Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

FJALA VAZHDON

Ky material, në formë interviste, u përgatit për revistën “Java” të para dy javëve. Po e sjell edhe këtu, për të qenë pjesë e blogut. Janë çështje që i kemi trajtuar shpesh, dhe të cilave do t’u kthehemi – sepse bëhet fjalë për një të mirë dhe të drejtë publike, siç është fjala e lirë.

  1. Jeni sulmuar ashpër në rrjetet sociale për komentet rreth dërgatës së klerikëve në Paris, më 11 janar. Cili është komenti juaj?

 

Tema e cekur prej meje ishte delikate madje kontroversiale, prandaj prisja kritika dhe debat sidomos nga kolegët e mi; që nuk munguan, edhe pse tonin fillimisht e dhanë sulmet ad hominem dhe gjithfarë lapërdhish, të cilat besoj se pjesërisht i nxit vetë mjedisi i komenteve të pamoderuara, dhe pjesërisht vijnë të porositura. Kjo erdhi edhe ngaqë ky shkrim imi i përgatitur për blogun “Peizazhe të fjalës” u mor që andej pa leje. Mirëpo shkrimi për një blog ka specifikë të ndryshme nga një shkrim për gazetën; blogu ka një vijueshmëri nga tema në temë që gazeta nuk e garanton dot. Pisllëku që e shoqëroi shkrimin tim e mbyti pastaj debatin, duke shërbyer si forma më efikase e censurës; sepse askush që dëshiron të shtojë diçka nuk guxon të flasë në një mjedis aq toksik, ku përplasjet nuk çojnë përpara mendimin, por vetëm sa riprodhojnë hordhitë e rreshtuara kundër njëra-tjetrës. Paradoksalisht, mungesa e moderimit që paraqitet si zbatim ekstrem i lirisë së fjalës, përfundon e përdorur si mjet për t’ia mbyllur gojën arsyes; që funksionon si me komentuesit seriozë, ashtu edhe me autorin vetë, i cili stepet ose, çfarë është edhe më keq, infektohet edhe ai nga negativiteti. Më tej akoma, në reaksionet ndaj shkrimit ka ndikuar edhe profilizimi i shtrembër që më është bërë kohët e fundit në disa media të Tiranës dhe nga disa media të Tiranës, të cilat kanë shfrytëzuar disa debate të hapura prej meje, gjithnjë në blog, për të nxitur klikimet në faqe, duke shpikur përplasje dhe duke i paraqitur këto në trajta sensacionale, të llojit “Kadareja i përgjigjet Vehbiut” dhe gjepura të tjera të ngjashme.

 

  1. Tema e etikës në internet, rrjetet sociale dhe portalet e ndryshme, është globale. Diskutohet për të në Europë dhe SHBA, por duket se në Shqipëri ajo konsiderohet një luks i tepruar. Sa e vërtetë është kjo?

Si edhe shumë parime të tjera të shoqërisë dhe të kulturës pluraliste që erdhën tek ne të keqkuptuara, edhe ky i lirisë së fjalës u degradua, në atë masë që u nxor nga konteksti i të drejtave të tjera të individit dhe i marrëdhënieve që kanë ato mes tyre. Sot i vetmi opsion që i jepet një individi të përdhosur ad hominem në shtyp është që ta hedhë palën tjetër në gjyq; çka është, në fakt, një orvatje për ta transferuar konfliktin nga rrafshi njerëzor ose komunikativ, në rrafshin juridik. Mirëpo kjo e nxjerr jashtë loje shoqërinë civile, dhe së bashku me të edhe mundësinë për të pasur një shkëmbim të frytshëm idesh dhe dialog të mirëfilltë mes palëve. Në fakt, një nga tiparet e shoqërisë civile, në ato vende ku funksionon, është virtyti i saj për t’u vetërregulluar në mënyrë të pavarur nga ligji; çka, në rastin e mass mediave, do të përkthehej në një kod të etikës. Edhe filozofi frëng Tzvetan Todorov, në një intervistë që dha menjëherë pas masakrës në redaksinë e Charlie Hebdo në Paris, vuri në dukje pikërisht se “…nuk është e drejtë që liria e shtypit të konsiderohet si kolona qendrore e demokracisë. Kolona e vërtetë qendrore e demokracisë është ideja se, në një sistem demokratik, çdo pushtet ka caqe. Dhe kjo duhet të vlejë edhe për shtypin, i cili fiton legjitimitet pikërisht nga fakti që është në gjendje t’i vërë vetes caqe.” Duke e shtjelluar më tej këtë ide kaq të frytshme, në kontekstin tonë specifik, do të shtoja se këto caqe të vetë-imponuara, për të cilat flet Todorovi, do të shërbenin edhe si parakushte ose premisa për t’u siguruar individëve ose palëve lirinë e pjesëmarrjes në diskursin publik. Këtë nuk e arrijmë dot duke e rregulluar komunikimin me ligj, ose duke e zëvendësuar shkëmbimin e ideve dhe debatin me shkëmbime parash dhe zhdëmtimesh; prandaj vetë-rregullimi ose vetë-disiplinimi i disa profesioneve, përfshi këtu edhe atë të gazetarit (por jo vetëm, pse edhe mjekët ose juristët kanë të njëjtat probleme) nuk mund të shihen kurrsesi si “luks i tepërt.” Mjaft të bëjmë një krahasim me një lojë me letra: edhe ajo më e thjeshta, p.sh. xingu, nuk mund të luhet në qoftë se palët nuk bien dakord paraprakisht për disa pak rregulla, sado arbitrare qofshin ato; pa çka se do të ishte absurde të thërrisje policinë, kur dikush nuk luan sipas rregullave. Në këtë kuptim, forcimi i etikës së gazetarit, që sa i takon temës së tanishme ka të bëjë edhe me mbajtjen pastër të hapësirës së debatit publik, jo vetëm që mbron palët nga banalizimi, por edhe ndihmon që debati publik të artikulohet më mirë, duke u shkëputur nga cic-micet e tipit “pse ti pse unë.”

 

  1. A duhet të ketë censurë për komentet në fund të shkrimeve që botohen nëpër faqet e ndryshme dhe në rrjetet sociale?

 

Praktika e hapësirave të vëna në dispozicion të publikut nga faqet online të gazetave, forumet e ndryshme dhe disa forma rrjetesh sociale ka treguar se, kur këto hapësira lihen të pambikëqyrura, ato degradojnë në mure nevojtoresh, ku gjithfarë anonimësh abuzojnë me fjalën dhe i ndërkrehen njëri-tjetrit edhe kur nuk luftojnë me mullinjtë e erës. Nëse dikush kërkon të marrë vesh se si po radikalizohet, ose si mund të radikalizohet shoqëria shqiptare, mjafton t’u hedhë një sy komenteve të nxehta te një hapësirë e pamoderuar, si tek “Tema.” Ironike që kacafytjet më të mëdha bëhen për çështje të raporteve mes feve të shqiptarit, madje edhe në vijim të artikujve ose lajmeve që u thurin lavde takimeve dhe mirëkuptimit mes krerëve të komuniteteve fetare. Nuk besoj se ka shpresë që këto hapësira të vetë-rregullohen, sepse na mungon kultura e ndërhyrjes publike të vetvetishme. Nga ana tjetër, shumë media nuk i kanë mundësitë ekonomike për të siguruar moderim të rregullt të komenteve, 24 orë në ditë; kam parë, për shembull, që deri edhe disa gazeta në Itali, përfshi këtu edhe gazeta të rëndësishme, nuk miratojnë komente gjatë natës. Në botën shqiptare – përfshi këtu edhe sidomos komunitetet e shqiptarëve jashtë Ballkanit, që janë jashtëzakonisht aktive online – ka sot nevojë urgjente të ndalet abuzimi i qëllimshëm me hapësirën publike të komenteve dhe përdorimi i kësaj për nevoja të ngushta të palëve, qofshin këto edhe politike, bie fjala për të përdhosur ose “demaskuar” individë që trazojnë ujërat ose çojnë përpara, në mënyrë anonime dhe pa kurrfarë përgjegjësie nga instanca që duhej të kontrollonte hapësirën, një luftë nga më të neveritshmet kundër mendimit të pavarur. Duke pasur parasysh realitetin ku dhe si punojnë mediat në Shqipëri dhe në Kosovë, besoj se një rrugë e mesme për të shmangur abuzimin do të ishte identifikimi i pjesshëm i komentuesve – për shembull, duke u kërkuar këtyre që të komentojnë me llogarinë që kanë në Facebook, ose duke krijuar një llogari në vetë faqen. Këtë praktikë e ndjekin një numër shumë i madh mediash në Perëndim. Një mundësi tjetër do të ishte që të mbylleshin krejt komentet – çfarë nuk përbën ndonjë shkelje të së drejtës së fjalës, ndryshe nga çfarë dëgjon ndonjëherë të thuhet. Një mundësi e tretë do të ishte që jo çdo material në faqe të ishte i komentueshëm – por vetëm ato materiale që e kërkojnë komentin nga natyra e tyre (ç’kuptim ka të komentosh pas një lajmi për një balerinë që shkon me pushime?). Se çfarë mënyre adoptohet për të disiplinuar marrëdhëniet me publikun anonim, kjo varet nga synimet e botuesit; dhe tek e fundit i mishëron fare qartë këto synime. Aq më tepër që sot gjithsekush mund të hapë një llogari në Facebook ose në WordPress dhe të thotë mendimin e vet nga mëngjesi në darkë; çka do të ndihmonte edhe për ta aktualizuar dallimin – shumë të rëndësishëm – midis komenteve dhe shkëmbimeve në një forum social ose kafe virtuale dhe komenteve që shoqërojnë një shkrim të një autori në një media profesionale. Hierarkitë jo gjithnjë janë anti-demokratike; dhe mendjet e ngjashme nuk ka arsye pse t’i bashkojnë vetëm debatet televizive, të cilat për shkak të vetë formatit nuk janë produktive. Në këto rrethana, ata që kërkojnë të ushtrojnë me çdo kusht dhe në anonimitet të plotë lirinë e tyre të fjalës në hapësira që nuk janë pikërisht të tyret dhe as mirëmbahen prej tyre, janë duke kërkuar, në fakt, privilegjin e të pasurit një publik të gatshëm por pa përgjegjësinë që të sjell me vete identifikimi; çfarë nuk është e njëjta gjë. Këtë e them edhe nga eksperienca shumëvjeçare si administrator i blogut tim “Peizazhe të fjalës”; ku së bashku me kolegët e mi kemi krijuar, me punë të mundimshme dhe pa asnjë financim institucional, një hapësirë komunikimi të kultivuar dhe të mirëmbajtur, e cila ka tërhequr tashmë një publik të caktuar; në këto rrethana, nuk shkon që dikush të vijë nga rruga dhe të këpusë çfarë t’i shkojë nëpër mend duke pretenduar që t’i botohet automatikisht, në mënyrë që ta lexojë publiku i forumit tonë. E drejta që pretendohet, në këto raste, është fiktive; dhe anonimët e shumtë të Internetit, që krijojnë pseudonime sipas qejfit, janë në fakt parazitë ose këpusha të fjalës së lirë. Nga ana tjetër, komentet e mira – qofshin edhe ato tejet kritike– përbëjnë shkollë të paçmuar edhe për lexuesit edhe për autorin vetë, siç ma ka konfirmuar sërish eksperienca shumëvjeçare në blog; sepse idetë e reja as lindin as zhvillohen dot pa u sfiduar, ose jashtë strukturave të dialogut. Çdo lloj moderimi ose vetëkufizimi që i shërben dialogut është, pra, për t’u nxitur dhe mirëpritur.

 

  1. Sa e pasqyron kulturën e përgjithshme të shoqërisë shqiptare, mënyra vulgare e të komentuarit në internet?

Për fat të keq, na mungon ende masivisht kultura elementare e fjalës publike – në kuptimin që, kur na jepet mundësia ose privilegji që të flasim, shpesh nuk dimë as ç’të themi as si të shprehemi. Shumë marrin mundimin të flasin të shtyrë nga emocioni i çastit ose kur kujtojnë se po u vihen në rrezik disa të vërteta absolute, për çka u kërkohet jo të debatojnë, por të luftojnë me thonj e me dhëmbë. Kjo mangësi është komplekse dhe lidhet edhe me varfërinë intelektuale të shoqërisë shqiptare sot ose mungesën e asortimentit në tregun e ideve; sikurse lidhet me mungesën e një tradite të mirëfilltë pluraliste ndër ne. Prandaj, një pjesë e madhe e diskursit publik në nivelin anonim ka për synim ta vërë në heshtje fjalën e lirë si të tillë, t’ua mbyllë gojën të gjithë atyre që, në fakt, kanë diçka për të thënë. Ende nuk është zhdukur tek ne trashëgimia e diskursit totalitar, i cili synonte jo lëvrimin dhe ripërtëritjen e ideve, por përsëritjen ose riqarkullimin e pak formulave të gatshme dhe të shenjta; madje unë shoh prirje, edhe nga forcat politike të tanishme, që ta shfrytëzojnë këtë trashëgimi për të përçuar dhe riprodhuar pushtetin e tyre; për shembull, pikërisht kur flasim tani për “harmoni fetare” dhe aq më keq për “tolerancë fetare”, e bëjmë këtë nga pozitat absolute, moniste, të një ideologjie kombëtariste me nota të forta inferioriteti, që ushqen pastaj këtë kompleks provincial të dukjes dhe të mburrjes me çdo kusht. Nga njëra anë, liria e fjalës nuk mund të ekzistojë pa njerëz që kanë vërtet diçka për të thënë dhe janë në gjendje ta thonë atë duke respektuar të drejtat e tjetrit; nga ana tjetër, garancitë për lirinë së fjalës nuk kanë ndonjë domethënie sa kohë që publiku ende e ka të vështirë të pranojë, në masë të madhe, pluralizmin; dhe kur ende mirëmbahet, prej elitave, një diskurs dominant, i cili merret si mishërim i së vërtetës, deri në atë shkallë sa t’i vërë diskurset e tjera në pozita mbrojtëse. E gjithë kjo mund të analizohet më mirë, po të fillojmë të qëmtojmë premisat e arsyetimeve që bëjnë njerëzit; ose themelet e argumenteve që paraqiten. Një pjesë e madhe e debatit publik, sidomos të atij të pakontrolluar, shtjellohet në formën e gjykimit që jepet, anonimisht, për një tezë ose një autor të caktuar; pa çka se të gjykuarit vendos një raport vertikal, absurd, midis gjykuesit dhe të gjykuarit; dhe kështu ndodh që një i pagdhendur të lërë komentin e parë, menjëherë pas një artikulli të një eksperti ose të një intelektuali publik. Shumë nga ne që e kemi për profesion e për mision fjalën publike ndeshim në vështirësi të mëdha për ta përcjellë mendimin tonë ashtu siç duam dhe për të zhvilluar një dialog të shëndetshëm mes nesh, pa interferenca dhe provokime prej anonimëve; dhe një pjesë e këtyre vështirësive doemos lidhen me rezistencën e lexuesit, i cili jo rrallë nuk kërkon të mësojë, as të hyjë në dialog me një mendje tjetër, por vetëm të konfirmojë me çdo kusht katër budallallëqe që ia kanë ngulitur në tru qëkur ndiqte shkollën fillore. Natyrisht, në Internetin shqip ka edhe oaze ku kultivohet bukur mendimi shqip falë komuniteteve të lexuesve që janë përftuar me kalimin e kohës (vetë “Peizazhe të fjalës” pretendon të jetë i tillë); por këto oaze mbeten gjithnjë të rrezikuara, jo vetëm nga mungesa e financimit dhe e solidaritetit reciprok, por edhe nga kjo masë amorfe, anonime, që nuk pranon asnjë sfidë të statu quo-së, edhe pse statu quo-ja, sa u përket ideve, është tejet e varfër dhe debati publik qeveriset nga inercia dhe klishetë. Dhe këtu duhet përmendur edhe një aspekt tjetër i trashëgimisë totalitare: bindja difuze se masa anonime ka gjithnjë të drejtë, demagogjia e “jeni ju pa jemi ne”, ose kultivimi i një karakteri imagjinar që mishëron urtësinë “popullore” dhe qesëndis intelektualët si llafollogë ose të shitur; një farë dajë Ceni i shekullit XXI, personazh kuintesencial i populizmit shqiptar.

Pa Komente

  1. Mendoj se bëre shumë mirë që e solle këtu intervistën. Tema mbetet gjithnjë aktuale, sidomos për hapësirat e internetit. Nuk kam ç’t’i shtoj materialit, por desha të theksoj se liria e komunikimit dhe e shprehjes ka nevojë për etikën e përgjegjësisë. Kjo nuk vjen automatikisht me demokracinë, por ka të bëjë me edukimin e qytetarit. Të të japin mikrofonin në dorë nuk do të thotë se ke ç’të thuash dhe se mund të thuash ç’të duash.

    Diçka tjetër: të shkruarit me emër e mbiemër, pra nga një llogari të identifikueshme, nuk të garanton matematikisht cilësi në komente (edhe pse nuk krahasohet me anonimësinë dashakeqe). Dua të them se ka njerëz që janë më anonimë se pseudonimet e tyre, ndërkohë që ka të tjerë që nuk e vënë ujin në zjarr për fotografinë e vet pranë rreshtave të shkruara. Madje e kanë për nder të anatemojnë e t’i vënë flakën internetit për një plesht ose për një term të pakuptuar. Me fjalë të tjera, e ndjejnë veten zëdhënës të atij populizmi që i konfirmon dhe i riprodhon.

    Ajo që nuk arrijmë të kuptojmë dot është se liria e shprehjes ka nevojë për infrastrukturë, por edhe për përgjegjësi. Tastierën, e cila gjendet sot në çdo shtëpi, e konceptojmë shpesh si lodër, si ato pistoletat plastike në duart e fëmijve. Vetëm që ndonjëherë tastiera qëllon, sikur ndodh me revolet e vërteta kur duam t’i trajtojmë si lodra. Fjalët kanë peshën e tyre, e ndonjëherë kanë forcën e plumbave.

  2. Lexova në shtyp se administratori i Twitter, Dick Costolo, paska pranuar se hapësira e cicërimave është shndërruar në shfryrëtore (më falni për neologjizmin) i pulsioneve më të këqija njerëzore: sharje, ngacmime, dhunë verbale… Nga Twitter por largohen shumë përdorues normalë, pikërisht për faj të troll-ëve. Fakti që edhe majat e ndërmarrjes së cicërimave e kanë kuptuar tregon se dëmi është strukturor e me rrezik për të ardhmen e komunikimit në internet. Në mjedisin shqiptar rreziku është edhe më i madh, po të kemi parasysh trashëgiminë e totalitarizmit.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading