Si faktor që e merr në pyetje pushtetin ndaj informacionit, whistleblowing-u mundësohet vetëm në ato shoqëri ku është vendosur tashmë një drejtpeshim midis tejdukshmërisë së plotë dhe sekretit; në kuptimin që nuk mund të presim të gjejmë whistleblowers në komunitete të mbyllura, ku gjithkush di gjithçka për gjithkënd; ose në shoqëri të organizuara vertikalisht, si ato totalitaret dhe autoritaret, ku pushteti përkufizohet edhe si aftësi për të kontrolluar dhe kufizuar qarkullimin e informacionit dhe dijen në përgjithësi.
Në rastin e Shqipërisë, kjo merr rëndësi, meqë shteti shqiptar ka një traditë të gjatë si shtet totalitar, dhe një traditë edhe më të gjatë si shtet autoritar, ku e drejta e qytetarit për t’u informuar nuk përfillet dhe ku zotërimi i informacionit, sidomos i atij të rëndësishëm, është prerogativë e pushtetarit.
Për të kuptuar si organizohej zotërimi i informacionit në totalitarizëm, bëjmë mirë të nisemi nga një thënie tashmë e famshme e ish-sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Rumsfeld, i cili pat vërejtur një herë se “ka gjëra të ditura, që dihen; ka edhe gjëra të paditura, që dihet se janë të paditura; dhe më në fund, ka gjëra ta paditura, që nuk i dimë.” (Këtyre tre fytyrave të dijes, Zhizheku u shtoi gjysmë me shaka një të katërt: gjëra që i dimë, por që nuk e dimë se i dimë.)
Gjithsesi, në totalitarizëm informacioni organizohej në mënyrë të tillë, që roli i gjithsekujt, brenda shoqërisë totalitare, përcaktohej nga ajo çfarë dinte, ajo çfarë mund t’ua komunikonte të tjerëve, dhe ajo çfarë nuk dinte. Kriteri i parë, ose “ajo çfarë dinte”, kishte lidhje me sekretin – ose me një dije që nuk mund të komunikohej.
Çdo shtet ka sekretet e veta, por në rastin e regjimit komunist në Shqipëri kemi të bëjmë me një sistem pushteti i cili u konceptua si konspirativ që në origjinë; meqë grupet komuniste, që i paraprinë PKSh-së, ishin të organizuara rreth sekretit, dhe jo vetëm për arsye rrethanore. Përkundrazi, ruajtja e sekretit dhe shpërndarja e dijes mes anëtarëve të grupit më parë dhe të partisë më pas shërbenin si mënyrë për të rregulluar hierarkitë brenda organizatës dhe për të disiplinuar anëtarët.
Shpesh një nga këto sekrete lidhej drejtpërdrejt me krimin iniciatik, që kishte përftuar grupin (p.sh. një vrasje rituale); një dukuri që sot e ndesh edhe në grupet mafioze ose në gangs.
Në fakt, PKK-ja mbeti organizatë sekrete, ose e papërmendur në publik, edhe pas vitit 1945; madje edhe kur u vendos “legalizimi” i saj, mbledhjet e organizatës bazë të Partisë dhe më tej (deri te plenumet e KQQ-së) mbeteshin me dyer të mbyllura dhe publikut si rregull i njoftoheshin vetëm rezultatet, ose “vendimet”.
Afrimi i një individi me pushtetin do të shprehej jo vetëm me dhënie të përgjegjësive etj., por edhe duke ia dhënë këtij individi në ngarkim disa sekrete; dhe administrimi i sekretit ishte po aq pjesë e pushtetit sa edhe restriksioni i informacionit.
Natyrisht, në atë kohë mediat e lira nuk ekzistonin, dhe as mundësia që shtypi të ndërmjetësonte sekretin, duke ia bërë të ditur publikut; prandaj ruajtja e sekretit kishte të bënte, sa i përket veprimtarisë organizative, me kufizimin e pjesëmarrjes; dhe sa i përket informacionit, me kontrollin ndaj shpërndarjes.
Vitet 1960 ishin vërtet vite të revolucionarizimit, edhe sa i përket marrëdhënieve të PPSh-së me masat; por fletë-rrufetë, të cilat u nxitën me të madhe nga vetë kupola e Partisë, shërbyen më tepër për të nxitur luftën e klasave në bazë dhe për të trembur kuadrot e mesme dhe intelektualët; ose për të krijuar një buffer midis energjisë “revolucionare” të masave dhe pushtetarëve të lartë.
Në atë kohë dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarit që pasoi, rolin e whistleblower-ve e luajtën veçanërisht “letrat nga populli”, herë të nënshkruara dhe herë anonime; të cilat ndonjëherë iniciuan deri edhe spastrime të mëdha brenda kupolës, si në rastin e “grupit të sabotatorëve të naftës”. Megjithatë, është për t’u shënuar se këto letra, që i drejtoheshin udhëheqjes, zakonisht Enver Hoxhës, nga njerëz të thjeshtë në bazë, asnjëherë nuk bëheshin publike, madje edhe kur përdoreshin për t’i vënë kuadrot me shpatulla pas murit.
Prandaj letra të tilla janë më tepër kundërvlerë e raporteve informative të Sigurimit të shtetit, sesa si dukuri të mirëfillta të whistleblowing-ut; pavarësisht nga synimet që mund të kenë pasur autorët e tyre.
Përndryshe, kontrolli i dijes dhe i informacionit që qarkullonte brenda shoqërisë totalitare mbetej i plotë; dhe sekretit i kundërvihej jo informacioni, por dizinformacioni (ose gënjeshtra).
Si rregull, nuk ishte e ndaluar të dije diçka, por vetëm t’ia përcillje këtë diçka të ndaluar tjetrit; gjërat që ishin sekret ishin edhe, ndryshe, gjëra që nuk thuheshin.[1]
Ky bllokim-qarkullimi i dijes, i shoqëruar edhe me ndalimin për t’i thënë disa gjëra, ose tabunë (p.sh. sëmundjen e Enverit), modeloheshin sipas organizimit që i bëhej hapësirës në totalitarizëm, meqë edhe aty individit i ndalohej qarkullimi i lirë në disa zona – p.sh. në bllok, dhe sidomos largimi i paautorizuar nga territori shtetëror, ose “arratisja”.
Për këtë arsye, ata të arratisur që vendosnin t’u jepnin informacion mediave të andejme për realitetin në Shqipëri kishin një shans të luanin rolin e whistleblower-it, sa kohë që besonin se ky informacion do t’i ndihmonte sadopak publikut në atdhé; p.sh. duke folur për dhunën e organizuar, të burgosurit politikë, varfërinë e tregut, etj.
Është për t’u habitur sa pak dihej në Perëndim për Shqipërinë totalitare, çfarë nuk përligjet dot vetëm me indiferencën ndaj këtij vendi të vogël të paangazhuar dhe bindjen se Shqipëria vetë nuk përfaqësonte kurrfarë rreziku për të tjerët. Në fakt, kjo mungesë informacioni lidhet drejtpërdrejt me mënyrën si ishte organizuar dija brenda shoqërisë shqiptare; në kuptimin që të arratisurit nuk kishin ç’të ofronin.
[Në këto rrethana, deri edhe informacioni se një diplomat i rangut të ulët (I. Zh.) në misionin e Shqipërisë në OKB do të kthehej në atdhé për të operuar hemorroidet do të konsiderohej me aq interes nga një informator i CIA-s, sa të gjente rrugën në raportin e tij për takimin në fjalë.]
Madje, falë një mekanizmi psikologjik të vetëkuptueshëm, meqë një pjesë e mirë e dijes ishte sekret; dhe një pjesë e mirë e sekretit ishte edhe tabu, atëherë shpërfaqja e informacionit rregullisht do të përjetohej si shkelje e një tabuje elementare; dhe çdo kërkesë për informacion rrezikonte të perceptohej si provokim. Në fakt, askush nuk e dinte se ç’pjesë e informacionit që zotëronte ishte edhe i lejuar që ta përcillte lirisht në publik.
Imponimi i sekretit si tabu kishte edhe një tjetër efekt: e drejta e fjalës, si e drejtë elementare, do t’i përhihej shqiptarit si e drejtë për “t’i rënë bilbilit”, ose për të denoncuar; sikurse edhe ndodhi gjatë periudhës së agonisë së regjimit Alia dhe në muajt e parë gjatë ndërrimit të sistemeve, kur shumë qytetarë e realizuan lirinë e tyre për të folur duke “zbrazur barkun”, ose duke nxjerrë në shesh gjithçka që kishin qenë të detyruar të mbanin brenda vetes më parë (prirja e tipit “ju rrëfej” që, në një formë a në një tjetër, ka vazhduar me vite).
Nga kjo situatë përfituan të gjithë, madje edhe ato qarqe që ishin përlyer rëndë gjatë regjimit të mëparshëm; që këtej edhe dizinformimi që pushtoi faqet e mediave, gjatë viteve të para të dekadës 1990; meqë pikërisht kur erdhi momenti për t’u thënë disa të vërteta, këto u mbytën sakaq në llumërat e gënjeshtrave, shpifjeve, dhe teorive të komplotit; në një kohë që edhe vetë mediat u tunduan të ngatërrojnë informimin për të fshehtat private të personazheve publike me whistleblowing-un e mirëfilltë.
[1] Kështu do të vendoset në kontekstin e vet edhe dukuria jashtëzakonisht e përhapur e thashethemeve, të cilat kompensonin mungesën e informacionit zyrtar dhe publik; dhe që regjimi, edhe pse në dukje u përpoq t’i luftonte, në të vërtetë ishte kryesisht i interesuar që t’i përdorte për interesat e veta, kryesisht në funksion të dizinformimit.