Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

KOHË PËRBALTJESH, KOHË IDHUJSH

Në 10 qershor të këtij viti, historiani Pëllumb Xhufi botoi në gazetën Dita artikullin me titull “Shën Kozmai dhe misioni i tij në Shqipëri”, ku mbrojti tezën se Kozma Etoli ishte “një emisar i Portës së Lartë dhe i Patrikanës greke të Stambollit për shuarjen e kryengritjeve shqiptare” dhe misioni i tij synonte edhe “përhapjen e gjuhës greke në trevat shqiptare nëpërmjet çeljes së shkollave greke.”

Këtij artikulli iu përgjigjën, në po atë gazetë, një grup autorësh klerikë ortodoksë ose të afërt me KOASH-in (Atë Petraq Simsia / Atë Kristaq Subashi / Atë Nikolla Lushi / Dhiakon Joan Qako / Ilia Zaka / Miltiadh Veveçka / Ilda Sylari / Xhovan Kajana / Naun Dyshniku) – edhe përgjigjen do ta lexoni në lidhjen më sipër.

Kjo polemikë, në dukje për një çështje të lidhur me historinë e ortodoksisë në trevat shqiptare, lidhet edhe me figurën e kryepeshkop Anastasit dhe rolin e tij në krye të KOASH-it sot; sidomos pas disa incidenteve që shoqëruan ceremoninë përurimore të katedrales në Tiranë.

Gjithsesi, nuk është kjo tema e shkrimit tim sot; pse vetëm po dua ta shfrytëzoj debatin në fjalë për t’u hedhur një sy më nga afër komenteve të lexuesve anonimë, që e shoqërojnë artikullin.

Kush e ka ndjekur me vite blogun Peizazhe të fjalës, e di që ne nuk kemi treguar simpati të veçantë për pozicionimet kombëtariste të prof. Xhufit, madje kemi shprehur keqardhje që kombëtarizmi ia ka dëmtuar atij, në ndonjë rast, cilësinë dhe besueshmërinë e punëve shkencore. Megjithatë, kjo nuk na pengon që ta konsiderojmë si një nga pak historianët e kompletuar që ka sot dija shqiptare, sidomos sa i përket periudhës bizantine.

Prandaj na duket e papranueshme që ky akademik dhe intelektual të trajtohet me egërsi të pashoqe prej rrugaçëve anonimë, në një hapësirë që këtyre u vë në dispozicion bujarisht gazeta “Dita”.

Xhufi quhet në komentet “historian i formuar me mësimet e m-l” që “u ka shtuar atyre edhe një çikë urrejtje fondamentaliste islamike”; në komente lexon fraza të tilla si “kali ecën dhe Kuz Baba Xhufi  pret pordhët nga prapa”; “ju vegla të xhufistëve do ta kuptoni se ku i qëndron kleçka sorrë Mehmet Xhufit”; “Xhufi është thjesht një primitiv antikristian” (“kush është pas teje, kush të sponsorizon, përse sulmi ndaj Krishterimit është bërë qëllimi juaj kryesor” e pyet një prej komentuesve); “je bërë më keq se xhihadistët,” i thotë një tjetër; dhe më tej “halldup Xhufi” që “hedh helm dasish fetare”; “O Xhuf, ti paguhesh për përçarje”, “historian gjize”, “këto lloj përrallash shitja muxhahedinëve të tu”, “Shko or thyej qafën në Turqi, kur të pëlqen shumë ajo kulturë”; “anadollak injorant”, “kush ta ka dhënë titullin ty esmer islamik”; “ti Xhufi je si një mi para Ismail Kadaresë”; “po të mos ishte lufta e ortodoksëve, ti halldup do ulurinje dhe do shkruanje arabisht apo pakistanisht”; “Pëllumb Xhufi […] le të fillojë të shkruajë historinë e vjehrrit të vet Bahri Omari që ishte kunat i Enver Hoxhës”; “nuk mund të pritet qëndrim tjetër nga z. Xhufi, si përfaqësues i ish-nomenklaturës dhe nga mbrojtësit e tij, se nuk dinë ç’është orthodoksia dhe kanë qëllim turqizimin e Shqipërisë, si në Kosovë, dhe që e kanë baba sulltanin e ri, Erdogan” etj.

Xhufi

Në këtë kontekst, lind dhe kristalizohet vetvetiu një temë e dytë debati në komentet, këtë herë rreth vetë figurës së prof. Xhufit ose autorit të shkrimit– ku një pjesë jo e vogël e komentuesve, të cilët pozicionohen edhe kundër grekofilisë së kreut të sotëm të KOASH-it, Anastasit, e mbrojnë historianin herë me argumente dhe herë me pasion, ndaj akuzave dhe baltës që i hedhin komentuesit e tjerë. Ai cilësohet tani si “njeri që i dhimbset Shqipëria”, pas të cilit qëndron “shqiptarizmi”; si “një vlerë shumë e vyer kombëtare, ndaj ta ruajmë  atë bashkë me Kristo Frashërin. Shkrimet e tij ngjallin zemërimin dhe urrejtjen e kishës greke, së cilës nuk i intereson një Shqipëri me ndërgjegje kombëtare të zgjuar”; “nga të paktit shqiptarë që me studime historike tregon fytyrën e vërtetë të grekërve”; “kur përmend prof. Xhufin duhet të lash gojën”; “Pëllumbi për shqiptarët është krenari kombëtare”; “Pëllumb Xhufi është historian par excelence shqiptar e bir shqiptari dhe e vetmja gjë që e karakterizon është se bazohet rigorozisht në të vërtetën historike,në dokumente dhe në fakte kokëforta!”; “Prof. Xhufi, ju falënderoj për shkrimin tepër atdhetar dhe antigrek për shejtan Kozmanë!”; “Përgëzoj zotin Xhufi që njohuritë e tij historike po i vë në shërbim të shqiptrëve, të Shqipërisë e të shqiptarizmës së pavdekshme, që është sot më e gjallë se kurdoherë”; “I lumtë Pëllumb Xhufit që hodhi dritë mbi të vërtetat për Shën Kozmain, spiunin e grekërve dhe përhapësin e greqizimit të shqiptarëve”; etj.

Nëse u zgjata pak me këta shembuj, e bëra për të treguar se çfarë është duke e shkatërruar sot debatin publik në Shqipëri dhe jo vetëm, sidomos në atë që përcillet nga mediat elektronike në mjedisin Web 2.0.

Së pari, lexuesit e artikullit të një historiani, për një periudhë që kërkon specializim për t’u kuptuar drejt, ftohen të japin mendime për tezën – në fakt kontroversiale dhe për disa provokatore – e atij artikulli dhe që andej, me lehtësi të madhe, edhe që të japin një gjykim etik për autorin e artikullit. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e komenteve u ngjajnë diskutimeve në një gjyq popullor, ku autori është edhe personi i vënë në bangon e të akuzuarve – çfarë do të ishte qesharake, sikur të mos ishte alarmante.

Prof. Xhufi i ka kredencialet në rregull për t’u marrë me temën e Shën Kozmait dhe vendit që zë ky në historinë e shqiptarëve; temë përndryshe e ndërlikuar, praktikisht e pamundur për t’u diskutuar “haptazi nga publiku i gjerë”, dhe e mbarsur me potencial përçarës, sidomos në kontekstin e debateve të tanishme për KOASH-in në Shqipërinë e sotme dhe rolin e kryepeshkopit Anastas.

Për fat të keq, lexuesit që janë revoltuar me autorin Xhufi, e kanë bërë këtë jo aq ngaqë kanë peshuar tezat dhe argumentet e artikullit specifik për të cilin diskutohet, por duke pasur parasysh rolin dhe veprimtarinë e tij si veprimtar kombëtarist dhe denoncues i flaktë i shovinizmit grek dhe i anti-shqiptarizmit në fqinjët (qasja ad hominem sërish). Kjo do të thotë edhe se një artikull me temë historike thjesht përfundon i keqpërdorur në një debat tjetër, pa lidhje me të parin, rreth integritetit shkencor dhe etik të autorit; pa çka se një turmë anonime nuk ka asnjë lloj tagri për të vënë në dyshim kredencialet prej historiani dhe njeriu të Xhufit (por ka të drejtë të shprehet, natyrisht për poziconimet kombëtariste të këtij të fundit, pse këto nuk janë akademike, por politike).

Artikulli i Xhufit për Shën Kozmain do të ishte me interes të madh për prurjet e tij historike dhe kulturore, sikur të mos botohej në kontekstin e polemikave të ndezura rreth KOASH-it; përndryshe, edhe autorët e kundër-artikullit përfitojnë nga rasti, ose nga konteksti, për të hequr një paralele midis Shën Kozmait të shekullit XVIII dhe Anastasit të sotëm, e cila është edhe ajo me natyrë politike.

Natyrisht, ekstrapolimi – në kontekstin e Shqipërisë së sotme – i hapësirës historike ku vepronte Shën Kozmai, ose kur shqiptaria ende nuk ishte kristalizuar si vetëdije tej-krahinore, çon në keqkuptime të mëdha; sidomos për ata lexues të prof. Xhufit te Dita të cilët nuk janë në gjendje të rindërtojnë, mendërisht, rrethanat sociale të veprimtarisë misionare të Shën Kozmait. Kjo është një tjetër provë, për mua, se artikulli i prof. Xhufit është lexuar me zell dhe me dëshirë, si pjesë e asaj propagande kombëtariste që sheh prapa KOASH-it dorën e shërbimeve sekrete greke dhe të qarqeve shoviniste anti-shqiptare në Greqinë fqinje; dhe jo si kontribut akademik-popullarizues, në një temë pak të njohur të historisë së shqiptarëve para Rilindjes.

Kjo do të shpjegojë edhe pse, nga disa prej komentuesve, Xhufi është mbrojtur dhe lartuar si apostull i ri “i shqiptarizmës”, çfarë tradhton edhe një keqkuptim të madh, në mos shtrembërim, të vizionit të një pjese të publikut, për rolin që u dashka të luajë historiografia dhe në përgjithësi albanologjia shqiptare, në epokën e sotme dhe në kontekstin e sotëm të fërkimeve ndërballkanike.

Për disa nga kundërshtarët e vet, prof. Xhufi është nga njëra anë pinjoll i nomenklaturës komuniste dhe i privilegjiuar i regjimit të vjetër; dhe nga ana tjetër, nostalgjik i Turqisë dhe praktikisht i paguar që të denigrojë ortodoksinë shqiptare, nga forca që nuk ia duan të mirën as ortodoksisë shqiptare, as shqiptarisë. Në këtë kontekst të ri, denoncimi i qëllimeve të vërteta të këtij autori shndërrohet në pjesë të përpjekjeve për të denoncuar rikthimin e osmanizmit në Shqipëri, së bashku me ri-Islamizimin e historiografisë dhe kushedi edhe të kulturës shqiptare. Ortodoksia shqiptare, KOASH-i dhe Anastasi paraqiten kështu si mbrojtës jo vetëm të fesë së krishterë mes shqiptarëve, por edhe të shqiptarëve vetë, nga “Turku”.

Degradimi i debatit publik në tema të tilla kafenesh vjen edhe si pasojë e padijes së pakufishme të një pjese të komentuesve, të cilët duket sikur zgavrat e arsimit gjysmak në shkollat e lënguara të trojeve shqiptare kryesisht pas 1990-ës i kanë mbushur me një turli dokrrash kombëtariste, kalamallëqesh dhe mitesh të cilat edhe idhullit të tyre, prof. Xhufit vetë, do t’ia ngrinin qimet e kokës përpjetë. Në vend që t’ua hidhte artikullin e profesorit për konsum anonimëve të Internetit, të cilët e kanë për profesion tashmë të kapardisen në role të gjykatësve, sidomos për çështje madhore të kombit, gazeta Dita do të kish bërë mirë të hapte një debat, mes historianëve dhe njerëzve të kulturës, përfshi këtu edhe klerikët, për ndriçimin e mëtejshëm të misionit të Shën Kozmait; ku të lejohej, me kujdes, edhe pjesëmarrja e njerëzve nga rruga, të cilët mund të bënin tek-tuk ndonjë pyetje. Por jo më shumë!

Kjo dukuri, kur një intelektual elitar sillet në faqet e gazetës kryesisht për t’u vënë me shpatulla për muri dhe për t’u marrë në pyetje, virtualisht, në lidhje me synimet e tij të hapëta dhe të fshehta, prejardhjen e tij dhe të familjes, e kështu me radhë, po shndërrohet tani në model sesi një pjesë e madhe e mediave shqiptare i ndërtojnë marrëdhëniet me lexuesit e tyre, kushedi me shpresë edhe se ashtu do të tërheqin më shumë vizitorë dhe klikime. Të gjithë ata që e lejojnë këtë të ndodhi, bëjnë mirë të mbajnë parasysh se janë duke dhënë ndihmesën e tyre për shkatërrimin e elitës së kombit; ose të njerëzve të mençur, të mësuar, të përgatitur dhe të gatshëm për përkushtim publik, të cilët një komb i shëndetshëm duhet t’i mbrojë me të madhe dhe për të cilët duhet të kujdeset deri në obsesion; qoftë edhe thjesht në emër të shqiptarisë.

Elitat një kombi i shkatërrohen, ose së paku i neutralizohen, duke ua minuar besueshmërinë; duke i marrë në pyetje, duke ua presupozuar fajin dhe “tradhtinë”, duke i sulmuar ad hominem, duke i përbaltur, duke i vënë përpara; dhe as që mund të imagjinohet që një njeri i kalibrit të prof. Xhufit të kthehet dhe t’u përgjigjet atyre që e quajnë “halldup”, “xhahil”, “historian gjize”; sikurse nuk mund të imagjinohet edhe që ai t’u kthehet atyre që duan ta shndërrojnë në flamur të anti-greqizmit, për t’u thënë se është para së gjithash historian dhe synon vetëm të nxjerrë në shesh të vërtetën, ashtu siç i rezulton nga kërkimet që ka bërë.

Më e rëndë akoma, është që kjo lukuni që ka zënë rezidencë në nevojtoret e komunikimit publik në Shqipëri është në fakt një pakicë numerikisht e papërfillshme, por shumë e zhurmshme dhe e vendosur në budallallëqet e veta; si mishërim i një dukurie që s’mund ta quaj dot ndryshe veçse “paranojë kolektive”, dhe që është produkt i kombinimit të padijes, arrogancës të kujt e di që nuk vlen asgjë, burracakërisë dhe anonimitetit të garantuar; dhe se faji kryesor për këtë katrahurë nuk u duhet ngarkuar atyre që shkruajnë pa emra dhe pa përgjegjësi (se ata aq e kanë metrin), por atyre të tjerëve, që ua mundësojnë të parëve këtë rol, madje i lejojnë të krijojnë personalitete ad hoc, të cilat mbështjellin në vetvete krejt pafytyrësinë e kujt nuk guxon t’i dalë zot fjalës së vet.

26 Komente

  1. Në përballjen Pëllumb Xhufi vs anonimë interneti, mbaj pa mëdyshje anën e të parit. Por për Pëllumb Xhufin vetë, në rolin dual si politikan dhe historian, do kisha shumë për të thënë, nëse konteksti i temës do e lejonte.

  2. Unë dorën në zjarr Shën Kozmain nuk e vë, por ca më pak edhe për prof. Xhufin.

    Natyrisht që është me vend të vërehet me brengosje mënyra se si turma i është turrur Prof. Xhufit; dhe ashtu siç e konstaton autori me të drejtë, kjo pakicë kaq e zhurmshme, nuk po lë të dali, e ca më pak të mbizotërojë ai zë i arsyes aq të dëshiruar.

    Po nga ana tjetër është më se evidente, që Prof. Xhufi është një nga ata “zjarrvënës tavolinash”, atyre demonëve ballkanikë, që ngrehur me kollare mbi skrivanitë e katedrave të tyre thurin preludet e operave të përgjakshme të thyerjeve masive të kafkave.

    Prof. Xhufi ka monopolizuar rolin e ekspertit, arkivarit të vetëm të të vërtetës të historisë së shqiptarëve, dhe e shpërdoron këtë pozicion për t’i hedhur benzinë zjarrit; dhe nëse ky nuk është ndezur akoma, ku ta marrë i pari shkrepësen e ta ndezë vetë.

    Një dreq e di, se pse u dashka analizuar kështu nga një historian një figurë historike, duke e vënë në kontekstin e një periudhe tjetër, disa shekuj më vonë, të cilës kjo figurë as edhe që i përket.

    Pa qenë historian, por duke qëndruar me këmbë në tokë, jam në gjendje të gjykoj, se në rastin e kësaj figure historike bëhet fjalë për dikë, i cili ka ndjerë një mision, dhe i është vënë pas që ta kryejë. Në shekullin e XVIII ka pasur njerëz me vizione të ndryshme, fetare apo laike, të cilët nuk mund t’i gjykojmë dot duke parë se çfarë kë ndodhur 250 vjet më vonë.

    Një njeri me një mision dashakeq e bën këtë. Një njeri me mision shkencor nuk e bën këtë. Prof. Xhufi flet nga maja e shekullit XXI për gjëra, të cilat mund të gjykohen vetëm në kontekstin e kohës. Por ky shkencëtar në shkrimin e tij, as që edhe e ka në plan fare t’i dallojë këto ndërvarësi historike të kufizuara ndër tyre vetëm brenda një epoke historike.

    Po a nuk është kjo detyra e një historiani, i cili pretendon t’i shërbejë shkencës?

    Po natyrisht që i krishteri misionar Kozma në shekullin XVIII do t’i thoshte popullsisë shqiptare të mësonte greqisht, pasi librat e shenjtë të fesë së tyre ishin të shkruara në greqisht.

    Natyrisht që krishteri misionar ballkanas do t’i bënte temena Sulltanit, pasi e para ja kërkonte koha (mbase këtu mund të bëhen vëzhgime për gjuhën eventuale të drunjtë të Shën Kozmait); dhe e dyta, dihet botërisht, që Porta e Lartë ju garantonte liri krejt të tjera besimtarëve të krishterë, nga ato që kishat e tyre të ndryshme ishin të gatshëm t’i garantonin njëra-tjetrës.

    Ja këtu mund të ulet dikush që do vërtetë të nxjerrë një gjë në dritë dhe të vejë re, që me gjithë përshtypjet që kemi ne sot për marrëdhëniet midis pushtetit administrativ të Portës së lartë dhe politikave të saj karshi kishave ballkanike, në fakt këto kanë jetuar në një lloj harmonie e tolerance disa shekullore. Ose që ajo legjenda e ndryshimit të fesë me dhunë është vërtetë legjendë, dhe se myslimanët ballkanikë u bënë myslimanë në vijim të proceseve të vetëkuptueshme të kohës, që nuk po duam t’i ndriçojmë gjë mirë, ngaqë nuk na përputhen me agjendat politike të shekullit të XXI.

    Edhe një herë. Sulmet personale që i bëhen qytetari Xhufi janë të një natyre kriminale dhe meritojnë jo vetëm përbuzjen ultimative, por edhe një impenjim qytetar për ta ruajtur integritetin personal të atij njeriu, pavarësisht se sa dakord mund të bihet me tezat e parashtruara prej tij. Por nga ana tjetër, ky njeri ka përgjegjësinë e tij të pafalshme, për frymën e urrejtjes që mundohet të mbjellë haptas me fqinjët mistrecë të kohës sonë, por me të cilët paraardhësit tanë kanë jetuar kryesisht në paqe e harmoni për shekuj me radhë; shekuj në të cilët kemi influencuar njëri-tjetrin aq shumë, saqë ndonjëherë nuk jemi në gjendje të kuptojmë dallimet.

    Që ka njerëz kriminelë, injorantë dhe të dhunshëm, kjo nuk është çudi. Për këtë janë shpikur policia, gjykata apo çmendinat. Çudia, të paktën për mua, fillon kur turma manipulohet kështu dalëngadalë, për t’i vënë flakën kohës ku jetojmë. Intelektuali publik Xhufi, me apo pa dashje, ka kontributin e tij në këtë proces dhe kjo është ajo që për mendimin tim meriton përbuzje.

    1. Një dreq e di, se pse u dashka analizuar kështu nga një historian një figurë historike, duke e vënë në kontekstin e një periudhe tjetër, disa shekuj më vonë, të cilës kjo figurë as edhe që i përket.

      Shen Kozma Etoliani ka luajtur nje rol thelbesor ne ‘paqetimin’ e miletit ‘grek’, dhe ne mbrujtjen e ketij mileti se nuk ka greke, sllave apo shqiptare, ka vetem ortodokse

  3. “Elitat një kombi i shkatërrohen, ose së paku i neutralizohen, duke ua minuar besueshmërinë”

    Në këtë rast bandën e sharësve edhe mund ta kategorizosh; Janë komentuesë të irrituar nga faktet që sjell z. Xhufi për veprimtarinë antishqiptare të kryepeshkopit Janullatos dhe pararendësit të tij Kozma Etolianit, përveçse në mos qoftë mes tyre edhe ndonjë tip që komenton drejtpërsëdrejti nga kompjuteri i spitalit psikiatrik.
    Këta nuk shqetësohen nga helenizimi i KOASH ndaj druaj se pak ju intereson edhe nëse shkatërrohen elitat shqiptare.
    Gjithashtu replika e klerikëve, siç fjalët “mesa duket, tradita e mbetur orthodhokse ne popullatën e trevave, ku kaloi Shen Kozmai, e shqetëson thellësisht autorin, aq sa ai përpiqet të deformojë të vërtetën historike” apo vetë fjalët e kryepeshkopit – që na rrëfen së fundmi për një “persekutim komunist” ndaj Kishës Ortodokse – shkojnë në të njëjtin drejtim të sulmeve ad hominen në komentet e sharrësve të gazetës Dita, dhe mesa duket paskan qenë mënyra e vetme që kanë gjetur për t’ju përgjigjur shqetësimeve legjitime mbi veprat e Janullatosit.

    ***
    Pifto ji i sigurtë; nuk ishte aspak, po fare, e natyrshme t’i bëje temenara sulltanit ndërsa suliotët luftonin për liri, siç nuk ishte e natyrshme t’ju kërkoje shqiptarëve ortodoksë që “Në ka burrë a grua të krishterë që do më jap fjalën se nuk do flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë këtu dhe unë do t’ia falë atij të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes”. As në shekullin XVIII apo as në shekullin VIII.

    Shqetësimet e P. Xhufit meritojnë përgjigje më të denja, edhe për faktin se i ndan me shumë shqiptarë të tjerë. Për dikë ndoshta gjithçka po ndodh me KOASh është e natyrshme, por ka të tjerë si puna ime që kur kanë shkuar në kisha ortodokse të vendbanime të tyre të origjinës e kanê dëgjuar priftin të meshojë greqisht, dhe pastaj t’jua arsyetojë ankesat me përgjigjen “nuk kam çfarë të bëj, jam i detyruar”. Dhe nuk mund të paktën të mos e themi se kjo dhe të tjera janë dhurata të padëshiruara të kryepiskopit.

    1. Për dikë ndoshta gjithçka po ndodh me KOASh është e natyrshme, por ka të tjerë si puna ime që kur kanë shkuar në kisha ortodokse të vendbanime të tyre të origjinës e kanê dëgjuar priftin të meshojë greqisht, dhe pastaj t’jua arsyetojë ankesat me përgjigjen “nuk kam çfarë të bëj, jam i detyruar”

      Unë kam krijuar një alergji të thekshme ndaj të këtillësh “plumbash qorrë”, si ky komenti, kështu më bëj një nder personal: më thuaj në cilin vend, në cilën kishë, dhe cili prift?

      Të bëj dhe një koment, për tezën e famshme se Shën Kozmai ishte dërguar nga Porta e Lartë për të shtypur kryengritjet “shqiptare”. Domethënë, për të shtypur kryengritje të armatosura, Porta e Lartë zgjodhi të dërgonte një murg, me raso dhe me bastun – dhe një fron që ia bëri dhuratë Ali Pasha. Ok. Herë tjetër besoj se për tiu përgjigjur kryengritjeve, do dërgonin një… Pëllumb.

      1. O Julius kalo anash, se nuk i vë dot ti në dyshim fjalët e mia. Pastaj çfarë do të ndryshonin detajet kur qenkam kaq i pabesueshëm dhe hidhkam “plumba qorr”? Pas emrit të priftit, vendit, datës, – çfarë, mos duhet të sjell edhe ndonjë video apo rregjistrim zëri të priftit? Mund të shkosh edhe vetë në jug në fund të fundit, merri vendbanimet me rradhë, prej Palasës në Sarandë dhe pastaj hajde të na shpjegosh se në çfarê gjuhe meshohet. Po ish presidentit A. Moisiut i beson kur shkruan i irriituar se i është meshuar greqisht në Labovën e Kryqit; Deklaratën mund ta kosultosh njëlloj edhe në të njëjtin forum që ke cituar.

        Për komentin e dytë; Pifto po shkruan se ishte e natyrshme ti bëje temenara sulltanit në atë kontekst etj,dhe po i përgjigjem vetëm idesë së tij. Gjeste të tilla nuk më duken të natyrshme, por madje shumë të ulëta.
        Ti për vete cito njëherë drejt atë që ka shkruar Xhufi, sigurohu edhe nëse e ka të mbështetur në fakte, dhe pastaj arsyeto, nxirr përfundime dhe bëhu sa sarkaztik të duash.

        Në fakt më intereson shumê të di se përse mbështetet nga shqiptarë dikush që ka 20 vjet në krye të KOASH dhe ende meshon greqisht në mes të Tiranës. Dhe që më tej, që i ka vizatuar afrekset e katedrales së re bardheblu (po të Tiranës) me shkronja greke?? Përpara se të më thotë ndonjë tip tjetër se po hedh edhe me këtë pyetje plumba qorr, le të kontrolloj njëherë më parën se mos është vetë ai gjysëm i verbër.

        1. Ore Gjergji, unë të dal përballë: emrin e priftit, vendin dhe kishën. Ti thuaje cila është. Përderisa po flitet për anonimë matrapazë në internet, shif mos e sheh veten në pasqyrë. Si i thonë anglisht: Put your money where your mouth is. Pse më dukesh se e gjen veten më rehat duke shtirë në ajër, tamam me plumba qorr. Bridh thotë nga Palasa në Sarandë. Është më e lehtë të më thuash emrin sesa të zë të bredh unë, apo jo? (Le që ka rrezik më ngatërrojnë me Shën Kozmanë, nëse e bëj).Më thuaj pra, cili na është ky prift. Që të jesh ti duke akuzuar një tjetër. Ti me emrin tënd, tjetrin me emrin e vet. Përndryshe broçkulla. Si të tjerat. Sa herë kam shkuar në kishë në Tiranë, është meshuar shqip. Përjashtim ka bërë përurimi i katedrales, ku u meshua në gjuhën e të gjithë hierarkëve të pranishëm.
          Ja për këtë të them pastërtisht se gënjen, dhe qëllimisht.

          Të jesh shqiptar, nuk është të jesh default anti-grek, nëse ti me Xhufin bashkë e konceptoni kështu, ngushëllime të sinqerta që të dyve. Po për ty veçanërisht, që më dukesh ortodoks nominal, kam dhe një këshillë: shko dhe vrit ndonjë grek, se sado gam-game të bësh në internet, flamurin e nacionalizmës nga dora Kreshnik Spahiut nuk ia heq dot. Shkronjat greke i përdorin se janë filogrekë si papa, që përdor christogramin – uh edhe kjo fjalë greke, pupu! http://en.wikipedia.org/wiki/Christogram#mediaviewer/File:Coat_of_arms_of_Franciscus.svg

          1. Në fakt nuk jam edhe aq anonim, pak a shumë emri dhe vendorigjina ime dihet. Kështu që gjysmën e informacioneve mund ta gjesh edhe vetë. Edhe fjalën e Janullatosit gjatë shenjtërimit të katedrales bardheblu e ke këtu; http://www.youtube.com/watch?v=HDmUDGwxNvg
            Megjithë pastërtinë tënde, nuk më duket sikur Janullatosi po flet në ndonjë dialekt shqip aty; flet greqisht dhe një klerik përkthen në shqip pas tij.
            E dyta; mos mi transformo fjalët për të më nxjerrë në fund gënjeshtar, shkruajta që “më intereson shumë të di se përse mbështetet nga shqiptarë dikush që ka 20 vjet në krye të KOASH dhe ende meshon greqisht në mes të Tiranës” dhe jo që “në kishën e Tiranës meshohet gjithnjë greqisht”. Këtê të fundit nuk mund ta di se nuk kam qenë nê çdo meshë të kryer në Tiranë.
            Dhe më mirë lëre mënjanë atë idenë e barizimit të Janullatosit me të gjithë grekët apo me fenë ortodokse, se nuk mallëngjen njeri.
            Të them të drejtën as nuk më intereson fare Janullatosi apo grekêt, por me të vërtetë më intereson të kuptoj përse ky mbrohet nga shqiptarë ndërsa nuk do të flasë shqip në kishë, i ndërton katedralet sipas modeleve arkitektonike greke (ose serbe në Shkodër) dhe nuk denjon të përdorê shkrimin shqip në afreske dhe ikona ?! Apo bëma të tjera që dihen.

          2. PS: harrova edhe këtë: Ai shkrimi IC XC është mbi një mozaik dhe jo në afreske. Ndërsa triagrami IHS ësht simbol katolik që mendohet se e ka origjinën në dy monograme, të ndryshme, greke dhe është sot në flamurin e Papës si një simbol jezuit, simbol i interpretuar prej tyre si Iesum Habemus Socis ose Iesu Humilis Societatis (Lucien Barou, 1998, f 297). Papa Françesko ka bërë pjesë në këtë urdhër më parë.
            IHS janë gërma latine gjithsesi ndërsa në greqisht IC XC i përkasin alfabetit grek, janë akronime të ΙΗϹΟΥϹ ΧΡΙϹΤΟϹ. Pra edhe shkronjat mbi mozaikun qëndror të katedrales bardheblu janë gjithnjë shkronja greke, apo kanë ndonjë kuptim që nuk e dimë në gjuhën shqipe ? Meqë u përmend Papa, edhe në Itali, në kishat ortodokse arbëreshe afrekset janë në shqip, ndaj sikur nuk ia vlen të kërkohen arsyetime nga më të çuditshmet vetëm pêr të mos e pranuar që Janullatosi punon për helenizimin e Kishës Ortodokse apo të paktën në atë të tempujve në kêtë rast.

        2. Gjergji
          Ju shkruani se ti beja temenara Sulltanit ne ate kontekst …ju duket jo e natyrshme, por madje shume e ulet”. Desha te vija ne dukje se lidhja e kishes ortodokse, sikurse edhe feve te tjera (sikurse ajo cifute apo edhe armene) nuk ishte lidhje armiqesor sic mund te na kene mesuar. Perkundrazi. PO kish lejuar lirine e kesaj kishe dhe ajo kish edhe patriarkun ne Konstandinopoje/Stamboll. Ndaj ne nje fare menyre nuk ishte aq e ulet pare nga kendveshtrimi i pushtetit kishtar ne lidhje me pushtetin qe e kish lejuar ekzistencen e saj ne kete perandori.
          Nje aspekt i dyte qe u diskutua ishte edhe thenja e cituar ““Në ka burrë a grua të krishterë që do më jape fjalën se nuk do flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë këtu dhe unë do t’ia falë atij të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes”. Nuk e di se sa kjo eshte e vertete. Di vetem se DavId Brewer ne librin e tij ” The Greek war of indipendence” i ve dicka te ngjajshme nje tjeter personazhi, nje prej ideatoreve te revolucionit grek Adamanthios Korais. Citoj ” Kur ne 1802 suliotet ne Greqine veriperendimore qne ne fazen e fundit te rezistences kunder sulmeve te Ali Pashes, i keshilloi ata, si shqip-foles ” kur te keni paqe, sillni ne keto vise nje mesues per te mesuar femijet tuaj te dashur ne gjuhen Greke. Kur luftetaret e Sulit do te mesojne se nga nga kane origjinen, askush nuk mund ti mposhte as me dredhi dhe as me force”.
          Ne rrethanat kur gjuha shqipe nuk shkruhej dhe ishte ende ne shpergenj edhe ne mendjet me te pergatitura te shqiptareve, e gjej te natyrshme si per Shen Kozmain dhe me pas per Korais, te jape kete keshille. Sigurisht nuk do te ishte kjo keshille per sllavet qe kishin gjuhe te shkruar ne ate kohe, ose te pakten nuk jam ne dijeni, sikurse do te ish jo e natyrshme ta thoshte nga fundi i shekullit XIX apo fillimi i shekullit XX.
          U ngrit edhe ceshtja e meshimit vecanerisht ne Palase. Une jam nga Himara dhe e di nga pervoja ime personale se ne tre fshatrat e Himares ku flitet greqisht, mesha behet greqisht. Flasim per Palasen, Dhermiun dhe Himaren. Serisht sepse popullsia autoktone flet greqisht. Nuk ndodh keshtu per fshatrat e tjera po te Himares qe flasin shqip.

          1. Christian ju shkruani:
            “Desha te vija ne dukje se lidhja e kishes ortodokse, sikurse edhe feve te tjera (sikurse ajo cifute apo edhe armene) nuk ishte lidhje armiqesor sic mund te na kene mesuar. Perkundrazi.”

            P. Xhufi sjell shembullin e Patriarkut me origjinë shqiptare Serafim II dhe në të njëjtën mënyrë në të njëjtën kohë ka vepruar Patriarku serb Arsenie VI, apo edhe një shekull më parë Arsenie III dhe Pjetër Bogdani. Egzistojnë sigurisht edhe shumë shembuj klerikësh grekë që nuk bënin temenara. Veprimet e Kishës dhe klerikëve gjatë sundimit osman janë pak më komplekse dhe shpjegohen edhe me vetë karakterin e klerikëve apo drejtuesve të institucioneve fetare. Dikush ka më shumë karakter e dikush ka më pak.
            Kërkova togfjalëshin “Meshë Sarande” në Google. Rezultati i pare eshte nje lajm per arrestimin e dy këngëtareve grekë, ndërsa i dyti nje lajm i ABC News i cili flet për njê meshë 2 oreshe në Sarandë. Gjeje në çfarë gjuhe është bërë! Kërkimi për fshatra të tjerë si Vuoni ose Qeparoi nuk dha asgjë. Njerëz nga Vunoi më kanë pohuar që bëhet në greqisht, por nuk mund ta vërtetoj dot.
            Ju shkruani se në Himarë, Dhërmi dhe Palasë meshat janë në greqisht. Për Dhërmiun e konfirmoj gjithashtu. Ndërsa zëdhënësi i KOASH shpjegon se :
            “Liturgjia hyjnore dhe të gjitha shërbesat në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë bëhen në gjuhën shqipe. Përjashtim bëjnë vetëm kishat që u shërbejnë minoriteteve, ku bëhen sipas gjuhës përkatëse amtare”, – ka thënë Dhima. Sipas tij, në zonat minoritare përfshihen ato të Mitropolisë së Korçës: Liqenas dhe Prespë; ato të Mitropolisë së Gjirokastrës: zona e Dropullit – të dyja këto zona të minoriteteve greke, dhe Vraka, që është në afërsi të Shkodrës, ku ka minoritet sllav. “Në të gjitha kishat e tjera, pra dhe në Labovën e Kryqit, shërbesat bëhen në gjuhën shqipe”, – ka theksuar Dhima.” Burimi: http://www.balkanweb.com/gazetav5/newsadmin/preview.php?id=134515
            Tani, a mund të arsyetoni duke u nisur prej fjalëve të Th Dhimës dhe a jeni në gjendje të thoni se kush gënjen në këtë rast; ju dhe unë, ish-presidenti Moisiu apo KOASH?
            Ju shkruani;
            “Nje aspekt i dyte qe u diskutua ishte edhe thenja e cituar ““Në ka burrë a grua të krishterë që do më jape fjalën se nuk do flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë këtu dhe unë do t’ia falë atij të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes”. Nuk e di se sa kjo eshte e vertete. Di vetem se DavId Brewer ne librin e tij ” The Greek war of indipendence” i ve dicka te ngjajshme nje tjeter personazhi”

            Në shkrimin e P. Xhufit është edhe referenca.

  4. Ka pasur një kohë, ironikisht 10 vjet më parë, kur edhe nëpër blogje anonimësh, shkruhej për çështje të tilla më me elokuencë dhe koherencë historike – sesa në artikujt e gazetave të sotme. Ironia tjetër, është se historiani Pëllumb Xhufi, në këtë link, do të klasifikohej ndër komentuesit më pedantë.

  5. Artikulli i Xhufit, pa hyre fare ne permbajtjen e tij, kishte probleme me disa parametra formale.

    Se pari, vendi: gazetat nuk jane vendi i pershtatshem per artikuj te kesaj natyre. Xhufi mund te kishte botuar nje studim historik mbi Shen Kozmain ne nje periodik te specializuar per punime historike. Te mos harrojme se objekti i shkrimit ishte nje figure per te cilen eshte shkruar shume e nuk mund t’i vihet vula me dy faqe gazete pa marre parasysh gjithe ç’eshte thene e shkruar per te.
    Xhufi ben mire qe, krahas punimeve shkencore, boton edhe shkrime divulgative, por duhet nje mase edhe ketu. Divulgimi i tepert rrezikon te vulgarizoje jo vetem objektin e trajtuar, por edhe autorin.

    Se dyti, toni, i cili m’u duk pak si shume tendencioz.

    Se treti, prejardhja fetare dhe perkatesia ideologjike e autorit. E mira do te ishte qe nje diskutim i tille te behej ne gjirin e kishes ortodokse autoqefale shqiptare nga studiues dhe klerike ortodokse. Perndryshe nuk me duket fort etike te diskutosh personazhe dhe figura te nje feje se ciles nuk i perket.

    1. Replaso, po sikur objekti i shkrimit mos të jetë në vetvete “Kozma Etoliani” apo “Veprimtaria fetare e Kozma Etolianit” por ashtu siç e thotë titulli dhe siç vijon shkrimi “misioni helenizues i shën Kozmait nê Shqipëri”. Në këtë rast të tretë çfarë rëndësie do të kishte prejardhja fetare e autorit kur po flitet për një problem politik siç ështê helenizimi?

      1. Ne te gjitha rastet problemi etik eshte gjithnje po ai: rrezikon te prekesh sensibilitete dhe te fyesh ndjenjen fetare te besimtareve.

        Po te sjell nje shembull ekstrem. Me ka qelluar te lexoj disa shkrime historike qe e nxjerrin ne drite fort te keqe figuren e Muhametit si udheheqes politik, po u marre fare me aspekte teologjike. Per te mos folur pastaj per disa analiza te jetes se tij private qe e nxjerrin pedofil. Shkrime te tilla per mua mbeten njelloj problematike nga pikepamja etike, pikerisht sepse prekin sensibilitete dhe fyejne ndjenjen fetare te besimtareve.

        1. Nëse thuhet e vêrteta pa pasur qëllim në vetvete fyerjen e besimtarëve nuk besoj se ka ndonjë problem etik. Natyrisht bëhet fjalë për një shenjt të Kishês ortodokse dhe mund të preken disa sensibilitete. Veç në anën tjetër, çdo ditë të vitit ndodh që studiuesë, shkencëtarê e madje edhe mësuesë tê klasave fillore – pa e pasur këtë në synim – ngacmojnë ndjenjën fetare të besimtarëve. çfarë do bêjmë, do t’ju kërkojmë te gjithëve të heshtin?

        1. Duke mos dashur të hyj në lojëra termash (që na i vështirësojnë kuptimin e ngjarjeve historike) nuk po e përdor fjalën “kombëtare”, por ka pasur gjithnjë një ndërgjegje dhe identitet etnik, në çdo kohë prej kur shkruhet historia. Shkruan historiani John Fine (Fine, 1983, f 82) mbi helenizimin e sllavëve të Peleponezit në shekullin IX:
          “Reinstalimi i grekëve dhe vendosja e një metropoliti në Patras kontribuoi në rehelenizimin e Peleponezit; dhe meritë e madhe për këtë i duhet dhënë politikës së perandorit Niqifor. Nëpërmjet fushatave të tij dhe politikës së reinstalimit (të bërë të mundur nga fushata e tij e suksesshme). Greqishtfolësit e sjellë në zonë absorbuan dhe dominuan sllavët (të ndihmuar nga administrata e restauruar dhe Kisha, konvertimi i sllavëve prej së cilës ishte faktor i rëndësishëm në rehelenizimin e tyre). Edhe pasi një liturgji sllave ishte krijuar në mesin e shekullit të nëntë (e mbështetur nga bizantinët për shtetet e huaja sllave), bizantinët nuk lejuan liturgjinë sllave brenda atyre që i ndjenin se ishin territore greke.”

          1. po pikerisht, e the edhe vete. ne shek. e i xkishte nje shtet, ate bizantin. kishte politike, ri-popullsim zonash, diplomaci etj. po ne shek. e xviii nga do behej helenizimi? nga nje prift me nje ungjill ne dore?

          2. Priftërinj me një ungjill në dorë kanë bërë çudira por, në këtë rast rëndësi ka qëllimi i mirë (apo i keq, sipas kêndvështrimit)!

  6. Në fakt, unë prandaj edhe kisha zgjedhur pikërisht reagimin ndaj temës së shkrimit të Xhufit; sepse është temë kontroversiale, që mund t’i prekë njerëzit në dije që i mbanin për të mirëqena, ose që i kanë vënë (flijuar) në themelet e identitetit. Tema të tilla mund të ngjallin zemërim refuzues te lexuesi – por a mjafton kaq, për t’i mbushur komentet me fëlliqësira? Në fakt, unë për këtë do të kisha dashur edhe të diskutoja, pa çka se debati këtu iku për lesh, për ta thënë me një shprehje të urtë popullore. Mua kjo puna e Shën Kozmait më intereson në mënyrë fare margjinale; por dhuna verbale në mediat më intereson shumë më tepër, sidomos edhe në raport me dhunën e supozuar të shkrimit “çmitizues” të Xhufit. Të tjerë kanë reaguar në të njëjtën mënyrë, ndaj çmitizuesve të tjerë, p.sh. Schmitt-it ose Lubonjës ose Klosit vetë; kanë vjellë ndyrësira, kanë kërcënuar, kanë shkelur me këmbë emra dhe dinjitete figurash publike. Dhe këtu kemi një problem që – të më falin kolegët – nuk ka lidhje me Shën Kozmain; sepse në vend të Shën Kozmait mund të ishte një figurë tjetër ose edhe një argument tjetër. Ka lidhje, përkundrazi, me raportet e njeriut publik me anonimitetin. Por me sa duket kjo na mbetet për ta debatuar në shkrimin e ardhshëm.

    1. E ç’ka ketu per te debatuar? Te gjithe e dime (po kesaj here te gjithe e dime vertet 🙂 ) se ne shqiptaret jemi popull me nivel te larte agresiviteti dhe vulgariteti verbal. Fjalen e fundit ta themi te paren dhe shpesh vritet burri per nje fjale goje.

      Mua nuk me shqeteson shume agresiviteti dhe vulgariteti i komentuesve anonime sesa me shqeteson ai i elitave tona kulturore dhe politike. Kur politikanet tane flasin si halabake, ç’mund te presim nga populli komentues?

      1. Shkruan:

        Mua nuk më shqetëson shumë agresiviteti dhe vulgariteti i komentuesve anonimë

        Të kuptoj mirë 🙂 Sa kohë që edhe ty nuk të ka ndodhur kështu:

        Kjo në një debat për një temë që nuk ka lidhje me mua.

        Ja edhe një shembull tjetër, nga “Dita” e djeshme – në përgjigje të letre që kish shkruar dikush për Artan Fugën:

        Në të dy rastet, dhuna verbale vjen falas, pa paralajmërim, e paprovokuar.

        Më thuaj, Relapso, kur ka qenë hera e fundit që të kanë quajtur zagar, kallam, koqe, plehurinë në publik, dhe askush nuk ka reaguar? Dikur kësaj i kanë thënë fashizëm; sot e quajnë “na duhen klikimet” – por efektet janë të njëjta.

        1. “Në publik” ndoshta është fjalë e madhe. Sa vetë kanë kohë të lexojnë 100 komente të Ditës apo Temës, sidomos pas një “përgjigjeje që kishte shkruar dikush për Artan Fugën”?!. Për vete në gjithë javën kam lexuar vetëm një shkrim tek Dita, një intervistë të djeshme. Të tjerêt nuk dukeshin interesantë ose nuk kam pasur kohë, ndërsa për komentet poshtë shkrimeve as që bëht fjalë. Ndoshta kêta që shkruajnë janë tipa që u pëlqejnë thashethemet; A Vehbiu është kështu, ky tjetri pak më ndryshe, ai është dashnori i asaj! Po të mos e kishin hapësirën në gazeta kush e di do të mblidheshin në shkallët e pallatit apo ndonjê kafene për të bërë të njëjtën gjë.

  7. Ç’te te them… te drejte ke! Mua nuk me ka ndodhur jo sepse jam burre me i mire, por thjesht se nuk shkuaj ne gazeta.
    Ketu fajin nuk e kane komentuesit, por gazetat dhe moderatoret qe i lejojne keto pislleqe.

  8. Tani më lajmëruan – se nuk e kisha ditur – se artikulli i P. Xhufit qënka i vitit 2004 (të paktën). Duket sikur, kush e ka ribotuar, e ka mbajtur gati në pisqollë dhe e ka shkrepur kur është (ri)nxehur kuvendi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin