Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: KUMT

kumt m. “lajm”, kumtár m. “lajmëtár, lajmës”, kumtój “lajmoj”. Mungon te G. Meyeri, po dëshmohet mirë me burimet letrare e dialektore. Bogdani (I 102, 23) ka të kúmëtitë “la nova, lajmi”. Këtë kumët Bashkimi e jep si kumet, në grafinë e tij kumét, të cilën Leotti me Mannin gabimisht e tran­skribojnë kumét. Gazulli f. 224, 492 sjell prej Malsisë së Madhe kumt “lajm çfaret do”, të ndîesha kumtin “të ndiesha laj­min e dekës, të marrtë mordja”, e muer kumtin “e muer hakun”, me ja hupë kuj kumtin “me i tretë (bojën), farën, memoriam alicuius dissipare”, mos ma lên me më hupë kumti!, me kumtue “me lajmue, me bâ me dijtë. Është një huazim, i pavënëre gjer tani, i lat. computus “llo­ga­ri”, duke shkuar kështu me it. conto frgj. prov. compte span. cuento etj. që kanë pokëtë kuptim, sh. Revue de ling. VII 1 195. Kuptimi i parë i fjalës shqipe ruhet në Kurbî, për të cilin Cordignano pranë me kumtue “me dhanë nji lajm të zi; me informue, me lajmue” e kumtár “lajmëtar i një kumti të zi” dëshmon dhe kumt “conto, llogari”; në këtë drejtim na duket se dëshmon dhe e muer kumtin “e muer hakun” e Gazullit. Verbi kumtoj ndërkaq, më fort se vazhdimi i lat. computare, është një denominativ i kumt-it, formuar për­bre­nda shqipes, po me një domethënie si e ka span. contar “me numërue” e “me kallzue, me tregue”. Mendimi i G. Meyerit (f. 215) që prej lat. computare të ketë dalë një tjetër fjalë e shqipes, kuptoj, nuk ësht’i drejtë (sh. këtë fjalë).

Me këtë bie dhe mendimi i Puşcariut EW 444, i cili edhe ky pas hullisë së G. Meyerit afron kuptoj me rum. a se cumpăta “me u përmbajtë” cumpăt “që­ndrim i matur, gjykim”, po këto bashkë me sard. (logudor.) kumpidare “me kërkue” e it. cómpito “detyrë; të qenët i matur” me anë të një vargu silogjizmash aspak bi­ndë­se i shpie te lat. compitum “udhë kryq”, me pëlqim dhe të Meyer-Lübkes REW 2099 e të Ernout­-Meilletsë 763. Rum. cumpăt do ba­shkuar me kumët kumt-in e shqipes, e të dy­ja hyjnë në grupin e reflekseve të lat. computus, duke dëshmuar kështu për ekzi­ste­ncën e kësaj dhe në latinishten ball­ka­ni­ke. Kuptimet e qëndrimit të matur e të përmbajtur që ka fjala rumune spiegohen shumë më mirë nga ai i llogarisë sesa nga udha kryq, khs. shprehje të tilla si mati fjalët, peshoje mirë atë punë, gjerm. berechnend “që i peshon mirë gjërat, i matur”. Gjithashtu it. compito, të cilën edhe atë Puşcariu e çon te lat. compitum “udhë kryq”, nuk është veçse një trajtë e computo “llogaritje” e kjo në analizë të fundit identike me conto “llogari” që vjen nga lat. computus. – Fonetikisht kumt me u-në e saj prej lat. o para dy konsonanteve do gjykuar ashtu si kurt, shpuzë, urdhër, të cilat dhe në ru­ma­nishten janë me u, sh. për këto Me­y­er-Lübke Gr Gr. I2 1045. Fjalët përkatëse të gr. së re që janë me -o- nuk lejojnë të me­ndohet për ekzistencën e u-së që në lati­nishten ballkanike (Şiadbei). Kjo u e rumanishtes dhe e elementit latin të shqipes duhet t’i përkasë një procesi të mëvonë të këtyre dy gjuhëve; sh. vërejtjet tona në Revue de ling. VII 1 198. – Në gjuhën moderne të shkrimit kumtoj, me neo­logjizmin kumtim, duke u nisur për­do­rue­sit e saj nga ndjenja e padrejtë se rrjedhka prej lat. communicare it. comu­ni­ca­re, ka hyrë më fort me do­me­thë­nien e kësaj fjale. Lat. communicare ka dhë­në kungoj.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading