Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë / Sociologji

MASKA IMPORTI

kungull-halloweenHalloween kaloi edhe këtë vit, pa shmangur vëmendjen e mediave që nuk harruan të na raportojnë për festimet e ndryshme. Dikush u përpoq të na shpjegonte origjinën kelte të festës, dikush na informoi për ngazëllimin e fëmijëve, dikush tjetër na njoftoi për teprimet festive të të rinjve. Ligjërimi publik për Halloween-in filloi e mbaroi me imazhet festive: kunguj me fytyrë, maska të shpifura, veshje të frikshme, lakuriqësi shtrigash, njerëz fantazma, lokale të zhurmshme… Tashmë Halloween, thuhet kudo, është kthyer në festë tradicionale.

E vetmja përpjekje për t’u thelluar pak në fenomenologjinë e festave shqiptare vihet re në shpjegimet belbëzuese të prejardhjes së Halloween-it. Çdo vit rituali mediatik përsëritet pa ndryshime: dy fjalë për prejardhjen e fjalës në anglisht, pak rreshta për lidhjen me traditën irlandeze e skoceze, ndonjë referim të vogël për botën e shpirtrave dhe kthimin e të vdekurve. Sipas gjasës, shpjegime të përkthyera me nxitim nga ndonjë faqe interneti, që paraqiten më shumë si garniturë e pamjeve dhe imazheve televizive që tregojnë festimet e rastit.

Nuk duhen aftësi të mëdha vëzhgimi për të dalluar një farë sipërfaqshmërie në qasjen ndaj këtij fenomeni të ri. Siç e thonë edhe vetë mediat, bëhet fjalë për festë që po konsolidohet nga viti në vit në viset shqiptare. Arsyet e rrënjosjes së kësaj feste, në qoftë se mund ta marrim si të mirëqenë, mbeten ende për t’u zhbiruar, ashtu sikurse duhet studiuar ngjizja e saj kulturore në popullsinë shqiptare.

Dukuria Halloween në Shqipëri nuk mund të shikohet jashtë rrjedhave kulturore të globit. Kjo festë ka filluar të importohet nga Shtetet e Bashkuara edhe në vende të tjera europiane. Nga fundi i tetorit, përfaqësimet dhe maskat dark shihen tashmë në shumë kryeqytete europiane. Veçse në këto vende ka vite që arsyetohet për motivet dhe pasojat e përvetësimit të kësaj feste. Besimtarët e ndryshëm e shohin me shumë dyshim, e me të drejtë nga këndvështrimi i tyre, festën pagane të Halloween-it. Ka të tjerë, pavarësisht nga bindjet fetare, që e konsiderojnë thjesht festë konsumeriste, të importuar nga ShBA-të për arsye tregtare. Me fjalë të tjera, arsyet e rrënjosjes së Halloween-it janë në thelb ekonomike dhe të shtyra nga konsumizmi.

Studiues të tjerë e shohin Halloween-in si një rikthim në Europë, meqë kjo festë u eksportua në Amerikë pikërisht nga kontinenti plak. Edhe në vende me tradita të vjetra e të forta kristiane, festa në fjalë nuk është krejt e panjohur nga tradita. Që kjo festë ka rrënjë prekristiane është më shumë se hipotezë. Tek e fundit Halloween, që në lashtësi, lidhet me natyrën, bujqësinë, ndërrimin e stinëve, botën e shpirtrave, kthimin e të vdekurve, e kështu me radhë. Aventurën e kësaj feste mund ta ndjekim nga epoka e paganizmit deri tek katolicizmi, katolik e protestant bashkë; emigrimi i saj drejt botës së re dhe rikthimi në botën e vjetër; mbivendosje, rikthime, reinterpretime. Fakti është se festa u pëlqen kryesisht fëmijëve e të rinjve. Ky lloj interpretimi e hedh poshtë idenë e kolonizimit të imagjinarit dhe të kulturës europiane nga ana e festave amerikane.

Megjithatë edhe rikthimi nuk mund ta vërë në diskutim forcën e mediave dhe kinemasë amerikane. Në qoftë se Halloween po hyn në skenën urbane shqiptare, kjo u detyrohet filmave, librave, emisioneve televizive, imazheve që vijnë nga përtej oqeani. Kjo vlen, nga pikëpamja e metodës së adoptimit, edhe për festa të tjera si Shën Valentini, dita e të dashuruarve, që më parë nuk njihej fare nga publiku shqiptar. Megjithatë, Shën Valentini nuk mund të konsiderohet si importim ekskluziv amerikan, përderisa rezulton prej kohësh disi më i rrënjosur në Europë. Përveç mediave, në epokën e globalizimit, nuk mund të mohohet roli, sipas gjasës modest, i emigrantëve shqiptarë, të cilët në një farë mënyre ndikojnë në thithjen kulturore, përderisa i përjetojnë festat njëlloj si të tjerët atje ku jetojnë, ndërkohë që vazhdojnë të komunikojnë intensivisht me familjet e origjinës.

Nuk dihet se në ç’pika përputhet dinamika midis traditës europiane kristiane dhe asaj amerikane (prej nga vjen Halloween-i), me traditën shqiptare brenda kontekstit kulturor të Europës dhe të globalizimit aktual. Elemente pagane të Halloween-it gjenden me siguri edhe në traditën shqiptare të krishterë dhe parakristiane, që kanë nevojë për studim. Nuk mund të na shpëtojë, gjithsesi, detaji i vërshimit të traditës “amerikane” pas pezullimit të traditës fetare shqiptare gjatë totalitarizmit. Duket sikur implantimi i Halloween-it bëhet në një terren kulturor të virgjër, për sa kohë edhe dita e 1 nëntorit ishte e panjohur për tërësinë e shqiptarëve. Bëhet fjalë për festën katolike për kremtimin e të gjithë shenjtorëve dhe martirëve gjatë historisë së krishterimit. Ndërsa më 2 nëntor përkujtohet dita e të vdekurve. Është afërmendsh që pavarësisht nga tradita e kaluar, importimi i festave si Halloween-i në Shqipërinë aktuale, nuk ndesh konkurrencën, as ndihmohet nga festat e mëparshme.

Mungesa e traditës bën që shumë elemente të festës të merren shabllon e të mos përtypen mirë kulturorisht. Nuk teprohet nëse në këto shkëmbime kulturore të njëanshme të shihet hija e kultit të kargove. Në mënyrë të pavetëdijshme, hyrja në Europë bëhet edhe me kopjimin e orgjive festive, ku edhe simbolet e humbasin kuptimin origjinal, për t’u shndërruar në pretekst për argëtim. Pak vetë ia njohin historinë Halloween-it, shpeshherë e ngatërrojnë me karnavalet, duke boshatisur kuptimin e tyre tallës dhe duke ndotur njëkohësisht, me elemente karnavaleske, horror-in e natës së 31 tetorit. Nga mishmashi kulturor mbijeton vetëm dëshira për t’u dëfryer, që në kohët e sotme nuk është pak, dhe jo detyrimisht negative. Si e kanë përkthyer fëmijët shqiptarë anglishten “Trick or treat“, ose italishten “Dolcetto o scherzetto”, kur shkojnë nga shtëpia në shtëpi për të kërkuar ëmbëlsira? Një nga fjalorët anglisht-shqip e jep kështu: “Më jep diçka në mos ta punova rrengun!”, çka tregon në mënyrë indirekte se tradita nuk ka zënë ende vend, të paktën nga pikëpamja gjuhësore.

Nga ana tjetër, nuk i shpëton askujt se jo vetëm festa Halloween, por edhe të tjera më të rëndësishme nga pikëpamja fetare e sociale, janë komercializuar shumë vitet e fundit, duke u shndërruar në altarin e konsumerizmit, ose në vitrina perfekte të vip-ave të kohës, të cilët postojnë me vend e pa vend fotografitë e tyre supertrendy, ose si shtriga e shtriganë të frikshëm. Shpeshherë pa ndonjë ndryshim nga veshjet gjatë vitit. Festat po zbrazen çdo ditë nga kuptimi i tyre fillestar. Në këtë mënyrë i ngjajnë gjithnjë e më shumë fundjavave transgresive, ku festimtarët modernë mezi po gjejnë kufirin e ardhshëm për ta shkelur e për ta tejkaluar, në maratonën individualiste të vëmendjetërheqjes. Edhe pse të rrethuar nga zhurma e dëfrimit e nga decibelët shurdhues, nuk mund të fshihen mangësia e bashkësisë, zbrazëtia e marrëdhënieve, kuptimi i të ndenjurit bashkë. Në vetminë e skenës maskat e humbasin fytyrën ku janë vendosur.

Për fat të mirë janë fëmijët, që me harenë e tyre, u japin festave një farë pafajësie e njëkohësisht sinqeritet e vërtetësi jetike, nga ku mund të rimerret pa problem rindërtimi fillestar i tyre.

Pa Komente

  1. mamaja ime me thote qe ne fshatrat e Kolonjes per Pashke kalamajte dilnin ne grupe shtepi me shtepi per sheqerka, dhe kishin nje shprehje qe eshte shume shqip dhe qe thote pikerisht “tick or treat”, por nuk e kujtoj dot tani. Do ta pyes.
    Ne Amerike pjesa e maskave dhe frika nga horrori duket sikur zhvillohen pa lidhje, sido qe i takojne se njejtes dite dhe shpesh takohen; dhe nje element karnevalesk e ka edhe Halloween. Nje 13-vjecare afer meje ishte Audrey Hepburn ne mengjes ne shkolle dhe Marilyn Monroe ne darke per trick-or-treat. 🙂

    1. Kam dëgjuar edhe unë për traditën e kalamajve që kërkonin sheqerka e karamele në lagje. Ndoshta kanë mbijetuar në forma të ndryshme deri vonë. Shprehjen që përdornin në derë nuk e njoh. Natyrisht, ka elemente ngjashmërie me Halloween-in, por bëhej për festa të tjera. Kushedi nga ç’kohëra të largëta vijnë…
      Ke të drejtë: elemente të karnavaleve gjenden edhe tek festa që po trajtojmë, përndryshe nuk do të ishte festë, por tmerr i vërtetë :). Mirëpo, shkëmbimet e natyrshme shpeshherë ekzagjerohen, sipas gjasës për arsye mosnjohjeje, ose konsumeriste, çka shpie në efektin “turli” të festës. Festat duket sikur mbivendosen, sidomos në mungesë tradite të konsoliduar. Me sa di unë, karnavalet kanë rrënjë të tjera tradicionale dhe tjetër objektiv. Megjithatë, edhe unë kam parë maska të frikshme gjatë karnavaleve, sikur të ishte Halloween.
      Antropologët e studiuesit e fushës kanë shumë për të hulumtuar.

  2. Nuk dihet se në ç’pika përputhet dinamika midis traditës europiane kristiane dhe asaj amerikane (prej nga vjen Halloween-i), me traditën shqiptare brenda kontekstit kulturor të Europës dhe të globalizimit aktual.

    Ne fakt Amerika dhe Shqiptaret kane dicka te perbashket: qe te dyja kulturat kane dale jashte binaresh ‘tradicionale’.

    Evropa kontientale nuk para e feston Halloween, por Shqiptaret e kane perqafuar kete feste sic perqafon skllavi afrikan i transplantuar ne Brazil krishterimin e me pas krijon thagma sinkretiste si ‘tenda de umbanda’ apo ‘candomble’ (ta shpjegon Umberto Eco te Lavjeresi i Foucault).

    Shkurt muhabeti, ne jemi me afer Brazilit sesa Evropes. C’na kushton te shtojme ne repertor edhe nje feste qe tjeter qe s’e marrim vesh

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading