Disa herë në këtë blog është diskutuar mbi profesionalizmin e munguar në media. Së fundmi A. Vehbiu ngre shqetësimin e konfirmimit të informacionit. Siç vërehet në artikull, shtypi i përditshëm është reduktuar në një repetitor, jo vetëm të politikës, por edhe të vetes së vet, ku informacionet kopjohen në mënyrë të turpshme nga njëra apo tjetër media pa konfirmuar asnjëherë burimin dhe pa respektuar pluralizmin e mendimit. Kështu humbet jo vetëm besueshmëria në media, por edhe interesi publik për informacion të besueshëm.
Media ka të lidhur një kontratë me publikun shprehur në disa ligje: (1) ligjin Nr.8410/1998 “Për Radion Dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën E Shqipërisë”, ku neni 3 përcakton se programet televizive Programet “respektojnë dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, paanshmërinë, plotësinë dhe pluralizmin e informacionit”; (2) në ligjin e çuditshëm Nr. 7756/1993, të shfuqizuar tërësisht përveç nenit 1 në vitin 1997 (Nr. 8239), ku atëherë neni 3 këndonte se shtypi “përmbush një detyrë publike, nëpërmjet hulumtimit përgatitjes dhe përhapjes së lajmeve, të prononcimit, të ushtrimit të kritikës apo mënyrave të tjera dhe është faktor ndikues për formimin e mendimit të lirë.”; ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën E Shqipërisë” ku neni 4 shprehet se “veprimtaria e transmetimeve audiovizive siguron informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit.”
Qeveria nxori së fundmi edhe një vendim (VKM Nr. 830/2013 “Për Miratimin e Kodit Etik Ministror”), që kufizon ndjeshëm lirinë e shprehjes së anëtarit të Këshillit të Ministrave dhe në nenin 16 vendos që ministri “mund të botojë mendime, komente, opinione në media të ndryshme, por me kusht që përmbajtja e tyre të mos bjerë ndesh me parimin e besueshmërisë dhe solidarësisë.”
Problemi që unë dua të paraqes është informimi i publikut mbi aktet normative të qeverisë. Aktet normative janë produkti i politikave të qeverisë. Publiku informohet për to sepse ato përbëjnë bazën e marrëdhënies së qytetarit me administratën dhe rregullojnë veprimtarinë e administratës. Qeveria është e detyruar të informojë publikun në bazë të ligjit të nr.8503, 30.6.1999 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet Zyrtare”. Ndërsa gazetarët mund ta shfrytëzojnë shumë mirë këtë ligj për të rritur transparencën e qeverisë. Gjatë qeverisjes Berisha publiku u bë dëshmitar i përcjelljes së monologjeve të gjata dhe bajate berishiane, të cila transmetoheshin direkt dhe me komente e nënqeshje brohoritëse në sfond. Kjo traditë po vazhdon ende në një formë po aq të shëmtuar, ku vendimet e Këshillit të Ministrave i përcillen medias për t’ia hedhur publikut si tagji, në mënyrë të papërpunuar, pa analizë, kritikë apo ndonjë vlerësim.
Vëreni vendimet e fundit të qeverisë, të cilat publikohen për transparencë dhe për të treguar prodhimtarinë e qeverisë. Rasti më i fundit në gazetën Tema apo Respublica me vendimin e Këshillit të Ministrave mbi “Vlerësimin e Rezultateve në Punë të Nëpunësve Civilë”. Publikut iu përplas vendimi në fytyrë pa kurrfarë analize. Së pari, plotësimi i detyrimit ligjor për të nxjerrë aktet normative në lidhje me ligjin e ri të nëpunësit civil nuk duhet të përbëjë lajm se është procedurë e brendshme administrative. Së dyti, edhe nëse do të përbënte një risi – çfarë nuk është se sistemi i vlerësimit të nëpunësit civil mbi bazën e performancës ka ekzistuar që prej 2009-10 paçka se ka çaluar në zbatimin e vet – duhej të shoqërohej me analizën e duhur të zbatimit të vendimit. Së treti, vendimi duhet të shoqërohej me një vlerësim mbi situatën dhe kornizën ligjore aktuale, si edhe të pasqyronte të mirat apo dobësitë e kësaj nisme politike. Po kështu u veprua për propozimin e reformës territoriale në Shqipëri, ku publikut iu hodhën ca teza të kryeministrit edhe pse kjo reformë nuk ka ende asnjë grup pune të ngritur.
Gazetarët janë syri, veshi dhe goja e publikut, jo shkarkues, ambalazhues apo hamej lajmesh. Problemi i tyre është se nuk përfitojnë nga aksesi që kanë në qeveri dhe gatishmëria e specialistëve për të ndihmuar me ekspertizë. Nga një studim i Institutit Shqiptar të Medias në vitin 2012 rezultoi se gazetarët kishin më shumë gjasa të merrnin përgjigje nga administrata qendrore sesa qytetarët e thjeshtë (85 kundrejt 67 në n=250). Po sipas këtij studimi, gazetarët kishin gjithashtu më shumë mundësi të merrnin një informacion të plotë mbi çështjen ose të transferoheshin në instancën e përshtatshme, edhe përse gazetarët duhet të prisnin më gjatë në kohë për të marrë informacion. Nga ana tjetër, shumë organizata joqeveritare kanë fituar ekspertizë në fusha të ndryshme të qeverisjes, të administrimit territorial, të arsimit apo edhe të politikave të sigurimit. Ekspertët e këtyre organizatave angazhohen në strategjitë sektoriale të qeverisë, në projekte ndërkombëtare etj. dhe do të përfitonin nga vizibiliteti që media do ti ofronte punës së tyre.
Ndërsa vetë qeveria, duke u përballur me injorancën e shumë gazetarëve dhe keqkuptimet që shkaktojnë, duhet të përgatisë deklarata për shtyp ku të sqarohet e arsyetohet nisma politike. Me rregull vendimet e Këshillit të Ministrave duhet të shoqërohen më një relacion që shpjegon arsyet për nismën e projekt-aktit dhe komunikatën për shtyp për median. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 584/2003, “Për Miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave” pika 8/c përcakton se vendimet duhet të shoqërohen me një “relacion të hollësishëm me shpjegimet e nevojshme lidhur me arsyet kryesore për propozimin e projekt-aktit, çështjet më të rëndësishme që parashikohen të rregullohen prej tij, përputhshmërinë me programin politik të Këshillit të Ministrave, me programet kombëtare ose sektoriale të zhvillimit të vendit.” Ndërsa ligji nr. 9000/2003, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave”, neni 25/1 kërkon që propozimet e projekt-akteve “të përmbajnë projekt-aktin, relacionin, mendimet ose vërejtjet e ministrive ose te institucioneve te interesuara, dokumentacionin qe shoqëron projekt-aktin, në varësi të kërkesave te ligjit ose te përmbajtjes se tij, si dhe përmbledhjen që do të përfshihet në komunikatën për mediet.” Gjithashtu ligji përcakton se relacioni duhet të përmbajë objektivat, lidhjen e tyre me programin politik të qeverisë, argumentimin për nevojën e këtij projekt-akti, përmbledhjen e përmbajtjes dhe përputhshmërinë me Kushtetutën etj.
Pra një gazetar minimalisht duhet të kërkojë që projekt-aktet e qeverisë të shoqërohen me të gjitha elementet ligjore dhe nëse interpretimi i tyre kërkon ekspertizë mund t’u drejtohen organizatave joqeveritare. Por gazetaria jonë vuan shumë nga mungesa e profesionalizmit, jo për shkak të politizimit apo të mungesës së informacionit, siç theksohet rëndom, por nga mungesa e profesionistëve. Edhe pse auditorët janë mbushur me “gazetarë” të ardhshëm dhe institucionet e arsimit të lartë kanë prodhuar me mijëra “gazetarë” që prej viteve 90’. P.sh. Universiteti i Tiranës në vitin 2009 kishte 100 kuota studimi për gazetari dhe ishte i vetmi institucion publik që ofronte këtë program studimi. Në vitin 2013 Universiteti i Tiranës ka 85 studentë në vitin e parë (+2 studentët e trojeve), 120 studentë ka Universiteti i Elbasanit dhe 87 Universiteti i Shkodrës (VKM Nr. 565, 27.06.2013), shifrat në institucionet private janë disa herë më të mëdha (shifra nuk ka!) nën programet e studimit “marrëdhënie me publikun” apo “shkenca komunikimi”. Gazetaria e specializuar në disiplinat e ekonomisë, sigurimit, politikës së jashtme etj., përveç asaj të sportit, nuk është aspak e zhvilluar, dhe gazetaria hulumtuese apo ca më larg, ajo investigative, janë aspirata futuriste. Për këtë duhen bërë përgjegjës jo vetëm pronarët e medias së shkruar, të cilët i paguajnë jo-profesionistët një herë në 6 muaj, por edhe pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të atyre private. Se kur bëhet fjalë për cilësinë e produktit të arsimit të lartë, cilësia e arsimit të lartë vërehet pikërisht në profesionet që prekin direkt interesin e publikut, si shërbimi mjekësor, arsimi, mbrojtja dhe informimi i publikut.