Tema që shpërtheu bujshëm, si qelbi prej çibanit, në shkrimin e mëparshëm për fjalën lukth mund të shërbejë, dhe duhet të shërbejë, për të ilustruar se çfarë ndodh kur dy variante leksikore “gjeografike” të standardit detyrohen të bashkëjetojnë në tekstet.
Po ndërtoj një premisë gjysmë-hipotetike, të bazuar edhe në dëshmitë që u sollën këtu, se fjala lukth me kuptimin “stomak” ka qenë përdorur gjerësisht në Kosovë, jo vetëm në ligjërimin bisedor, por edhe në një nivel më formal, për shembull në tekstet shkollore.
Mbi bazën e kësaj premise, dhe i vetëdijshëm se ky përdorim i lukthit vijon të mbizotërojë, dua të shoh se çfarë ndodh kur dy fjalët, lukth dhe stomak, ndeshen me njëra-tjetrën brenda të njëjtit tekst.
1. Kombinimi didaktik
Do të quaj kështu rastet kur fjala stomak shoqërohet nga fjala lukth në kllapa, si vijon:
Tretja e ushqimit në stomak (lukth)
(në këtë tekst me natyrë mësimore biologjike, fjala lukth përdoret edhe më vete, por më shpesh rregullisht në kllapa, në shoqërim të fjalës stomak; po ashtu, ka disa raste kur fjala stomak përdoret më vete);
Keni djegie në stomak (lukth)?
Me rritjen e bebes zvogelohet mundesia qe stomaku (lukthi) te mbushet dhe ndodh shpesh qe permbajtja nga lukthi kthehet ne ezofag.
Në këtë mënyrë zgjerohet stomaku (lukthi) dhe pasojat shërohen shumë vështirë nëse kjo gjendje vazhdon gjatë kohë.
Alkooli është një drogë që përdoret me të madhe në ditët e sotme e cila absorbohet direkt nga stomaku (lukthi) dhe zorrët në gjak.
Kanceret që prekin mushkëritë, stomakun(lukthin), mëlçinë, zorren e trashe dhe gjirin, janë më të shumtat e kancerve që shkaktojnë vdekje në çdo vit.
Djegja e stomakut (lukthit) ne shtatzani
Ulcera e duodenit shfaqet me shpesh se ajo e stomakut (lukthit).
Bananet njihen që herët për vetinë e tyre për të ulur aciditetin (thartesiren) e stomakut (lukthit), dhe si rezultat të mbron kundër ulcerës (te thatit) dhe dëmeve që ajo shkakton.
Infeksionet e stomakut (lukthit) dhe të duodenit (zorres se holle, dymbedhjetegishtore)
Nga një shqyrtim i shpejtë i shembujve të mësipërm mund të nxjerrim përfundimin se (1) stomak dhe lukth shënjojnë të njëjtin organ dhe janë fjalë sinonimike dhe (2) ka një hierarki mes tyre, e cila vendoset pikërisht falë përdorimit të kllapave – meqë fjala më popullore, lukth shpjegon ose qartëson fjalën më librore stomak.
Për mua, këta shembuj tregojnë se autoriteti i tekstit (që mund të jetë një mjek ose publicist) e konsideron fjalën stomak si të vetën, por vë përbri saj edhe lukth, në kllapa, duke pasur parasysh se publiku mund të dijë vetëm këtë të fundit.
Çuditërisht, nuk kam gjetur shembuj në kah të kundërt, ose ku fjala stomak të përdoret si e nënrenditur ndaj lukth – ose në trajtën lukth (stomak).
2. Kombinimi pështjellues
Ndeshet në ato raste kur stomak dhe lukth përdoren në mënyrë indiferente, brenda të njëjtit tekst, duke krijuar probleme me mënyrën si funksionon gjuha.
Mbeshtjellsja seroze e stomakut (peritoneum) I mbulon te dy faqet e lukthit duke formuar ne laqet e tij dy duplikatura (omentum majus)-ne lakun e madh dhe (omentum minus)-ne lakun e vogel). Muri i lukthit ka musculature te lemuar, ten dare ne tri shtresa.
Teksti më lart, me nivel gjuhësor shumë të ulët, është nxjerrë nga artikulli për lukthin në Wikipedian shqip.
Rasti bizar ka filluar kur njërit iu përkeqësua gjendja në tren dhe për këtë shkak ai u dërgua në spital. Policia kishte informata se fjala ishte për një bartës droge të pakove me heroinë që përpiqej t’i kontrabandonte në stomak. Në spital pastaj u bë operacionin me ç’rast pakot dhe u nxorën nga lukthi.
Suedezi Fredrik Hjelmqvist kapërdiu një audio-aparat të vogël me zërim dhe për disa orë ka emituar muzikë nga stomaku i tij. Edhe pse është i pari që i ra në mend një ide e tillë, ai nuk është fort i emocionuar. E zhgënjeu kualiteti i zërit që dilte nga lukthi.
Thartira në stomak ndodh kur acidet e lukthit kalojnë mbrapa në ezofag dhe shkaktojnë ndjenjën e djegies aty.
Tri faktorët që janë të rrezikshëm për sëmundjet e stomakut dhe gastritit janë duhani, alkooli dhe stresi. Qoftë edhe në mënyrë shpirtërore në këtë muaj personat me këto sëmundje do të rrijnë larg nga këta 3 faktorë dhe lukthi do të stabilizohet.
Thanat mund të jenë shumë të efektshme në mbrojtjen nga i thati në stomak tek femrat. Disa studime kanë zbuluar se lëngu i thanave është një ndihmë e theksuar për antibiotikët në luftë kundër baktereve që shkaktojnë të thatin dhe karcinomën në lukth.
Pasi që të përpihet kapsula dhe të arrijë në lukth, balona nëpërmjet gypit fryhet deri në madhësinë e një molle. Mjeku e nxjerr jashtë, ndërkaq mbetjet e kapsulës vetvetiu do të treten në stomak.
Ulcera eshte nje humbje e indit te stomakut ose te duodenit per arsye te demtimit nga acidi i lukthit (HCl) dhe nga bakteria Helicobacter Pylori.
Përdorime si këto më lart ia cenojnë integritetin shqipes – madje edhe më shumë sikur në tekst të ish përdorur vetëm termi nën-standard. Është në natyrën e ligjërimit që, brenda të njëjtit kontekst komunikimi, të kërkojë që fjalëve të ndryshme t’u përgjigjen kuptime të ndryshme; dhe në rast se dy fjalë me të njëjtin kuptim takohen mes tyre, folësit do të fillojnë të besojnë se ekziston megjithatë një diferencë – në rastin tonë, midis stomakut dhe lukthit.
Ja edhe një shembull grotesk përkthimi paralel:
3. Drejt një anatomie të re
Një nënprodukt i çuditshëm i këtij mekanizmi gjuhësor pothuajse automatik është pikërisht shpikja ose të paktën përsiatja e një organi të ri, misterioz, të panjohur më parë, i cili është afër stomakut ose i ngjan atij, por që megjithatë ndryshon prej tij – si në shembujt e mëposhtëm:
Pas 10 ditesh fryhet shume stomaku, lukthi dhe zorret.
Hëna ndikon në organet shumë të ndjeshme të trupit, si: lukthi, shpretka, stomaku, gjoksi dhe mitra.
Pjesët e trupit dhe organet të cilat i drejton janë: stomaku i poshtëm, mëlçia, pankreasi, lukthi dhe sistemi nervor.
E ku uji pihet shpejtë atëherë hyn edhe ajri i cili në lukth shkakton dhembje, fryerje në stomak, pamundëson lëvizshmërinë e lukthit.
Ne duhet të mësohemi të mos kemi çdo ditë gjëra si majonezi, keçapi apo ‘Cola Cola’. Ata mund të shkaktojnë probleme kimike për lukthin e stomakun”, u shpreh Di Canio.
Në trupin e njeriut është “vendosur” në pjesën e parme të gjoksit dhe të lukthit, ndaj drejton organet që ndodhen në këtë pjesë (stomakun e epërm, daljen e poshtme të lukthit, pankreasin).
Janë të mundshme dhembje koke herë pas herë, pastaj probleme me stomakun, me sistemin e tretjes dhe me lukthin, si edhe infeksione virusale dhe shtim të tensionit nervor.
Lexojini me kujdes shembujt më lart: ato lënë të kuptojnë se lukthi dhe stomaku janë dy gjëra të ndryshme – si pjesë të ndryshme të një organi, organe të ndryshme, ose zona të ndryshme të trupit: sinonimia absolute krijon kështu një realitet fiktiv.
Lyss-i vërejti, në komentet te shkrimi tjetër, se lukth ka qenë përdorur për gropën e gjoksit, ose rajonin epigastrik (epigastrium); pra për të emërtuar një zonë në hartën e trupit (njëlloj si sqetulla, p.sh.), jo një organ – dhe kjo do të ishte edhe zgjidhja ideale e konfliktit të krijuar rishtas; sepse do të kishim një fjalë të specializuar për të emërtuar pjesën e sipërme të abdomenit, ose një fjalë për gjeografinë e asaj zone, e cila përnjëmend do ta pasuronte shqipen.
Nga ana tjetër mua më shkoi mendja se prirja për ta dalluar lukthin nga stomaku, sikurse gjen shprehje edhe në disa nga shembujt më lart, mund të ketë lidhje me strukturën e aparatit tretës të bagëtive, i cili ndryshon nga ai i njeriut, mes të tjerash edhe për shkak të pranisë së rumen-it – një zgavër ku lopët grumbullojnë materialin që më pas do të ripërtypin.
Një strukturë funksionalisht e ngjashme vihet re edhe te pulat – ose ajo pjesë e ezofagut ku pula grumbullon ushqimin paraprakisht; në Gjirokastër e kanë pasë quajtur katëk, fjalë e huazuar nga turqishtja; tani shoh që këtij “organi” i thonë edhe gushë ose rrëcok.
Gjithsesi, dhe kjo duhet mbajtur parasysh në këto raste, kulturat tradicionale, përfshi këtu edhe ajo e jona, i kanë quajtur organet e brendshme në bazë të vëzhgimeve që kanë bërë mbi kafshët, duke filluar nga kafshët e përdorura për ushqim. Dhe nëse është kështu, atëherë lukth mund të ketë shënjuar, tradicionalisht, pjesën e sipërme të stomakut të këtyre kafshëve dhe më pas të jetë adoptuar edhe për stomakun e njeriut.
Që këtej edhe asocimi që pata bërë në shkrimin tjetër me gjuhën e barinjve; sepse barinjtë (dhe kasapët) e kanë veçanërisht të zhvilluar leksikun anatomik të organeve të brendshme, për shkak të kontaktit të vazhdueshëm me to; gjë që nuk mund të thuhet për anatominë e organeve të brendshme të njeriut – sa kohë që sallat e operacionit dhe morgjet nuk konkurrojnë dot, për nga numri dhe popullariteti, me thertoret.
Historia e fjales nuk behet me spekullime. Perndryshe mund te spekullohet me llogjikshem, qe lukth perdorej per stomak ne gjithe trojet shqiptare, por si pasoje e depertimit te greqishtes ne toskerisht, lukth filloi te percaktoje gropen e stomakut( sikunder mora vesh qe perdorej rendom nga pleqte e aneve te mia), derisa kotesia e dallimit ne te folurin e perditshem mes stomakut dhe lukthit, beri qe lukthi te humbiste si fjale ( ta zeme une- si shume te tjere- them me dhemb stomaku, per ate qe teknikisht i bie te jete lukthi).
Tani, edhe temthi eshte si tip mbeturine tek njeriu, po teper i vlefshem tek kafshet, ca do bejme s’do e perdorim qe te mos na ngjaje shqipja si gjuhe barinjsh ? Apo do i gjejme ndonje nderkombetarizem ?
M’i kurse këto budallallëqe, të lutem. Nuk më duket se ke kapacitetin e duhur për të dhënë ndonjë kontribut te kjo temë e vështirë.
Kjo s’eshte teme e veshtire, ty te duket e veshtire te justifikosh paragjykimet e tua.
Ta pashe nje here, i tha dhija deles, meqe me lindi edhe mua deshira te mbroj gjuhen e barinjve.
Me duket ca si foshnjarake te kapesh pas nje shpreheje si per t’i shtuar spaletave vija si ruajtes i namuzit te gjuhes. Nuk e kerkon njeri kete, nuk kemi nevoje per armiq te gjuhes kombetare, aq me teper kur kembengulet te perdoret kunder dikujt qe ka hulumtuar aq shume ne rropullite e kesaj gjuhe, ne lukth e me poshte akoma, dhe ka ditur t’i paraqise aq qarte problemet e saj sa ka ngjalluar edhe interesin e nje numri te madh njerzish, per te cilet gjuha ishte nje planet aq i larget. Pak me shume qytetari per te mos i nxjerre idete nga konteksti dhe per te mos na vene ferra ne karriget e kesaj hapesire ku vijme e qetesohemi nganjehere.
Lyss, nqs lukth eshte mbareshqiptare, por ne humbje e siper, nga ana ketej e kufirit, atehere e gabuar eshte norma e jo fjala pse qenkesh baritore.
Ne shqip eshte shen Gjoni e jo shen Jani (apo Xhoni), nqs vendoset si norme shen Jani( apo Xhoni) e lihet jashte Gjoni sepse eshte baritor, atehere ketu kemi norme te gabuar dhe arsyetim dyfish te gabuar.
Dua te them se ka disa gjera ne gegerisht qe duhen trajtuar me respekt, e po nuk e bene specialistet e fushes, vaj halli ne miletit.
DI, nuk eshte kjo qe me shqeteson. Blogu ka qene gjithmone i hapur per te diskutuar deri ne fund dhe nuk di blog tjeter ku te jene diskutuar me mire e me hapur se ketu. Madje me perfitim per te gjithe. Ajo qe me la nje fare shije eshte se ju sillni nje shprehje te thene kalimthi nga tema e kaluar, dhe ia tundni para hundes autorit, si per t’i thene: Ja kush je ti, t’i njohim rrenjet, ja se çfare ke thene kunder popullit!
Po ne fund te fundit e nje gjuhe barinjsh vertet ka “taban”, por eshte e kufizuar, me atavizma nga me te çuditeshmet, nuk i pergjigjet dot dinamikes se zhvillimit te sotem. La Fonteni kur dilte nga Parisi ne kohen e tij merrte nje perkthyes me vete se nuk kuptonte asgje. Dhe ne fund te fundit nuk eshte se ai u vu te mesonte gjuhen e barinjve bretone, por keta te fundit iu nenshtruan gjuhes se perpunuar te kryeqytetit, edhe pse ne asnje rast nuk ishte fjala per pasterti gjuhesore. Gjuha e qendres ishte me e “kontaminuar”, por ajo me sa duket fitoi sepse ishte e tille dhe mund t’u pergjigjej te gjitha afluencave kulturore.
Me gjithe dashamirsine tone, lukthi ka ndonje shans shpetimi vetem po qe se do te tregoje nje lloj toponimi tjeter anatomik, se po deshi te konkuroje stomakun, nuk ka asnje shprese te mbijetoje. Ka disa ligje qe i shkojne terthoraz edhe patriotizmit gjuhesor.
Lukthi ne fakt eshte shendoshe e mire, madje ka zaptuar edhe zerin shqip tek Wikipedia (gje qe eshte befasuese per mua).
Secili merr prej temes pjesen qe i intereson, gjithsesi nuk kapa diçka te thene kalimthi, por nje shprehje qe eshte kryekrejt parim me vete. Nuk e solla ketu por me drejtoi xha xhai ketu, perndryshe do e kisha diskutuar tek tema e meparshme.
Tani puna e konkurrences ha diskutim, por me e rendesishme eshte t’i jepet asaj fjale dinjiteti qe meriton. Me e rendesishme akoma eshte hapja e Fjalorit ndaj fjaleve qe toskerishtja i ka humbur dhe gegerishtja ende i ruan.
p.s Shen Gjoni nuk eshte katolik, por i perket shqipes se krishtere se para Ndarjes, e cila sikunder dihet ka qene ne ndikimin e latinishtes. Po shen Pjetrit si t’i themi ? Po shen Palit mos duhet t’i themi shen Pavlli ?
Po pse është “në shqip” mënyra sesi popullsia në veri të Shqipërisë, kryesisht ajo katolike ka përkthyer emërtimin e marrë nga latinët (Giovani), dhe Jani nuk qenka shqip? Unë s’kam parë as dëgjuar për ndonjë ortodoks të quajtur Gjon për shembull. Kur do i lini këto idiotësira ju?
Shif çfarë emërtimi përdorin arbëreshët njëherë.
Giovani nuk eshte latinisht , as Jani nuk eshte shqip.
Shqip eshte vetem Gjon ( me variantin Gjin ne jug, si psh. tek Gjin Bue Shpata)
Te gjitha keto e kane burimin tek latinishtja Joannes, prej ku rrjedh Giovani(ital), Yanni(grek) dhe Gjon (shqip).
Bile edhe Yahya ne arabisht.
Shqipja sipas ligjesive te veta ka dhene Gjon dhe s’mund te jape Jani, qe eshte emer grek i perdorur nga ortodokset edhe ne Shqiperi.
ps- Kete “Kur do i lini këto idiotësira ju?” ben mire ta marresh mbrapsht.
Ju lutem ta mbyllni me kaq këtë muhabet, që nuk e ka vendin këtu.
Unë e përsëris dhe me shkronja të mëdha: KUR DO T’I LINI KËTO IDIOTËSIRA JU? Origjina e emrit është prej hebraishtes, jo prej latinishtes. Të gjitha këto as ka mundësi ta kenë burimin prej latinishtes, që kjo vetë e ka marrë prej greqishtes.
“Rregullsia e shqipes” – thua, unë të them: gjepura! Rregullsi e shqipes në lidhje me kë gjuhë?
Një sqarim i domosdoshëm.
Para disa ditësh në blogun e Xha Xhait, që tani e kuptoj se është blogu i Ardian Vehbiut, u botua një artikull i shkurtër, i përzier me habi e mllef, ‘Hapu Susam’. Përdorimi i fjalës ‘lukth’ në vend të fjalës ‘stomak’ kishte shkaktuar bezdi tek autori. Kjo bëri që Xha Xhai të shkruante me nguti një reagim që kishte mundësi qoftë të një interpretimi dashalig, qoftë të një interpretimi si një kritikë e mprehtë e me doza pamaturie. Unë isha nga ata që reagova ndaj këtij artikulli, me po aq nguti duke u përpjekur të zbuloj nëse kishte vërtet dashaligësi apo kritikë të mirëfilltë, qoftë edhe të tepruar. Shkrimi im i parë u shkrua me idenë se edhe nëse nuk do të publikohej, autori vetë, Xha Xhai, do ta lexonte. Mirëpo Xha Xhai e botoi menjëherë dhe dha disa sqarime që për mua nuk mjaftuan. E kuptova se tashmë edhe Xha Xhai e kishte kuptuar se sa lehtë fjalitë e nxehta, ndonjëherë të bëra për qëllime stilistike, për të zgjuar kureshtjen, për ta bërë më të lexueshëm artikullin, mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.
Në vijim të debatit mendoj se e kuptova që A. Vehbiu nuk kishte pasur një qëllim të tillë të lig. Mund të ishte hutesë, mund të ishte nguti, por mund të jetë edhe bindje prej parimesh nga e shikon ai problemin. Nga ana tjetër, ai ishte fisnik në çdo hap dhe botoi, pa asnjë ndërhyrje, të gjitha reagimet e mia. E them edhe një herë që ky është një gjest i rrallë ndër letrat shqipe. Më shkon mendja që vetëm Konica e ka bërë këtë duke e kuptuar rëndësinë e lirisë së shprehjes. Një polemist i ndershëm dhe fisnik nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i ofrojë kundërshtarit të gjitha mundësitë që do të dëshironte t’i ketë vetë. Dhe z. Vehbiu m’i ofroi të gjitha mundësitë që të shprehja mendimin tim.
Jo vetëm kaq.
Më vonë bëra edhe një tjetër ‘përgjigje’ për një artikull tjetër. Duke u ngutur bëra një shkarje në të shkruar. Shtypa butonin dhe përgjigjja ime tashmë doli te faqja që pret priste moderimin dhe unë s’kisha mundësi të përmirësoja gabimin. Shkrova edhe një përgjigje të shkurtër me versionin e korrektuar. Dhe prita. Mendova se Xha Xhai do të mund ta shfrytëzonte këtë për t’u hakmarrë ndaj meje, thjesht, për të ushqyer smirën e tij, pas një debati të nxehtë që patëm. Por kjo nuk ndodhi. Xha Xhai, publikoi vetëm versionin e korrektuar të shkrimit tim duke e bërë vetë këtë ndërhyrje të harmonizimit të dy përgjigjeve të mia. Këtë e bëri në të njëjtën faqe ku një reagues ia kishte përmirësuar një shkarje atij vetë dhe ky e kishte falënderuar publikisht (shih: ‘Elegji për këmbën e pulës’). Kjo më bëri që të admiroj këtë akt vërtet fisnik të Ardian Vehbiut. Ardiani, kur pati mundësinë më ruajti mua, por vetë publikoi dhe falënderoi shkarjen e vet. Këtë e bëjnë vetëm njerëz me një ndërgjegje për t’u admiruar.
Ashtu siç e bëra një kritikë të nxehtë publike, m’u desh të shkruaj edhe këtë falënderim të ngrohtë, publik. Megjithëse me argumentet e z. Vehbiu rreth fjalës ‘stomak’ e ‘lukth’ nuk pajtohem as tani dhe mund të mos pajtohemi asnjëherë, në asnjë pikë, më mirë do të dëshiroja të kem një kundërshtar të këtillë fisnik, deri në fund të ndershëm, sesa miq dyfytyrësh, të cilët jo vetëm që nuk të ruajnë dinjitetin, por të hapin gropën edhe më thellë sesa kundërshtarët.
Falemnderit, Shkumbin. Ky koment kaq fisnik të nderon ty veçanërisht, por tërthorazi edhe këtë log.
Per rendesine e normes leksikore nuk kam c’te shtoj , bie dakord me Xhaxhain plotesisht. Praktikisht pa norme , ashtu si dhe pa standard, nuk do kuptoheshim dot njeri me tjetrin dhe atehere vertete do te ishim nje komb barinjsh.
Po nga ana tjeter norma leksikore nuk eshte as e perjetshme ,as e shenjte; cdo kohe ka normen e vet. Bie fjala ‘penxhere’ ka qene norme por nuk eshte me,ne norme aktualisht eshte dritare. Fjaloret e kane akoma dhe s’kane pse te mos e kene, por praktikisht eshte nje arkaizem.
Lidhur me fjalen ne diskutim ‘lukth’ kur degjoj qe flitet nga rreth dy milione shqiptare ,sic u tha ketu,atehere meriton te trajtohet me seriozitet, jo si nje dialektalizem i rradhes. Minimumi do te ishte te shenohej ne fjalor se ne Kosove eshte sinonim i stomakut. Edhe nga analizat qe ka bere Xhaxhai me lart del qe eshte fjale shume e perhapur , diku sinonimike , diku e diferencuar,por gjithsesi me peshe ne gjuhen e folur.
‘Lugth/lukth’ ne fjalorin online te gjuhes se sotme shqipe ne zerin ‘stomak’ jepet si sinonim kurse me vete jepet keshtu:
LUGTH m.
1. Lug i vogël kroi, lëfyti i kroit. Bie uji nga lugthi.
2. anat. Pjesa e thelluar ndërmjet barkut e kraharorit, gropa e stomakut.
Lugthi i zemrës (i gjoksit).
3. anat. Stomaku.
Besoj se Cabej nuk e ka, perndryshe Xhaxhai do ta kishte sjelle. Tek Meyer gjen: lukth m.”burim i vogel,fyti i kroit,stomak”.
Sidoqofte eshte fjale e gjithe gjuhes se e gjen kudo edhe ne jug, gje qe deshmon per vjetersine e saj.
Besoj se ne zanafille ne te foluren popullore i ka pasur te dy kuptimet, pra edhe te stomakut , edhe te gropes se gjoksit. Kjo nuk eshte e rralle ne shqipe; psh kur themi ‘barku’ nenkuptojme edhe siperfaqen po edhe rropullite brenda ; ose kur themi ‘me dhemb veshi’ nenkuptojme organin brendshem te veshit , jo thjesht pjesen e jashtme te dukshme. Ka pra nje konfondim te organit me vendin ku ai ndodhet ne trup.
Keshtu edhe ne rastin e ‘lukth’, kur themi ‘me djeg lukthi’ nuk nenkuptojme dhimbje ne lekuren e gropes se gjoksit, por ne organin qe ndodhet pas ne brendesi te trupit dhe pikerisht te pjeses se siperme te stomakut,atje ku ky takohet me ezofagun.(atje ku ndodh ne fakt ‘djegja’ per shkak te pezmatimit te kapakut te stomakut, qe e ndan nga ezofagu)
Qe eshte keshtu sherben edhe informacioni qe jep Meyer se per S.Frasherin ‘lukth’ nenkupton ‘stomak’ kurse per Hahnin ‘ije’.
Interesant eshte se F.Bardhi stomak e jep ne shqip me ‘mulle/mullez’ (” mullizi ghe chaa nieri nde barch”) , kurse ne fjalorin geg te Gazullit mungon fare.
Duke mbeshtetur Des Irae, huazimi ‘stomak’ nga greqishtja ( por edhe ndoshta nga italishtja nepermjet bregdetit) ka zevendesuar kuptimin e organit( te brendshem) dhe ‘lukth/lugth’ ruan kuptimin e pozicionit ne trup te njeriut. Kjo ka ndodhur ne zonat e ekspozuara (jug, bregdet) por ne thellesi larg ketij ndikimi, pra edhe Kosove eshte ruajtur kuptimi i meparshem sinonimik i stomakut. Keshtu ne Kosove ‘lukth’ eshte fjale e tradites kurse ‘stomak’ libreske dhe perbejne sinonime. Edhe ruajtja e ‘lukth’ si kundervenie ndaj sllavishtes ,sic e shpjeguan ketu, nuk eshte pa gjasa.
Ne kete mes akademiket zyrtare te shqipes ne vend te harxhonin kohen me cikerrima teatro /teatra mund te merrshin edhe me kete fjale ‘lukth’ , qe sic duket edhe ketu , ne si popull nuk e paskemi aq te qarte. Pra nje kontribut per normen leksikore qe te na ndihmojne te flasim drejt shqipen.
Sa per pikpamjen e Xhaxhait se kuptimi i fjales eshte transportuar nga kafshet tek njeriu nuk me duket se ka ndonje gje te pamundur ne parim por duke patur parasysh se sa shume fjale kemi per stomakun e kafsheve ( pervec : katëk,rrëcok e gushë edhe plëndës/plënc,rrëndës,mullë/mullëz/mullxë, porrc,etj) por edhe sepse duket se etimologjikisht lukth/lugth vjen nga lug, duket e veshtire ne praktike.
Doja te prekja thjesht nje pike te ketij diskutimi: ate se fjalet perzgjidhen sipas parimit demokratik. Kjo u prek nga disa komentues sidomos Bashkimi i cili mbron idene e konkurimit te lire te fjaleve.
Ne fakt, gjuha me sepaku eshte fenomen demokratik. Kjo nuk do te thote se aspekti demokratik nuk ekziston por vetem se ai eshte nje gur i vogel ne mozaik. Fakti qe gjysma e popullsise shqiptare ne rajon e perdor rendom fjalen “lukth” nuk ngre ndonje peshe te madhe. Pse? Sepse ketu flitet jo per ekzistimin e saj por per ngritjen e saj ne nivel diskursi mjeksor. Fakti qe nje pjese e madhe e mjekeve ne Kosove perdorin “stomak” ne nivele formale diskutimi e ve shume ne pikepyetje perdorimin e fjales “lukth”.
Numrat dy apo tre milion nuk ka rendesi. Numrat kane rendesi ne gjuhe nese behen faktor. Pra nese nje shumice mjekesh nga Kosova vendosin qe “lukth” te perdoret masivisht nga ata vete, fillimisht ne diskursiin mjeksor mes profesionistesh dhe me pas tek diskursi qe shkon tek populli nepermjet artikujve per shendetin, atehere kemi lindjen e nje faktori dhe ceshtja mund te merret ne diskutim.
Tani, kësaj i thonë trajtim më serioz i një dukurie gjuhësore.
Shpjegimi i problemeve gjuhësore është i mundshëm dhe i lehtë por për një që njeh mirë rrethanat socio-linguistike. Këtu kemi të bëjmë me rrethana socio-linguistike ndër shqiptarët e ish-Jugosllavisë (pra, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi, Luginë të Preshëvës dhe në Maqedoni ).
Mbarështimi i problemit nga ana Juaj është i drejtë. Ka hutesë te folësit. Por kjo hutesë mund të shpjegohet dhe për këtë nuk janë fajtorë folësit e gjuhës. Ky është një keqkuptim i detyrës së gjuhëtarit vjen i bartur nga periudha të kaluara , të metodës preskripcioniste në gjuhë, kur mendohej se gjuhëtari është ‘ai që di gjuhën’, ndërsa populli duhet ‘ta mësojë se si u flitka drejt një gjuhë’. Në rrethet bashkëkohore të gjuhësisë tashmë është qesharake të pretendosh një gjë të tillë. Asnjë gjuhëtar nuk mund të bëhet kaq mendjemadh e të mendojë se mudn t’ia mësojë popullit të vet, gjuhën e atij populli. Puna e gjuhëtarit është të përshkruajë, pra të zbatojë metodën deskripcioniste (përshkruese). Pra, gjuhëtari përshkruan gjuhën, zbulon ligjësitë, prirjet, dukuritë dhe i shpjegon ato. Ashtu siç ka ndodhur deri diku me këtë artikull. Dhe zbatimi i kësaj metode gjuhës shqipe i duhet si buka e uji.
* * *
1. Për grupin e parë (‘ Kombinimi didaktik’): ndër shqiptarët e ish-Jugosllavisë ekziston bindja se ‘në Shqipëri’ organit që ata e dinë si ”lukth’ i thënkan ‘stomak’. Prandaj e përkthejnë ‘stomak’ por detyrohen të vënë në kllapa atë që njihet si ‘lukth’ nga çdo njeri në bashkësinë folëse ku jetojnë, si një sqarim shtesë. Pra, bëjnë edhe një stërpërkthim për shqiptarët e vet. Këtë e bëjnë një grup i vogël përkthyesish të cilët janë të bindur se fjalori zyrtar është i pagabueshëm dhe duan t’i mbeten besnikë atij, por ndeshen me faktin e pamohueshëm se gati askush nga folësit nuk e përdor, ose edhe nuk e di se ç’do të thotë. Prandaj, detyrimisht vendosin në kllapa kuptimin ‘popullor’.
Është e vërtetë se kështu është vendosur një hierarki, por hierarkia është imponuar tashmë nga fjalori dhe jo nga dëshira e shkruesve apo përkthyesve. Nëse fjalori 1980 do ta kishte trajtuar njësoj edhe fjalën ‘stomak’ edhe fjalën ‘lukth’ atëherë çdo artikull i shkruar apo i përkthyer do ta kishte vetëm fjalën ‘lukth’, me ndonjë mundësi që të vihej në kllapa fjala ‘stomak’. Dhe kjo është arsyeja që nuk e gjen kahjen e kundërt ku fjala ‘stomak’ i nënrenditet fjalës ‘lukth’. Nënrenditja tashmë është vendosur në fjalorin 1980. Reagimi Juaj në artikullin e mëparshëm është një shpjegim i kësaj nënrenditjeje.
2. Në përdorimet e fjalëve në ‘Kombinimin pështjellues’ ka ndodhur ajo që shpjegon deri diku pse fjala ‘lukth’ është vënë në kllapa. Duke qenë se fjala ‘lukth’ është mbizotëruese, renditja dhe nënrenditja që ka ndodhur në fjalorin 1980 ka dhënë si pasojë këtë hutesë.
3. Dhe në pjesën e tretë, ‘Drejt një anatomie të re’, shihet rezultati i nënrenditjes dhe fuqia mbizotëruese e fjalës ‘lukth’. Të gjendur në mes të dy zgjidhjeve, shqiptarët kanë gjetur një zgjidhje të mesme: fjalën ‘stomak’ e kanë identifikuar me fjalën ‘bark’ dhe fjalën ‘lukth’ e kanë lënë vetëm për ‘lukth’.
Shqiptarët e trojeve në ish-Jugosllavi me fjalën ‘stomak’ kuptojnë fjalën ‘bark’, sepse në ligjërimin e përditshëm me serbët, fjala e serbishtes ‘stomak’ është përdorur vazhdimisht si ‘bark’. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në ish-Jugosllavi vetëm kur kanë shkruar në shërbimin ushtarak jugosllav kanë mësuar serbishten. Dhe kjo serbishte ka qenë një serbishte e folur dhe të thjeshtë:
‘boli me stomak’ është përkthyer si ‘më dhemb barku’ dhe jo ‘më dhemb lukthi’;
– ‘Udario me u stomak.’ – ‘Më goditi në bark’;
– ‘Vidi kakav veliki stomak.’ – ‘Shih ç’bark i madh’ etj.
Prandaj, nëse në shembujt e grupit të tretë, fjalën ‘stomak’ e zëvendësoni me fjalën ‘bark’ gjithçka sqarohet vetvetiu.
Pas 10 ditesh fryhet shume stomaku, lukthi dhe zorret.
Pas 10 ditesh fryhet shume BARKU, lukthi dhe zorret.
Hëna ndikon në organet shumë të ndjeshme të trupit, si: lukthi, shpretka, stomaku, gjoksi dhe mitra.
Hëna ndikon në organet shumë të ndjeshme të trupit, si: lukthi, shpretka, BARKU, gjoksi dhe mitra.
Pjesët e trupit dhe organet të cilat i drejton janë: stomaku i poshtëm, mëlçia, pankreasi,lukthi dhe sistemi nervor.
Pjesët e trupit dhe organet të cilat i drejton janë: BARKU i poshtëm, mëlçia, pankreasi,lukthi dhe sistemi nervor.
E ku uji pihet shpejtë atëherë hyn edhe ajri i cili në lukth shkakton dhembje, fryerje në stomak, pamundëson lëvizshmërinë e lukthit.
E ku uji pihet shpejtë atëherë hyn edhe ajri i cili në lukth shkakton dhembje, fryerje në BARK, pamundëson lëvizshmërinë e lukthit.
Janë të mundshme dhembje koke herë pas herë, pastaj probleme me stomakun, me sistemin e tretjes dhe me lukthin, si edhe infeksione virusale dhe shtim të tensionit nervor.
Janë të mundshme dhembje koke herë pas herë, pastaj probleme me BARKUN, me sistemin e tretjes dhe me lukthin, si edhe infeksione virusale dhe shtim të tensionit nervor.
Pra, ‘lukthi’ e ‘stomaku’ janë të ndryshëm për shumicën e shqiptarëve në trojet e ish-Jugosllavisë sepse zhvendosja kuptimore ka qenë një proces nga kuptimi i gjerë i fjalës në serbisht (‘stomak’ për ‘bark’), në kuptimin e shqipes së folur prej tyre (‘lukth’)dhe, në fund, ballafaqimi me të njëjtën fjalë në ‘shqipen unisuar’ (‘stomak’). Gjithsesi, një shqiptari të tillë, automatikisht i është krijuar bindja se ‘stomak’ në serbishte dhe ‘stomak’ në ‘shqipen e unisuar’ duhet të shënjojnë të njëjtën gjë. Ironia është se këto fjalë, vërtet shënjojnë të njëjtën gjë, por mënyra se si e kanë kuptuar ka qenë e ndryshme. Le të shtojmë edhe të dhënën se edhe në serbisht ekziston sinonimi për fjalën ‘stomak’ si ‘zeludac’ (lexo: ‘zhelludac’) dhe kjo, edhe për një njohës të mirë të serbishtes ka mundur të shkaktojë hutesë sikurse për shqiptarët fjala ‘lukth’.
‘Epigastrium’, siç mund të shihet në fjalorin serbisht-shqip, përkthehet si ‘mbilukth’ dhe jo si ‘lukth’. Nuk më duket gjuhësisht e pranueshme që një fjalë shqipe, tashmë e përdorur dhe e stabilizuar kuptimisht, të marrë një kuptim tjetër prej asaj që tashmë ka si recetë prej gjuhëtarësh. Kjo i bie, sikur një grusht gjuhëtarësh duan t’ia mësojnë gjuhën shqipen miliona shqiptarëve! Shumë më praktike më duket që në fjalorët e ardhshëm të shmanget gabimi i bërë dhe fjala ‘lukth’ të paraqitet si sinonim i plotë i fjalës ‘stomak’ ashtu siç ka qenë kjo fjalë në fjalorin e vitit 1954 ku fjala ‘lukth’ është sinonim i plotë i fjalës ‘stomak’ dhe jo e ‘nënrenditur’, siç kanë bërë Kostallari me shokë. Kaq.
LUKTH-I, em. stomaku; 2. fyti i kroit.
STOMAK-U em. anat. organ i aparatit tretës që ka trajtën e një torbe dhe gjindej në zgavër të barkut nën mishin e varfër; lukth, mullë, zgrof.
FJALOR I GJUHËS SHQIPE, Tiranë, 1954 (Cipo, Çabej, Domi, Krajni, Myderrizi):
Pështjellimi në paragrafin e fundit me ‘gjuhën e barinjve e të kasapëve’, është një sallto e bukur e një mjeshtri të gjuhës, por jo edhe bindës. Sidoqoftë, ne shqiptarët e kemi të vështirë të kërkojmë falje për shkarjet që bëjmë. Megjithatë, po bëhemi gjithnjë e më të mirë.
Shpresoj qe se afermi te kemi mundesine qe te lexojme nje shkrim mbase te titulluar “Politika e Lukthit” te shkruar nga ndonje kontribues nga ish-Jugosllavia dhe nga ku te mund te mesojme pak me shume per shmangien me vetedije te termave shkencore nga ana e shqiptareve me arsyetimin se kete apo ate term e kane degjuar per here te pare nga goja e nje serbi, dhe me shume gjasa, serbisht.
Ky fenomen, i ri per mua, ishte gjeja me interesante qe une mesova nga ky diskutim.
Në rrethin tim familjar dhe atë shoqëror flitet rregullisht gegërishtja veriperëndimore. Vetë jam me origjinë qytetare nga Shkodra dhe lidhjet atje i kam relativisht të gjera e intensive. Në këtë bashkësi prej qindra njerëzish unë kam mësuar dhe praktikuar lirisht të folmen lokale dhe mund të them se jam mjaft i familjarizuar me këtë. Njëri prej tyre, i famshmi Fejzi H (shiko më tepër këtu) https://peizazhe.com/2010/03/25/ngrirja-e-detit/, hipokondriak i merituar, vinte shpesh në Tiranë duke kërkuar t’i bënte derman sëmundjeve të panumërta të pashërueshme që e torturojnë prej gati 50 vitesh. Mbaj mend, që ankohej shumë për “lukthin” (asht ka m’myt lukthi!) dhe tregonte në pjesën e barkut një vend fare pranë në jug të kafazit të kraharorit. Ushqimin e treste në “stomak” ndërsa “lukthi” i digjte. “Stomaku”, i cili është një nga ato pak organe, të cilat të ofron shumë mundësi për ta përfshirë në metafora nga më të ndryshme, në këtë funksion në gjuhën e tij ishte “stomak”. Këtu i shkonte ushqimi, i cili tretej, ose po ky i mbante ose nuk i mbante një “sjellje” të dikujt tjetër.
Nga ankesat lidhur me sëmundjet që detyrimisht i kishte nuk më kujtohet të fliste gjë për kancer të “lukthit”, por për atë të “mushnisë së zezë”.
Në gjuhën e tij “lukthi” ishte vendi ku e ndjente djegien, por jo organi.
Siç e përmendën edhe disa kolegë, një kuptim i “lukthit”, i cili si i tillë mund të jetë edhe i vetmi për një bashkësi njerëzish që kanë një të folme të përbashkët, nuk është “stomaku”, por një pjesë e barkut në zonën e sipërme të tij, menjëherë poshtë kafazit të kraharorit.
Nga diskutimi në fjalë unë besoj se u mësua të paktën, që ”stomak” dhe “lukth” si terma nuk mbulojnë organe ose pjese të trupit njësoj në të gjithë hapësirën shqipfolëse. Ndërhyrja e një kolegu nga ish-Jugosllavia lidhur me kuptimin “bark” që i japin në Kosovë “stomakut” ishte për mua bindëse. Nga ana tjetër ne (unë) gegët e Republikës së Shqipërisë nuk kuptojmë detyrimisht me “lukth” një organ por një pjesë të trupit.
Në këto rrethana nuk mund të kërkohet që miliona njerëz të përdorin detyrimisht një fjalë vetëm për hir të normës leksikore, gjë që askush nuk e kërkoi, por mund të pritet, që në një tekst publik të jetë në një farë mënyre integër.
Unë e kuptoj irritimin e autorit, i cili në një artikull të shqiptarja.com lexon diçka për lukthin, ndërkohë që kjo faqe i është dedikuar kryesisht lexuesit nga Republika e Shqipërisë. Edhe mua do të më kishte irrituar, njësoj sikur të kisha lexuar diçka për “vozitjen e kerrave pa leje” në një shkrim që trajton temën e “drejtimit të automjeti pa patentë”. Për hatër të Zotit, që të mos keqkuptohemi, çdokush i lexuar e kupton mirë se për çfarë është fjala. Por lexuesi ka të drejtë të vetëkuptueshme të pretendojë një farë integriteti gjuhësor në shkrimin që lexon.
Edhe mua, kështu me intuitë, me duket se lukthi është emër i një vendi në trup (epigastriumi), ndërsa kalimi me metonimi nga një emërtim si të thuash gjeografik tek organi i stomakut mund të jetë bërë nga zelli i tepruar i disa terminologëve në Kosovë për të hequr qafe një fjalë që atyre u është dukur e huaj (stomak). Natyrisht, termi mbilukth që u soll këtu si shembull nga kolegu për epigastrium është neologjizëm; sepse që nga momenti që ke vendosur që lukth ta ankorosh si term për stomakun, duhet gjetur një term tjetër për epigastriumin, etj. Nuk kam asnjë provë për këtë, thjesht një përshtypje – por jam marrë aq me terminologji, sa ta përfytyroj procesin.
Pifto, vetë një si duket të ka ‘ikur’ nga vëmendja nga gjithë ky muhabet: si e shpjegon që fjalori i vitit 1954 i përgatitur nga Cipo, Çabej, Domi, Krajni, Myderrizi, trajton si sinonime fjalët ‘lukth’ dhe ‘stomak’? Pra, këta autorë nuk ishin nga ish-Jugosllavia, por nga jugu e veriu i Shqipërisë shtetërore, ishin gjuhëtarë nga më të mirët që kemi pasur deri sot. A mund të bindësh veten dhe mua se ata e kishin gabim? Apo se puna në fjalorin e vitit 1980 mori thua dhe u provincializua, në vend që të bëhej edhe më e hapur? Unë mendoj se në fjalorin e vitit 1980 është bërë gabimi. Dhe fjala ‘lukth’ është vetëm dëshmi e kësaj pune.
Unë nuk i jam i aftë të jap një gjykim për punën e këtyre gjuhëtarëve, ngaqë mua më mungon ekspertiza shkencore. Por po ta kishin pyetur këta gjuhëtarë shkodranin qytetar denbabaden Fejzi H se ku e tret ky ushqimin, ky me siguri do t’i kish thënë në atë të folmen e vet në “bark” dhe jo në “lukth”. Unë ju qasa fenomenit si “popull”, si shumëkush këtu, që bëri të vlefshëm pretendimin se “lukthi” në Kosovë është “stomaku”, ndërkohë që ky pastaj është “barku”. Në rregull me të gjitha këto, por gegë veriperëndimorë me lukth kuptojnë një pjesë të trupit dhe këtë e them i bindur nga përvoja personale. Unë e flas atë të folme, e kuptoj dhe shpesh edhe përdor në kontakt me njerëzit e mi nga Shkodra. Po këta njerëz kur flasin konkretisht për atë organ në të cilin tretet ushqimi flasin për “stomak” dhe kur hipin në peshë “vejn bark”. Ca gjëra kështu janë dhe ne nuk i ndryshojmë dot.
Nuk besoj ta kem kuptuar këtë diskutim gabim, por përshtypja ime është, që dalëngadalë po bëhet gjithnjë e më evidente, që në kohën e komunikim masiv mbarë shqiptar të përdoret standarti, në mënyrë që të mos kuptohemi anapolla. Pastaj a do t’i themi një organi “stomak” apo “lukth”, kjo për mua është sekondare. E rëndësishme është që një tekst të ruajë në të gjithë gjatësinë e tij një nivel gjuhësor.
Megjithëse thua se ‘nuk ke ekspertizë shkencore’, megjithëse thua se iu qase fenomenti ‘si popull”, dhe flet për një qytetar ‘denbabaden’ si Fejzi H’ prapë jep një gjykim prej eksperti kur thua se
‘që në kohën e komunikim masiv mbarë shqiptar të përdoret standarti, në mënyrë që të mos kuptohemi anapolla.’
Nuk duhet të jesh ekspert gjuhësor që të vlerësosh nëse Cipo, Çabej, Domi, Krajni e Myderrizi janë më autoritet në gjuhësinë shqipe apo Fejzi H; nëse duhet t’i japësh të drejtë Fejzi H-së apo pesë gjuhëtarëve eminentë që hartuan fjalorin e parë shpjegues të gjuhës shqipe.
Fatkeqësisht, ashtu siç ndodh shpesh nga jugorët dhe jo nga veriorët, ti fjalën ‘standard’ e shkruan ‘standart’! Pra, megjithëse kërkon respektim të standardit, pikërisht këtë fjalë e shkruan gabimisht ‘standart’! Mua më duket që ose nuk je shkodran, ose je çshkodranizuar aq shumë duke jetuar larg Shkodre sa të kanë mbetur prej atje vetëm anekdotat. Sidoqoftë, respektimi i parë i standardit nis duke e shkruar, së pari, drejt, vetë fjalën ‘standard’ apo jo?
Fjalori që u botua në Shkodër më 1908, Fjaluer i Rii i Shqypes, (Fjalori i Shoqnisë ‘Bashkimi’) ka zërin:
LUGTH, i, vm. shum. lugtha , t. (italisht) Stomaco (fq. 239)
Tashti ose janë dy Shkodra, një në Kosovë e një në veriperëndim të Shqipërisë, ose Fejzi H. ka probleme me shqipen e tij dhe ti me njohuritë e së folmes së Shkodrës. Në Shoqninë ‘Bashkimi’ ishin Luigj Gurakuqi, Prek Doçi, Dodë Koleci etj. por punën kryesore mendohet se e ka bërë Dodë Koleci. Këta intelektualë të kohës mendoj se janë shkodranë me rrënjë. Por mund të jetë që Fejzi H. edhe ua kalon për nga njohja e shqipes, për nga qytetaria shkodrane dhe unë e shumë shqiptarë të tjerë nuk kemi pasur kënaqësinë ta njohim.
Nuk mund të ketë kurrfarë keqkuptimi me fjalët ‘stomak’ e ‘lukth’ derisa të respektojmë kuptimet e fjalëve drejt. Dhe ekzistimi i dy fjalëve për një gjë nuk përbën problem, ashtu siç nuk përbëjnë problem çiftet sinonimike: kokë/krye, aeroplan/avion, aerodrom/aeroport etj. Pra, kjo s’ka të bëjë asgjë me standardin. Edhe një herë e them, nuk janë ‘gegët veriperëndimorë’ që i thonë lukthit ‘lukth’. I thonë shqiptarët. E kanë në çdo fjalor të tyre.
Muhabeti që nisi këtu ishte se përdorimi i fjalës ‘lukth’ në vend të fjalës ‘stomak’ u interpretua padrejtësisht si shenjë që ‘e bën shqipen të tingëllojë si gjuhë fisi barinjsh të sapozbritur nga mali?’
Nesër do të dalë dikush e do të thotë se edhe përdorimi i fjalës ‘krye’ në vend të fjalës ‘kokë’ është po ashtu shenjë që ‘e bën shqipen të tingëllojë si gjuhë fisi barinjsh të sapozbritur nga mali?’ Dhe kështu nuk do të dihet se ku mund të ndalet kjo. Gjendjen e bën edhe më të rëndë fakti se një trajtim të këtillë – me sa e shoh nga artikujt në uebfaqe – e bën një gjuhëtar me përvojë e njohuri mjaft të thella të shqipes.
Në rastin e fjalës ‘lukth’ kemi shembullin kur kjo fjalë gjendet në të gjithë fjalorët e shqipes, si fjalë sinonime e fjalës ‘stomak’ apo edhe e nënrenditur! Po të ndodhte që kjo fjalë të mos ishte në fjalor, ashtu siç ndodh me shumë fjalë të gegërishtes, çfarë do të ndodhte a thua? Nga njëra anë, sot, pranohet nga shumica e gjuhëtarëve se ndaj gegërishtes është bërë padrejtësi dhe se kjo duhet të riparohet duke futur leksema të reja nga ky dialekt për të pasuruar shqipen. Si do të bëhet kjo kur një fjalë që ekziston në të gjithë fjalorët ka një trajtim të këtillë? Po le të jetë edhe kuptimi i pesëdhjetë në fjalor, nëse kjo fjalë gjendet aty, atëherë e drejta që kjo fjalë të përdoret pa u cilësuar ‘fis barinj të sapozbritur’ ekziston, pa asnjë dyshim.
Është e drejtë e patjetërsueshme qytetare e çdo shqiptari që të përdorë trajta që ai i mendon si të drejta. Fjala e caktuar nis jetën e vet duke u përdorur. Testi i vërtetë i një fjale, pastaj, bëhet përdorimi nga sa më shumë folës të kësaj gjuhe. Kështu ushqehet dhe jeton një gjuhë. Edhe fjalët nga gjuhë të huaja kështu vijnë. E sjell njëri, e përdor tjetri, pastaj edhe një tjetër dhe një fjalë e huaj bëhet fjalë shqipe. Kështu janë bërë të gjitha fjalët e shqipes me origjinë të huaj dhe fjalët e çdo gjuhe tjetër në botë. Edhe fjalët dialektore kanë këtë rrugë për t’u bërë gjithëshqiptare. Po flas për fjalë të rralla, të panjohura. Fjala ‘lukth’ nuk është dialektore sepse është në çdo fjalor. Po, ka trajtime të ndryshme të saj por gjendet në çdo fjalor.
Sot me qindra e mijëra fjalë vijnë nga greqishtja, italishtja, anglishtja në gjuhën shqipe dhe përdoren nëpër televizione e gazeta, posaçërisht në ato të Tiranës, dhe askush nuk bën vlerësime të tipit ‘gjuhë fisi barinjsh të sapozbritur nga mali’. Edhe kur nuk përdoren as mbaresat rasore dhe shkruhen fjali idiotike si: ‘Bler takoi Bush’ nuk është problem. As kur thuhet suportoj, inkriminoj, determinoj, hezitoj etj. nuk është problem. Por kur përdoret një fjalë që dyshohet se sikur shtyn agjendën ‘subversive’ të ‘sabotatorëve’ veriorë bëhet nami. Edhe kur i bëhet vërejtje autorit se ky cilësime të tilla të pamatura janë teprime, ai e cilëson këtë vërejtje si ‘paranojë’. Kjo vjen, natyrisht, ngaqë nuk është në gjendje të shohë paranojën e vet.
Shkumbin, me sa shoh, ti vazhdon t’i biesh po asaj culeje të shtrembër – duke u kapur pas vërejtjes sime fillestare për barinjtë; megjithëse unë pata rast të ta sqaroj gjerë e gjatë, jo me një por me dy shkrime, se për çfarë e kisha fjalën: dhe pikërisht se, kur është fjala për emërtimin e saktë të organeve të brendshme të njeriut, nuk mund të mbështetemi në nomenklaturat folklorike. Me sa duket, po të intereson të hiqesh sikur nuk ha pykë – kushedi për të konfirmuar stereotipin e bariut të vrazhdë dhe që andej, tërthorazi, edhe interpretimin tënd paranojak të thënies sime. Që të mos ngatërrohem edhe unë në këto lojëra të pahijshme, nuk do të të lexoj më: je i mërzitshëm.
Shkumbin,
kam gabuar kur shkrova “standart” për “standard”, por nuk më duket të jetë një gafë aq e rëndë si kjo që shkruan ti:
“Fjala ‘lukth’ nuk është dialektore sepse është në çdo fjalor.”
Seriozisht e ke ti? Ky qenka kriteri? Qenka kjo kompetenca jote shkencore?
Shkruan:
“Edhe kur nuk përdoren as mbaresat rasore dhe shkruhen fjali idiotike si: ‘Bler takoi Bush’ nuk është problem.”
Po kush ta shtiu ndër mend, që kjo për mua është në rregull, që e shkruan këtë? Gjuha që përdoret ne mediet e Tiranës ka mjaft probleme, madje edhe shkrimi, për të cilin po diskutohet, këto dukuri prek. Tani nuk po lufton gjë njëri për të mbrojtur gjuhën e keqe të medieve të Tiranës, përkundrazi. Ajo që pret një lexues mesatar (unë) është ruajtja e një niveli ne vijim të një shkrimi.
Lukth, me gjithë respektin që kam për barinjtë, kosovarët, kafshët, tingëllon në një tekst të medieve të Tiranës keq. Dhe kjo për dy arsye.
Ose sepse nuk lexuesi e njoh fare si fjalë, ose sepse me të nuk lidh vetëkuptueshëm një organ, por një pjesë të trupit.
Ky është realiteti. Merre, ose lëre!
Edhe Fejzi H. lëre rehat në hallet dhe sëmundjet e veta, se është njeri mjaft i nderuar. Ta krahasosh atë me Luigj Gurakuqin është diçka më tepër se një lajthim. Madje, madje, unë po të flisja përsëri si popull do të thoja se shqipja e Fejzi H. burim më i sigurt se ajo e një intelektuali të shëtitur e leçitur, i cili gjithnjë duke kontaktuar realitete të tjera gjuhësore, mund të ndikohet.
Edhe kompetencën time lidhur me gegërishten veriperëndimore mos e vër fare në diskutim, sepse këtë gjë e di unë dhe jo ti.
Dhe meqë paske në plan që ta gjesh patjetër qimen në vezë mëso mbase se “aeroport” dhe “aerodrom” nuk janë fare sinonime. Gjithashtu edhe “avion” dhe “aeroplan” nuk janë e njëjta gjë. Nuk ka “avion me helika”, si dhe nuk ka “avionmbajtëse” por “aeroplanmbajtëse”; dallimi ka të bëjë me madhësinë, shpejtësinë dhe epokën kur janë përdorur si mjete fluturimi; p.sh. Dresdenin e kanë bombarduar në 1945 me “aeroplanë” dhe jo me “avionë”.
Tani për sa i përket autorit, që unë e kam shumë për zemër, ky është i ndër të paktët që është shprehur botërisht për nevojën urgjente të rehabilitimit të gegërishtes. Ka shkruar sa herë që ka qenë nevoja dhe ka thënë gjera me mend. Për shembull, që gegët nuk mund të presin që t’i rehabilitojë kush, por duhet ta marrin vetë nismën për rehabilitimin e të folmes së tyre. Autori thotë shpesh se rruga më e keqe për këtë është të hyhet brutalisht në ambiente ku përdoret standardi duke imponuar një lloj gegërishte balashe, që nuk është as mish e as peshk. Autori ka shkruar bajagi, që kjo e folme duhet rehabilituar duke u regjeneruar në hapësirën e saj ku flitet nëpërmjet letërsisë, teatrit, kulturës.
Gegët do të fillojnë të tërheqin vëmendjen mbarëshqiptare kur të kenë gjëra për të thënë dha ta bëjnë këtë në gegërisht.
Prifto,
kur dikush hyn e flet për standardin dhe s’di të shkruajë as vetë fjalën ‘standard’ tregon mjaftueshëm për kompetencën e tij! Kthimi i bashkëtingëllores fundore ‘d’ në ‘t’ është veçori më shumë e toskërishtes.
Unë të dhashë shembullin nga fjalori i vitit 1908 dhe ti s’e the as edhe një fjalë për këtë! S’pata punë me Fejzi H-në. Ai pastë jetë të gjatë! Ti e zure në gojë si një argument se në Shkodër ai fjalën ‘lukth’ e përdorte për diçka më lart se stomaku. Gurakuqin e zura në gojë sepse është shkodran, ka qenë kryetar i shoqërisë ‘Bashkimi’ dhe ka ndihmuar në përgatitjen e fjalorit 1908 dhe në këtë fjalor fjala ‘lukth’ jepet si e vetmja për atë që në italisht është ‘stomak’. Kaq.
Të qenit e një fjale në çdo fjalor, së paku, nga viti 1908 tregon që kjo fjalë ka qëndrueshmëri, ky është një nga kriteret e forta që një fjalë të futet në një gjuhë standarde në çdo gjuhë në botë, dhe këtë e paraqes si kompetencë timen gjuhësore.
Çfarë janë kriteret e tua, të lutem?
Të falem nderit që ke respekt për ‘barinjtë, kosovarët dhe kafshët’. Ky është një virtyt i vyeshëm.
E falënderoj shumë edhe moderatorin, Xha Xhain, që ka lënë të publikohet kjo fjali!
Çfarë lidh ti e çfarë nuk lidh me fjalën ‘lukth’, s’ka lidhje me debatin! As çfarë lidh unë. Kjo gjë nuk është çështje personale.
Për avionin nuk po e zgjas por po ta jap përkufizimin e fjalorit:
AVION m.
Aeroplan. Avion reaktiv. Nisem (udhëtoj) me avion.
Pra, AVION m. AEROPLAN.
AEROPORT m.
Aerodrom i ndërtuar në vija të caktuara të udhëtimeve ajrore dhe i pajisur për nisjen e pritjen e udhëtarëve e të mallrave dhe për drejtimin e fluturimeve të aeroplanëve. Aeroport civil (ushtarak).
Pra, AEROPORT = AEROPORT
Ke përzier muhabetin. Në asnjë pikë s’kam folur për personin e autorit. Nuk e njoh as më intereson ta njoh. Fola për artikullin konkret. Citatin konkret. Dhe s’thashë as edhe një fjalë për gegërishten. Flet për diçka që nuk është diskutuar fare. Qëndrimi i tij për gegërishten është çështje e tij personale. Këtu u bë muhabet për fjalën konkrete ‘lukth’ e cila nuk është vetëm e gegërishtes. Konsulto fjalorin e Pano Tases, Fjalorth i Ri (Fjalë të rralla të përdorura në Jug të Shqipnis, 1941, dhe shiko faqen 101.
Sec na eshte vene me buke ne traste ky miku me keto nderhyrje me shume pa vend se sa me vend sa po me heq mallin e Shabanqoses. Na eshte ngjitur si ai miku pas kepuces.
Xhaxha! Ki meshire per ne lexuesit e ngrate te ketij blogu, dhe thuaji individit ne fjale qe ke te drejte dhe bile do kontribuojme edhe financiarisht te shkruaje ndonje liber per kete punen e te na lere rehat me carcafet qe na dergon pas cdo komenti!
Ky ka te ngjare eshte nga ata qe ose do dale e tija ose behet njera!
Hapi rruge, ndoshta do gjeje ndonje forum tjeter te keqtrajtoje!
Pershendetje !
Nga ky debat per “lukthin”,mendoj se te gjithe po perfitojme duke mesuar gjera te reja,por ka rrezik qe diskutimi te personalizohet,te cilin duhet ta shmangim domosdo.Jemi duke folur per nje çeshtje qe e kemi merak:gjuhen shqipe.
Trajtesa e Shkumbinit eshte e qendrueshme,meqenese problemin e trajton nga kendveshtrimi socialinguistik,ekspertize e cila s’i mungon as Xha Xhait,te cilen ia kam theksuar edhe me pare.Tani,problemi shtrohet se perse norma leksikore s’e ka perfishire fjalen”lukth”,kjo ka ndodhur se perpiluesit e ketij fjalori kane pasur ne mendje vetem qytetaret e shtetit shqiptar.Ajo qe dua ta theksoj eshte se ne planifikimin gjuhesor duhet te merret parasysh edhe faktori Kosove,perndryshe do te dale i manget.por kjo nuk do te thote se nuk duhet te kete permiresime.Nje fjale do te duhej te ngritet ne standard nese shumica e qytetareve e perdorin ate,perfshirja ne fjalor nuk ia garanton statusin.Sa i perket leksikut,numrat gjithsesi kane rendesi,prandaj kam “propozuar” qe t’ua japim te drejten e konkurences te gjitha fjaleve,pastaj “ekonomia e tregut” vetvetiu do ta kristalizonte procesin e normes leksikore.
Fjala “lukth” perdoret gjeresisht ne Kosove dhe nuk shenon stomakun,ne fakt lukthi eshte vetem njeri nga oraganet e stomakut(barkut).Keshtu e di qemoti.
Eshte mire qe u hap ky debat,sepse ky do te sjelle te tjere dhe mendoj se do te jete nje ndihmese e madhe e cila do te perafroje qendrimet andej e kendej kufirit sa i perket standardit dhe normes leksikore.Besoj qe gjuhetaret e Tiranes dhe Prishtines duhet te ulen dhe te bejne nje standardizim te terminologjise te fushes se shkencave,sepse ketu edhe ndodhin keqkuptimet me te medha midis nesh.
Sidoqofte,ky eshte debat midis vellezerve !
Thua:
” Une si ti them ‘miqsi’ ne nje kontekst informal, ne nje kontekst formal nuk e shkruaj dot ‘miqsi’, as me revole te koka, do me dukej vetja si analfabet, plus qe eshte pikerisht te ato dy pikat aq te kendshme mbi ‘ë’ qe mua me shfaqet edhe hyu, fjala vjen….”
Natyrisht,s’ka si te ndodhte ndryshe,sepse standardi dhe e folmja jote amtare jane bere nje,plus qe ti i je nenshtruar nje sistemi te konsoliduar arsimor.Pa mendo pak per vellane tend,i cili s’e ka kete luks dhe eshte larg qendres gravitacionale te gjuhes letrare…Atij do t’i duhet te mendoje se çfare thote dhe ne te njejten kohe te mendoje se si ta thote dhe nga perpjekja per te qene sa me afer standardit,shprehja gjuhesore e tij perçudnohet,meqenese standardi eshte larg natyres se te folmes se tij,pra nuk mund te gjeje qofte edhe nje fije arome nga e folmja qe perdor.A s’e kemi per borxh qe standardin t’ia bejme me te natyrshem ketij personi?Ndryshimet jane thuajse kozmetike dhe nuk prekin fare bazen.
E sa per ” ë “, me sa po shoh as une e as ti nuk jemi duke i perdorur.Mbase fajin e ka teknologjia qe s’na e mundeson nje gje te tille !
Bashkim,
fjala ‘lukth’ është ‘normë leksikore’ pa asnjë dyshim!
Që të mos jetë ‘normë leksikore’ ajo do të duhej të mos ishte në fjalorë. Si e thashë edhe në komentet tjera, fjala ‘lukth’ jo vetëm që është në çdo fjalor të gegërishtes, por edhe të toskërishtes, e më vonë edhe të shqipes standarde – e ‘Fatma’ thotë se e përdor edhe Sami Frashëri – por fjala lukth gjendet edhe në Fjalorin Drejtshkrimor 1976. Kushti i fundit që një fjalë të jetë normative është që ajo fjalë të listohet në fjalorin drejtshkrimor të një gjuhe, pra, të bëhet leksemë. Ky është kurorëzimi i statusit të një fjale, sepse për të ardhur deri te fjalori drejtshkrimor një fjalë kalon nëpër dhjetëra shqyrtime. Fjala ‘lukth’ e ka bërë këtë rrugë. Gjendet e listuar në fjalorin drejtshkrimor të gjuhës standarde shqipe dhe kjo është punë e kryer. Pra, është ‘normë leksikore’, së paku me ‘normën leksikore’ siç e njohin rregullat leksikografike kudo në botë.
Si duket, keqkuptimi po lind nga të kuptuarit ndryshe të ‘normës leksikore’. Jam kureshtar të di se cilat qenkan kushtet që një fjalë të jetë ‘normative’. Sapo të sqarohet kjo, atëherë gjithçka tjetër do të bëhet e qartë vetvetiu.
Askush nuk diskuton normativitetin e fjalës lukth – por vetëm të një kuptimi specifik të asaj fjale. Vallë kaq e vështirë është, që të kuptohet kjo dhe të merret si premisë për ta vazhduar debatin?
Shkumbin
Une s’kam konsultuar burimet qe Ju permendni,por s’kam arsye te mos ju besoj se ajo qe thoni eshte e vertete,meqenese shihet se keni njohuri te thella nga kjo fushe.FSGJSH ia atribuon fjales ” stomak” ,te gjitha elementet e lukthit,gje qe per mua eshte gabim,prandaj ne fjalor s’e ke fjalen “lukth” me kuptimin per te cilin e gjithe Kosova pajtohet.
Te mos perseritem,dua te shtoj se nje fjale e cila ka perdorim te gjere,po nuk gjendet ne fjalor,kjo nuk ia humb te drejten qe te quhet normative,sepse numri i popullates qe e perdor ia jep kete te drejte,pavaresisht paragjykimeve e tehollimeve linguistike.Nese norma leksikore,siç thuhet,eshte e hapur,ndaj te gjitha prurjeve,atehere vetvetiu mbrojtesve te “lukthit” u jep te drejte.
S’e di sa keni percjelle nderhyrjet e mia tek PF,por jemi ne te njejten linje.Dhe nuk eshte vetem “lukthi”,ka edhe shume fjale tjera ne trojet shqiptare te cialt duhet te “futen” ne normen leksikore,sepse jane te gjalla ne,se paku,gjysmen e kombit shqiptar.
Prandaj,gjuhetaret tane duhet qe planifikimin gjuhesor ta bejne duke marre parasysh se nuk ekziston vetem Republika e Shqiperise,kjo nuk u “kuptua” me 1972 dhe kjo me dhemb mua.
Çdo debat eshte i frytshem,sepse keshtu kuptohen me mire “problemet” ,qe mund edhe te zgjidhen.
Bashkim,
s’pata asnjë keqkuptim të asaj çfarë keni shkruar. E kuptoj se edhe Ju e ndiqni një vijë të mirëkuptimit më të gjerë, ashtu siç mendoj edhe unë. Ndoshta u keqkuptova me fjalinë e fundit, e cila nuk kishte të bënte me Ju, prandaj Xha Xhai dha sqarimin e tij.
Numri i përdoruesve të një fjale është një nga kriteret e duhura për përcaktimin e vendit të një fjale në fjalësin e gjuhës standarde të një gjuhe. Por, siç e sheh, mund të paraqiten edhe probleme në këtë vijë. Mund të ndodhë një leksemë të nënrenditet në afrinë kuptimore sinonimike. Në rastin e fjalës ‘lukth’ unë nuk mund të pajtohem që të jetë në kuptimin e tretë të zërit ‘stomak’ në fjalor. Nëse fjalori i vitit 1954 e ka me kuptim të barazvlershëm ‘stomak’ – ‘lukth’, kështu është dashur të jetë edhe në fjalorët 1980/1984 etj. Pse ka ndodhur kjo? Mendoj se shpjegimi më i mirë ishte habia e Xha Xhait, me përdorimin e kësaj fjale, e pastaj habia ime me habinë e Xha Xhait! Pra, kemi një keqkuptim që ka lindur nga mosnjohja e rrethanave reale në terren.
Kur Jua shkrova atë përgjigje, ishte vetëm një sqarim që fjala ‘lukth’ është përfshirë në fjalor, si sqarim për atë që Ju shkruani:
‘Tani,problemi shtrohet se perse norma leksikore S’E KA PERFISHIRE FJALEN” [e shkrova me të mëdha për të nënvizuar pikën që po e diskutojmë] lukth”, kjo ka ndodhur se perpiluesit e ketij fjalori kane pasur ne mendje vetem qytetaret e shtetit shqiptar.’
Dhe ‘fajtor’ për këtë jam edhe vetë sepse edhe unë në fillim mendova se fjala ‘lukth’ nuk qenkësh përfshirë në fjalorin drejtshkrimor apo fjalorët shpjegues 1980/1984.
Ajo ku me Ju pajtohem plotësisht është fjalia Juaj praparendëse:
‘Ajo qe dua ta theksoj eshte se ne planifikimin gjuhesor duhet te merret parasysh edhe faktori Kosove,perndryshe do te dale i manget.por kjo nuk do te thote se nuk duhet te kete permiresime.’
Dhe krejt ato që shkova në këtë blog ka pasur për qëllim këtë që keni përmbledhur në këtë fjali.
Neper fjalore i gjen te gjitha variantet, me tipiku eshte ky online :
LUGTH m.
1. Lug i vogël kroi, lëfyti i kroit. Bie uji nga lugthi.
2. anat. Pjesa e thelluar ndërmjet barkut e kraharorit, gropa e stomakut.
Lugthi i zemrës (i gjoksit).
3. anat. Stomaku.
Ruga me e mire eshte te shikosh historine e fjaleve.
Se pari nje pyetje qe ka vend te behet eshte se kur hyri ‘stomak’ ne shqipe dhe cilen fjale zevendesoi.
‘ Stomak’ nuk duket fjale e vjeter sepse nuk ka ndryshim nga origjinali, greqisht apo italisht qofte.Deri ne ’90 degjoje ta shqiptonin :stomaku, po edhe stomahu bile edhe stomau. Arbereshet e Borgo Erizzo, te cilet kane emigruar ne periudhen 1737-50, e shqiptojne ‘stumk’ nga stomaco(it),qe perfaqeson modifikimin me te thelle.Pra mund te thuhet se ne trevat shqiptare mund te kete hyre edhe me vone se mezi shek.XVIII. Mund ta kene sjelle edhe arumunet (stomáhu) dhe atehere do te ishte nje fjale barinjsh.
Gjithsesi duket se ka hyre ne periudhen letrare te shqipes dhe po te kerkohet mund te gjenden me shume te dhena. Qe prej F.Bardhit perkthehet me ‘mullë’ dhe mund te thuhet se pikerisht kjo fjale ka qene ne perdorim nga shqiptaret kur u zevendesua nga huazimi ‘stomak’. Deri ne ’90 ‘mullë’ qarkullonte ne ligjerimin e folur , por me nje ngarkese pezhorative si psh ‘sa e ka mullën’ per persona me bark te madh. Kishte marre me teper kuptimin e stomakut te kafsheve, ndoshta nen ndikimin e ‘mullëz’ ,qe perfaqesonte fundin e stomakut te kafsheve dhe perdorej ne fshat per zenien e djathit. Nuk di nese kjo fjale, ‘mullë’,ka qene ne perdorim ne Kosove apo vetem ‘lugth’, sic pohohet ketu nga disa bashkebisedues,informacionin e te cileve nuk gjej arsye per te mos e besuar.
Por a mund te kete qene edhe ‘lugth/lukth’ nje emertim i qemotshem per stomakun modern?
Me teper se pandehmat apo besimet ,vete fjala mund te jape me shume informacion. Ne Kosove na thuhet se emerton organin e stomakut. Ne Shqiperi , te pakten ne jug e bregdet, gjendet vetem ne nje formule te ngurtesuar ‘ me djeg lukthi’. Nderkohe fjalori i 1954 e ka si sinonim te stomakut , kurse ai i 1980 nuk e ka me. Ne fjalore te tjere, si me lart, i ka te dyja kuptimet, edhe organin e stomakut , edhe rajonin e epigastrum, gropa e gjoksit apo edhe e zemres. ( ‘Lugthi i zemres’. Me kete rast vlen te mbahet parasysh edhe nje shprehje tjeter ne jug : ‘ha zemer’(=iqendi), qe kishte kuptimin e nje vakti te lehte midis drekes dhe darkes.)
Duket se ‘lugth’ i ka te dyja kuptimet, organin dhe rajonin megjithese diku perdoret per njerin apo tjetrin kuptim. Pyetja eshte cili kuptim eshte zanafillor.
‘Lugth’ vjen nga ‘lug’, i cili ka kuptimin e nje te thelluare apo gerryerje gjatesore. Forme gjatesore ka stomaku por jo gropa e gjoksit, qe nga vete fjala( grope) nenkupton rrethore, gjysmerrethore.
Ka nje shprehje tjeter ne Jug « me djeg urthi » , qe eshte sinonimike me « me djeg lugthi ». Nese ‘lugth/lukth’ mund ta marrim per gropen e gjoksit, ‘urth’ nuk mund te jete edhe kjo per te treguar gropen e gjoksit. ‘Urth’ lidhte me gypin e ezofagut, qe ne gjuhen popullore thuhet edhe ‘zorre e kuqe’, ‘cpordhes’( nga c+pordhe). Duke patur parasysh se ‘djegja’, si process (i prishjes se ushqimit) ndodh ne stomak dhe afekton edhe ezofagun me djegje po ashtu, por edhe me clirim gazrash ( cpordhezim?) , sinonimia e shprehjeve te permendura te shtyn te mendosh se lugth dhe cpordhes jane organe.
‘Lugth’ vjen prej ‘lug’ +’th’. Kjo ‘th’ ka nje informacion te rendesishem. Ne shqipe fjale qe tregojne semundje shenohen dendur ne menyre zvogeluese,perkedhelese me qellim largimin e tyre(apotropeik), ose duke i shtuar ne fund nje ‘–zë ‘ si breshkez(semundje bimesh),loderz(epilepsi),verdhez(hepatit) , ose nje ‘-th’ si psh ankth, burth, morth,urth,etj.
Se ketejmi edhe ‘lugth’ perfaqson nje semundje, ate te djegjes dhe ai qe mund te semuret eshte organi , pra stomaku. Nuk e arsyetojme dot semundjen e gropes se gjoksit me djegje e gazra.
Pastaj ka ndodhur edhe ndryshimi i kuptimit, apo konfondimi i emrit te semundjes me organin , mesa duket ne rruge afektive por edhe per ta dalluar nga kuptimi tjeter ‘e thelluar, e gerryer gjatesore’. Nderrimi kuptimit nuk eshte ndonje gje e rralle,mjafton te kujtojme pëllas(pallat) qe ka ndrruar ne pullaz, apo rrashte e rradake , te dyja ne kuptimin e kafkes, qe kane nderruar ne kuptimin e ‘krye’,etj.
Sic e kam thene edhe me pare , ne Kosove ‘lugth’ ruajti kuptimin e stomakut kurse ne Shqiperi per shkak te modes gjuhesore ‘stomak’ zevendesoi ‘lugth’ , duke e nxjerre kete te fundit jashte perdorimit por duke e ruajtur ne ndonje shprehje te ngurtesuar ‘me djeg lugthi’. Praktikisht ‘lugth’ nuk ekziston ne Shqiperi, te nxjerresh perfundimin se ‘lugth’ perfaqson gropen e gjoksit vetem nga nje shprehje rudimentare me duket e tepert. Nga ana tjeter sa kohe Samiu ka ‘lugth’ per ‘stomak’ , e gjithe kjo nuk me duket nje zell kosovaresh.
Sigurisht ky eshte nje interpretim.
Meqe ke replikuar po te kthej nje pergjigje:
Me duhet te te kujtoj se eshte gjithmone mire t’i drejtohesh per ndihme gjyshit apo gjyshes, Samiut apo Abdylit, sidomos kur behet fjale per shqipen. Kete do te bente edhe nje femije shkolle kur te lexonte termin e mirenjohur nderkombetar ‘persekutoj’ per te cilen Cabej ka lene nje rresht te paçmueshem :”..ajo folja e bukur perndjek qe sot shqipja e thote kaq keq persekutoj.( tek libri per Buzukun).
Po ashtu, se nuk kam ndonje interes te posacem per pelqimet e tua vetiake per superStomakun e Madh,as per lukthin logjik e as per shemtine e mulles. Por kam gjithmone shume interes per argumentat e tua qofshin pro a kunder. Ne paç, silli.
Kam pershtypjen se nga postimi im i meparshem ke lexuar vetem frazen e fundit ose kushedi, mbase edhe nuk e ke kuptuar. Prandaj per ta bere ca me te qarte pikpamjen e pergjithshme po shtoj edhe disa fjali me poshte:
Shqipja eshte nje gjuhe me fjalor te pasur me elemente qe i perkasin jetes materiale e te varfer me fjale nga te sferes abstrakte te ideve.
Gjate shekullit qe shkoi shume pune eshte bere per pasurimin e saj ne leme te fjaleve te kultures. Po krahas me kete zhvillim ka pasur edhe ane negative. Gjuha ne nje ane ka perparuar ,me ane tjeter ka shkuar prapa; me nje ane ka pasur nje lulezim,me ane tjeter eshte sterkequr. Ky zhvillim negativ karakterizohet me largimin e gjuhes se shkruar nga gjuha e popullit. Ne kete kuptim mund te thuhet se sot ka gjer diku dy gjuhe nder ne : me nje ane gjuha e shkruar e intelektualeve , me ane tjeter gjuha e thjeshte e popullit.
Ne leme te leksikut shqipja e shkruar eshte mbushur sot me fjale te huaja. Ka fjale qe jane pjese e domosdoshme e fjalorit te gjuhes por ka dhe shume fjale te huaja, qe kane hyre pa pune ne gjuhe. Shume nga keto nuk ishte nevoja te hynin ne fushe te terminologjise shkencore,te termave ne lendet shkollore, ne teknike,ne bujqesi,ne administrate. Nuk ka dyshim qe nje pjese e madhe e fjaleve qe jane marre nga gjuhet e huaja do te mbeten ne perdorim dhe me te drejte. Po nje pjese tjeter mund te zevendesohet pa dem te askujt me fjale vendi.
Gjuha shqipe pjesen me te madhe te emrave te shtazeve, te drureve e te bimeve , si dhe disa pjese te tyre i ka ; nuk ka asnje arsye pse te mos mirren e te shtihen ne perdorim te shkolles e te gjuhes se shkruar. Nga ato qe s’kemi shume terma , sidomos te teknikes e mekanikes ,do t’i marrim prej gjuheve te huaja. Po shume te tjera mund t’i marrim nga gjuha e popullore : qofte duke krijuar fjale te reja , qofte duke i shtene ne perdorim te ri special fjale qe ekzistojne ne gjuhe e neper dialekte. Psh . ne gjuhen e folur popullore ne veri eshte fjala ‘rryme’ me kuptimin ‘rrjedhje uji’. Kjo fjale popullore u fut ne perdorim me kuptime te reja edhe abstrakte si ‘rryme letrare’, ‘rrymat filozofike’ etj po edhe teknike si ‘rryme elektrike’ ( ne vend te ‘korenti elektrik’ qe perdorej me pare). Nderkohe qe edhe kuptimi popullor ‘rrjedhe uji’ u ruajt. Keshtu pasurohet gjuha me lende vendi dhe ruan cilesite vetiake dhe natyren e saj.
Ne lidhje me ‘stomak’ nuk po them gjekundi te zevendesohet me ‘lukth’, sepse ky huazim ka zene vend tashme, por meqe eshte ne perdorim te gjere ne gjysmen e kombit nuk kemi asnje arsye ta leme menjane e ta humbasim dhe duhet te pasqyrohet ne fjalore ne nje fare menyre, Dhe ketu nuk ka fare rendesi nese eshte gege apo toske fjala.
C’e keqe do t’i vinte gjuhes nga sinonimet ? Perkundrazi do te hijeshohej me tej.
Keshtu do te viheshin ne pune nje tok fjalesh, qe si fjale jane sot te gjalla,po s’perdroren fort ne gjuhe te shkruar duke mbetur lende e vdekur. Kryesisht shkolles i bie barra ta njome gjuhen si me fjale te thjeshta te gjuhes popullore , si dhe me nje shprehje me te vertete shqiptare.
Nga nje prove vleresimi qe ka bere Cabej kur botonte SE,I, i dilte se perafersisht 46% e fjaleve te shqipes ishin te vendit dhe 54% te huaja. Sot mund te jete edhe me keq. Prandaj nese duam qe te flasim shqip e jo europianisht duhet te kujdesemi te mos na humbase asnje fjale e gurres popullore por t’i shtiem ne perdorim ku te mundemi.
Po e lexove, i mirepres verejtjet e kundershtimet. Po te lutem ma kurse pjesen ideologjike.
Shkruan:
Pyetja është e cekët – dhe ndoshta provokative, kur vjen prej teje (sepse ke dhënë disa prova se i njeh punët e leksikut mirë). Problemi nuk ka lidhje me nëse ti mund ta përdorësh apo jo një fjalë në të shkruar (ose edhe me gojë, xhanëm), por te konteksti i përdorimit.
Fjala lukth, me kuptimin stomak, mund të jetë normative e përdorur në një fletushkë udhëzimesh të një bari kundër urthit që shitet nga një farmaci e Ulpianës. E njëjta fjalë, me të njëjtin kuptim, në të njëjtën fletushkë udhëzimesh, për të njëjtin bar kundër urthit, nuk është normative, po të shitet në një farmaci të Durrësit.
Unë dyshoj se fjala stomak do ta kish zgjidhur këtë diferencë në përdorim dhe do të kish larguar mundësinë për keqkuptime në të dy anët e kufirit – duke ndihmuar kështu edhe shkëmbimet vëllazërore mes nesh, sa kohë që ajo përdoret lirisht nga mjekët edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Shpresoj që të mos vdesë kush nga hemorragjia në stomak, ngaqë nuk e ka kuptuar fjalën lukth, që këtë punë ta vendosin gjykatat.
Xha Xhai Ju thoni:
‘Fjala lukth, me kuptimin stomak, mund të jetë normative e përdorur në një fletushkë udhëzimesh të një bari kundër urthit që shitet nga një farmaci e Ulpianës. E njëjta fjalë, me të njëjtin kuptim, në të njëjtën fletushkë udhëzimesh, për të njëjtin bar kundër urthit, nuk është normative, po të shitet në një farmaci të Durrësit.’
Ajo që mbetet e paqartë për mua është: me cilin kriter Ju e përcakton këtë ‘normativitet’? A kemi ne një strumbullar ku pajtohemi për këtë? A përdorin Ulpiana dhe Durrësi një shqipe? A e kanë si referencë të njëjtin fjalor? Të njëjtën normë gjuhësore apo jo?
Dhe dua ta sqaroj pikën kryesore që mendoj se po e ndiqni Ju. Nëse e kam gabim, Ju lus, më korrektoni.
E zëmë se një fjalë nuk është dëgjuar kurrë në Durrës, por përdoret në Ulpianë. Fjalori normativ i ka të dyja fjalët. Herë të trajtuara si sinonime të barazkuptimshme, herë si sinonime të nënrenditura. Unë jam tregtar dhe dua ta shes barin në Durrës. Çfarë duhet të ndodhë? Unë duhet ta fshij fjalën ‘lukth’ dhe ta zëvendësoj me fjalën ‘stomak’ kur t’i dërgoj prodhimet e mia në Durrës? Apo durrsakët duhet ta hapin fjalorin e të shohin dhe të (ri)mësojnë se fjala ‘lukth’ do të thotë ‘stomak’.
Unë mendoj se duhet të ndodhë kjo e fundit.
Pse? Sepse unë nuk e ndaj durrsakun nga banori i Ulpianës, Përderisa kemi përpiluar një fjalor të përbashkët të një gjuhe standarde.
Edhe në rastin e përkundërt, kur durrsaku shet prodhimet e tij në Ulpianë dhe shkruan ‘stomak’, unë nuk mendoj se është mirë t’i kërkohet durrsakut të fshijë fjalën ‘stomak’ e të shkruajë ‘lukth’. Banorët e Ulpianës e kanë obligim qytetar të konsultojnë fjalorin. Ashtu siç bëjnë për mijëra fjalë të huaja që po e vërshojnë shqipen. S’bëhet nami, as për durrsakun, as për banorët e Ulpianës, që të lëvizin gishtat e të shfletojnë fjalorin.
Ideja ime themelore që dua të theksoj është që kriteret duhet t’i kemi të qarta. Dhe një gjuhëtar nuk mund të bëjë më shumë për qytetarët pos që të listojë në fjalor dhe të japë shpjegimin e duhur.
Tashti, nëse Ju kam kuptuar mirë, a është pikëpamja Juaj që çfarëdo që do të kalojë kufirin Kosovë-Shqipëri, duhet të ketë edhe një ‘kontroll’ të korrektësisë gjuhësore në të dy anët? Dhe a nuk do të çojë kjo në një drejtim krejt të padëshiruar të krijimit të dy degëve me tendenca ndarjeje?
Unë mendoja se problemi mund të zgjidhej duke njësuar terminologjinë, siç e ka zgjidhur gjithë bota (p.sh. terminologjia mjekësore në Gjermani, Austri dhe Zvicër) – por tani që shoh reagimet e ndërkryera në FB ndaj këtij debati në blog, mendoj se kushedi, më shumë se terminologjia e njësuar, na duhet psikoterapi:
Ku është ndryshimi mes rastit të “lukthit” dhe “stomakut” dhe rastit të “rruazës së kuqe”/ “rruazës së bardhë” dhe “eritrocitit” e “leukocitit”, përkatësisht?
Rruazat e kuqe dhe rruazat e bardha janë neologjizma (detyrimisht kështu – sepse duhet të kesh mikroskop për t’i parë); prandaj askush nuk do të ngrihej dhe të luftonte dhëmb për dhëmb, që t’ua mbronin qytetarinë në standard – ashtu siç po bëjnë tani për lukthin.
Por kur them janë neologjizma, kam parasysh që janë krijuar si terma ad hoc, për të zëvendësuar eritrocite dhe leukocite, prandaj nuk i kanë sjellë me vete problemet që sjell një fjalë popullore, si lukthi, kur adoptohet në terminologji në të njëjtën fushë tematike ku përdoret edhe nga populli (anatomi).
Kam lexuar në një fjalor të termave të mjekësisë apo të histologjisë, të vitit 1986, në mos gaboj, se disa terma si: cellula, tendinum, acinus, cornea, membrana, folikul, sekretim, vaginë, ishin zëvendësuar apo bashkëpërdorur me ato ekuivalente (apo zëvendësuese) në shqip, si: qelizë, dell, rruvan, brisë, cipë, shakull, tajitje, këllëf.
[Këto janë ato që më kujtohen, meqë nuk e kam fjalorin përballë. – Fjalori ka qenë pjesë e një serie fjalorësh terminologjikë, të fushave të ndryshme, dhe para tij është botuar ai i termave të anatomisë.]
Sot të gjithë thonë “qelizë” por shumë pak thonë “shumëzimi i qelizave”, i zëvendësuar “shumëzimi” me “proliferim” apo terma të tjerë.
Disa thonë “dell” e disa thonë “tendin” (pa e kuptuar mirë se me çfarë theksi). Ndërsa unë vetë, në përkthimet e mia amatoreske të termave, duke hetuar në një fjalor online gjeta edhe termin “gilcë” (GILCË f. sh. anat. Dell i fortë që lidh muskujt me eshtrat në kyçet; laku i kyçeve. Gilcat e gjurit. Gilcat e krahut. Gilcat e këmbëve.)
“Rruvan” (RRUVAN m. sh. Rrëfana e rrushit, veshi i rrushit pa kokrra, freri, frenjat.) nuk thotë asnjë, dhe as që ia kam idenë se si ua shpjegojnë “acinusin” studentëve të mjekësisë apo biologjisë në Shqipëri.
Thonë/them “kornea” dhe jo “brisë” (BRISË f. mjek. veter. Brejë, qime; qimëza.).
Thonë, padyshim “membranë” dhe jo “cipë”.
Thonë/them “folikul” dhe jo “shakull” (SHAKULL m. sh. 1. Lëkurë bagëtish të imëta, e regjur dhe e qepur si thes, që përdoret për të mbajtur bulmet, vaj, drithë etj.; rrëshek, calik, kacek. Shakull i madh (i vogël). Shakull vaji. Shakull me gjalpë (me gjizë, me djathë). Dy shakuj me miell. Djathë shakulli.)
Thonë “sekretim” dhe jo “tajitje” (TAJIT kal. 1. E ushqej me gji një foshnje të huaj, e mënd; ushqej. 2. jokal. vet. veta III. Lëshon lagështi, qan; pikon a rrjedh diçka. Tajit muri (shtamba, ena).) Edhe pse duhet të them, se tajit kur tregoj kujdes unë e përdor pa problem.
Dhe të gjithë thonë “vag(j)inë” dhe shumë pak “këllëf”, dhe madje “këllëfit” i thonë “kllëf(i)”.
Nuk e di se sa nga këto vijnë nga gegët e sa nga toskët, por duket se futja e tyre dhe e shumë të tjerave në përdorim ka dështuar, meqë ato nuk i ka përdorur dhe nuk i përdor njeri. Se përse ndodh… ngase krijojnë probleme apo ngase nuk janë futur gjerësisht nëpër tekste, atë nuk e di ta them, por nëse do të më detyronin të jepja një mendim, do të thoja se është kjo e dyta.
Po e pat përmendur dikush më parë në diskutim: ndjesë, po stomak-lukth sikur janë mirë e bukur në përdorim letrarisht, nga Alpet e poshtë, dhe qëndrojnë si në raportin tru-mendje. Lukthi është tashmë stomaku lirik, dhe anasjelltas – stomaku një lukth penal.
Në Kosovë qenka disi më ndryshe: po shyqyr, shëndoshë të jemi! Sa pa u shkrirë në një akoma, si shtete siamezë që jemi, është gjëja më e natyrshme të kemi ende dy stomakë ose dy lukthe të ndryshme – me gjithë djegiet tek lukthi i njërit që do t’i ndjejë krejt sistemi i përbashkët, e që do venë në dyshim edhe mosdjegiet tek stomaku i tjetrit.
Kjo gjeograFiziologji variabël më rikujton, po në faqet e këtij blogu, fatin e trishtuar këtej kufirit të këngëtarit të talentuar shkupian Valon Suma, i cili nuk arriti, qoftë dhe me ton apo gjestikulacion nëpër videoklipe, të sqarojë pozicionin e tij të paragjykuar keqas prej emrit, lexuar padrejtë këtej si të qe ndonjë ‘nom de guerre’ nokturn.
Por të mos kishim as këto gëzime të vogla diversiteti, nuk di si do shtyhej pozita e pafavorshme që ka kombi, ulur kështu si është përgjysëm në dy karrige njëherësh.
Nje dite, jo shume larg, do te hasim edhe ndonje titull si: Urrejtja e ardianeve per Dardanine. Po deri atehere do jete mbyllur debati per kete standardin e tanishem, qe mundet edhe te jete shnderruar ne nje lloj gjuhe latine qe mund ta mesojne “zarathustrianet” e Jugut. Do jete bere aktual debati per standardin e radhes, qe do te jete standard katolik, apo mysliman, i Kosoves, apo Shkodres. Per te mberritur me ne fund ne metahistorine e legjitimitetit, aty ku edhe i foluri konsakrohet si akt i denje heronjsh: “Keshtu foli Skenderbeu”. Une jam i mendimit qe te krijohet konfederata e standardeve, Lidhja e Lezhes e dialekteve.
Në fakt, duke pasë qenë ardianët një fis ilir i respektueshëm, “Urrejtja e ardianëve për Dardaninë” do të mund të shërbente edhe si pikënisje për një rishkrim të historisë së antikitetit ilir.
P.S. Më ka lënë pak gojëhapur, eksitimi i paparë në FB-un kosovar kundër një shkrimi prej këtij autori “që nuk e do Kosovën” dhe “që i nxjerr kosovarët barinj të zbritur nga mali.” Mungesa e kundërvënieve në komentet që kanë vërshuar me dhjetëra, më bën të mendoj se histeria kolektive shërben, në këto kontekste, si një modalitet jo vetëm i një reagimi ndaj “fyerjes” së perceptuar, por edhe i përftimit të grupit nëpërmjet këtij reagimi. Fushatën e ndërsyen deri edhe njerëz që i kam njohur dhe që më njohin, si Shkëlzen Gashi, të cilët kanë vepruar kështu në keqbesim të plotë.
Do të desha që ky individ të mos ishte Shkëlzen Gashi.
Ai ushqen ca aspirate gjuhësore dhe kishte mënyra më të hapura për të shprehur mosperputhje për pika të caktuara. Nuk e di në është i njejti person, por të shprehësh në një mënyrë të tillë në FB, (menyre që nuk është veçse trajta e kamufluar e thirrjeve mesjetare për linçim dhe vënie në turrën e druve për heretizëm), kjo e ul shumë poshtë atë që e ka bërë.
Thirrje prindërve të mos lexojnë shkrimet e A. Vehbiut!
Nuk ka frikë se këta fëmijë mund t’I lexojnë një ditë “fshehurazi” prinderve ato shkrime dhe pastaj po ata prinder do ta të ndjejnë se duhet t’u japin llogari fëmijëve që i kanë privuar nga një burim i shkelqyer dijesh, analizash dhe informacioni qe i eshte neneshtruar hapur gjykimit te te tjereve si kurrehere tjeter dhe ka gjetur miratimin dhe admirimin e shumices?
Mizerablitet intelektual!
Jo, ky nuk është Gashi – e përmenda këtë të fundit sepse ishte një prej të parëve që e mori shkrimin tim nga blogu, e vuri në faqen e vet në FB dhe ua la në dorë ‘dashamirësve’ për ta shqyer, jo aq shkrimin sa autorin dhe reputacionin e tij.
Autorin e shkrimit më lart nuk e njoh.
Nëpërmjet Gashit, shkrimi im i parë (Hapu Susam!) – i shkëputur nga ata që e pasuan – iu dha për lexim njerëzve që nuk e kishin shumë idenë se për çfarë po flitej pikërisht, mes të cilëve edhe autori i manifestit më sipër.
Një pjesë e problemit është (në qoftë se nuk është ky i gjithë problemi) që shqiptarët e Kosovës akoma nuk janë të zotët t’i ikin mallkimit të të qenit viktima. Këta njerëz dikur me siguri do të jenë në gjendje të prodhojnë të mira intelektuale të vlefshme për të gjithë hapësirën shqipfolëse, por përderisa në këtë pikë janë shterpë ende, do rrinë të merren me lukthin. Do rrinë ta tjerrin këtë histori pa fund, nuk do t’ia harrojnë Ardian Vehbiut krimin që ju bëri, kur e gjeti fjalën “lukth” në gjuhën e barinjve, gjej armiq këtej, gjej armiq andej, kudo veç armiq! Sa më shumë armiq të kesh (apo te besosh se ke), aq më i rëndësishëm paske qenë.
Çfarë mjerimi!
Ky është një kompleks, të cilit ata do të mund t’i ikin vetëm falë zhvillimit që do t’i bëjnë dot dikur shpirtit të tyre kolektiv. Përndryshe nëse po kërkohet të bojkotohet Ardian Vehbiu, kjo tregon se mjerimi intelektual qenka vërtetë fatal. Jo se këta tanët janë gjë më të kulturuar, por nuk është e imagjinueshme, që në Shqipëri të nxitet një urrejtje e tillë kolektive për një fjalë.
Unë besoj se ka një fundamentalizëm shqiptar i cili kultivohet në mënyrë të rrezikshme kryesisht në hapësirën jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Viktimat e para janë shqiptarët vetë dhe këtu nuk ka për të ndryshuar gjë shumë në një të ardhme të mesme. Përkundrazi.
Një miku im që shkoi pa lidhje në Kosovë si turist më tregoi dikur se nuk e kuptoi dot asnjëherë, se pse njerëzit atje gjithnjë i linin përshtypjen që ishin pak të ofenduar.
Zotin Ad McMustafa, që e quajti shkrimin tim “shumë joserioz dhe qesharak”, dhe i krahasoi idetë e mia për gjuhën, të shprehura në shkrim, me ato të romanit 1984, e ftova të kthehej në blog për t’u sqaruar – sepse është pak e vrazhdë që dikush të vijë nga rruga, të lëshojë akuza kuturu dhe pastaj të zhduket. E prita edhe dy ditë që të vinte, me shpresë se ky përkthyes profesional do të kishte aq profesionalizëm etik sa ta vazhdonte muhabetin.
Gjithsesi, meqë ky koleg të cilin nuk e njoh ma ka marrë shkrimin, e ka vënë në faqen e vet në FB, shoqëruar me shënimin “mendësia si kjo e kanë lanë shqipen gjuhën ma t’vorfun n’Europë” ka edhe një faqe të vetën profesionale, pharmaks.com, shkova të shoh si e ushtron ky përkthyes profesionist, tek ajo faqe, të drejtën për të pasuruar shqipen; dhe shkrimi i parë që hapa, i nënshkruar prej tij, ishte ky që vijon:
Kur e lexuat, besoj se e kishit parasysh që ky autor pikërisht ishte një nga ata që m’u vërsulën për fjalën “lukth” dhe për idetë e mia në lidhje me normën leksikore dhe normëzimin e terminologjisë.
Tani, unë mendoj se dikush që e shkruan shqipen kështu si më lart, ka nevojë për këshilla; si për shembull, (1) këshilla që të shmangë gabime drejtshkrimore dhe shtypi, si rezulat (për rezultat), sekcioni (për seksioni), suspenzion (për suspension), azhurim (për azhurnim); (2) këshilla që të shmangë gabime gramatikore elementare si informacion të ri për azitromicin (në vend të informacion të ri azitromicinën, mungon kallëzorja) ka rishikuar informacionit (folja rishikoj e kërkon kundrinën të drejtë, ose në kallzore); barnat tjera (në vend të barnat e tjera); profesionistët shëndetësor (në vend të profesionistët shëndetësorë); duhet të jenë të vëmendshëm për potencialin për prolongim të QT intervalit dhe aritmive të zemrës (në vend të duhet të jenë të vëmendshëm për potencialin për prolongim të QT intervalit dhe aritmitë e zemrës, meqë s’ka asnjë arsye që aritmive të zemrës të jetë në rasë të zhdrejtë: nuk është gjinore e prolongim, ndërsa potenciali për kërkon kallzore); (3) këshilla që të mos lërë fjalë të huaja të papërkthyera, si prolongim, kompletoj, reviduar, risk; (4) këshilla që të mos përdorë, brenda të njëjtit paragraf, fjalë tërësisht të barasvlershme, si reviduar dhe rishikuar; (5) këshilla që, sa kohë që shqipja thotë streptomicina, adriamicina, gentamicina, neomicina, etj., dhe jo streptomicini, gentamicini, adriamicini, etj., ndoshta do të ishte më mirë që bari në fjalë të quhej azitromicina, jo azitromicini, si në shkrim; etj. (nuk jam i sigurt as për rendin e fjalëve te QT intervali; shqipja që di unë do ta kërkonte intervali QT).
Problemi është që, në qoftë se ulem unë dhe ia bëj këtij kolegut vërejtjet si më lart, mund të shpërthejë ndonjë fushatë tjetër bojkotimi kundër meje në FB; çfarë do të doja ta shmang edhe unë, pavarësisht nga vendosmëria për t’i dalë zot shqipes; dhe se mua, në përgjithësi, nuk më pëlqen që të kundërgodas kështu.
E megjithatë, nuk rri dot pa ia thënë një cura te ipsum zotit McMustafa; sepse të vish dhe t’ia ndysh tjetrit blogun është e lehtë, por të shkruash shqipen mirë më e vështirë; dhe për këtë të fundit duhet djersë e madhe, nuk mjaftojnë vetëm krekosjet lokaliste dhe patriotike, as vajtimet për gjendjen e gjuhës (pse ca si unë e paskan qitë me kryet në hi); ndërsa ky vetë, me materialet që shkruan dhe përhap në publik si “përkthyes”, ka gisht në dëmtimin që po i bëhet shqipes sot, nga njerëz që e mbajnë veten deri edhe si të autorizuar që të vijnë dhe t’i thonë kolegut, në shtëpinë e vet, se ka rënë pre e mendësisë totalitare të 1984-ës.
Gjithashtu, fletë-rrufeja e z. Mjeku është publikuar në faqen e Shkëlzen Gashit, pa asnjë reagim prej këtij të fundit – aq sa tani po më vjen ndot që kam bashkëpunuar me të.
Te jeni te sigurt se autori i tekstit qe citoi Xha xhai me siper nuk eshte kosovar, por gege Shqiperie.
Shkrimi është i një Getoar Mjeku, që identifikohet si jurist. Nuk po hyj dot më në faqen e tij në FB, por për fat të mirë e kisha bërë një kopje të shkrimit, të cilën po e vë këtu më poshtë. Të vjen keq që zotëria, i cili kërkon të më mbyllë gojën duke më sulmuar ad hominem, ka jetuar relativisht gjatë në ShBA!
Pifto
Na e hape stomakun (barkun) me keto qe thua!
A.Vehbiu le te fleje “dathë”,sepse ata qe perpiqen ta linçojne jane individe kryesisht anonime dhe te margjinalizuar dhe ndikimi i tyre eshte fare i vogel,per te mos thene i pa vene re.Ndoshta,ata sulmojne per ta faktorizuar veten dhe jo qe iu intereson ajo qe ka shkruar autori.Si nuk thua mire qe e hapi kete teme ne blogun e tij ,e ne, andej e kendej kufirit,permes diskutimit hem te mesojme,hem t’i sheshojme ato “mosmarreveshje” qe kemi.Po te mos behej kjo teme,jam i sigurt se as ti e as nuk do te merrnim vesh se ekziston ky dallim: stomak / lukth.Nga ky kendveshtrim,une e shoh pozitivisht gjithe kete debat qe po behet per kete fjale.Le te flasim,se keshtu edhe e pasurojme gjuhen tënë.
Te jesh i sigurt se kosovaret s’e ndjejne veten viktime.S’e di sa je i informuar,por studimet albanologjike qe behen ne Prishtine nuk jane per t’u anashkaluar,nderkaq nga te gjithe gjuhetaret kosovare qe mund t;i njohesh,po te permend vetem njerin:Besim Bokshin,studimi i tij per nyjen ne gjuhen shqipe eshte i nje vlere te veçante.
Po,ekziston nje problem.Mosperfshirja e shume fjaleve te gjalla ne FSGJSH,qe vijne nga trojet shqiptare ne ish-Jugosllavi.Dhe per kete diskutohet.Dhe s’ka asgje te keqe ketu.
E kam vënë re edhe unë – aq sa po më duket sikur blogut ia kanë hapur një dosje – të paktën një.
Xhaxha, je pak minimalist! 🙂
“Si për të thënë që ‘prit, prit, ti vërtet kujton se më shqetëson mungesa e raportit direkt me ty? Jo, më intereson beteja, ato që ti lufton, dhe kemi vënë bast që nuk do i fitosh kurrë…”
Une mendoj se kjo eshte gje e mire, meqe ne nuk duhet te merremi me njerzit por me ato qe ata thone, se njerezit qellohen me pushke, kurse idete jo, kane thene pleqte e mocem.
Pak rendesi ka se kush lufton, mendoj une si Persefoni, rendesi ka qe te luftohet per kauzat, se po te mos qe keshtu atehere do te thoshte se njerezit luftojne kot, dhe perqafojne kauza qe nuk jane te tyret, e te cilat thjeshte i perdorin per afirmim personal, apo meqe identifikohen me to, apo ku e di une se cfare tjeter qellimi te mbrapsht.
Njerezit vene e vijne, vdekatare jemi, ndersa vlerat, idete dhe te tjera gjera thelbesore… mbeten.
ne fakt zonja Elvira, edhe juve do tju hapim se shpejti nje dosje tek peshkupaujedosje…
dhe lutem zonje te mos ngaterroni dosjet tona, te PPU, ku pra juve do tju rezervojme nje vend special si kolege e Ardian Vehbiut me dosjet figurative qe “”bejne” te tjeret.
neve ne ndryshim nga shoket dhe miqte tuaj te kohes se Dulles, nuk shpifim. neve thjeshte mbledhim jashteqitjet tuaja verbale te shkruara ose jo (emisione tv), dhe i paraqitim ato …si nje pune studimore.
pra mos beni si e lenduar. se sju beson njeri.. per sa kohe i leni ne publik, duhet te pergatiteni edhe te mbani pergjegjesi per ato qe thoni…. apo ti mendon, se sikunder enveri qe dergonte urdherat me vdekje me pseudonim edhe ti mund te besh si enveri? 😉
te ben cudi …se juve cdo here qe shkruani e beni me zell paramilitaresh…
bibe zonje.
Vehbi, nuk na intereson ta publikosh, dime se si ti bejme reklame blogut dhe dosjeve… vetem beja me dije shoqes tende. 😉
pershendetje. el dosjer…
ah, edhe dicka. ne te ppudosje nuk kemi lidhje me debatet qe kane ndodhur se fundmi.
nderhyra, me leje nga AI qe eshte ideatori i dosjeve, ngase keni cituar dosjet. pra per te pastruar figuren tone dhe imazhin tone nga halabaket e ndryshem qe perpiqen te pervetesojne meritat e punes sone te mrekulleshme.
hasta la vista, el dosjer.
🙂
Shqiptareve nga ish-Jugosllavia u ka hyre aq thelle thumbi i shovinizmit dhe sektarizmit aq karakteristik pan-jugosllav, qe diten nje kur u themelua ai vend, dhe qe fatkeqesisht na i mveshin te tere ne si gjoja sindroma e Ballkanit ose ballkanizimi i cdo gjeje, sa qe jane gati te hidhen ne flake per nje tingull ( Qosiq versus Qosich -ne mungese te gremcit te c-se) e jo me per nje fjale te tere.
Jo shume ndryshe nga kroatet me serbet apo malazezet me serbet!
Vellezer por me ndryshime ama! Dhe po nuk ma njohe veqantine, te bej hasha e karahasha!
Sa naive qe kemi qene ee?
Veç të shohësh plenumin e katërt që organizoi rreth kësaj teme Shkëlzen Gashi, në faqen e vet në FB.
Njerëzit zakonisht marrin dhe nxjerrin shkrime në faqet e tyre në FB sepse u pëlqejnë dhe duan t’i ndajnë me miqtë e tyre – por Gashi ka qëllime të tjera, më sublime: kërkon të ndajë me të tjerët indinjatën!
“Kujdes çfarë fjalësh po përdorni se mund të mos i pëlqejnë Ardian Vehbiut dhe mandej na thotë diçka se si “… kjo fjalë e bën shqipen të tingëllojë si gjuhë fisi barinjsh të sapozbritur nga mali.”
Në fakt, për hir të saktësisë, dua të shtoj se Gashi u rekomandon të vetëve për të lexuar “komentet e Shkumbinit.”
Ashtu fillon edhe festa.
Ilir Seci kërkon të dijë “nga çfarë fisi çobenjsh ka zbritur ki A. Vehbiu mo.”
McMustafa, përkthyesi profesional, lëshon të njëjtat komente për 1984-ën, që do t’i sillte pastaj edhe te Peizazhet.
Gazi Berlajolli gjen tek unë shenja “urrjejtje për të tjera gjana (e njerëz”, dhe “ftohtësi latente për shqipen e veriut”.
Getoar Mjeku thotë se “në ditë të sodit asht vështirë edhe në Sërbi me gjetë najkend që i urren ma shumë shqiptarët e Dardanisë sesa ky Gjâ Xhai. Ky me të vërtetë asht njeri i sëmut shoqnisht.”
Ndërhyn – për habinë time, sikur të më kish mbetur më habi – edhe Hans-Joachim Lanksch, për të thënë, mes të tjerash, se “fjala stomak jo vetëm se është fjalë e huaj por në shqipe tingëllon shëmtuar.”
Ja ku e bëmë një mbledhje, për ta thënë me një batutë filmi shqiptar që isha i sigurt se e kisha harruar.
Nuk kam ç’të komentoj, përveçse të vërej se sa shpejt u formua ky grup, kjo celulë, kjo çetë, në bazë të një indinjate mbi premisa të rreme; dhe se, e gjithë kjo farsë vetëm sa më konfirmoi se ca njerëz, e shumta prej tyre zelltarë, nuk kanë ndonjë interes të angazhohen me ty në debate – por vetëm të të kapin në gabim dhe të të denoncojnë si tradhtar.
Me keqardhje, shtoj se këtë bëjnë edhe me njëri-tjetrin prej vitesh – prandaj nuk mund të pres ndonjë trajtim preferencial prej tyre, as respekt në mos për mua si person, të paktën për argumentin.
Çfarë më hidhëroi veçanërisht është se pashë, mes atyre që si bleta lule më lule, kishin kërcyer koment më koment për të bërë “like” ose qokën e duhur, edhe emrin e dikujt që kam konsideruar gjithnjë si mik – dhe nuk flas këtu për Shkëlzen Gashin.
Ky mik imi relativisht i vjetër ishte atje, i lexoi komentet, i pëlqeu, i pa edhe kovat me pështymë që po më hidhnin mua në kokë, dhe nuk u ndal të thoshte një fjalë të vetme; qoftë edhe një “prisni he burra!”
Z Xha xhai, mund te ofroni nje link ku mund te lexohet diskursi integral, sepse une nga profili im ne FB nuk kam akses, e te pakten nuk po e gjej dot kete pleniumin qe ju po thoni.
Apo eshte debat privat dhe jo publik? Nese po, jam shume e keqardhur dhe kerkoj ndjese.
Ma merr mendja që, për ta parë plenumin, duhet të jesh “friends” me të zotin e shtëpisë: Sh. Gashin.
Kam pershtypjen se ne gjithe kete zallamahi objekti i diskutimit, – lukth / stomak – eshte vetem sebepi.
Nuk dua ta pranoj qe nje diskutim i thjeshte per dy fjale te shqipes te ngjalle kaq mllef. Me sa duket keta mezi sa po prisnin rastin.
Xha xha, sipas meje, nuk duhet t’ua japesh ti rendesine qe nuk kane.
Gjithsesi mendoj se nderhyrjet dhe komentet me tone personale, qe nuk sjellin asgje te re ne temen qe diskutohet, duhen moderuar.
Xha Xha, ju jap shumë të drejtë që ngrini zërin për mungesën e solidaritet minimal, ndër persona që i njihni, ndër të tjera.
Mua mu kujtua kjo skenë që përshkruan Foti Cici në një shkrim në blogun e vet:
Po në atë kohë mbase kishin edhe frikë; po sot?
Ndaj edhe do pyetur: Po Foti ka patur frike dhe nga frika te kete qelluar njeri valle? Atehere arratiseshin per te ruajtur identitetin personal. Sot arratisen per ta fshehur, Ndoshta ketu edhe do pare kjo mugese solidariteti, pervec rasteve kur tjetri nuk eshte dakord me argumentin.
Ju lutem, qëndroni në temë.
Xha Xha, arsye për të pasur frikë ka. Ja unë për shembull, sinqerisht e pranoj se kam frikë. Se dozën e kërcënimeve si të tërthorta ashtu dhe ballazi e kam marrë. Po gjithashtu kam dhe atë që quhet gut feeling që për fat të mirë – deri tani së paku – e superon frikën.
Jul, pikërisht sot ndesha në një aforizëm të Stanislaw Lec-it: ruaju prej efimereve, sepse nuk kanë shumë kohë në dispozicion. Dhe kjo pastaj më kujtoi edhe një batutë e Guglielmo-s nga Emri i trëndafilit: Çfarë të tmerron më shumë te dëlirësia (purezza)? e pyet Adso-ja; dhe mjeshtri i përgjigjet: Nguti (La fretta).
E kuptoj qe dikush mund te mos pajtohet me qendrimet e Xhait per “lukthin”, mirepo kjo assesi nuk i jep te drejte turmes qe t’ia beje gati turrin e druve.
Xha, meqe ne nje koment tjeter me perkujtove nevojen per ndonje fjale miradije: Ne kete “beteje” e ke mbeshtetjen time te plote. Mbeshtetjen time e ke megjithe — ose me mire: pikerisht per shkak te — shperputhjes fillestare te mendimeve tona rreth “lukthit”. Sepse, e ka thene dikush para meje, e edhe ti e ke deshmuar ketu, lufta per lirine e vertete gjithmone eshte lufte per lirine e tjetrit.
Perndryshe vazhdoj te mendoj qe shumica e teksteve tua, fryma jote e ndriçuar dhe analizat tua te mprehta — si qepa që qërohet fletë-fletë — jane dhurate e mrekullueshme per lexuesin dhe me japin shprese qe debati intelektual eshte i mundur edhe ne shqip.
A do te thote kjo qe une pajtohem gjithmone me qendrimet e tua? Qe ndonjehere p.sh. nuk me nervozon ndonje kendveshtrim tiranocentrik ose ndonje vleresim per standardin, dialektet, terminologjine? Qe s’me pengon dyshimi imanent ndaj kritikes, megjithese ti vete i lufton teorite e konspiracionit? Qe me rehaton gjithmone fryma jote – doemos shkencore – shperfillese ndaj cdo “te vertete” te etabluar?
Jo! Por te gjithe keto nuk ia cojne bishtin kandarit, e prandaj te ndjek dhe kenaqem sikur mund te kenaqesh me nje loje te zorshme shahu. Mendoj qe kjo eshte bukuria e debatit intelektual.
Te jam mirenjohes per tekstet dhe hapesiren.
Gjin, falemnderit – kam frikë se është vetë natyra e komunikimit në Internet e tillë, sidomos kur ti je relativisht i njohur ndërsa të tjerët anonimë (me dëshirë ose ngaqë nuk kanë opsion tjetër), që të nxisë paranojën. Këtë herë ky diskutim yni për një çështje relativisht paqësore u keqpërdor nga një çetë bashibozukësh të kulturës – dhe ashtu i keqpërdorur, i identifikoi. Ndërkohë pata fatin e mirë të flas edhe me njerëz shumë fisnikë, mes të cilëve edhe ty: dhe e gjitha rezultoi një positive-sum game, pavarësisht nga kostot.