Teknologjia na mëson me shprehi e zakone të reja. Deri pardje, për të bërë ndonjë llogaritje relativisht të thjeshtë kërkonim laps e letër; dje kërkonim nëpër sirtarë makinën llogaritëse; sot nxjerrim nga xhepi celularin inteligjent dhe hapim funksionin e duhur. Kush kërkon laps e letër shikohet me habi, sikur është teletransportuar nga ndonjë planet tjetër, ose ca më keq, sikur ka ardhur nga e kaluara. Unë qëllova me fat një ditë, se ma morën si shaka, përndryshe si provokim snobist, çka e shndërroi aktin vintage në veprim modern. Por kjo vetëm sa e konfirmoi peshën e teknologjisë në zakonet e shoqërisë sonë.
Semiologu Umberto Eko i ka kushtuar një libër idesë së kthimit mbrapa falë teknologjisë moderne. Në librin e tij të njohur “A passo di gambero”, përveç shembujve nga shoqëria, përmend diku se telekomandat e televizorëve të ardhshëm do të mundësojnë jo vetëm heqjen e zërit, por edhe kthimin e imazheve në bardhezi, që do të thotë kthim prapa në fillimet e kinematografisë botërore, me filmat e hershëm të vëllezërve Lumière. Teknologjia na ndihmon të ecim mbrapsht si gaforrja? Ndoshta në një farë kuptimi, si në rastin e makinave të shkrimit, që po hyjnë në përdorim për shkak të informatikës, zhvillimi i së cilës ia dobëson imunitetin sigurisë së informacionit.
Si duhet ta interpretojmë lajmin se një eksperte e dizajnit iu përgjigj sms-ve me shkrim dore? Pikë së pari, duhet ta pyesim veten se përse ky “eksperiment” arriti t’ua tërheqë mediave vëmendjen. Sekreti duhet kërkuar tek mekanizmi mediatik i njeriut që kafshon qenin. Me fjalë të tjera, sms-ve njerëzit u përgjigjen me sms, jo duke shkruar me dorë. Eksperimenti është provokim i pastër, për sa kohë shkrimi me dorë është skanuar dhe është botuar në faqe interneti. Si të thuash, teknologjia nuk është anashkaluar; ka qenë mjedisi ku ka marrë formë komunikimi tradicional. Nga ana tjetër, bie në sy asimetria në komunikim. Kur dikush të dërgon një e-mail pritet që t’ia kthesh po me e-mail. Kur ti i drejtohesh shokut me gojë, pritet që t’ia dëgjosh zërin. Kanali i komunikimit përgjithësisht respektohet. Nuk përjashtohet, mund t’i përgjigjesh e-mailit me sms, ose zërit me letër, por jemi përtej standardit të komunikimit.
Mirëpo dukurinë ende nuk po e fokusojmë mirë. Në qoftë se do të shihnim tutje provokimeve, do të hasnim në raste të tjera që pak kanë të bëjnë me akte shokuese. Edhe mjediset e komunikimit, përfshirë mjetet, kanë modat e veta. E kush nuk e mban mend boom-in e kartolinave virtuale në fillimet e internetit? Kush kishte e-mail i bombardonte miqtë virtualisht me kartolina shumëngjyrëshe e gjithnjë e më të lëvizshme. Kartolinat u inflacionuan aq shumë sa njerëzit nuk e merrnin mundimin as të klikonin në linkun përkatës. Kurse kartolinat e bashkëlidhura kanë rreziqet e veta, sepse atje mund të mimetizohen viruse të mundshme.
Tani që edhe kostoja e sms-ve ka rënë ndjeshëm, rreziku më i madh është të përfundosh në rubrikën e ndonjë abonenti që i blen mesazhet e shkurtra me paketa. Sms-të do të trokasin pambarim si breshri kokërrmadh mbi çatinë e makinës. Gabimin e regjistrimit në shërbime të caktuara, do ta shlyesh me nerva të acaruara nga tingulli i sms-ve çdo minutë. Shumë prej nesh e kanë kuptuar, ndaj edhe nxitojnë të çregjistrohen sa më shpejt. Sikurse kemi filluar t’i urrejmë sms-të prej turme, anonime, të papersonalizuara, të verbra, të ftohta, që na dërgojnë orë e çast. Në periudha festash retë e dendura me sms bëhen më të rrezikshme.
Si duhet t’i shohim kartolinat e shkruara me dorë, me pullë e fotografi të zakonshme, që kanë filluar të ripostohen? Si veprim tradicional? Si duhet t’i vlerësojmë sms-të që fillojnë jo me emër të seleksionuar nga kompjuteri, ose rubrika, por me nofkën e fëmijërisë? Si akt nostalgjik? Po letrën e shkruar me stilograf, me ndonjë korrigjim të vogël, si duhet ta katalogojmë? Si shenjë snobizmi? Varet nga ne, por edhe nga ata që na shkruajnë. Teknologjikisht mund të jetë ecje prapa, por nga pikëpamje të tjera mund të jetë përparim. Tek e fundit, kur dikush na shkruan “Të dua”, ne i gëzohemi ndjenjës, pavarësisht se na është thënë me bojë, apo me shkronja virtuale. Por puthjen ama, e duam gjithnjë tradicionale…
nice…
Si nevoje per ” return to innocence” ndoshta…