(jo dhe aq të rastësishme…)
Ballkanasi
Mund të flasim për fyerjen pa fyerje, po mendoja, teksa lexoja një shpjegim të shkurtër për fyerjen, të një shkrimtari që ia dua veprën, është i njohur, ballkanas, bullgari Georgi Gospodinov, poet, eseist, romancier mbi të gjitha, një zë i thellë dhe i ndjeshëm, introspektiv dhe filozofik, e cilësojnë, i përkthyer në shumë gjuhë, edhe në shqip… i thashë te gjitha këto për të treguar se kemi me çfarë të merremi, por ndodh që na bashkon… fyerja… Dhe i përktheva këto pak rreshta të Gospodinovit:
“Fyerja. Fyeeeeerja – fjala më e shëmtuar, fjalë helmuese si gjarpri.
Fyerja është nxitje e qëllimshme për vrasje. Nëse e përsërit njëqind herë fjalën “thikë”, thika shfaqet. Nëse njëqind herë i drejtohesh dikujt si armik, thika tashmë është kthyer nga ai. Çdo vrasje fillon me fjalë gjoja të pafajshme, këtu, në rrjete sociale, nëpër të gjitha kanalet. Çdo vrasje së pari thuhet me fjalë. Fjala është gjysma e porosisë. Gjysma tjetër është vetëm procedurë. Për pjesën tjetër gjithmonë do të gjendet dikush i nxitur, dikush që do ta çojë deri në fund. Dhe pastaj do të gjenden të tjerë, që do t’i fajësojnë viktimat.
Fyerja vret.”
Edhe mes nesh kështu është, madje më keq, thashë me vete. Shqiptarët fyejnë hapur dhe vrazhdë, madje e shpallin me krenari, e shkruajnë dhe i gëzohen si një poezie.
Poshtë shënimit të Gospodinovit komentonin. Dikush shkruante se dhe fjalët e pathëna ndodh të fshehin “thikën”. Një tjetër pyeste: E nëse themi njëqind herë “dashuri”?
Vazhdim shqiptar: Puthja dhe thika:
Diktaturat janë fyerje e hatashme për shoqëritë, ndërsa grindjet me fjalë të një shteti me një tjetër, shpesh aq të rëndomta, të kujtojnë kapjet e të dehurve në ndonjë klub, ku më pas vezullon thika.
Student, më habisnin sharjet që i bënte gjithë botës Enver Hoxha, fqinjëve, revizionizmit, kapitalizmit, Amerikës, Kinës, shehut të Karbunarës në Lushnjë, një poezie të Fatos Arapit, etj. Në burg na dukej i çmendur, kur i dëgjonim fjalimet përmes altoparlantit që ishte i ngulur mbi një hu në rrethimin me tela me gjemba apo kur veprat e tij na i lexonin si një torturë e pafundë. Dhe na kontrollonin, mos kishim thikë në trup.
Edhe prangat janë fyerje për duart e njeriut. Kam shkruar dhe një poezi për këtë, dikur, fshehurazi. Ishte fyerje Realizmi Socialist, ato poema që shanin brenda dhe jashtë, pështyma urrejtjeje; romanet me popuj armiq, jo me regjimet, me turq, italianë, gjermanë, rusë, kinezë. Një letërsi nën sharje si nën shi, kisha lexuar.
Më ndërmendet befas një roman i Petro Markos. Fill pas lufte, një partizan dashurohet me një grua publike italiane. Romani u ndalua, shkrimtari u dënua. Nuk po flas këtu për letërsinë e disidentëve, ata që i pushkatuan, një pjesë i burgosën, internuan. Dënimi duket se vazhdon, me heshtje dhe harrim të qëllimtë. Edhe kjo fyerje është, ndër të tjera, fyerje për letërsinë.
Fyerja u bë përditshmëri, kulturë.
Nga vitet ‘70, nga ajo periudhë e shkurtër e quajtur e “liberalizmit”, prapë kujtoj poezinë e një miku, poetit Ndoc Gjetja, të cilën e mbaj mend ende. Puthja quhet:
Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe,
por ajo më njerëzorja,
më e madhërishmja,më hyjnorja,
Puthja,
ka mbetur ilegale.
Poezia u tall në revistën “Hosteni”, siç tallej shumëçka që nuk ishte konform me mësimet e Partisë. Dhe në atdheun socialist mori hov puthja e Judës, nga lart në Byro në bazë poshtë, në brigada pune e rinie revolucionare, deri në diskutime librash. Ajo puthje Jude, po aq e rëndomtë, vazhdon, e demokratizuar, e estetizuar.
Do të ishte e pasur një antologji moderne e fyerjeve në Shqipëri, e kudogjendur: p.sh., tek asfalti pa cilësi, uji me orar, çmimet e larta, pagat e ulëta, tek teatri që prishet, libraria që s’është, te kujtesa selektive, te heronjtë dhe antiheronjtë, te protestat, te kritika që shan ose lëvdon me AI, nga ai që s’ka lexuar as shkrimin e vet, tek thika që nxjerr një nxënës në oborrin e shkollës, te ikjet, te ofshama që “ky vend s’bëhet”.
Mes atyre që fyejnë, më kanë folur dhe për një tip, që i hypi të shkruante, bënte për artikuj përdhosës, arrinte deri në nekrofili. Kishte gjetur dhe media për t’i botuar të pështjellat e veta dhe kur i zbuluan se kishte qenë dhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, që kishte spiunuar të vëllanë, të cilin ia burgosën, u zgërlaq duke thënë se nuk e dinte çfarë kishte firmosur atëherë. Tipat këisisoj janë vetë fyerja. I përdorin për imponim dhe krijojnë gjendje mosbesuese kolektive, desha të theme, aq sa arrihet dhe dyshohet sot dhe në revoltat e mëdha qytetare, çfarë ka pas kësaj, kur dhe ata janë mes radhëve, cili është qëllimi, kush fshihet, etj, etj. Por njerëzit ngrihen me të drejtë, ndihen të fyer gjithandej.
Fyerja është bërë monedhë, ideologji, sistem, kulturë, globalizëm.
Të urrejnë dhe të fyejnë trillshëm, për punën, p.sh., për shtëpinë, pse ledhaton qenin e tjetrit, shajnë kot Firencen, ngaqë ke qenë dhe ti atje, Nju Jorkun, apo një piktor ngaqë të pëlqen edhe ty, shkrimtarë, politikanë po se po, sepse njërit që ka qenë student me ty në Durrës, i kanë përkthyer një roman në frëngjisht, dhe hop, shajnë Francën.
Te e vogla paradoksalisht fshihet dhe e madhja dhe te e madhja ka plot e plot të vogla. Po kur këto janë fyerje? Vezullon thika, por te thika, ama, s’ka më fyerje. Më shumë se të panjohurit, të fyejnë ata që të njohin, që i dinë mungesat e tua, plagët, sidomos ato që t’i kanë shkaktuar vetë që tërheqin si Nordi shigjetën e busullës, tehun…
Por që bëj më të durueshme përsiatjen, po fus dhe ca vargje të mëdha:
Kama e Shekspirit, Majakovski, ferri i Dantes dhe dhimbja:
Në tragjedinë “Makbeth”, Shekspiri kishte paralajmëruar:
There’s daggers in men’s smiles:
The near in blood,
The nearer bloody
Dhe Noli e sjell në shqip tronditshëm bukur, siç duket për të mos fyer autorin, gjuhën dhe as lexuesin:
Këtu çdo buzëqeshje është një kamë,
Më i afërti në gjak,
Më afër ta pi gjakun
Për goditjet nga afër, kama e Shekspirit është më e përshtatshme se thika e Gospodinovit.
Dhe nxijnë dhëmbët e bardhë të fyerjes, sipas një metafore të përafërt të Jacques Prévert-it. Gjithsesi, them që, fyerja, mbase jo vetëm ajo e rëndomta, nuk mbetet e tëra tek ai që fyehet, por i kthehet fyesit, rrëfen për të, për karakterin, pakënaqësitë, zemërimin e tij, natyrisht edhe për pasiguritë.
Çfarë e solli fyerjen mes nesh, vërtet? Urrejtja, thonë disa, zëvendësimi i luftës së klasave, thonë disa të tjerë. Po këtu s’ka politikë, për t’u fshehur pas saj, ka inate të mbledhura, xhelozi të reja. Suksesin e tjetrit nuk ta fal shqiptari, thoshte Konica. Quaje europian, po deshe, por të zemërohen anadollakët (dëshira për të provokuar është aktivizuar). Shtrembërojnë biografitë e të tjerëve, faktet, restaurojnë të vetat dhe mendojnë se mund të ngrihen lart, të arrijnë diku, duke ulur të tjerët përreth.
Kujtesa është e dërrmuar, e traumatizuar dhe ka rrezik të kuptosh dhe të ndjesh jo atë që është, por atë që do të doje të ishte tani, në kundërshtim me të mëparshmen, dhe ngjarjet i kthen sipas kësaj optike interesi, e prirë nga e keqja. Prandaj adhurohen dhunuesit, mashtrimtarët, oligarkët, prandaj u servilosen atyre dhe kur s’u jepet ajo që zilepsin, kërkojnë hakmarrje ku të mundin, sidomos aty ku i mëshirojnë.
“Ne guxojmë atje ku na duan”, thoshte Frojdi, por kjo është temë tjetër.
…njerëz,
unë ju kam dashur,
megjithëse ju ofenduar më keni.
Shkruan Majakovski në poemën “Re me pantallona”, me përkthim të Kadaresë. Në origjinal është:
Но мне –
люди,
и те, что обидели –
вы мне всего дороже и ближе.
Pra, afërsisht kështu: Por për mua/ Njerëz/ edhe ata që më kanë fyer/ jeni më të shtrenjtë dhe më të afërt. Fjala“обидели” gjej se nuk ka vetëm kuptimin e ofendimit, por dhe nuancat e të lënduarit, të bërit keq, të fyerjes.
Poeti dhe shkrimtari Agron Tufa ka bërë këtë përkthim:
Por mua –
njerëz,
edhe pse fyer më keni –
të shtrenjtë e të afërt ju kam.
Kur përkthente Kadareja, ishte bërë mbase proverbiale thënia e gazetarit komunist çek, kritikut të teatrit, Julius Fuçik, i pushkatuar nga nazistët: “Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë!”. Kadareja, sipas meje, asociacionin e ideve në vargun e Majakovskit, nga vigjilent e kthen sfidueshëm: megjithëse ju ofenduar më keni
Agron Tufa i rri më besnik strukturës së rusishtes dhe kërkon të mbrojë atë frymë që do t’i duhej kohës së re, kohës sonë në demokraci, për të qenë më pranë njëri-tjetrit, për ta përë tjetrin si të shtrenjtë. Gjithsesi, dhimbja mbetet e njëjtë, sado të duket në raport të zhdrejtë me progresin.
T’i njohësh plagët e dikujt dhe ta ngacmosh pikërisht aty, është thjesht mizori. Njeriu që jeton me tragjedinë e vet, nuk ka nevojë më për mëshirë, tashmë ai di mrekullisht dhe të mëshirojë.
A e kuptojnë përpjekjen dhe zorin e atij që dhimbjen e vet, dëshpërimin, me të cilat nuk ndahet më, – janë pasuri e tij- dhe vetë ai nuk do t’i ndajë me të tjerë, për të mos prekur e cenuar marrëdhëniet normale, miqësitë, haretë, entuziazmin, këngën? – le të thermi. Dhe pranon të marrë me ty një gotë verë, një kafe, po dhe duhet të kujtohesh se ç’ka pas asaj buzëqeshjes së tij, si një lule në humnerë… Është e nevojshme një etikë që nderon dhimbjen. Se kur shenjon për të fyer njeriun e dhimbjes, ke vrarë dhimbjen tënde, nëse të ka mbetur ende pak njerëzi.
Përmenden në studime e kritika, jo shpesh, që fjala mëni, /zëmërim/ inat gjendet që në vargun e parë e poema e parë në Europë, te “Iliada”, e ç’ishte kjo, paralajmërim i hershëm? Madje ka që ngulmojnë që ajo fjalë është shqip.
Po le ta cekim paksa se ç’bëjnë ofenduesit në “Ferrin” e Dantes?
Nuk e thotë, por mrekullia është se në “Canto XXX”, ai vendos ata që abuzojnë me fjalën, falsifikatorët e fjalës, të së vërtetës. Uffizi-t i përshkruan pikërisht si calunniatori o falsatori della parola. “Komedia Hyjnore” fyerjen dhe përbuzjen i sheh si gjendje të thella mënie.
Në Këngën VIII të “Ferrit” ndodh përballja me Filippo Argenti-n, një shpirt arrogant dhe zemërak. Dantja na vendos përballë një pyetjeje të rëndësishme: kur na fyejnë, a duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën gjuhë? Ai vetë nuk është gjithmonë i butë përballë atyre që e provokojnë.
A rrezikojmë të bëhemi të ngjashëm me fyesin, nëse i përgjigjemi me të njëjtën gjuhë? A është më e fortë fyerja që na bëhet apo zgjedhja se si përgjigjemi?
Dantja na tregon fuqinë e zemërimit, por njëkohësisht na detyron të mendojmë për kufirin mes drejtësisë dhe hakmarrjes. Kritika synon fenomenin, fyerja synon personin.
Poeti ynë kombëtar, Homeri i fundit në Ballkan, siç është quajtur At’ Gjergj Fishta, ka vargje të forta, që pa kontekstin historik e letrar, sot mund të duken fyese për besime, popuj e grupe të caktuar. Por atë më shumë e kanë fyer sesa ka fyer. Si satirist i madh që ishte, përdori dhe gjuhë të ashpër. Meritojnë studime ai dhe letrat shqipe për fyerjen. Qëllimi i këtij shkrimi nuk ka ambicje të tilla
Në vend të epilogut: fyerja si lajkë
Edhe kjo është formë e fyerjes që zakonisht e përdorin të njëjtët fyes dhe mund t’i pësojnë po të njëjtët të fyer. Shkëmbyeshëm, herë lajkën dhe herë fyerjen. Ma kujtoi një poezi e njohur e Ungaretti-t: Auguri per il proprio compleanno, ku koha/plakja përshkruhen si diçka që të “lajkaton” dhe njëkohësisht të “fyen”, një paradoks hokatar:
“Offesa se lusinga,
Quest’ora ha l’arte strana.”
“Fyerje, edhe kur lajkaton,
Kjo orë ka një art të çuditshëm.”
Desha të thosha se edhe një fjalë e ëmbël mund të jetë fyese, kur fsheh mashtrim ose një të vërtetë tjetër pas saj. Fyerja dhe lajka nuk janë gjithmonë të kundërta. E thamë, shpesh ai që di të lajkatojë, di edhe të ofendojë, sepse të dyja synojnë ndikimin mbi tjetrin. Lajka mund të të ngrejë për të të afruar, ndërsa fyerja mund të të ulë për të të nënshtruar. A thua të ngrenë me fjalë vetëm për të pasur më shumë duf kur të të rrëzojnë?
Dhe mëshira, sidomos ajo kristiane, nuk do të thotë se të vërtetës nuk po i jep rëndësinë e duhur dhe po pranon padrejtësinë, jo, por ti ke vendosur që nuk do t’i përgjigjesh të keqes me të keqe. Dhe mund të heshtësh pa u dorëzuar. Mund të largohesh pa fyer, të mbrosh dinjitetin dhe me largësinë. Si atë të yjeve. Në fund të fundit duhet të pyesësh veten: A e meritojnë faljen tënde? Po ti kujdesu që urrejtja të mos ta ndryshojë zemrën. Mos duket ca poetike? Po si do ta përballosh fyerjen? Pa poezinë e jetës gjithçka do të ishte më e shkretë.
(c) 2026 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.