Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kinema / Media

ASGJË E RE NGA FRONTI

Cavaliere_di_KrujaKur flasim për përfaqësim të realitetit, ose për realitet të mediatizuar, nënkuptojmë atë realitet që na vjen nëpërmjet mediave. Njohësit e këtij procesi e dinë mirë se publiku zakonisht konsideron realitet atë që të fakt është produkt i një procesi të mediatizuar. Kështu, për shembull, realiteti që na vjen nga ekrani i një televizori merret si i mirëqenë,si i tillë, pavarësisht se është përfundimi i një procesi që fillon me seleksionimin e pamjeve, vijon me filmimin e tyre e pastaj me përpunimin e videos. Me pak fjalë, nga telekamera tek ekrani, madje edhe tek spektatori vetë, subjektiviteti është i kudogjendshëm.

Mirëpo sot, kur flasim për rolin e mediave në ndërtimin e realitetit social, madje edhe kur prekim tema delikate si manipulimi i realitetit, automatikisht mendja na shkon tek mjetet e kumtimit masiv, që kanë të bëjnë me përdorimin jo vetëm të kinemasë, radios, televizionit, gazetave, por edhe të Photoshop-it e të uebit. Të gjitha mjetet që shërbejnë për paraqitjen e realitetit, nga imazhet tek filmimet, i konceptojmë me ngjyra, të lidhura disi me aktualitetin e gjithsesi me modernitetin. A nuk është vallë e vërtetë që fotografitë e dikurshme, ose filmimet bardhezi, i marrim si shprehje autentike të realitetit, ose si dokumente të pastra historike?

Periudha e fashizmit në Shqipëri, e sidomos ajo që shkon nga kapitullimi i Italisë në çlirimin e vendit, ka nevojë ende për t’u ndriçuar dhe është pa dyshim me shumë interes për historianët dhe publikun. Ishte ky një nga objektivat e nismës “1943 – 1945: Italia, Albania. Memorie, scritture, immagini, canti della Resistenza”, promovuar nga shoqata italo-shqiptare Occhio Blu. Të gjitha kumtesat ngjallën interes të madh, por këtu po sjell vetëm pjesën që ka të bëjë me refleksionet e mësipërme.

Në kumtesën e vet, gazetari dhe dokumentaristi i mirënjohur Roland Sejko, foli edhe për kinematografinë italiane të asaj kohe, pa lënë jashtë vëmendjes rolin e pamjeve filmike. Duke cituar disa filmime të pushtimit italian në Itali, pamje që gjenden në arkivin e pasur të Institutit Luce në Romë, Sejko shpjegoi se po të analizohej pozicioni i kameramanit, lëvizjet e telekamerës dhe e ushtarëve, ishte e qartë se bëhej fjalë për filmime të inskenuara, gjithsesi jo xhenuine. Në disa pamje ushtarët bënin sikur qëllonin, praktikisht nuk ishin duke luftuar me të vërtetë. Sejko përmendi edhe rolin e ciak-stëve në atë kohë, rol interesant që kërkon hulumtime të tjera.

Që filmimet në periudhën fashiste kishin rol propagandistik e vërteton edhe fakti se Musolini e përdorte rregullisht mjetin në fjalë për qëllime politike, madje ishte ai që i dha jetë kompleksit të famshëm Cinecittà. Shumë nga filmat e asaj kohe, përfshirë dokumentarët, kishin karakter të pastër propagandistik. Gjatë periudhës së pushtimin fashist në Shqipëri pati përpjekje interesante në këtë drejtim. Roland Sejko, gjatë nismës së lartpërmendur, foli shkurtimisht edhe për filmin me titull “Il cavaliere di Kruja”, filmi i parë italian i xhiruar në Shqipëri. Pikërisht sepse shumë pak i njohur për publikun e gjerë, bënë shumë përshtypje disa pamje të këtij filmi, por edhe disa fotografi nga përgatitjet e xhirimeve (backstage do të thoshim sot).

Edhe pse sot pamjet bardhezi na vijnë si autentike, ato në atë kohë ishin produkt i filtrit dhe i qëllimit propagandistik. Mirëpo sot ne i përdorim dhe i konsumojmë shpeshherë si të ishin dokumentarë të mirëfilltë, duke anashkaluar dhe harruar përpunimin që ato vepra kishin brenda. Pamjet e Institutit Luce që jepen gjithkund si të ishin filmime të drejtpërdrejta në terren, falë paraqitjes së tyre, por edhe për faktin se janë të rralla, merren si të ishin produkte të shqisave tona. Vjetërsia e tyre vërteton paradoksalisht autenticitetin, çka nuk do të thotë se nuk kanë vlera për studiuesit e asaj periudhe (meqë janë realizuar në vitet e fashizmit), por me kalimin e kohës publiku ka harruar disa artifice propagandistike që ishin pjesë e kohës, që sot na vijnë me shije të vjetruar, që vetëm sa e na shton ndjesinë e vërtetësisë. Kjo herët a vonë, kjo do të vlejë edhe për dokumentet e ndryshme të kohës së totalitarizmit shqiptar, fillimisht me pamjet bardhezi, pastaj me ato me ngjyra por me cilësi të dobët.

Është e vërtetë se çka dimë për shoqërinë tonë dhe në përgjithësi për botën e mësojmë nga mediat (Luhmann), por kjo vlen edhe për të kaluarën jo shumë të largët. Në rastin tonë, periudha e luftës së dytë botërore ka nevojë ende për studime historike të mëtejshme, por nuk duhet harruar kurrë se edhe dokumentet që na vijnë nga ajo kohë duhen parë si pjellë e kontekstit historik. Ky kujdes do të na ndihmojë ta njohim edhe më objektivisht, njërën nga periudhat më pak të njohura të historisë sonë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin