Përfytyroni këtë situatë: në një darkë, të afrohet dikush që sapo e ke njohur, dhe fillon të të flasë në dialekt të kulluar. Pyetja: cili do të ishte reagimi juaj?
Kjo më ndodh edhe mua ndonjëherë. Natyrisht, nuk pres që njerëzit në situata informale të më flasin si folësit e radios – edhe kjo do të kërkonte shpjegimin përkatës. Prandaj nuk e kam fjalën për theksin, ose ngjyrën që ia jep prejardhja të folurit; por për dialektin e mirëfilltë.
Nganjëherë pyes veten nëse unë di akoma të flas në dialekt. Kushedi, pak tironçe ia them, edhe pse ajo që përdor unë do të klasifikohej më tepër si gegnishte jugore e përgjithshme: ca pjesore të shkurtuara (paske vu bark), ndonjë rotacizëm të munguar (lene mos e pyt), ndonjë diftong i thjeshtuar (u vonun pak).
Por ai personi që të drejtohet në dialekt, shkon përtej këtyre shenjave të vogla të intimitetit – dhe meqë dialekti ka për veti të bjerë në sy, sidomos kur nuk është yti, atëherë ti nuk dëgjon më çfarë të thonë, por rri e kundron dialektin, siç do të kundroje një pemë në mes të fushës, ose statujën e Gjergj Aranitit në park.
Shpjegimi i parë që të shkon në mend: ky nuk e njeh shqipen standard, nuk e ka mësuar dot, nuk ka mundur. Duket si vërejtje triviale, por të mos dish të flasësh shqipen standard, ke tradhtuar njëkohësisht shumë mangësi të tjera, sidomos në arsimim – dhe kjo mund të të lërë pa punë, bie fjala, në Tiranë.
Shpjegimi i dytë: ky të ka ngatërruar me një bashkëfshatarin e vet. Asnjë problem, mjaftojnë dy fjalë, për ta sqaruar keqkuptimin.
Shpjegimi i tretë: ky është me një barrë shkollë dhe standardin e njeh për bukuri, por qëllimisht zgjedh të flasë në dialekt sepse (a) kërkon ta veshë dialektin si të ishte uniformë, ose kostum popullor me brekushe dhe qeleshe, për të treguar se nga vjen; (b) nuk e njeh legjitimitetin e standardit, dhe e refuzon atë, njëlloj siç refuzon biftekun vegjetariani në restorant.
Dhe në situata si këto që implikon shpjegimi i tretë, ti ndihesh i përdorur nga Tjetri, për çfarë ai e konsideron mision politik ose, e pakta, për vanitetin e tij krahinist.
Problemi lidhet drejtpërdrejt me arsyet pse ekziston standardi dhe pse mësohet në shkollë: për të na dhënë të gjithëve një mjet komunikimi të tillë, që të privilegjiojë të përbashkëtën mes nesh, ndaj asaj që na dallon (shihni edhe këtë shkrim të Pishakut, tani së fundi).
Por mua deri më sot kurrë s’më ka qëlluar që të më afrohet dikush dhe të më thotë: më fal, zotëri, por unë do të flas në dialekt, sepse unë nuk e njoh standardin (në të dy kuptimet e foljes njoh). Të paktën vegjetariani e deklaron kredon e vet, që në krye; madje edhe në mënyrë të tillë, që të të bëjë ty të ndihesh me faj për zakonet e tua gastronomike.
Thashë më lart që e flas disi tironçen, jo aq si të folmen e banorëve “autoktonë” të zonës, sa si zhargonin urban të kryeqytetit; i cili dallon vendësit nga të ardhurit, të brendshmit nga të jashtmit.
Kush është rritur në Tiranë, si unë, ka qenë i detyruar ta përvetësojë këtë manierizëm; përndryshe mund të përfundoje edhe i rrahur, mu në oborr të shkollës.
Një kujtim nga fëminia: pat zbarkuar në mëhallën tonë, gjatë pushimeve të verës, kushëriri i njërit prej çunave të atjeshëm, i cili fliste shkodranishte të pastër. E dinim që vinte prej Shkodre, nuk e ngacmonim; përkundrazi, i afroheshim dhe e preknim me kujdes, si të ishte ndonjë pëllumb i vyer race, ose ndonjë biçikletë e re.
Nuk e mbaj mend si e kishte emrin, sepse të gjithë i thërrisnim Shkodre.
Një kujtim tjetër, këtë herë nga rinia: në vitet 1980, e folmja tironçe filloi t’i kundërvihej njëfarësoj toskërishtes gjysmë-dialektore, që flitej në institucionet partiake.
Pushteti ishte nga njëra anë, rruga nga ana tjetër: vështirë të përfytyrosh, bie fjala, që të flitej tironçe në Klubin e Ministrisë së Brendshme.
Sot duket sikur raportet kanë ndërruar disi – meqë rruga ka hyrë dhe i ka marrë në kontroll institucionet, pavarësisht nga ngjyra politike; ndërsa rrugën e mirëfilltë e ka ripushtuar dialekti, edhe pse jo ai i Tiranës.
Të gjitha këto zhvillime, marramendëse, ia ndërlikojnë shumë punën atij që duhet ta negociojë pozitën e vet sociale dhe ambicjen, edhe duke kaluar nga një regjistër dialektor tek tjetri, në varësi të kujt i del përpara.
Shumë të njohur, me prejardhje nga provinca, më kanë thënë se i bezdis pa masë tironçja me të cilën përplasen në kryeqytet; jo standardi, të cilin e kanë mësuar në shkollë dhe pak a shumë mund ta përdorin lirisht, por pikërisht ajo tironçja gjysmë dialektore, që shënjon të qenët in, ose raportin e privilegjiuar me hapësirën urbane (territorin).
Unë këtë nuk e ndiej, njëlloj siç nuk e ndien peshku ujin që e rrethon në akuarium; por edhe mua më bezdis ndonjëherë kur, në një kontekst institucional, dikush më drejtohet në të folmen e Tiranës – sidomos kur nuk e kam njohur më parë.
Kjo sepse, kur ti nuk di se me kë je duke folur pikërisht, ti e përdor të folurit e tjetrit edhe si një lloj karte identiteti: kërkon të marrësh vesh se kë ke përballë, çfarë kërkon ai prej teje dhe, ndonjëherë, edhe se çfarë mendon ai për ty.
Prandaj edhe dialekti, kur ta hedhin ndonjëherë si pa të keq fytyrës, përjetohet si kërcënim – meqë duket sikur ai tjetri kërkon të provojë nëse ti i përket apo jo grupit ku ai bën pjesë. Je apo jo yni.
Përndryshe, në kontekste të tjera, mes miqsh ose të sunduara nga simpatia pa kushte, palët do të priren t’i afrohen njëfarësoj njëra-tjetrës, qoftë edhe duke i adoptuar, sado përkohësisht ose keq, manierizmat (tokens) dialektorë. Një përmetar do të përdorë një paskajore të tipit me fjetë, një kosovar do të përdorë tek-tuk diftongun ua të toskërishtes (kam banuar në Tiranë tash dy vjet).
Këta manierizma shkëmbehen si të ishin kartëvizita.
Dhe nëse kjo nuk ndodh; nëse nuk ka shkëmbim dhe shenja të hapjes, atëherë dialekti i tjetrit vjen dhe trupëzohet si haptazi armiqësor; ose të paktën si një xham akulli, që lë të duken veç siluetat e bisedës.
Paradoksalisht, kur pengohet në nivelin elementar të komunikimit, kontakti vjen dhe formalizohet; sa kohë që intimiteti vetë nuk vendoset dot, përveçse mbi përbashkimin (sharing) e veçanësive të gjuhës.
Te gjitha pohimet dhe konstatimet e shkrimit te mesiperm qe i referohen komunikimit formal gojor mendoj se vlejne edhe per gjuhen e shkruar.
Me fjale te tjera, sikur te zevendesonim premisen:
“Përfytyroni këtë situatë: në një darkë, të afrohet dikush që sapo e ke njohur, dhe fillon të të flasë në dialekt të kulluar. Pyetja: cili do të ishte reagimi juaj?”
me kete tjetren:
Përfytyroni këtë situatë: hapni me mengjes gazeten qe sapo keni blere dhe lexoni nje artikull te shkruar në dialekt të kulluar. Pyetja: cili do të ishte reagimi juaj?
tri shpjegimet qe vijojne mbeten po aq te drejta e te verteta.
Per sa kohe qe kemi te bejme me situata formale komunikimi, dukuria eshte po ajo, pavaresisht nga forma me shkrim apo me goje.