Lajmi që u dha nga gazeta italiane “Il Messaggero”, me titull “La rivincita dell’Albania, arrivano gli italiani a cercare lavoro” (5 qershor 2014) kaloi jo vetëm Adriatikun por edhe dete të tjera, duke u përhapur me shpejtësi edhe në ujërat e internetit. Në fakt, lajmi u njoftua si nga mediat shqiptare, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, për t’u kthyer sërish në atdhe.
Informacioni statistikor u dha fillimisht nga Ministri i Mirëqenies sociale, Erion Veliaj, gjatë vizitës zyrtare në Itali, çka u konfirmua edhe gjatë aktivitetit që u zhvillua në Romë më 15 maj 2014 (i moderuar prej meje), ku eksponenti qeveritar informoi publikun dhe gazetarët se në Shqipëri punojnë e jetojnë aktualisht 19 mijë italianë.
Shifra i befasoi të pranishmit në sallë sikurse lexuesit e lajmeve pasuese. Pa dyshim, kemi të bëjmë me numër të konsiderueshëm, çka ndez kërshërinë e kujtdo. Që ta kuptojmë më mirë rëndësinë e kësaj shifre dhe për ta justifikuar impaktin që pati në publik, mjafton të bëjmë dy llogari të thjeshta për të parë se në përqindje dukuria e tregon qartë entitetin e saj. Në qoftë se do t’i kthenim 500 mijë shqiptarët me banim në Itali në përqindje mbi popullsinë vendase, do të vërenim se nuk janë aq larg nga përqindja e italianëve me banim në Shqipëri.
Pra lajmi qëndron, ndaj gazetarja italiane Angela Padrone ka bërë mirë që e ka dhënë, aq më tepër që shifra është rikonfirmuar nga institucionet shqiptare. 19 mijë italianë në Shqipëri nuk janë pak, e pavarësisht se titujt e gazetave zakonisht i emfatizojnë lajmet, për arsye mediatike, mbi të gjitha duhet parë tendenca e dukurisë se imigracionit në Shqipëri. Numri flet qartë, të paktën lidhur me tendencën.
Pasi kujton historinë e emigracionit shqiptar drejt Italisë, këtu e njëzet vjet më parë, gazetarja italiane përmend të dhënat e sotme zyrtare: “Janë 19 mijë italianët që kanë lejeqëndrimi për punë e studim. Shifër e konsiderueshme në një vend me pak më shumë se 3 milionë banorë. Nga universiteti tek call center, restorantet, ndërmarrjet e vogla, italianët në dy vitet e fundit janë shumëfishuar”.
Gazetarja më citon edhe mua, praktikisht pjesën kur i fola për rolin që ka emigracioni shqiptar në tërheqjen e investitorëve të huaj, në rastin tonë të italianëve. Fenomeni është i njohur teorikisht, por edhe në praktikë; ka shumë shqiptarë që pasi punojnë për një farë kohe në Itali bëhen “promovues zhvillimi” për vendin e tyre, duke i ftuar sipërmarrësit e huaj të investojnë në vendin e tyre, madje duke dhënë kontribut personal, shpeshherë duke u kthyer përkohësisht ose përfundimisht në atdhe.
Një pjesë e italianëve në Shqipëri janë imprenditorë që kanë hapur aktivitete ekonomike. Janë rreth 500-600 ndërmarrjet italiane që punojnë në Shqipëri. Në artikull citohet zv/presidenti i Dhomës italiane të Tregtisë, Luigi Nitido, i cili përmend edhe kategorinë e pensionistëve, që vijnë në vend për arsye se kostoja e jetesës është e ulët. Me sa duket bëhet fjalë për pensionistë italianë, që nuk ia dalin të jetojnë mirë me pensionin e vet në Itali dhe parapëlqejnë të jetojnë në vendin e vogël fqinjë ”një orë larg me avion”.
Së fundi përmendet kategoria e studentëve në mjekësi, ata që nuk kanë pasur mundësi ta kalojnë provimin e hyrjes në Itali dhe janë regjistruar në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, që bashkëpunon me universitetin e Romës “Tor Vergata” dhe ku japin mësim profesorë italianë.
Para se ta mbyllë artikullin me klimën pozitive në vend, gazetarja italiane përmend me të drejtë punëtorët italianë që kanë ardhur në Shqipëri për arsye nga më të ndryshmet, nga kriza e rëndë ekonomike deri tek arsyet familjare meqë, shumë qytetarë italianë e kanë burrin ose gruan me origjinë shqiptare.
Dukuria e imigracionit në Shqipëri, pra ardhja e të huajve në vend, nuk po bëhet për herë të parë. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as lajmet, as përsiatjet e studiuesve. Vetëm një vit më parë vihej re me kujdes prania e të huajve në Shqipëri, pavarësisht se munguan analizat përkatëse. Kujtojmë se sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, gjatë vitit 2012, në Shqipëri u dhanë 2.499 leje pune për të huajt, pjesa më e madhe e të cilave në kryeqytet. Sipas shtetësisë, vendin e parë e zinin turqit me474 vetë, kurse italianët me 372 shtetas (15% e numrit të përgjithshëm) zinin vendin e tretë.
Për fat të keq, kemi në dispozicion vetëm shifrën e përgjithshme të italianëve në Shqipëri (19 mijë). Mund të mendohet se midis tyre ka sipërmarrës, nëpunës, specialistë, punonjës të thjeshtë, studentë, pensionistë, etj. Tek sipërmarrësit mund të futen ndërmarrjet e shumta që veprojnë në sektorin energjetik, bankar, agroushqimor, ndërtimor, shërbime, e kështu me radhë. Nuk është rastësi që përmenden call center-ët, sektor që ka pasur rritje progresive vitet e fundit, falë njohjes së gjuhës italiane, por edhe prania e të ashtuquajturëve fasonë (prodhimi i veshmbathjeve).
Pamundësia për ta nyjëtuar shifrën e përgjithshme krijon probleme jo vetëm me identifikimin e kategorive, por edhe të politikave që duhen ndjekur si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Italia. Sa prej numrit të përgjithshëm janë studentë, dhe sa prej tyre punojnë ndërkohë që ndjekin studimet? Sa janë punëtorë të thjeshtë, pra të punësuar, dhe sa janë sipërmarrës ose të vetëpunësuar? Nuk përjashtohet që mes italianëve të ketë jo vetëm familjarë të qytetarëve shqiptarë, por edhe ish qytetarë shqiptarë që mund ta kenë humbur dikur shtetësinë shqiptare. Nuk do të ishte pa interes të shikonim edhe grupmoshat e tyre, sikurse do të ishte interesante kohëzgjatja e kontratave të punës, ose vetë kohëqëndrimi i tyre në Shqipëri.
Nga shtypi jemi njoftuar për raste të veçanta, që kanë rëndësinë e vet. Tek e fundit, ato e gjejnë konfirmimin edhe tek përvoja jonë personale, meqë njohjet dhe lidhjet personale e ndihmojnë njohjen sociale. Vetë shtypi italian na ka informuar për një prani të larmishme, edhe sipas moshës. Fillimisht në Shqipëri vinin italianë sipërmarrës, tani ka punëtorë të thjeshtë, artizanë, elektricistë, saldatorë, mekanikë, etj. Por nuk mungojnë avokatët, mjekët, arkitektët. (shiko artikullin “Italiani d’Albania: I migranti ora siamo noi”, La Repubblica, 1 nëntor 2013). Të gjitha këto informacione dëshmojnë për kundërshti të pamohueshme, sepse figura profesionale si ato të mësipërmet, nuk është se mungojnë në Shqipëri, çka kërkon hulumtime të tregut të punës.
Edhe sikur të ishin të detajuara, shifrat e italianëve në Shqipëri nuk do të na thoshin shumë për arsyet e ardhjes. Por nga intervistat e dhëna deri më sot, duket qartë se vijnë për motive të ndryshme. Ka investitorë, por edhe të punësuar. Edhe pse jo shteruese, këtu duhet të huazojmë teorinë klasike të sociologjisë së migracionit, lidhur me faktorët shtytës e tërheqës. Sepse, ndërsa nga një anë kemi krizën italiane, që e ka bllokuar ekonominë prej vitesh, duke shkaktuar papunësi të madhe, kryesisht tek të rinjtë, nga ana tjetër kemi ekonominë shqiptare, që ndoshta nuk lundron shkëlqyeshëm, por ka ende hapësira rritjeje; e mbi të gjitha ka një lloj vitaliteti që nuk vihet re në ekonominë e lodhur italiane. Në qoftë se tregu italian i punës i shtyn qytetarët t’i hedhin sytë drejt horizonteve të tjera, ekonomia shqiptare me hapësirat potenciale të një vendi në rritje i tërheq natyrshëm.
Që monitorimi i shifrave është i domosdoshëm – që këtej apeli ndaj institucioneve shqiptare për ta ushqyer publikun periodikisht e me përpikëri me statistika të besueshme – e tregon edhe situata e studentëve italianë në Shqipëri; situatë që mund të ndryshojë, sidomos pas ndryshimit të ligjit italian për pranimin në universitetet e mjekësisë. E njëjta gjë vlen për të punësuarit e sipërmarrësit, numri i të cilëve mund të ndryshojë në vartësi të kushteve të reja. Migracioni, e në përgjithësi lëvizja midis dy brigjeve të Adriatikut, do të ishte termometër i shkëlqyer i ecurisë socioekonomike të dy vendeve.
Edhe pse pa shifra, ajo që ka rëndësi thelbësore është “e dhëna” kulturore e shkëmbimit midis dy vendeve. Pavarësisht nga saktësia e numrave, siç e thamë, statistika na paraqet më shumë një lloj tendence, që në rastin tonë rezulton fare qartë. Ky shkëmbim është tejet pozitiv nga shumë pikëpamje, duke filluar nga zhvillimi dhe integrimi i vendit në ekonominë europiane, por pa lënë mënjanë aspekte të tjera që kanë të bëjnë me bashkëjetesën, identitetin, shtetësinë, ndryshmërinë, qëndrimin ndaj Tjetrit, etj. Janë probleme që sot duken të dorës së dytë, por në fakt përbëjnë themelin dhe sfondin e dukurive që sot i shikojmë në media.