Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Sociologji / Urbanistikë

BARAZI PËRMES PUNËSIMIT

nga Xhabyni

Pabarazia  sociale është një problem që shtrihet  thuajse kudo në botë, në vendet e pasura, fjala vjen ato nordike, pabarazia shihet tek investimet e ndryshme në banka, globalizimi ndërsa në vendet e varfra (apo dhe në zhvillim) kjo shihet në numrin e të papunëve apo punësimit në të zezë të shtresës më të ulët. Sikundër thashë që në krye të radhës, pabarazia është një problem i përgjithshëm por që në vendin tonë është kthyer në një problem gjithnjë e më të prekshëm social, kjo falë getoizimit. Lagje të tëra të populluara nga shtresa shoqërore të varfra apo shumë të varfra duket se jetojnë si në një geto të ndara nga gjithçka tjetër.

Në vendin tonë, por jo vetëm, diskursi i pabarazisë shoqërore është një temë që nuk para preket në debat dhe diskutimet televizive, pabarazia  nuk është ngulitur akoma në vetëdijen tonë qytetare por ka mbetur thjesht si një refren kënge që hera e herës e fishkëllejmë sepse çdokush prej nesh e prek dhe e shikon pabarazinë që për pasojë sjell mjerimin dhe ndarjen e thellë sociale.

Romët, fjala vjen, janë përfaqësuesit par excellence të shtresës së varfër në vendin tonë, të ardhurat e tyre sigurohen përmes  lypjes, mbledhjes së kanoçeve në koshat e mbetjeve apo nxjerrjes së kanoçeve në zonat e grumbullimit të plehrave disa të tjerë mundohen në një mënyrë ambulante për të shitur ndonjë produkt aq sa për të mbajtur familjen. Të tjerë mundohen që përmes një procesi abuziv të kontrollojnë parkimet publike nëpër qytete për të përfituar një shumë parash, por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Këto punë kryhen  në kushte aspak të duhura dhe që nuk mbulojnë asnjë kriter të punës dhe të sigurisë në të, por natyrisht kur të ardhurat për frymë janë aq të vogla ti nuk mund të zgjedhësh se ku dhe si mund të punosh. Kësaj mund t’i shtojmë edhe faktin tjetër që kjo shtresë e varfër e shoqërisë  në shumicën e tyre janë të pashkolluar, apo arsimi i tyre është i ciklit të ulët ku në të shumtën  rasteve nuk i kalon ato të klasës fillore, e kjo e bën akoma më të vështirë gjetjen e një pune nga ato që kanë një rrogë dhe kushte të mira.

Një nga mënyrat më të mira për të ulur këtë gap të madh të shoqërisë sonë është ajo e të krijuarit të vendeve të punës që u përshtaten kërkesave dhe asaj çka këto grupe shoqërore ofrojnë. Me këtë mundet të them se këto vende pune mund të fokusohen pikërisht në ato punë që kjo kategori mund të kryejë, fjala vjen mund t’u jepet mundësia këtyre personave për të mbledhur kanoçet dhe mbeturinat e tjera pranë një landfieldi duke u pajisur me veshjet e duhura. Hapja e vendeve të reja të punës jo vetëm që do të ndikojë, në një periudhë afatshkurtër, në mobilizimin e një force të madhe punëtorësh në një sektor problematik por edhe do t’i japë mundësinë atyre që të punësohen në një punë dinjitoze, brenda të gjitha parametrave që kërkohen nga ligji dhe konventat europiane të të drejtave të punëtorëve. Nga ana tjetër, në një periudhë më afatgjatë, kjo do të mundësojë lehtësimin e gap-it mes të pasurve dhe shumë të varfërve duke shmangur kështu krijimin e getove sociale.

Po përpos  asaj çka më sipër përmendëm, si mund të hapen vende të tjera pune për këtë grup shoqëror? Teorikisht do të mjaftonte një ekonomi që është në rritje me inflacion të ulët dhe stabilitet financiar. Një gjendje e tillë në vendin tonë është më së shumti e diskutueshme se sa e pranuar, por edhe sikur të mundohemi ta shohim gotën gjysmë plot  a mjafton kaq? Rregullat e punës duhet të favorizojnë krijimin e vendeve të punës që kombinojnë- ajo çka në vendet nordike quhet politikat e një tregu pune aktive- informacionin, trajnimet dhe subvencionet që vijnë nga qeveritë vendore dhe ato lokale duke i dhënë kështu një stimul të rinjve dhe të dekurajuarve në kërkimin e punës në mënyrë të tillë që ato të përfitojnë eksperiencën. Subvencionimi i bizneseve të gjelbra që mund të promovohen nën suazën e një politike që do mund t´i shërbejë jo vetëm komunitetit, barazisë në punësim por edhe vetë ekonomisë.

Për të lehtësuar të kuptuarit e një politike të tillë le të marrim si shembull problematikën e ndotjeve që është në qytetin e Tiranës. Sikur e përmenda më sipër bashkia, nën vazhdën e ankimimeve të qytetarëve, ka ndërmarrë një aksion për ndalimin e mbledhjes së mbetjeve të riciklueshme nga romët pranë koshave të mbeturinave. Sipas një studimi të Këshillit Evropian është vërejtur që bizneset nuk janë shumë të interesuara për të investuar në sektorin e grumbullimit të mbetjeve të riciklueshme duke qenë se kjo sipërmarrje nuk sjell një përfitim të lartë. Nga ana tjetër romëve mbledhja e mbetjeve të riciklueshme u siguron një të ardhur të mjaftueshme për të mbijetuar, ndaj dhe angazhojnë në masë të madhe çdo anëtar të familjes për të kontribuar.

Për të vendosur një rregullator i cili të mundësojë krijimin e kushteve dinjitoze të punës, pastrimin sa më efektiv të qytetit por edhe mbështetjen e hapjes së një sipërmarrje novatore shërben ndërhyrja e qeverisë vendore (apo dhe qendrore). Nëse supozojmë se një punëtor i cili do të merret me mbledhjen apo veçimin e mbetjeve të riciklueshme do të paguhej me pagën minimale (21.000 lekë) dhe se kjo pagë do të subvencionohej me rreth 16.7% nga ana e qeverisë vendore, pra pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore futet në skemën e subvencionimit, atëherë njësia ekonomike do të regjistronte si shpenzim të sajin në detyrimet e shpenzimeve të pagave për rreth 100 punonjës 1.749.300 lekë. Vlera në fjalë është dy-tre fish më e ulët se sa norma e fitimit që një kompani e tillë mundet të përfitojë nga bizneset që mbledhin materiale të riciklueshme duke patur parasysh se vlera e një ton malli të riciklueshëm (p.sh. alumin) blihet nga kompanitë e riciklimit me vleftën 500 $/ton.

Një politikë e tillë do të mundësonte që bashkia me një gur të godasë dy zogj njëherazi. Së pari krijohet një premisë e mirë për të kaluar në një stad tjetër të grumbullimit të ndotjeve dhe hedhjes së tyre në koshat e plehrave (pra hedhja e ndotjeve në bazë seleksionimi). Së dyti, punësimin dinjitoz të një grupi në nevojë duke i ofruar atyre një rrogë mujore, mjetet e duhura të punës, pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Së treti, largimi nga mbledhja e mbetjeve të riciklueshme të fëmijëve. Së katërti, por jo për nga rëndësia, promovimin e biznesit të gjelbër dhe punës në të (Green business dhe Green Job) duke krijuar barazi në mundësitë e punësimit.

Sikurse e pohova në fillimet e shkrimit, nuk është në qëllimin e këtij shkrimi nxjerrja e një metode për zhdukjen e dallimeve sociale, kjo do të ishte utopike, por ajo që së paku mund të bëjmë është të siguruarit barazi në punësim dhe një punësim sa më dinjitoz. Ajo që mund të bëjmë është gjetja e elementëve kardinalë që shqetësojnë qytetin dhe më pas ndërhyrja në këto pika përmes një zgjidhjeje të përbashkët dhe sa më shumë gjithëpërfshirëse.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin