Gjatë javëve që qëndrova në Shqipëri, veçanërisht pasi u nderova me çmimin “Ardian Klosi” në Festivalin e Librit dhe të Filmit në javën e fundit të prillit 2014, më thirrën të marr pjesë në një numër emisionesh në TV dhe në radio, disa prej të cilëve nga më të ndjekurat prej publikut shqiptar.
Me këtë rast, mes kakofonisë së zakonshme të Web-it 2.0, u dëgjua ndonjë zë – rigorozisht anonim – që vërejti se unë po shëtisja nga një media në tjetrën, edhe pse dikur e kisha kritikuar këtë dukuri.
Natyrisht, askush nuk është i detyruar të më shohë fytyrën dhe të më dëgjojë zërin – mjafton të ndërrojë kanalin. E megjithatë, e ndiej të nevojshme të sqaroj se këto dalje të miat në mediat, sidomos në televizion, gjithnjë kanë qenë në shërbim të librit “Sende që nxirrte deti” dhe kanë synuar ta promovojnë për publikun.
Nuk më duket se ka gjë për t’u qortuar, kur një autor ftohet në studio televizive për të folur për librin e vet që sapo ka fituar një çmim kombëtar; dhe sidomos kur këto ftesa vijnë nga vetë drejtuesit e emisioneve.
Çfarë është për t’u qortuar, përkundrazi, është që promovimi i një libri të suksesshëm mbetet i varur nga nisma personale dhe subjektive; dhe nuk është pjesë e ndonjë përpjekje të organizuar nga palët e interesuara.
Gjithsesi, tani që kam ikur tani nga rrëmuja dhe rrëmeti i Tiranës, për t’u kthyer në qetësinë bukolike të New York-ut; dua t’u shpreh mirënjohjen Ilva Tares, Brikena Goces, Alban Dudushit, Aleksandër Furrxhiut, Rezear Xhaxhiut dhe Demir Gjergjit, që më dhanë mundësinë e vyer të bisedoj shtruar me ta, dhe nëpërmjet tyre, edhe me publikun tim.
Autorë të tjerë, njëlloj të meritueshëm sa unë, në mos edhe më tepër, nuk e kanë pasur këtë fat; dhe të ishte në dorën time, do t’i kisha zbrazur studiot televizive nga politikanët, për t’i mbushur me shkrimtarë, artistë dhe njerëz të kulturës.