Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

NGA KASAPI TE KIRURGU

Si i emërtojmë organet e brendshme? Si e ndërtojmë hartën e një shpelle – trupit tonë – që përndryshe na qëndron përgjithnjë e mbyllur?

Në shkrimin e mëparshëm, mbrojta hipotezën se këtë e kemi bërë në bazë të çfarë kemi parë te kafshët; dhe sidomos te kafshët që therim për mish.

Për dikë që nuk është mjek specialist, kontakti i drejtpërdrejtë (shqisor) me një organ të brendshëm, të vetin ose të tjetrit, ndodh relativisht rrallë. Edhe kur përfytyrojmë zemrën, mushkëritë, stomakun, mëlçinë dhe shpretkën që kemi në trup, këtë sot zakonisht e bëjmë në bazë të ilustrimeve që kemi parë në libra ose revista.

Kjo do të thotë edhe se praktikisht asnjë prej nesh nuk do ta dinte që kishte në trup shpretkë, mushkëri ose veshka, sikur këtë të mos na e kishin thënë burime të besuara.

Përndryshe, kur na mbërrijnë në tryezë për t’i ngrënë, të vendosura bukur në pjatë dhe të aromatizuara me gjithfarë barërash të ëmbla e djegëse, organet e brendshme praktikisht nuk njihen më, përveçse nga shija.

E megjithatë, mjafton një vështrim i shpejtë në etimologjitë e emrave të organeve në shqipe, për t’u bindur se, edhe kur emrat janë të vjetër, saktësia e tyre lë shumë për të dëshiruar.

Kështu, nga emrat e organeve, zemër, zorrë dhe tru janë indo-europiane, veshkë nuk ka etimologji të saktë (etimologjia sllave që sjell Meyer-i nuk bind; Çabej e lidh me eshkë; ndërsa Orel-i e identifikon me veshje), ndërsa mushkëri, mëlçi, shpretkë dhe fshikëz janë huazime latine.

Duke pasur parasysh historinë e shqipes, si gjuhë me leksik blegtoral të zhvilluar, do të pritej që të kish më shumë emra indo-europianë organesh; por kjo nuk ndodh.

Dhe, më e çuditshme akoma, edhe ata emra latinë që kemi, janë larguar mjaft nga kuptimet e tyre burimore.

Kështu, mëlçi e kanë nxjerrë nga italishtja milza (Meyer, Orel), që ka në atë gjuhë kuptimin “shpretkë”.

Vetë shpretkë/shpënetkë e kanë nxjerrë nga latinishtja spleneticum (Meyer, Orel), por duhet shënuar këtu se, gjithnjë sipas Meyer-it, shpënetkë në gegnishte ka treguar veshkën, jo shpretkën.

Më tej, mushkëni/mushkëri e kanë nxjerrë nga latinishtja musc(ul)us (Meyer, Orel), që do të thotë, pikërisht, “muskul”.

Të vihet re këtu që shqipja nuk duket të ketë pasur fjalë të vetën për muskul, por e ka quajtur atë lloj indi mish dhe, në kontekste të caktuara, edhe tul.

Tablonë e ndërlikon edhe më ngatërresa sistematike, anembanë gjuhës, midis mëlçisë dhe mushkërive – sikurse duket, nga njëra anë, në shprehje si mushkëni të bardha/mushkëni të zeza; dhe nga ana tjetër mëlçi e bardhë/mëlçi e zezë/mëlçi e kuqe.

Gjithsesi, në këto konfigurime leksikore shqipja nuk bën ndonjë përjashtim nga gjuhët e tjera, në Ballkan dhe gjetiu.

Në këtë pështjellim të përgjithshëm duket të kenë luajtur rol së paku dy faktorë: (1) që tradicionalisht ka qenë e vështirë të bashkëlidhej një organ i caktuar me një funksion biologjik të caktuar; prandaj edhe identifikimi i organeve gjatë therjes së bagëtisë nuk kish ndonjë rëndësi të madhe – meqë mund të konsideroheshin të gjitha me emrin kolektiv të brendshme, rropulli, etj.; dhe (2) disa emra organesh mund të jenë goditur nga tabu të ndryshme.

Për një periudhë shumë të gjatë, edhe vetë mjekësia i ka trajtuar organet e brendshme në mënyrë mistike; çfarë shpjegon edhe pse mjekësitë jo-perëndimore, si ajo tradicionale kineze, kanë përftuar topografi të tjera të brendshme të trupit të njeriut dhe madje koncepte të tjera edhe për funksionet e organeve (p.sh. shpretka).

Identifikimi i organeve të brendshme të gjallesave ka qenë pra, tradicionalisht, punë për kasapin dhe, sipas rastit, për kuzhinierin – ose për të dalluar se çfarë hahet dhe çfarë nuk hahet; jo për mjekun.

Kjo ua vështirëson punën terminologëve sot, të cilët duhet të gjejnë një rrugë të mesme midis traditës, që i ka bazat në artin e të therurit dhe të gatuarit, dhe modernitetit, i cili kërkon emërtime të sakta për t’u përdorur në anatomi dhe më tej në biologji (mjekësi) dhe sidomos në kirurgji.

Pa çka se gjuha ka kompensuar nëpërmjet metonimisë, duke e emërtuar ndonjë organ në bazë të pozicionit në trup – p.sh. barku (për mua e njëjta dukuri ka ndodhur me lukthin).

Pamundësia për t’u bashkëlidhur funksione specifike organeve të zgavrës së barkut, i ka bërë emërtimet e tyre edhe shumë fluide – ashtu mund të ndodhë që mushkëria të quhet me një fjalë përndryshe të përdorur për muskulin, sikurse mund të ndodhë që mushkëria dhe mëlçia, ose veshka dhe shpretka, të ngatërrohen rëndom mes tyre, sa i përket emërtimit.

Statusin e dobët leksikor të organeve të brendshme, me përjashtim të zemrës, trurit dhe zorrëve, e konfirmon edhe pjesëmarrja e pakët e këtyre emrave në frazeologji.

Mjaft të krahasojmë frazeologjinë e organeve të brendshme me atë të pjesëve të jashtme të trupit: dorë, këmbë, sy, faqe, vesh, kokë, krah, bërryl, gjoks, bark, krah, sup, shpinë, bythë.

Me një fjalë, topografia e brendshme e trupit të njeriut, ndryshe nga ajo e jashtmja, nuk duket t’u ketë hyrë shumë në punë folësve; prandaj edhe ka mbetur relativisht e mbyllur dhe rudimentare.

Dhe nëse është kështu, atëherë kjo do të thotë se, stricto sensu, jo gjithnjë mund të flasim me siguri për emrin popullor ose tradicional të një organi të brendshëm specifik – por mund madje duhet të flasim vetëm për një bashkësi të vogël emrash në dispozicion, të cilët lëvizin ose rrëshqasin nga njëri organ në tjetrin, në kohë dhe në hapësirë. Këtu mushkëri atje mëlçi, këtu shpënetkë atje veshkë, këtu mushkëni e zezë, atje mëlçi e kuqe.

Zemra bën përjashtim në këtë mes ngaqë është i vetmi organ i brendshëm që lëviz ndjeshëm, ose rreh; zorrët ndoshta për shkak të formës së tyre karakteristike, truri (trutë) për shkak të pozicionit unik brenda kokës, jo në zgavrën e trupit.

Përndryshe, terminologjisë mjekësore mund t’i dalin vështirësi, nëse kërkon të mbështetet në fjalën popullore ndonjëherë thjesht për arsye ideologjike; dhe aq më pak kur kjo fjalë popullore është kuptimisht e paqëndrueshme ose polisemike, siç ndodh në rastin e lukthit, një fjalë që mund të shënojë stomakun, grykën e stomakut, dhe trekëndëshin e formuar prej brinjëve, në pjesën e sipërme të zgavrës së barkut.

Për të njëjtën arsye, kur i thua mjekut kam dhimbje në ije nuk është se i ke dhënë ndonjë informacion specifik – sepse dhimbjet e ijes mund të vijnë nga një numër organesh: që nga zorrët e holla dhe fshikëza e tëmthit, te veshka ose edhe mëlçia e kushedi edhe fundi i stomakut ose koloni.

Nëse imazhi ynë për trupin organizohet sipas topografisë së jashtme, ai i mjekut modern gjithnjë e më tepër e konsideron këtë topografi të jashtme si pengesë për t’u kapërcyer, në mënyrë që të mund të sigurohet një imazh tjetër, ai i brendshmi; i cili mund të deshifrohet më mirë me metodat diagnostikuese moderne.

 

Pa Komente

  1. Sugjerim per nje etimologji the mundshme te fjales “veshkë”:

    Ndonje kasap korçar kur ka parë per herë të parë veshkën e ndonje deleje a qingji do të ketë thënë, pa shih kjo duket tamam si vesh, mo si vesh. Le ta quajmë veshkë dhe hop u pasurua gjuha jonë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin