Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

RRIMË QË RRIMË

Pashë disa foto të një reparti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), veshur me uniformën e tyre të re.

Më rezulton se ndaj uniformës mediat kanë reaguar me hilaritet; dhe, në fakt, edhe mua këta djem të Forcave të Sigurisë së Kosovës po më duken si greeters në një panair produktesh blegtorale të prapatokës ballkanike, në mos si nxënës model të një shkolle tupanash.

128872

Megjithatë, hiret uniformës ushtarake nuk ia jep aq dora e dizajnerit në studioi, sesa fusha e betejës – dhe po të kish fituar FSK-ja gjëkundi ndonjë betejë madhore, edhe paraqitja e saj tani kaq folklorike do të impononte një tjetër lloj imazhi.

Përshtypjen butaforike, ose prej operete të lehtë ballkanike, le t’ia faturojmë irrelevancës së këtij teatri kukullash ose mos-historisë, më shumë sesa opingave, çorapeve të bardha, plisave dhe ornamenteve të tjera vestimentare.

Më tërhoqi vëmendjen edhe diçka tjetër në këtë uniformë të vizatuar nga një komision me siguri politikisht korrekt dhe gjithëpërfshirës: ngjyrat bardhë e zi e kuq, ose e njëjta treshe që e kemi ndeshur gjetiu, në historinë e ngjyrave kombëtare.

Ka një kontrast të pahijshëm mes këtyre ngjyrave të serta, dhe blusë ose të verdhës ari të flamurit që mbajnë; a thua se nuk i përkasin të njëjtit univers kromatik.

Përndryshe, kombinimi i kostumeve tradicionale dhe misionit prej force të sigurisë të mëkëmbur dhe të mirëmbajtur prej tutorësh nuk arrin t’i shmanget përshoqërimit me ca momente të historisë që do të ishte mirë të liheshin në harresë.

2 Komente

  1. Historia te jep mesime dhe shtysa qe kur veshtrohen ne distancen kohore, ngacmojne vecse impresione butaforike.

    2xha: “kombinimi i kostumeve tradicionale dhe misionit prej force të sigurisë të mëkëmbur dhe të mirëmbajtur prej tutorësh nuk arrin t’i shmanget përshoqërimit me ca momente të historisë që do të ishte mirë të liheshin në harresë.”

    Nuk mund t’i shpetosh paralelizmave ballkanike, kur dikur evzonosit greke(sot rojet e pallatit presidencial, apo garda greke) ne luften greko-turke te 1897, i turperuan uniformat e tyre klepte, duke ngrene nje dajak tere gjak nga perandoria otomane ne perendim. Ishin tutoren nderkomebtare, fuqite e kohes, qe shpetuan ekzistencen e shtetit “joekzistues” grek.

    Megjithate evzonosit sot, mbeten si objekte, shtylla te forta kurioziteti, turizmi dhe venerimi. Ndoshta eshte ceshtje kohe, deri sa te na mesohen syte me uniformat e “blegtoreve” gege.

    🙂

  2. Këto uniforma janë ububuja. Të më falni për gjuhën, po sa mendjepjerd*ur duhet të jenë ata qeveritarë apo ata politikanë, që i detyrojnë ushtarët dhe oficerët që të vishen në këto uniforma karneval?! Për të mos folur për përshtypjen që lenë te të tjerët: ne me këtë uniformë të huajve, ashtu si na mendojnë, ashtu dhe u paraqitemi.

    Ndoshta shtetarët e Kosovës do të mendonin ndryshe, nëse do u kërkohej atyre apo presidentit, KM apo ministrave, që të paraqiteshin në punë të “stolisur” në këtë farë feje.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading