Në 2012 Gazeta Panorama në një sulm personal ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kules, raportonte se rektori ishte anëtar i shtatë bordeve, prej të cilave ai përfitonte mbi 18 mijë dollarë. Rektori i Universitetit të Tiranës përfitonte kësisoj edhe njëherë sa shpërblimi i tij vjetor për funksionin e rektorit. Sulmi ndaj Kules dhe publikimi i deklarimit të pasurisë së tij ishte si pasojë e përplasjes së Kules me pronarin e shkollës së lartë private “Luarasi” për godinën e ish-konviktit të gjuhëve të huaja (kronika).
Kule në një vit ishte në 7 borde: (1) nënkryetar në Këshillin Drejtues të Autoritetit Portual (6000$); (2) anëtar i Këshillit të Statistikave (1200$); Këshilli i Qarkut Tiranë (7500$); (3) Autoriteti Kombëtar i Teknologjisë dhe Informacionit (1800$); (4) Këshilli i Arsimit të Lartë (1500$);(5) Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë (1500$); (6) Anëtar i Këshillit Bashkiak (7500$); (7) Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (3400$). Në pikat 2,3,4 dhe 5 anëtarësimi i tij vjen në sajë të funksionit të rektorit, ku aktet normative kanë parashikuar pjesëmarrjen e rektorit të Universitetit të Tiranës si përfaqësues i institucionit më të rëndësishëm arsimor në vend.
Vetëm për këshillat në sistemin e arsimit të lartë, shteti paguan me mijëra dollarë në vit. Këshillat e Administrimit të universiteteve publike (14 universitete, me nga 16 deri në 8 anëtarë, pagesa 80$/muaj); Këshillat e Fakulteteve (20 anëtarë për fakultet, 80$/muaj); Këshillat e Profesorëve (7+ anëtarë, 80$/muaj); Senatet akademike (20+ anëtarë, 80$/muaj); Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (2000$/anëtar); Këshilli i Akreditimit (2000$/anëtar); Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë (1500$/anëtar) etj. Në perëndim shumë prej këtyre bordeve janë pa shpërblim. P.sh. në Gjermani dhe SHBA anëtarësimi në këshillat e universiteteve (Hochschulrat apo Board of Trustees) janë pa pagesë, përveç ndonjë shpenzimi që duhet të jetë në një masë të atillë saqë të mos japë përshtypjen se është shpërblim financiar për pjesëmarrje. Në Universitetin e Michiganit anëtarët e bordit (8 anëtarë përkundër 16 në Universitetin e Tiranës), janë të zgjedhur nga populli dhe nuk marrin shpërblim për pjesëmarrje. Pjesëmarrja e personelit akademik në organet drejtuese të universiteteve është pjesë e funksioneve administrative dhe status i lartë shoqëror.
Gjendja është e njëjtë në ministritë e tjera: 13 komisione të ngjashme e borde artistike ka Ministria e Kulturës (Biblioteka Kombëtare ka një Këshill Shkencor?); Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka 5 këshilla; ndërsa 10 komisione e këshilla ka Ministria e Punës; Qendra Kombëtare e Kulturës ka 7 borde; Akademia e Shkencave ka 2 borde sikur nuk u mjaftojnë pagesat për anëtarë; Ministria e Shëndetësisë ka 5, pa llogaritur këshillat mjekësore nëpër spitale. Shoqëritë anonime shtetërore janë edhe më gjakpirëse sepse masa e shpërblimit përcaktohet nga bordet dhe shoqëritë janë fitimprurëse. Radio Televizioni Shqiptar, fanari i makthit publik, ka një këshill drejtues dhe një bord administrimi që nginjen nga paratë e shqiptarëve.
Angazhimi me shpërblim i pjesëmarrjes në këto borde sjell disa problematika. (1) Shpërblimet përbëjnë një barrë të madhe financiare për taksapaguesit, pasi anëtarët shpërblehen për së dyti, pasi angazhimi i tyre në këto borde vjen logjikisht për hir të funksionit të tyre primar në sektorin publik. (2) Shpërblimi i anëtarëve përdoret gjerësisht nga politika për kooptimin e inteligjencës shqiptare dhe varësinë e funksionarëve nga shpërblime financiare të kontrolluara nga politika. (3) Herazi bordet janë varre të përgjegjësisë individuale, pasi organet kolegjiale marrin vendime “kolektive” e nuk janë përgjegjës kur vendimet janë të kundërligjshme ose dëmtojnë rëndë financat shtetërore. Bordet këshillimore kanë synime pozitive, si p.sh. të përfitojnë ekspertizë nga anëtarët, të legjitimojnë vendimmarrjen nëpërmjet përfaqësimit të interesave dhe ekspertizës, e të përmirësojnë procesin e vendimmarrjes. Por, zakonisht anëtarët nuk kanë aftësitë e duhura, vendimet merren jashtë konsultimit kolektiv dhe procesi i emërimit nëpër borde nuk është transparent apo në bazë të meritës.
Kuadri ligjor që rregullon veprimtarinë e bordeve dhe shpërblimin e anëtarëve është shumë i ndërlikuar dhe aspak transparent. Për shoqëritë (tregtare) anonime shtetërore ka një ligj (nr. 7926/1995 “Për Transformimin e Ndërmarrjeve Shtetërore në Shoqëri Tregtare”) dhe vendim të Këshillit të Ministrave (Nr. 642/2005 “Për Këshillat Mbikëqyrës të Shoqërive Anonime Shtetërore”). Procesi i vendimmarrjes rregullohet me një tjetër ligj (nr. 8480/1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”). Shpërblimi është i përcaktuar në varësi të udhëzimeve apo rregulloreve të secilit bord, por me ndërhyrjen e fundit të qeverisë Berisha për qeverinë qendrore ka një vendim të Këshillit të Ministrave (Nr. 418/2012 “Për Përcaktimin e Masës së Shpërblimit të Anëtarëve të Këshillave, Bordeve ose Komisioneve të Njësive të Qeverisjes Qendrore”).
Në vitin 2012 qeveria u ndërgjegjësua. Nisur nga shpenzimet buxhetore për këto borde, Këshilli i Ministrave nxori vendimin e sipërpërmendur për të rregulluar shpërblimet financiare dhe pjesëmarrjen e nëpunësve në borde. Në mars të 2012 Ministria e Financave propozoi ndryshime (VKM, Nr. 215/2012) për këshillat mbikëqyrës dhe përcaktoi se nëpunësit nuk mund të lejoheshin të anëtarësoheshin në më shumë se 2 borde. Në qershor të 2012 qeveria vendosi kufizime për masën e shpërblimit (VKM, 418/2012). Zbatimi ka qenë tepër selektiv, p.sh. një ish-këshilltar i kryeministrit, ka qenë njëkohësisht anëtar i Këshillit të Akreditimit, të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe i Këshillit të Administrimit në Universitetin e Shkodrës.
Sidoqoftë, vendimet e mësipërme janë gjysmë-zgjidhje të imponuara. Ato nuk prekin thelbin e pjesëmarrjes në bordet këshillimore. Përveç se në rastet e bordeve ku kërkohet ekspertizë e lartë teknike si p.sh. në komisione mjekësore, apo kur individët marrin përgjegjësi individuale edhe për vendimet e bordit, shpërblimi duhet të eliminohet krejtësisht. Edhe në vendet perëndimore pjesëmarrja në kësi këshillash apo organesh është pa shpërblim financiar. Gjithashtu, kuadri ligjor nuk rregullon mënyrën e përfaqësimit: anëtarët pjesëmarrës në sajë të funksionit përfaqësojnë institucionin apo individin?
Së pari, pjesëmarrja në këto këshilla apo borde është mbi të gjitha një nder dhe privilegj që qeveria dhe publiku i njeh personave me aftësi e kontribute të veçanta. Së dyti, nëse individët vendosen në të tilla borde për hir të funksionit të tyre primar, atëherë ata kur paguhen përfaqësojnë veten e tyre dhe jo qëndrimin e institucionit që i ka sjellë aty. Së treti, shpërblimi financiar i bën këto pozicione të lakmueshme për këtë qëllim, e jo për shkak të statusit shoqëror, e për rrjedhojë emërimi instrumentalizohet nga politika. Së katërti, opsioni i shpërblimit dobëson rëndshëm funksionimin dhe fuqizimin e bordit pasi anëtarët nuk duan të humbasin privilegjet financiare. E së fundmi, pjesëmarrja pa shpërblim do të krijonte një atmosferë për rritjen e pjesëmarrjes vullnetare në shumë veprimtari të shoqërisë civile dhe të qeverisë (p.sh. në këshillat bashkiakë, bordet drejtuese të shkollave, këshillat mbikëqyrës të institucioneve publike etj.).
Për shumat e lartpërmendura (mbi 18 mijë dollarë, etj.), bëhet fjalë për rroga mujore apo vjetore ?
Shkrim shume i mire dhe informues. Do perpiqem te lexoj me shume nga autori.
Fenomeni ka dale jashte kontrolli. Me shume shogunati i bordeve do thoja une se sa republika
Ju falenderoj per pergjigjen.