Në kohë dhuratash, kryesisht në periudhën e Krishtlindjeve e të Vitit të Ri, një pjesë e opinionit publik monopolizohet nga aspekti komercial i sendeve. Të nxitur nga reklamat, vitrinat, ikonografia, filmat, emisionet radiotelevizive, atmosfera festive, e kështu me radhë, pra nën efektin e psikozës konsumiste, njerëzit enden si zombie nëpër rrugët me drita shumëngjyrëshe e plot trafik për të përvetësuar ndonjë send të ambalazhuar bukur. Kemi të bëjmë jo rrallë me triumfin e dhuratës si objekt, njëpërmasimin e gjesteve të thella, kultin e së sipërfaqshmes, mercifikimin e marrëdhënieve njerëzore.
Dhuratat përmbajnë një nga aktet më të hijshme të njerëzimit. Një person i jep diçka dikujt tjetër pa kërkuar asgjë si këmbim. Dhurata është falas me përkufizim. Mirëpo dhuratat janë të ndryshme, jo nga pamja por nga kuptimi. Ajo që e dallon njërën nga tjetra është aspekti i detyrimit. Për ta kuptuar me mirë këtë koncept le t’i kërkojmë ndihmë gjuhës italiane. Në italisht për fjalën dhuratë ka dy fjalë: regalo e dono. Ka raste që përdoren si sinonime, por në fakt kanë kuptime të dallueshme. Dhurata si “regalo” vjen nga latinishtja “regalem” që rrjedh nga ana e vet nga gjinorja “regis” e fjalës “rex” (mbret). Pra në origjinë ishin dhurata që i bëheshin mbretit. Dhurata si “dono” vjen nga latinishtja “dare” (jap). Pra kemi të bëjmë më aktin e dhënies: të pastër, të kthjellët, falas, pa kurrfarë detyrimi ose implikimesh hierarkike.
Edhe në gjuhë të tjera mund të bëhen dallime të tilla, pak a shumë të qarta. Në shqip kuptimet e ndryshme të dhuratave duhen kërkuar me durim, megjithëse nga pikëpamja etimologjike gjërat mund të duken të lehta e pozitive. Në shqip dhurata e vitit të ri thuhet njëlloj si dhurata e Krishtlindjeve, dhurata e datëlindjes thuhet njëlloj si dhurata pa përvjetor. Në fakt folja dhuroj përdoret si kur jepen dy steka cigare ose një komplet filxhanësh, ashtu edhe kur dhurohet gjaku ose jeta. Në realitet kemi të bëjmë me dy akte thelbësisht të ndryshme. Fjala blatim nuk ka përhapje të madhe, fal në kuptimin dhuroj duket tepër kalimtare si folje, kurse fjalët donacion e donatorë kanë hyrë me hapjen e Shqipërisë ndaj botës, gjithsesi shumë të reja për të na ndihmuar në analizën e dhuratave.
Dhurimi i gjakut ka të bëjë me një akt të epërm njerëzor, që nuk lidhet aspak me detyrimin shoqëror, ose me liturgjinë e peshqesheve, por vetëm me faljen. Veprimi i dhënies është gjithnjë i lidhur me faljen. Fjalori i shqipes ia shpjegon kështu kuptimin e katërt foljes fal: “i jap dikujt një dhuratë”. Megjithatë kjo folje sillet pak skizofrenisht, përderisa nga një anë mund të thuash “I fali jetën” e nga tjetra “Ma fal pak manikyrin”. Si të thuash, mund t’i falësh gjërat edhe “pak”, jo plotësisht. Gjithsesi, ideja e faljes ekziston edhe në shqip. Në fakt si në disa gjuhë (en. forgive, fr. pardonner, it. perdonare) falja është e lidhur ngushtësisht me dhënien, sepse jepet diçka pa kërkuar asgjë mbrapsht ose si shpërblim. Falje: pra akti i më i lartë i dhurimit. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me ricilësimin e marrëdhënieve njerëzore.
Dhuratat e zakonshme njerëzit i bëjnë si detyrim shoqëror. Jo vetëm për vit të ri, por edhe kur kolegu del në pension, kur martohet, kur ka datëlindjen. Është më shumë rit se sa dëshirë e pastër, kërkohet si të thuash më shumë sebep. Prof. L. Bruni citon ekonomistin J. Waldfogel, sipas të cilit dhuratat e Krishtlindjeve humbasin 20% të vlerës së tyre, ngaqë njerëzit marrin dhurata që në të vërtetë nuk do t’i donin. Ky ekonomist propozon që dhuratat të jepen në parà, edhe pse si ide nuk duket origjinale. Në Shqipëri paraja, në disa raste, e ka zëvendësuar prej kohësh dhuratën. Qokat tani bëhen pothuajse veçse me pare në dorë. Nuk është e vështirë ta refuzosh idenë e parasë, jo vetëm se do ta poshtëronte konceptin e dhuratës, por edhe për faktin se do ta depersonalizonte atë. Më mirë t’i dhurosh mikut një kuti shahu, mundësisht të punuar me duart e tua, apo pesëdhjetë euro që ta blejë në dyqanin më të parë? Nga ana tjetër, në rast martese, personalisht nuk do të kisha qejf që me paratë e mia kolegu të blinte lugët, kurse pirunët me paratë e komshiut, për më tepër krejtësisht të panjohur. Gjatë drekës për kë do të mendojë vallë?
Ka raste që një tufë me trëndafila ia largojnë të dashurës zemëratën e mbrëmjes, por kjo dhuratë nuk i ndikon thellësisht marrëdhëniet, vetëm sa i ndihmon ato, që të rimarrin udhën e zakonshme, ose ofrojnë rastin që palët ta harrojnë incidentin e ndodhur. Në fakt, ka raste që lulet nuk pinë ujë, madje as çeqet, pavarësisht nga shifra e shkruar mbi to. Pra ka dhuratë e dhuratë. Pavarësisht se gjuha shqipe nuk e ka të prerë dallimin leksikor, duhet thënë se edhe në gjuhët e lartpërmendura ka ngatërresa kuptimore, që lidhen kryesisht me konceptin e dhuratës në botën moderne. Për t’i dalluar dhuratat mund të jepen këshilla praktike të shumta, duke filluar nga shkrimi i pusullës shoqëruese, ose nga zgjedhja e tyre, por rreziku i ngatërresës do të na qëndronte përsëri mbi kokë. Le të themi se dallimi kryesor qëndron jo tek sendi, artikulli, objekti që dhurohet, por tek marrëdhëniet njerëzore që ekzistojnë midis atyre që dhuratës i japin jetë. Ka sende që kanë vlerë të jashtëzakonshme për ne, edhe pse në ebay nuk do të na ofronin asnjë kacidhe. Ka dhurata që janë aq të shtrenjta sa nuk kanë çmim; ka dhurata që kanë më shumë kuptim se të tjerat.
Nga kjo pikëpamje dhuratat e zakonshme (regalo, present), edhe ato që bëhen në mënyrë komerciale, si të thuash sa për adet, mund të shndërrohen në dhurime (dono, gift), në aktin e pastër të dhënies, faljes; mjaft që të shkëputen nga vargonjtë e konsumizmit, zakonit, komercializmit, hipokrizisë e formalizmit, për t’u kthyer në simbol i ndjenjave të sinqerta që lidhin dy njerëz çfarëdo, të njohur apo të panjohur qofshin, çka do të ishte dhurata më e madhe që mund t’i bëhet vetes, tjetrit e komunitetit. Për këto dhurata ndoshta Shqipëria ka më shumë nevojë se sa vendet e tjera. Koha është e përshtatshme.