me të cilat përmbush nevojat e veta regjistron kundravajtjen përmes nemjes që i ndodh së shenjtës (dera, fara, zjermi).
Shkrim i qelluor, Ardi; mirë se arbanéshët e kanë edhe ndonjë mbiemën per gjamëzezën qe i ka dekun i biri ose e bija. Te F.GJ.S.SH. kanë shtënë: «NËNËZEZË f. sh. Nënë që ka humbur fëmijët në ndonjë fatkeqësi etj. I vranë djalin nënëzezës». Ndërkaqa, në disa vise i thonë edhe nanëdjega (në lidhje me djegën shpirtit ”dhëmbjen”), amëzeza (njësoj si nanëzeza, në lidhje me të zezën ”fatëkeqësinë”), e të këtilla. Pra, nuk ka ndonjë fjallë plake të posme si motër e vjehërr; amëzezës i thonë vetëm mbiemna në lidhje me të zitë.
Dy fjalë “të veçanta” të leksikut të familjes së Shqipes, që do të ishte interesante të shiheshin edhe në aspektin psikologjik janë: thjeshtër-a = fëmijë nga një lidhje e mëparshme e njërit prej bashkëshortëve dhe, sidomos, kollovar = dhëndër që shkon të banojë me njerëzit e të shoqes, që mbart shpesh edhe një ngarkesë të madhe negative.
Por, kur thotë Borgesi për Antologjitë, që pjesa më argëtuese është të kërkosh kush ka nga ngelur pa u përfshirë në to, ndoshta na pëlqen pak të gjithëve të vëmë veshin te vrima e çelësit e gjuhëve të tjera.
Në italishte, për shembull, meqë jemi tek leksiku i familjes, nuk ka fjalë për “trinjakët”, por u thonë thjesht “tre gemelli”. Kurse (dhe po dal pak nga tema) mungesa më skandaloze mua më duket ajo e fjalës “i cekët” (angl. “shallow”). Thuhet “poco profondo”, ose “acque basse”. Hajde merre vesh pse!
AD: “Kurse (dhe po dal pak nga tema) mungesa më skandaloze mua më duket ajo e fjalës “i cekët” (angl. “shallow”). Thuhet “poco profondo”, ose “acque basse”. Hajde merre vesh pse!”
Shkrimi i 2xha hap shume perspektiva ne diskutimin e ekuivalencave nga nje gjuhe ne tjetren. Xhaxhai sapo e ka hapur nje cike deren, duke filluar me koncepte te prekeshme, sic jane marredheniet njerezore dhe normat kulturore. Kur vjen puna per koncepte me abstrakte, jam i sigurte qe gjerat komplikohen edhe me shume.
Si shembull, mu kujtua italishtja, megjithese kam mbi dy dekada qe nuk e perdor pothujase fare. Per shembull, ne rastin e perdorimit figurativ te “shallow” ne rastin e nje njeriu, ” a shallow man”(njeri i ceket), e kam hasur dikur si nje perdorim ekuivalent me anglishten apo shqipen, eshte “uomo superficiale”, ose “persona di poco spessore”. Po ashtu e kam hasur edhe si “persona dolce di sale”.
Por jam krejt i paditur nese keto fjale vazhdojne te jene ne perdorimin e sotem ne italisht. Kjo per faktin e thjeshte, se italishten qe kam filluar ta nxe qe ne fillim te viteve 70te, kur vjen tek literatura e shfletuar, librat qe lexoja ishin qe prej kohes se “facizmit”. 🙂