Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë

MITET GREKE

nga Pllaka e Pionierit

Jo, tema nuk ka të bëjë me mitologjinë e lashtë greke, as me veprën e mirënjohur nga Robert Graves, por me fenomenin e legjendave apo miteve urbane të përhapura në Greqi, kryesisht nëpërmjet internetit, forca depëtuese e të cilëve ka arritur shpesh gjer në gojën e politikanëve e qeveritarëve. Popullariteti i disa prej këtyre miteve ka qenë i tillë saqë mund të thuhet se janë shndërruar në mite të kombëtarizmit grek.

Mitet moderne në Greqi do i ndaja në dy kategori kryesore. E para përbëhet nga mitet e importuara nga jashtë dhe e dyta në mitet e zhvilluara në Greqi si pasojë e rrethanave sociale, ekonomike apo kulturore në vend. Natyrisht, të gjithë mitet e importuara janë përshatur në ambientin grek. Në kategorinë e parë, që nuk do ndalemi, hyjnë antisemitizmi dhe historitë që e shoqërojnë (për dominim të botës nga Zionizmi, Protokollët e të Urtëve të Zionit), masoneria, pseudoshkenca, jashtëtokësorët etj.

Historikisht, nuk ka patur në Greqi antisemitizëm, të paktën me formën që është zhvlluar në vendet e Perëndimit katolik e protestant apo në Rusinë ortodokse. Kjo kryesisht ka të bëjë numrin e kufizuar të hebrejve në Greqi si dhe me pozitën që ka patur komuniteti hebraik në Perandorinë Osmane. I vetmi qytet grek që ka patur një numër të konsiderueshëm me hebrej ka qenë Selaniku, por perjudha gati 30 vjeçare që kaloi ky komunitet nën administratën greke, deri në shfarosjen e tij nga gjermanët në luftën e dytë botërore ka qenë shumë e vogël që të shfaqen elemente antisemitizmi. Antisemitizmi në formën që ka sot në Greqi është më shumë produkt i ndjenjave miqësore ndaj komunitetit palestinez (dhe arabëve në përgjithësi) si dhe i teorive të importuara nga jashtë.

Masoneria në Greqi ngjan më shumë me kapitull të shkëputur nga Lavjerrësi i Foucault i Umberto Eco-s: me dhjetra Urdhra e lozha që pretendojnë primatin në Greqi. Si fenomen kanë hyrë nga Anglia dhe Italia dhe mitet që e shoqërojnë janë të njëjtat si në çdo vend që janë përhapur shoqëri të tilla sekrete. Pretendohet se Revolucioni Grek ka qenë produkt i grupeve masone në rivalitet midis tyre, se Shoqëria e Miqve (Filiki Etaireia) ka qenë grup masonerik, se dhjetra politikanë, kryeministra, mbretër e figura të tjera të njohura (të gjithë të vdekur e të kallur prej kohësh) kanë qenë masonë etj.

Pseudoshkenca përbëhet nga të gjitha ato teori që qarkullojnë këtu e dekada në literaturën botërore si Atlantida, piramidat e Egjiptit, Shoqërinë e Thule-s, popullsitë paraindoeuropiane, tokën e zbrazët, me veçantinë se këto teori janë përshtatur në versionin grek. Pra flitet se Atlantida është diku në Greqi, se Piramidat u ndërtuan prej grekëve, se grekët nuk kanë lidhje me popullsitë indoevropiane, se gjeografia në Greqi është e shenjtë dhe e zhvilluar në bazë të një gjeometrie të shenjtë (kryesisht ka të bëjë me koordinatat e tempujve të lashtë) dhe të tjera teori të këndshme, të njohura e të panjohura. Nuk mungojnë natyrisht dhe teoritë e gërshetuara midis tyre, me elemente të një miti të gjenden në një mit tjetër apo supermitet që përmbajnë të gjitha elementet e mësipërme.

Për jashtëtokësorët siç dihet, they live among us.

Por, dhe kalojmë këtu në kategorinë e dytë, ndërsa mitet e kategorisë së parë kanë një publik pak a shumë të kufizuar dhe të përcaktuar mirë, në kategorinë e dytë është vështirë të përcaktohet publiku, miti është i pranishëm kudo dhe i reziston edhe kohës edhe përpjekjeve çmitizuese.

Për një votë

Ka qenë miti i parë që kam dëgjuar kur erdha për herë të parë në Greqi, këtu e pesëmbëdhjet vjet të shkuara (dhe me të vërtetë isha impresionuar). Versioni që kisha dëgjuar atëhere nga një profesor në gjimnazin ku shkoja thoshte se në OKB, kur vendosej se cila gjuhë do ishte ndërkombëtare, greqishtja humbi (nga anglishtja) për një votë. Llogjikë fëminore, mungesë argumentash, por këtu nuk bazohen mitet? Qarkullon ky mit me disa versione të tjera, si p.sh. greqishtja humbi për një votë statutin e gjuhës zyrtare në SHBA pas shpalljes së pavarësisë së kësaj të fundit. Viktimë e këtij miti ka qenë edhe historiani i mirënjohur britanik Richard Clogg, i cili e përmend këtë fakt në një nga botimet e tij të hershme të librit “Historia e përmbledhur e Greqisë”. Ky version është të paktën 50 vjeçar dhe është në zhdukje e sipër.

Fjalimi i Kissinger-it

Miti na thotë se Kissinger-i kur ka qenë sekretar i shtetit më 1973, ose në vitin 1987, ose më 1994, në një bisedë konfidenciale, ose në Shtëpinë e Bardhë, ose në Kongres, por gjithsesi diku në Washington DC është shprehur për popullin grek se “populli grek është i vështirë për tu qeverisur, prandaj duhet ta godasim thellë në rrënjët e tij kulturore […] pra t’i godasim gjuhën, fenë, të gjtha rezervatet e tij kulturore e historike, me qëllim që t’i eliminojmë çdo mundësi që të zhvillohet, dallohet, dominojë…”. Kjo frazë që nuk është thënë kur nga Kissinger-i qarkulloi nga një gazetë e madhe greke, “Eleftherotypia”, u riprodhua nga revista “Nemesis” e nacional-komunistes Liana Kaneli duke cituar një numër fiktiv të një gazetë Turke dhe sot është e përhapur në mendjen e çdo greku që beson se fatkeqsitë e tij janë produkt i një plani djallëzor. Përgënjeshtrimi bile nga Kissinger-i dora vetë është dhënë këtu e pesëmbëdhjetë vjet por kjo besoj se më shumë përforcoi mitin sesa e zbehu.

Hellenic Quest

Një kërkim i shpejtë në Google më sjell rreth një milion e gjysëm rezultate me këto dy fjalë. Një nga mitet më të përhapura të dhjetëvjeçarit të kaluara, Hellenic Quest, flet për kompaninë e madhe Apple (sipas versioneve alternative, kompania është Microsoft, IBM, më vonë u dëgjua edhe Google) e cila përdor greqishten si bazë për zhvillimin e softuerit të saj dhe se programuesit e saj janë të detyruar të mësojnë greqishten (madje edhe atë të lashtë!). Miti shkon akoma më tej, duke quajtur greqishten si gjuhë të së ardhmes në shkencat kompjuterike, pasi kompjuterat “kuptojnë” vetëm greqishten. Nuk thuhet gjë në këtë mes nëse do zëvëndësohet sistemi binar. Përhapja e mitit ka qenë e rrufeshme dhe me popullaritet të madh, viktimë e tij ka qenë midis të tjerësh edhe ambasada greke në Washington, por është dëgjuar mëse një herë edhe në sallat e parlamentit grek (nga goja e deputetëve të partisë ekstremiste LAOS, tashmë jashtë parlamentit).

Përhapja e internetit, e rrjeteve sociale, por edhe kriza ekonomike e viteve të fundit në Greqi ka bërë që këto mite të zhvillohen, të adaptohen dhe të shpërndahen në mënyrë masive, me një popullaritet në rritje sidomos në moshat e reja. Duket se grekët priren të besojnë më lehtë diçka që ka të bëjë me historinë dhe sidomos me gjuhën gjuhën e tyre.

Grupi “E”

Grupi “E” (lexohet epsilon) futet në kategorinë e supermiteve, nga ato legjenda që gërshetojnë mite dhe universe alternative duke krijuar një multivers. I përhapur nga një rreth i ngushtë autorësh në vitet ’70, miti krijoi një bazë të konsiderueshme dhe të qëndrueshme në botimet alternative. Supermiti flet për një grup të krijuar në galaktikën e Andromedës (ose në yllin Sirius), nga e kanë prejardhjen edhe vetë grekët, i cili posedon teknologji dhe armatime aliene, dhe që në lashtësi mbron interesat e kombit grek. Në këtë përpjekje për të çuar kombin grek përpara, natyrisht gjen përballë armikun e stërlashtë, Zionizmin. Anëtarë të grupit kanë qenë filozofë, shkencëtarë, ushtarakë, me figurë prominente në kohët moderne Aristoteli Onasin. Pra siç e shikojmë ky grup nuk ka lënë asgjë përjashta; grup sekret (imitim i masonerisë), alienët (Andromeda, Sirius, teknologji superiore), pseudohistori dhe pseudoshkencë dhe natyrisht… hebrejtë.

Pa Komente

  1. Antisemitizmi ne Greqi si fenomen sporadik i perket kryesisht fundshekullit te 19, por pavaresisht se jehona e tij nuk ishte e njejte me ate te vendeve te tjera evropiane, ngjarjet e Tripolit gjate periudhes se fillimit te revolucionit grek shenojne fillimin e sulmeve te organizuara dhe te instrumentuara antisemite. Prijesit dhe luftetaret e revolucionit grek, greke dhe arvanitas, duke marre shkas nga mikrokonflikte dhe makrokonflikte (vrasja e patriarkut grek nga cifutet) mes bashkesive ortodokse dhe atyre hebreje, nuk ngurruan te ndermarrin aksione dhe sulme, qe rezultuan ne pakesimin, vrasjen dhe shfarosjen e elementit hebre ne Tripoli dhe ne vende te tjera te Greqise.
    Ajo cka eshte me shqetesuese (me sakte ishte me shume gjate viteve te shkuara) eshte mungesa e informimit dhe arsimimit te te rinjve greke rreth bashkejeteses se gjate ndershekullore dhe nderkulturore me hebrenjte dhe faktit qe ne qytete te tilla si Selaniku, hebrenjte kane pasur rol aktiv dhe dominues ne jeten ekonomike dhe kulturore te qytetit.
    Fenomene te tilla mbi supermacine, vecantesine dhe vjetersine e gjuhes dhe te kombit i ndesh rendom tashme edhe ne Shqiperi ne nivel akademik dhe jo akademik. Besoj se do ishte shume interesante qe nje permbledhje e ngjashme mitesh te behet per te gjitha vendet e Ballkanit, Ngjashmerite do jene me te shumta se jo-ngjashmerite.

  2. Përkufizimi për kësisoj lajthitjesh madhështie vjen nga arsenali gjuhësor i këtij populli, “megalomania”, por s’duket se shërben si ngasë vetë-reflektimi.

    1. Mite të ngjashme qarkullojnë edhe mes shqiptarëve – më interes do të kish të krahasoheshin me ato të grekëve dhe të gjendeshin dallimet. Për shembull, ne nuk kemi mite me jashtëtokësorë, ndoshta ngaqë nuk i jemi ekspozuar fantashkencës amerikane dhe paranojës për UFO-t në vitet 1950-1970. Por kemi mite që lidhen me thesare – ose ndihma bujare nga miq të gjithëfuqishëm.

      1. Për punë jashtëtokësorësh (e të tjera mite si këto të përmendura më sipër në shkrim) ndoshta duhet të njihesh me botimet në Tiranë të Helga’s Secrets, që të ndryshosh mendim.

  3. cfare eshte interesante nga e gjithe kjo mesele, eshte fakti se e djathta ekstreme ne greqi ka lidhje te ngushta me shtytesit e ketyre teorive/ miteve. nje nga promovuesit e flakte te “grupit e” ishte anestis qeramidhas, autor i disa librave mbi kete teme. ky ka patur lidhje te ngushta me adhonis jeorjiadhis (ish deputet i laos, tashme deputet i demokracise se re), qiriakos velopullos (ish deputet i laos) dhe natyrisht karaxhaferin. fakt i dyte interesant; te gjithe keta te mesipermit, kane patur shtepi botuese te specializuara ne botimet “alternative” si dhe shfaqeshin ne emisione televezive ne stacione minore periferike duke promovuar librat e tyre (njelloj si teleevangjelistet ne shba). lidhje te aferta dhe mire te dokumentuara kane patur keta te mesipermit edhe me agimin e arte.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin