Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: LARË

larë f. “pullë a njollë më fort e bardhë në qime të shtazëve a në pendët e shpe­ndë­ve e të zogjve”; i larë, i larmë, laragán, larëc, laramán, larísk, larósh, larúsh “që është lara‑lara”; sylarmë “me sy të larmë, të shkruar, aux yeux bleus” (Do­zon), laro m. “qen i larmë; zuzar, hor”; laraskë f. “Pica caudata, grizhël”; larój larós “bëj lara‑lara”.

G. Meyeri 238v. niset nga folja larós dhe këtë e spie­gon nga gr. e re λερώνω “ndyj”, poashtu si dhe foljen lerós “ndyj, zhys” bashkë me lerë “zhul, zdral”; fjala greke sipas tij prej gr. së vj. ἀλαρῦναι · ῥυπάναι, ose prej ὀλερόν · βορβορῶδες. τετραγμένον, ἀλέρον · κόπρον. Meyer‑Lübke REW 4943 fjalën e shqipes bashkë me it. dialektore lor lora “i larmë” etj. e shpie te lat. laurus “lar, dafinë”. Pokështu Barići I 46, Giuglea (DR V 897), Tagliavini Il dialetto del Livinallongo 135.

Fjalë e mbarë gjuhës. Për larash sh. vërejtjet tona në BSS, 2 (1954) 44. Ka dhe kuptimin “gunë e dhirtë, shark i bardhë”; nji larë dhe “një copë dhe, një rryp tokë”; përdoret dhe për “verore; lopë e larme; rreze dielli nëpër re”; përdorime që rrjedhin të gjitha nga kuptimi i larës. E shpeshtë në emra shpendësh e kafshësh si – përveç laraskë‑s – në larash m. “Cathartes percnopterus; cjap i larmë”, laradásh m. “pelikan; lodër kalamajsh; pupagjel, pufkë”, laramane f. “një lloj rose e egër”, zogëlarë “një zog deti që bën çerdhen nëpër shkëmbinj të bregut” (Himarë); lare f. “dhi lara‑lara”, larëkuqe f. “dele me njolla të kuqe në faqe”, larëzezë f. “dele me njolla të zeza në faqe”, larís larósh m. “kalë i bardhë më të përhimë”, larósh m. “qen i larmë” (HD VI 662), larmushkë f. “dhi lara‑lara”, larój m. “ka i larmë”, laço m. (idealisht prej *larço) “dem i larmë” (Seman). Prej, rrjedhesash nominale khs. edhe laraví: po flet me laraví “po shtihet” (për formën khs. palavi), larës m. “verore”, lari larmi f. “të qenët lara‑lara”, laricë f. “allaxhë”, larime fshm. “zbukurime me lale me lule”. Rrjedhesa verbale janë edhe laracoj, larazoj, laroj, laritet (bora). Sh. edhe lacë. Si fjalë bagëtie larë ka hyrë dhe në gre­qishten e re e në aromunishten: λιάρους “ka larik” (G. Meyer IF 6, 112, NS II 68), ľar ľaru láră “dele laroshe; qen laro” (Capidan DR II 535, Românii no­ma­zi 222 nga shqipja, po DR IV 957v. eve­ntua­lisht nga rumanishtja, Giuglea (DR V 897v. nga shqipja). Këto mund të shi­ko­hen si më të vjetrat dëshmi të fjalës shqi­pe, sepse sigurisht më e re është dëshmia e parë e shkruar e kësaj i lārm, te Bogdani I 126, 9, me sufiksin ‑më të emrave të ngjy­rave si te i murmë. Ndërkaq nga shkalla antike e fjalës shqipe gjan të rrjedhë gr. e vj. λάρος “Larus, pulë­bardhë”, sh. SCL X 4 (1959) 557.

Nuk mund të nisemi për larë nga larós as nga lerë lerós: e para vjen nga larë, e dyta nga lyej (sh. lerë), kështu që gr. e re λέρα buron prej shqipes, jo anasjelltas. Edhe spiegimi nga lat. laurus nuk është bindës, fjala latine ka dhënë lār. Nga forma e nga kuptimi larë afrohet me lit. laũkas “për shtazët që kanë një larë të bardhë në ballë, balosh”, gr. λευκός “i shkëlqyer, i bardhë”, ind. e vj. rōcáḥ “i ndritshëm”, lat. lux “dritë” luceo “ndrit” etj., baza i.‑e. *leuk‑. Shq. larë, si një formë nominale, para­­mendon një bazë *lauk‑rā prej *louk‑rā, me sufiksin ‑ro, i shpeshtë në fjalë ngjyrash si gr. ἐρυθρός χλωρός lat. ruber niger etj. (Brugmann II2/I 353, Jokl LKU 194). Veçse për rënien e k‑së velare para një r‑je nuk dihen paralele, te mjekër kjo k ruhet në trup fjale, sh. G. Meyer AS III 4. – Sh. dhe laroj, lacë.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin