Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Muzikë

ZBYTHJA E RAPSODËVE

rapsodiTë gjithëve ne që e duam muzikën, na vjen keq për disa patologji të muzikës shqiptare sot – teprime, abuzime, tepdilosje dhe sidomos mungesa.

Para disa javësh, Valentin Bruçaj shkruante në MAPO për degradimin e muzikës folklorike në Shqipëri (“Orientalizimi i muzikës shqiptare ose si po prishen shijet”), duke shprehur shqetësimin se ajo sot po zëvendësohet “ me muzikë të vendeve dhe kulturave të tjera, kryesisht orientale,” dhe po “u ofrohet njerëzve si i vetmi produkt.”

Nëse konstatimi qëndron, premisa e autorit se, pavarësisht se shqiptarët kanë jetuar “në dilemë nëse i përkasin Lindjes apo Perëndimit, kultura e tyre ka qenë pothuajse totalisht perëndimore” mund të diskutohet; dhe ironikisht të hidhet poshtë pikërisht me argumente muzikore.

Në fakt, folklori muzikor tradicional shqiptar përmban një larmi të pashembullt shkallësh, harmonish, temash, motivesh dhe stilesh – ku gjen gjurmë të të gjitha kulturave me të cilat shqiptarët dhe të parët e tyre kanë rënë në kontakt gjatë shekujve.

Vetë “muzika popullore shqiptare,” si muzikë karakteristike e komuniteteve shqiptare, nuk ekziston veçse përmes një larmie të pashembullt formash, të cilat i mban së bashku një ngjashmëri familjeje, në kuptimin që i jep këtij termi Wittgenstein-i; jo ndonjë thelb autokton unik.

Veçanërisht, muzika tradicionale qytetare në Shqipëri ka qenë pjesë e kulturës muzikore urbane të Perandorisë Osmane, e cila në Ballkan ka qenë përhapur dhe riprodhuar kryesisht prej muzikantëve rom.

Bruçajn vërtet e shqetëson fakti që “ muzika orientale është duke zëvendësuar muzikën tonë popullore e folklorike,” por arsyet pse po ndodh kështu, ia atribuon “qarqeve të caktuara”, të cilat muzikën orientale duan ta përdorin “si mjet diversioni kulturor.”

Natyrisht, asnjë provë nuk sillet për këtë hipotezë – le ta quajmë kështu. Nëse një lloj i caktuar muzike po përhapet lirshëm, me të njëjtën shpejtësi siç përhapen dyqanet e qofteve, ose, të themi, pikat e basteve, kjo veç tregon se publiku shqiptar, në masë, ka një tërheqje të vetvetishme ndaj kësaj muzike.

Bruçaj duket sikur ngatërron predisponimin kulturor të elitave tona – ndaj Perëndimit – me atë të masës, e cila tërhiqet nga të tjera shkallë, ritme dhe tema muzikore, pse këto i bashkëtingëllojnë më mirë traditës folklorike qytetare.

Në fakt, çfarë jemi mësuar ta quajmë folklor muzikor shqiptar safi, dhe që u kultivua me përkushtim të madh gjatë 50 viteve të regjimit komunist në Shqipëri, nuk është veçse produkt i sajuar, i mbajtur në këmbë me përpjekjet titanike të muzikantëve dhe poetëve profesionistë në prapaskena.

Këtë e dëshmon praktika e përgatitjes së Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës, për të cilat mobilizohej ajka e artistëve profesionistë të Shqipërisë.

Në gjendjen e vet të kulluar, si praktikë dhe krijimtari artistike popullore anonime, folklori muzikor e ka të vështirë ta ruajë vitalitetin, përballë produkteve të kulturës masive. Muzika folk, ose “popullore”, siç e quajnë ndryshe, mbijeton më shumë si një traditë e mbajtur në këmbë nga profesionistët; njëlloj si ato pandat e rralla, që i mbajnë gjallë dhe i riprodhojnë në kopshtet zoologjike.

Çfarë shumë prej nesh sot e quajnë muzikë folk shqiptare të mirëfilltë, në fakt është më shumë një përzierje e motiveve ballkanike të huazuara nga një kulturë lokale në tjetrën, shpesh të përpunuara nga muzikantë profesionistë sipas një estetike të caktuar, dhe me tekste të rishkruara, sipas rastit; në një kohë që shoqërimet, variacionet dhe teknikat e përpunimit të frazës muzikore shtegtojnë lirisht nga një njësi në tjetrën.

Në Festivalet Folklorike të shekullit të shkuar, autentikja vinte si produkt i krijimtarisë profesionale – në kompozim, përpunim, koreografi dhe tekste.

Kjo do të thotë edhe se bindja që folklori shqiptar, përfshi këtu edhe muzikën, veç duhet “mbrojtur” nga ndikimet dhe modat shfytyruese, është naive, romantike dhe e pabazuar; meqë ajo çfarë mbajmë sot si muzikë popullore autentike, dhe që ende e dëgjojmë të riprodhuar në radio, në TV, në CD-të dhe në YouTube, është në fakt produkt pak a shumë artificial, i përpjekjeve të një elite muzikantësh dhe artistësh të tjerë profesionistë.

Me fjalë të tjera, pa përpjekjet sistematike të artistëve dhe të institucioneve, muzika folklorike shqiptare – në ato trajta siç e përfytyrojmë ne sot – nuk ka shanse të mbijetojë, përballë trysnisë që i vjen nga zhanret “orientale.”

Ajo çfarë mungon në parashtresën e Bruçajt, është pikërisht sqarimi se folku shqiptar sot, i stilizuar në trajta kombëtare – ose i tillë që të dallohet si shqip – është muzikë e llojit elitar, që nuk riprodhohet dot në masë; njëlloj si pandat dhe tigrat e bardhë të zoo-ve, që nuk mbijetojnë dot më në gjendje të egër.

Kriza e muzikës folk është krizë e muzikës së përpunuar, jo simptomë e korrupsionit kulturor të masave; pse muzika e masave ka qenë gjithnjë “e korruptuar”, nëse mund të shprehemi kështu; krejt e hapur ndaj ndikimeve; sa dhënëse aq edhe marrëse; shëtitëse në motivet, zërat, instrumentet dhe efektet; dhe sidomos e përshtatur ndaj funksioneve sociale të muzikës: ahengje, dasma, kremtime.

Duke filluar që në vitet 1930, ne kultivuam një shkollë shqiptare të muzikës qytetare, me elemente folklorike të rafinuara stilistikisht dhe të përpunuara në mënyrë të tillë, që të tërhiqnin një publik urban të kultivuar. Kjo shkollë, për të cilën kontribuuan kompozitorë, këngëtarë dhe instrumentistë nga më profesionistët, i dha formë dhe drejtim krijimtarisë muzikore dhe konsumit të muzikës mes shqiptarëve.

Dhe fakti që pikërisht në kohën që lulëzoi ajo shkollë, u masivizua edhe folklori shqiptar muzikor, në trajtat e veta më autentike, nuk i detyrohet ndonjë përkimi rastësor; por konfirmon, sërish, se në periudhën e konsumit masiv të muzikës, folku i kulluar është po aq elitar sa edhe muzika e dhomës ose muzika lirike; ose edhe jazz-i i një Elina Duni ose Eda Zari.

Dhe sa për “orientalizimin”, që alarmon shumë njerëz, ky lidhet sa me predisponimin e publikut urban për muzikën orientale – nëse do të quajmë të tillë një muzikë sipas shkallëve dhe ritmeve dhe teknikave orkestruese të caktuara – aq edhe me përdorimin mbizotërues që po i bëhet sot muzikës pseudo-folk (tallava, turbofolk), si një lloj kolone zanore për jetën e natës të rinisë, nga njëra anë dhe për ahengjet e borgjezisë së re qytetare, nga ana tjetër; pra si shoqëruese dhe identifikuese e konsumit të spikatur.

Pikërisht e kundërta, pra, e atij investimi shpirtëror, material dhe njerëzor, që do të kërkonte kultivimi.

Pa Komente

  1. Muzika folklorike gjatë periudhës totalitare, pra në kohën e mbylljes pothuajse hermetike, të jepte përshypjen sikur ishte krejtësisht autentike, pra shqiptare puro. Për habinë e shumëkujt, pas hapjes ndaj botës, shumë melodi e motive, që na dukeshin krejtësisht shqiptare, ngjasonin tej mase me muzikën ballkanike, shpeshherë si dy pika uji.
    Nga ana tjetër, institucionet që merreshin në atë kohë me muzikën popullore, luanin rolin e filtrit, duke i zbutur e përpunuar ndikimet e jashtme, që vinin edhe në trajtë jehonash tradicionale. Sot ky filtër nuk ekziston më, si rrjedhim edhe prurjet janë më bruto e më të dukshme.

  2. Muzika folklorike ne kohen tone nuk ka asnje mundesi te ekzistoje, sepse nuk ekzistojne me kushtet dhe rrethanat shoqerore qe e bejne te mundur, e prodhojne dhe e ushqejne ate. Jemi shoqeri moderne, e urbanizuar, me mjete komunikimi dhe shperndarjeje masive, te tjera ritme etj.

    Sikurse thote Xha xhai, problemi eshte te mungesa e nje muzike te kultivuar.
    Po ne sikur kishim nje rrjet te tere me shkolla te mesme artistike dhe nje akademi artesh me konservator ne Tirane. Ç’u bene?

    Sa per muziken e dikurshme popullore, nje i njohuri im, muzikolog italian, qe kishte bere kerkime dhe interesohej per te, m’u ankua per mungesen e “botimeve shkencore” te kengeve polifonike te Jugut. Meqe nuk jam i fushes, nuk e ngava muhabetin, por me mbeti ne mendje.

    1. Pikërisht. E lënë në mëshirën e vet, muzika folklorike nuk është se kthehet gjë në origjinë, por thjesht zhduket.

    2. Relapso, koincidon qe rrethanat e kane sjelle qe nder vite te krijoj nje bagazh njohurie dhe terheqje prej njeriu jo te fushes ndaj polifonise shqiptare. Polifonia shqiptare ne 2005 eshte proklamuar nga UNESCO si pasuri kulturore e njerezimit(shih linkun poshte).

      http://www.unesco.org/culture/intangible-heritage/01eur_uk.htm

      Ai qe terhoqi vemendjen e studiesve te huaj, dhe si pioner i fushes, mund te konsiderohet Ramadan Sokoli:

      “Albanian polyphony was very late to come to the attention of European scholars. It was only during the 1950s that Ramadan Sokoli brought southern Albanian part-singing tradition to the attention of scholars. Soon scholars from then East Germany, with the help of Ramadan Sokoli, recorded and then published one of the collections of post-war Europe (Stockmann at al.,1965). Soon it became clear that Albanian polyphony is one of the richest in the Balkans.”

      Shkeputur nga: http://www.polyphony.ge/uploads/whoaskthefirst.pdf

      Punimin e pare shkencor Sokoli e botoi ne Buletini i Institutit te Shkencave ne 1959 vol. 3; 117-144. Me vone, ai sebashku me Erich Stockmann(gjerman) dhe Albert Lloyd(britanik) kane botuat rreth polifonise shqiptare ne Journal of the International Folk Music(gjate viteve 60te). Nje pjese e botimeve te Stockmann dhe Lloyd jane review te punes te etnomuzikologut shqiptar Sokoli.

      Punimet e tyre mund te lexohen online perkundrejt nje pagese apo anetaresimi. Me vone kane shkruar Kruta, Shituni dhe Tole, po per polifonine.

      Incizimet e ekspedites shqiptare te permendur me siper(1957) mund t’i gjesh ne linkun me poshte. Me interes jane incizimet e cameve te shperngulur ne Shqiperi.

      http://www.womex.com/virtual/ardian_ahmedaja/various_artists/discovering_albania

      1. Read Me, falemnderit!

        Keto informacione dhe linke sapo ia percolla personit te interesuar.

        1. Si i thone kendej “glad I could help”.

          Shkrimi i Xhaxhait, me kujtoi nje episod ne NYC. Ishim ne nje antikuar, kur degjojme fare prane nje kliente duke kenduar si nen ze: “Te ka lali shpirt, te ka lali xhan…”. Kaq ishte per te provokuar biseden midis grave:

          “Shqiptare?”
          “No, Ti kanis, agapi mou? Greek?”
          “No, I’m Albanian, I’m fine thank you. It’s the only expression that I know in Greek.”

          Pastaj filloi pasioni ballkanik per te zbuluar se si ballkanasja tjeter, fqinja jugore, po kendonte kete kenge kaq te njohur tashme. Pergjigja ishte e sinqerte, i kishte ngjitur menjehere pasi e kishte degjuar(pergjigja: the melody is catchy… for the ears of everyone), por megjithate nuk kuptonte asgje nga fjalet. Pastaj biseda kaloi dege-dege ne tema te tjera.

          Kenga ne fjale eshte adaptuar ne Ballkan dhe mund ta degjosh te kendohet ne serbisht, bullgarisht, etj. Besoj se te gjithe e dine se ura ne kete mes eshte “autoresia rome”; une kete melodi e kam te degjuar shume vite te shkuara ne Shqiperi ne ambjente po ashtu rome.

          Xhaxhai foli per rapsodet dhe zbythjen e tyre. Muzika urbane eshte “a horse of another/a different color”. “Rapsodet” nuk kane qene pjese e “main stream”, jane tamam folk(lor). E di qe ndoshte me duhet te shpjegohem…

          Per me shume, nese fokusohemi ne muziken urbane(qytetare), influencat otomane filluan te behen te prekeshme, te dukeshme, kur filloi urbanizimi i vertete me pashalleqet e Bushatllinjve dhe Tepelenes, nga mesi i dyte shekulli i 18te. Ishte muzika e oborreve dhe divaneve te pashave, ishte muzika e elites te kohes. Ishte e vetekuptueshme qe te ndodhte keshtu nen perandorine otomane.

          Makamet e perhapura nga perandoria otomane ishin nje trashegimi e nje perzierje arabe-persiane dhe turke ku modalitet e shkallezuara muzikore nuk u adaptuan te gjitha, por me shume ato qe kishin me afinitet shpirteror me etosin shqiptar.

          Njihen jaret e Shkodres, apo muzika qytetare beratase dhe elbasanase me elemente orientale; ne fakt kjo muzike fitoi trajtat dhe te drejten qytetarise dhe te jetes urbane shqiptare. Nuk ndodhi e njejta gje ne jugun e vertete te Shqiperise, por nuk eshte vendi per te trajtuar modalitetet e ndryshme muzikore jug-Shqiperi e mesme-veri dhe arsyet e nje devijimi te tille. Vecse te kujtojme polifonine qe u permend me pare.

          Kenga qe solla ne fillim, i perket, futet ne emeruesit e perbashket te muzikes urbane ne Ballkan, ku diskutimi mund te vazhdoje si nje pyetje qe kerkon pergjigje.

          Pyetjen e shtron nje botim i vitit 2006 me titull “Urban music in the Balkans” kushtuar Ramadan Sokolit (In honorem Ramadan Sokoli), i cili hulumtoi shkencerisht gjenezen e muzikes urbane(dhe influencen otomane), duke i dhene pergjigje muzikologjike drejtimeve dhe cdo afiniteti me rryma te caktuara, duke perfshire edhe orientalen.

          Pyetja qe ben libri i cili permbledh recensionet e mbajtura ne ate simpozium ne nderim te Sokolit, nga nje ekip i gjere etnomuzikologesh nderkombetare eshte kjo:

          Muzika urbane e Ballkanit: nje zhveshje(heqje dore) nga identitetet etnike apo nje rast historik i tolerances dhe te menduarit global?

          Nje nga ato pyetjet e veshtira. 🙂

  3. Disa mendime personale shtese mbi analizen e sakte te shkrimit dhe mbi komentet e mesiperme.

    Pa u marre shume me shqetesimet qe vijne nga autore kryesisht katolike apo katoliko-centriste qe kane nje talent te spikatur per ta kapur veshin se prapthi, per hire te se vertetes folku dominues sot ne skenen shqiptare nuk eshte i ndikuar vetem nga orienti por edhe nga oksidenti. Nga orienti ai eshte i ndikuar ne melodi ndersa nga oksidenti ne ritem. Mjafton te degjojme shumicen e kengeve folk qe sot ndjekin nje ritmike me te shpejte moderne e te influencuar kryesisht nga muzika elektronike. Ne shumicen e hereve kjo behet ne menyre krejt banale per te afruar populloren me shijet moderne, per ta bere keshtu muziken me te pranueshme per veshin e degjuesit bashkekoheor dhe per ta shitur keshtu me lehte. Ndersa melodia ka influenca orientale por jo vetem. Te shumta jane edhe influencat sllave (nese keta biem dakort te mos t’i quajme orient) apo deri diku edhe greke.

    Gjithashtu nuk jam dakort me idene e Relapsos se muzika folklorike ne kohen tone nuk ka mundesi te ekzistoje. Ndoshta Relapso ka parasysh muziken folklorike qe mbajme mend dhe qe servirej ne ekranet e para 90-tes. Sidoqofte muzika folk sot eshte ne shperthim ne Shqiperi. Mjafton te ndiqen disa kanale te dedikuara ndaj muzikes. Dhe nuk ka sesi te ndodhe ndryshe ne nje popull kaq folklorik sa c’jane ende masivisht shqiptaret. Po, sot ne Shqiperi kemi nje folk ne ndryshim, ashtu sic eshte vete shoqeria, por kemi nje folk ne shperthim gjithashtu. Nje folk pa dogane do te thosha une, ashtu si vete shoqeria qe eshte akoma ne kerkim te kufijve sociale…

  4. Interesant! Mendimi i vetem qe nuk ndaj eshte se askush nuk ka thene ndonjehere se kultura shqiptare ka qene totalisht perindimore dhe aq me pak te thuash se pikerisht shija muzikore konfirmon prirjen orientale.
    E bukura e vendeve ne edhekryq qendron pikerisht ketu, te larmia.
    Mu dha rasti te lexoja nje shkrim tjeter Related me te mesipermin, World Music dhe muzika nga Mali. Me behet qefi qe ekzistojne shqiptare qe njohin world music, kora, Touré etj. E vetmja gje qe s’kuptoj eshte ç’hyn Duni me world music?! Me sa di une, persa i perket world music nga Shqiperia perveç Familjes Lela dikur dhe Fanfara Tirana tani nuk ka te tjere. Ju keshilloj albumin e tyre te fundit per te cilin lexova recensione qe me lane goje hapur che me detyruan ta ble online ne Amazon. Impressive!
    http://www.amazon.co.uk/Kabatronics-Fanfara-Tirana-Transglobal-Underground/dp/B009VKLC48

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin