Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

DY FAQET E DISKRIMINIMIT

MicKa nisur një polemikë, te ResPublica, në lidhje me një artikull të M. Aleksit, botuar në gazetën Dita.

Në artikullin e vet, Aleksi ndërmerr analiza psikologjike të Berishës dhe të Ramës, në bazë të prejardhjes së tyre sociale: njëri malësor, tjetri qytetar; për të vendosur lidhje midis veseve/virtyteve të këtyre, dhe fëminisë së tyre, mënyrës si janë rritur, mjedisit gjeografik dhe social ku janë edukuar.

Kjo lloj qasjeje nuk i ka pëlqyer K. Cukalit te ResPublica, meqë i është dukur “racizëm i pastër.”

Në fakt, analiza e Aleksit i përket psikologjisë pop, me aspekte të lehta psikanalitike. Edhe pse nuk është doemos anti-shkencore të vendosësh lidhje mes karakteristikave psikologjike dhe të sjelljes në bazë të prejardhjes ose të mjedisit, duke vepruar kështu është praktikisht e pashmangshme t’i ruhesh diskriminimit negativ.

E keqja e analizave të tilla, tepër tunduese, është se ato janë tepër “deterministe”, duke shpërfillur rolin e individit, ose të vullnetit të lirë, në përcaktimin e sjelljes, kulturës, botëkuptimit dhe karakterit të dikujt.

Nëse pastaj kjo është apo jo “racizëm”, për këtë mund të diskutojmë.

Pavarësisht nga etiketat që përdorim, karakterizimi i figurave të opozitës në bazë të origjinës, ose të “historisë” së tyre personale dhe familjare, ka qenë karakteristikë e përhershme e një lloj të djathte populiste në Shqipëri, të udhëhequr dhe të përfaqësuar nga vetë Sali Berisha.

Vetëm pak javë më parë, gjatë përurimit të Tunelit të Kërrabës, Berisha tha për Ramën se “ai u rrit si zvarranik bunkerësh, unë si zog mali, dhe ja ku jam, vazhdoj të fluturoj.”

Me gojën e Berishës dhe të lakejve të tij, të gjithë liderët e opozitës janë përgojuar në bazë të prejardhjes dhe lidhjeve familjare me pushtetarë të regjimit komunist.

Disa media të afërta me PD-në e patën bërë sport të përditshëm përgojimin e Kristaq Ramës.

A do ta quajmë edhe këtë “racizëm”? Ndoshta një etiketim i tillë nuk do t’i shërbente kthjellimit të dukurisë.

Nga ana tjetër, Berisha dhe të tjerë me origjinë nga malësitë e Veriut, quhen rëndom “malokë” – edhe pse jo nga Edi Rama dhe në komunikime publike të PS-së.

Këtë lloj karakterizimi, në bazë të origjinës, unë do ta quaja më shumë folklorik. Nëse ai depërton në politikë dhe në debatet publike, kjo ndodh më shumë në ato kontekste dhe mjedise ku privilegjiohet diskursi folklorik.

Vijmë kështu te populizmi dhe egalitarizmi populist, me rrënjë të forta anti-intelektuale; sikurse e ndeshim rëndom në diskursin e së djathtës politike në Shqipëri.

Tipik, në këto kontekste, është i ashtuquajturi “diskriminim pozitiv”, ose lavdërimi i dikujt, në bazë të virtyteve që ky i ka trashëguar nga familja, origjina sociale dhe gjeografia.

Në këtë mes, përbuzja folklorike për “malokun” kundërpeshohet nga kulti njëlloj folklorik për “malësorin” si dashnor të lirisë, ose “zog mali” (me gojën e Berishës); për “malësorin” si shqiptar safí, superman, trim i rrallë, burrë i vërtetë, ruajtës dhe kujdestar i shqiptarisë; dhe për malin si vendin gjeometrik të atdheut, e kështu me radhë.

Mjaft t’u hedhësh një sy veprave në pikturë dhe në skulpturë, me frymë kombëtariste, për t’u bindur se diskriminimi pozitiv i malësorit është përqafuar, pa kurrfarë rezerve dhe kritike, në të gjitha nivelet e diskursit publik – që nga rapsodët, te vetë Ismail Kadareja.

A është “racizëm” edhe ky lloj diskriminimi? Me kriteret që zbaton K. Cukali, ndoshta i bie të jetë – por unë sërish do të ftoja që të kemi kujdes me etiketimet.

Ky farë “racizmi”, në të gjitha format, edhe ato negative edhe ato pozitive, është simptomë e një kulture të varfër, të organizuar rreth pak tropeve kombëtariste, dhe përftuese të një diskursi lavdërues; që varfërinë e shndërron në pasuri dhe inferioritetin në superioritet.

Për ta ilustruar këtë, mjaft të kujtoj se regjimi totalitar bëri të pamundurën për t’ia çrrënjosur traditat dhe krenarinë viseve të malësisë; dhe pasi e uli malësorin në gjunjë, e mori dhe e vendosi në qendër të imazhit kombëtar shqiptar – duke i mbushur pikturat dhe skulpturat me qeleshe, mustaqe, tirq, lahuta dhe huta.

Kur thotë për veten se “jam rritur si zog mali”, Berisha bëhet, dashur pa dashur, interpret i këtij vizioni nëpërkëmbës, i cili në fakt kërkon ta ngushëllojë dinjitetin e përdhosur, me lëvdata romantike dy-lekëshe.

Debati në ResPublica dhe vetë artikulli i M. Aleksit le të shërbejnë, pra, për të na nxitur të reflektojmë për absurditetin e populizmit dhe diskriminimit – pozitiv dhe negativ.

Pa Komente

  1. Poetika politike e perdorur, qofte nga Berisha apo Rama, nuk duhet te ngushtoje analizen e ketyre personazhe, duke e zbritur ne nivelin folklorik.

    Debati ne thelb duhet te ngrihet ne nivelin shkencor Nature versus Nurture, pra informacioni gjenetik, ADN, me te cilen del nga barku i nenes, pasi hidhen zarat nente muaj me pare, kundrejt ambjentit ku rritesh. Kombinimi i tyre, nderveprimi jep rezultate te ndryshme ne varesi te kompleksitetit te kontributit te tyre.

    Por eshte provuar historikisht, qe gjenet nuk jane te vetmet qe vendosin destinet e cdo qenie njerezore, gjenomi njerezor e shpreh veten ne nderthurje me rrethanat e gjykimi i rrethanave nga njerezit behet shpesh preh i vet paragjykimit social prej ku e kane origjinen.

    Artikulli i Aleksit nuk e besoj se do te ishte botuar nga ndonje periodik perendimor, qofte edhe si “popular science” apo “hi-fiction-science” dhe do te kishte marre damken si shkrim “non-scientific” dhe “biased”, paragjykues, diskriminues dhe antishkencor.

    Eshte i ngjashem me pozitat e supremacisteve.

  2. Po të ngrihej një doktor tjetër psikolog e ta psikanalizonte me të njëjtat kritere shkencore autorin e shkrimit tek “Dita”, kushedi si do t’i interpretonte fjalët e tij të bukura e të ëmbla në adresë të Edi Ramës. Do e kishte gabim, nuk ka diskutim.
    Nuk bëhet profili psikologjik me të dëgjuara, me hamendje e me interpretime pop. Nuk ka asnjë dëshmi, rrëfim, burim…
    Përfundime të tilla të nxituara e përgjithësuese nuk do t’i nxirrte as psikologu imagjinar, që do t’i kishte dy liderët në shtratin e psikanalizës për muaj të tërë.

  3. Besoj se ngacmimi qe ka krijuar shkrimi i M.Aleksit, dhe reagimi ndaj tij si shfaqje rracizmi ka ardhur nga nje strukture analize qe linte pikepyetje; te shpjegosh pse Berisha eshte ai produkt i keq (qe besoj se jane shume pak ata qe i dalin zot ta mbrojne) duke i rene nga ai shteg shpjegimi, le ne diskutim merakun se mos gjithe individet qe kane origjinen dhe trajektoren jetesore te Berishes dalin si ai…gje per te cilen s’besoj se zoti Aleksi e arsyeton dot kollaj shkencerisht. Fola thjeshte per Berishen pasi krahasimi me Ramen nuk me duket thelbi, ai eshte gati gati normalja; nje “target” i thjeshte si Berisha “z’bulohet” ne ballafaqim me pothuaj cdo figure tjeter te fuqishme politike, te cfaredo krahu qofte.

  4. Nё kohёn e sotme nuk kemi nevojё pёr partizanllёk tё njёrit apo tjetrit lider, por pёr tё ndёrtuar njё shoqёri ku tiranasi dhe malёsori, banorёt e kryeqytetit dhe tё provincёs, tё mund tё bashkёjetojnё nё mёnyrё konstruktive me njёri-tjetrin. Duke i rёnё “qemanes” sё vjetёr tё protagonizmit politik, Aleksi nuk ndihmon nё ngritjen e njё vetёdije qytetare qё di tё vlerёsojё diversitetin e popullatёs dhe qё di tё ngrejё mekanizma shoqёrore pёr tё integruar njerёzit nё zhvillimet e reja urbane; nё tё kundёrtёn, ky shkrim ushqen paragjykime tё vjetra e tё ngurtёsuara qё nuk i hyjnё mё nё punё njё brezi tё ri sot.

  5. Po te ishte asnjanes ne psikologjisjen dylekeshe, do shihte qe Rama si i paedukuar, ka pasur deficite te medha ne edukaten familjare, te cilat keshtu sipas kesaj qasje do gjendeshin tek nje mama shume e ngjitur dhe nje baba autoritar, i cili ka imponuar qe Rama te behej artist dhe ky kur e kuptoi qe s’ishte artist u be politikan. Me tej rivaliteti me te atin do kete qene theres, thuajse ne terma frojdiane, dashuri dhe urrejtje. Kjo rritje anormale ka ndikuar ne çrregullsine totale te jetes se Rames dhe eshte ogur i keq, per nje vend si Shqiperia ku kryeministri duhet te kete bonsensin e paterfamilias.
    Nejse, muhabete qe politikisht jane vl, sepse politika rrotullohet rreth pushtetit i cili ka kushtet e veta per t’u zoteruar dhe ushtruar, dmth gjithçka rreth Rames do shumezohej me zero, nqs s’do e kishin piketuar si i biri i Kristaqit (shkaku fillestar).

    Racizmi ka humbur kuptimin me kohe, po diskriminimi negativ ende jo dhe ai i artikullit te mjekut eshte bruto, i pagdhendur fare, ne nje kohe qe gjuha te jep mundesi te diskriminosh ne menyra shume te sofistikuara.

    Sali Berisha si politikan ishte produkt i mirefillte komunist. Asgje qe ka bere Berisha nuk eshte ‘autentike’ apo produkt i ‘Malesise’, ai eshte sjelle si Njeriu i Ri Komunist. Ai ishte i suksesshem jo pse Malesor por pse Njeriu i Ri Komunist. Mund te ishte nje lider mese normal i PS-se, nqs do e kishin caktuar, i kishte te gjitha ne rregull, aktivizim ne parti qe ne rini, mjek i bllokut, familje pa njolle, intelektual qe kish dale jashte shtetit, familjar i mire, besnik i partise (sipas gjasave spiun), me pak fjale, Sali Berisha mund te ishte edhe kryetar i PS pa piken e problemit.

    Kush do te kacafytet me Berishen, duhet te kacafytet me komunizmin, pjelle besnike dhe perfekte e te cilit ishte.

    Por ata i lane nje detyre shume me te veshtire, te behej lideri i armiqve te popullit, te cilit ishin gati per revansh total shumepermasor, gati per lufte civile, dhe ai e kontrolloi ne menyre te shkelqyeshme masen e armiqve te komunizmit e nuk u prek asnje prej krimineleve te vertete komuniste (qellimi kryesor i parise komuniste).

  6. ”’Kur thotë për veten se “jam rritur si zog mali”, Berisha bëhet, dashur pa dashur, interpret i këtij vizioni nëpërkëmbës, i cili në fakt kërkon ta ngushëllojë dinjitetin e përdhosur, me lëvdata romantike dy-lekëshe.”’

    Ne te vertete, Berisha flet politikisht (sidomos ne fushate elektorale), jo per sport,per te shtyre kohen apo se eshte psikopat, prandaj ka gjithnje nje target politik, dmth votues, mbeshtetes, perkrahes.
    Domethenia politike e kundervenies, zvarranik bunkeresh me zog mali, lidhet me konceptin e lirise, dmth Berisha eshte rritur me lirine, prandaj eshte lider i lirise ne kuptimin politik qe i jepet djathtas ketij koncepti dhe konkretisht ne fjalim (nuk kap dot vizionin tonë, rrugët dhe autostradat, shkollat dhe integrimin europian). Perndryshe, nje zvarranik bunkeri nuk ka lidhje me lirine, por me mbylljen, izolimin, zvarritjen, karakteristikat historike te se majtes shqiptare (Gërmon dhe gërmon dhe nxjerr ide të shkuara, për t’ua servirur shqiptarëve; mashtrime dhe mallkime të pavlera).

    Nuk ka pasur nge Berisha, nje jave para zgjedhjeve, te merrej me levdata e ngushellime per arsye personale.

    Gjithsesi diskriminimi pozitiv nuk quhet ende racizem, mbahet si ilaçi kunder racizmit (derisa te dale ndonje mjekim tjeter konceptual).

    Epoka e Berishes mbaroi, madje edhe roli i tij, si gege e malesor, qe ishte piketuar asokohe si i suksesshem, mori fund me keto zgjedhje, prandaj zgjedhja e Bashes ishte edhe me e domosdoshme.

    1. Shkruan:

      Ne te vertete, Berisha flet politikisht (sidomos ne fushate elektorale), jo per sport,per te shtyre kohen apo se eshte psikopat, prandaj ka gjithnje nje target politik, dmth votues, mbeshtetes, perkrahes.

      Në të vërtetë, ky është thjesht supozimi yt, që nuk ka më shumë vlerë se pseudonimi qesharak, Aqif Kopertoni, që i ke dhënë vetes, shpresoj me auto-ironi (në një kohë që në blogje të tjera begenis të dalësh me emrin tënd real).

      1. Ne te vertete, ai nuk eshte thjesht supozim, por produkt i aksiomes sipas te ciles, politikani ne publik flet politikisht, aq me teper politikani qe kushtezon nje brez.
        Me ngjan fare i pavend’ ky ad hominem, madje ne kufijte e habise, sepse interneti eshte hapesire qe bazohet tek parimi i lirise, madje me shume se hapesira detare e ajo ajrore.
        E thene me qasje shmitiane ( Karli, jo Kali ”yne” gerdalle), ti xha xha nuk ke evoluar nga konceptimi shqiptar i tokes, ku na detyroi Roma, pasi duke na hequr detin na hoqi edhe lirine politike edhe parimin e lirise qe mbart hapesira detare.
        Mendoja se do te ishe i pari qe do kishe pervetesuar e brendesuar parimin e lirise qe mbart hapesira internetore. Ne nje kuptim, kjo eshte relativisht deshperuese, sepse shqiptaret kane nevoje jetike te dalin nga zhgualli tokesoro-malor ku i detyroi Roma, ku koncepti i lirise reduktohet ne vullnetin per mbijetese, ne menyre qe ta perjetojne konceptin e lirise ne esencen e vet te vullnetit per fuqi.
        Kur sillesh edhe ti si malesor, vaj halli ne te tjereve.

  7. I dashur Xhaxhai. Artikulli i Aleksit nuk mendoj se eshte racist por eshte diabolik, ne sensin etimologjik te fjales (nga greqishtja – ndaj): Pra ka si synim, me shume se rracizimin, ndarjen e shqiptareve ne maloke dhe “ortodokse te pushtetshem kultutore”.
    Ishte krejt i pershtire si artikull, pikeisht se ishte diabolik. Per kete arsye qendron edhe artikulli juaj.
    Andrea Nikaj

  8. Etj. etj. thagma, prej mjeku shqiptar, që jeton në SHBA… në vendin e lirive.

    Predestinimi apo fataliteti i qenies njerezore, eshte nje teme shume e gjere dhe e diskutuar pikerisht ne kete vendin e… lirive. Po lexoja pak kohe me pare “Freakonomics” – nje liber shume i njohur nder te tjera dhe qe analizon tipare ekonomike ne menyre “jo-ortodokse”. Me rezultate statistikore, autoret e librit dalin ne perfundimin e vendit te… lirive, se e thene ne gjuhen e vendit te lirise: it matters what you are and not so much what you do. E vertetuar statistikisht kjo.

    Vende me tradite ne botekuptimin e majte, si Franca per shembull, kohet e fundit po e trajtojne kete tiparin e predestinimit. Ne shkollat fillore, eshte vendosur te ndalohen detyrat e shtepise, sepse shtresat e larta do te favorizoheshin ne percjelljen e dijes, prej statustit te tyre ekonomik.

    Po deshe te shkojme me tej akoma, filozofikisht apo edhe teologjikisht, predestinimi ka te beje dhe me shpirtra te paravendosura per te shpetuar, dhe te tjere shpirtra per te shkuar ne ferr. Ose si e thote ndryshe nje poet, ne gjuhen e vendit te lirise:

    Some are born to sweet delight,
    Some are born to endless night.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë