Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

NJË FJALË ME FAT

Një nga ato fjalë që gjithnjë e kam kujtuar si të huazuar nga turqishtja, ka qenë afat, me kuptimin “koha e caktuar për të bërë diçka ose caku kohor kur duhet të fillojë a të mbarojë një punë” (FShS, 2006).

Mirëpo pastaj nuk e gjeta këtë fjalë te Dizdari, dhe më shkoi mendja mos bën pjesë edhe kjo te pseudo-turqizmat e shqipes, së bashku me halldup, për të cilën folëm këtu; por edhe ndonjë fjalë tjetër, si sihariq, për të cilën Dizdari vetë thotë se e mbajnë për turqizëm, por në fakt vjen nga greqishtja e re.

Gjithsesi, në studimet e veta etimologjike, Çabej thotë për afat, me rezervë, se mund të vijë prej turqishtes af “falje”, përdorur në një fjali si affetmek, “bëj falje, ia fal (dikujt)”; Oreli, ndoshta ngaqë i beson etimologjisë së Çabejt nuk e ka fare (sikurse nuk e ka Meyer-i); ndërsa në Wikipedia gjej një hipotezë të guximshme: afat si të formuar nga proto-shqipja *apo-t-is dhe të afërt, brenda gjuhës, me afër; dhe në kontekstin indo-europian, me anglishten after. Kësaj etimologjie i mungon referenca; dhe gjithsesi duket e pagjasë, për shkak të formës së fjalës afat.

Çabej shënon edhe se fjala është “e re”; dhe afëria kuptimore me turqishten affetmek nuk është për t’u përjashtuar; madje këtu do të shënoja edhe që Fjalori i 1954-ës jep për afat shpjegimin “një kohë e paracaktuar brenda së cilës duhet të kryhet një punë, t’ushtrohet një e drejtë a të çfaqet një mendim”; çka tregon se në shqipen e tanishme fjala ka pësuar një farë ngushtimi kuptimor, në krahasim edhe qoftë me atë të gjysmë shekulli më parë.

Po të vijë vërtet prej turqishtes, afat duhet konsideruar si fjalë me sukses të jashtëzakonshëm; pse i ka dhënë shqipes një term për një koncept të rëndësishëm, veçanërisht në lëmin e administrimit dhe organizimit formal të kohës në shoqëritë moderne. Në fakt, afati përmban në vetvete edhe lirinë e të vepruarit, edhe detyrimin; duke i kombinuar të dyja, në mënyrë të natyrshme (“ke afat deri nesër për ta dorëzuar”). Dhe ndryshe nga shumë turqizma të tjera, kjo jo vetëm është larguar kuptimisht nga origjinali, por edhe ka zënë vend mirë në regjistrin libror të shqipes, duke depërtuar lirisht në ligjërimin juridik (pa folur pastaj për prodhimtarinë fjalëformuese, me njësi si afatgjatë, afatshkurtër, etj.).

Nga ana tjetër, sa i përket prejardhjes, mund të merrej në vështrim edhe një lidhje me italishten “va fatto” – si në shprehjen “questo lavoro va fatto entro domani”; meqë paralelizmi kuptimor ekziston. Shqipja ka marrë me këtë rrugë edhe fjalë të tjera nga italishtja – p.sh. apostafat nga apposta fatto (përkundrazi, butaforí, nga butta fuori, do të ketë ardhur tek ne me ndërmjetësinë e rusishtes).

Pa Komente

  1. Prejardhja nga “affetmek” është mjaft e pagjasë, për shkak se kërkon një zhvendosje të plotë kuptimore për një term tejet teknik, Më i mundshëm ngjan varianti nga italishtja, por nëse do të kërkohej në turqisht origjina e kësaj fjale, kandidate shumë më e denjë për mendimin tim do të ishte fjala “vade”, me prejardhje nga arabishtja, me kuptimet; premtim, fjalë e dhënë; afat për kthimin e borxhit. Këtë fjalë e përmban edhe fjalori i gjuhës së sotme shqipe (ai online) prandaj çuditem që studiuesit e lartpërmendur nuk e kanë marrë në konsideratë ndërkohë që kanë vajtur deri tek “affetmek”.

    1. Afat zor se mund të vijë nga vade – edhe pse kanë kuptime të ngjashme. Tepër larg fonetikisht.

    2. Me duket se ke te drejte, bile mund te jete nje kontribut fare origjinal.( me aq sa di une)

      ‘afat’ ne sanskrit(hindi) i korespondon ‘avadhi’ me te njetin kuptim. Fonetikisht shume te aferta.

      Me sa duket eshte fjale e vendit , nuk ka pse kerkohet prej nga eshte huazuar.

  2. Një fjalë tjetër që ngjan me prejardhje nga turqishtja por që unë as që i jam afruar dot në asnjë fjalor të tuqishtes, është fjala “beriha”. S’kam pasur mundësi të shoh ç’thotë Dizdari për këtë, kurioz jam ta di…

    1. Dizdari e ka si fjalë orientale dhe përmend për krahasim një berhan të persishtes; dhe një berhay “sherr, vagabond, brigand” nga fjalori i Samiut; por kushedi duhet përmendur edhe berhava, si në berhava olmak “shpërthen, hidhet në erë, shkatërrohet me shpërthim”.

      1. Po, është “berhay” që haset edhe në formën “berihay”. Qenka në fjalorin e dialekteve të Turqisë, si zë i ndryshëm nga “berhay” i Samiut siç përcillet më lart. Do të thotë klithmë, çirrje; kujë. Rrofsh!

  3. Tek faqja e Wikipedias shkruhet se është e ‘afërt’ (related term) me “afër”, dhe më pas “afro”, “afri”, “afërsi”. Ndoshta ka të njëjtën rrënjë me to?

    1. Meqenese Gjergji permendi Wikipedia, gjeta kete shpjegim ne te per fjalen ne shqip afat.

      A formation from Proto-Albanian *apo-t-is, based on Proto-Indo-European *apo- ‘away, off’, whith the labial plosive followed by back vowel yielding -f- (cf.avull, afër), and -is-, as well as -os-, yielding zero in unstressed position. Cognate to Germanic *aftiz ‘again, in Old English eftesoons (“again, soon”), English after. Related to afër.

      A eshte ne gjendje ndokush te shtjelloje ne detaje kete shpjegim wikipedian? Mendoj se dikush duhet ta kete bazuar kete ne ndonje te dhene te marre diku nga ndonje tekst autoritativ.

      1. Më fal se po të pyes, Read Me: ti i lexon ato që shkruaj unë, apo e fillon leximin drejt e nga komentet? Teksti që ke sjellë më lart është i cituar në materialin tim! Të lutem, përpiqu ta shmangësh këtë lloj ndërhyrjeje që përsërit ato që janë thënë tashmë, sepse është pak irrituese.

        1. Nese nderhyrja ime ka dale e tille, nuk eshte bere me qellim. Porse une vete isha i paqarte rreth burimeve te perdorura nga ty Xhaxha dhe Gjergji, prandaj duket sikur nuk e kam lexuar citimin tend.

          Detajet qe jep Gjergji: “Tek faqja e Wikipedias shkruhet se është e ‘afërt’ (related term) me “afër”, dhe më pas “afro”, “afri”, “afërsi”.” nuk perfshihen as ne citimin e sjelle nga une apo ju, ashtu sic disa detaje ne citimin tim nuk jepen ne sqarimin qe jepni ju.

          Thjesht po perpiqesha te rakordoja infon(dhe te sqarohesha vete me mire) e sjelle ne PTF me ate te Wikipedias. 🙂

          Dikush ne kete rast, edhe mund te ndihmoje ndoshta te gjeje burimin, referencen e citimit jetim te Wikipedias.

        2. Xhaxha, ndöshta po devijojmë nga tema, por si thua për latinen “ab ante”, poashtu një koncept kohor, me kuptimin “përpara kësaj kohe”?

  4. Mu desh pak perpjekje per te ndeshur ne nje burim interesant. Nje reference e mundeshme qe mund t’i kete sherbyer autoreve te entry-s(zerit, hyrjes, futjes) te fjales shqipe “afat” mendoj se eshte fjalori i polakut Julius Pokorny (The Indogermanisches Etymologisches Wörterbuch 1959 online).

    Ka nje version anglisht te azhornuar ne formatin pdf:

    http://marciorenato.files.wordpress.com/2012/01/pokorny-julius-proto-indo-european-etymological-dictionary.pdf

    ose

    http://dnghu.org/indoeuropean.html

    Lehtesisht mund te gjendet hyrja e meposhtme (faqe 152) ne anglisht me shpjegime te detajuara. Gjeja me interesante/domethenese e ketij diksionari eshte edhe referenca e fjaleve ne shqip per nje numer te konsiderueshem zerash:

    Root / lemma: apo- (pō̆, ap-u, pu)
    English meaning: from, out, of
    German meaning: `ab, weg’
    References: WP. I 47 ff., WH. I If., 842, Feist За, Trautmann 11.
    Page(s): 53-55

    Perseri me lind pyetja: Pasi kemi ne dore kete reference, a eshte ne gjendje ndokush te shtjelloje ne detaje shpjegimin e Wikipedias?

    Xhaxha, duke menduar se referenca siper mund te jape nje ndihme, cfare mendon tashti per shpjegimin e dhene ne Wikipedia?

    Me mire se ti, nuk mund te kemi midis nesh asnjeri qe mund te hedhe drite ne kete version, perqasje shpjegimi.

    1. Nuk jam etimolog, edhe pse kam një farë specializimi në gjuhësi historike. Dhe në lidhje me shpjegimin e Wikipedia-s mendoj se është shpjegim tipik i dhënë nga një indo-europianist që nuk e njeh shqipen – si gjuhë të gjallë, dinamike, me historinë e vet dhe rregullsitë e veta të pavarura nga natyra e saj indo-europiane. Ndoshta prandaj këtë shpjegim e ka injoruar edhe Oreli, i cili shqipen e njeh disi më mirë se komparativisti standard i një universiteti europian. Pastaj unë i besoj tërësisht Çabejt që thotë se afat është fjalë e re në gjuhën shqipe; prandaj krahasimet e drejtpërdrejta me rrënjë IE janë punë të kota, ushtrime shterpë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin