Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SHKRIMTARË ME LIBRA, SHKRIMTARË PA VEPRA

Në debatin bashkëkohor mbi letërsinë, një nga ngatërresat më të shpeshta është barazimi i librit me veprën. Ky barazim, shpesh i nënkuptuar, zhvendos vëmendjen nga struktura e tekstit drejt aktit të botimit. Në këtë mënyrë, botimi funksionon si provë e ekzistencës estetike, ndërsa nocioni i veprës zbehet si kategori dalluese e vlerës.

Teoria letrare e ka trajtuar këtë dallim në mënyra të ndryshme. Për Roman Jakobson (1896–1982), një nga figurat qendrore të gjuhësisë strukturaliste, funksioni estetik i gjuhës garanton autonominë e tekstit si objekt formal. Ndërsa për Pierre Bourdieu (1930–2002), sociolog francez i kulturës, vepra kuptohet si produkt i një fushe sociale, ku vlera nuk është e brendshme, por prodhohet përmes seleksionimit, hierarkive dhe legjitimimit.

Në të dyja qasjet, vepra nuk përkon me librin si objekt i botuar, por me mënyrën si organizohet teksti dhe me vendin që ai zë në një sistem vlerash.

Nga ky këndvështrim, dallimi midis librit dhe veprës mund të përkufizohet si dallim midis regjimit të prodhimit dhe regjimit të vlerës.

Libri është një njësi që prodhohet dhe qarkullon; vepra është një strukturë që qëndron. Ajo nuk e justifikon veten përmes ekzistencës materiale, por përmes koherencës së brendshme dhe domosdoshmërisë formale. Kjo domosdoshmëri nuk është zbukurim, por kusht themelor: çdo element i tekstit fiton kuptim vetëm në raport me tërësinë.

Kjo bëhet e dukshme përmes disa treguesve: koherenca strukturore, dendësia semantike, ekonomia e formës dhe aftësia për të prodhuar kuptim përtej momentit të leximit. Një libër mund të qarkullojë dhe të ketë sukses të gjerë, por bëhet vepër vetëm kur arrin një organizim formal që i reziston kohës.

Tradita e romanit evropian e ilustron qartë këtë dallim.

Te Miguel de Servantes rrëfimi kthehet në reflektim mbi vetë rrëfimin. Te L. Tolstoi romani ndërtohet si tërësi organike ku historia dhe individi ndërthuren në një lëvizje të vazhdueshme midis përvojës individuale dhe kontekstit historik. Te Fjodor Dostojevski, ai shndërrohet në arenë konfliktesh idesh dhe ndërgjegjesh. Në të gjitha rastet, romani nuk është thjesht rrëfim, por organizim kompleks i përvojës njerëzore.

Kjo linjë thellohet te Honore de Balzak ku romani merr formën e një sistemi shoqëror totalizues, dhe te Gustav Flober ku forma arrin një disiplinë të skajshme estetike. Te Marsel Prust fokusi zhvendoset drejt kohës dhe kujtesës, ndërsa te Xhejms Xhois drejt eksperimentimit radikal me gjuhën dhe strukturën. Në të gjitha këto raste, romani nuk shteron në fabul, por prodhon mekanizma kuptimi që i mbijetojnë kohës.

Megjithatë, ky përkufizim i veprës në terma të koherencës dhe domosdoshmërisë formale, sado i qëndrueshëm në traditën klasike të romanit, nuk arrin të shterojë të gjitha format e prodhimit letrar modern. Pikërisht aty ku ky standardi duket më i konsoliduar, ai vihet në provë nga praktika që e problematizon vetë idenë e tërësisë. Në këto raste, nuk kemi thjesht dobësim të strukturës, por rishpërndarje të parimeve që e organizojnë tekstin.

Te Samuel Beket, reduktimi ekstrem i gjuhës dhe i rrëfimit nuk funksionon si mungesë organizimi, por si zhvendosje e vetë parimit organizues të veprës. Teksti nuk mbështetet më në koherencë narrative të vazhdueshme, por në tensionin midis shprehjes minimale dhe heshtjes, ku forma shfaqet si kufi i vetvetes. Kjo tregon se kriteri i koherencës, i marrë si universal, nuk mjafton për të përfshirë të gjitha mënyrat e realizimit estetik.

Edhe në letërsinë shqipe, ky dallim merr forma të ndryshme sipas mënyrës së organizimit të narrativës dhe raportit që teksti vendos me strukturën e vet.

Tek Ismail Kadareja romani ndërtohet shpesh si sistem shumëplanësh simbolik, ku rrëfimi organizohet në disa shtresa kuptimore që ndërveprojnë mes historisë, mitit dhe politikës. Koherenca këtu nuk është lineare, por e shpërndarë në një rrjet strukturash që funksionojnë paralelisht.

Ndërsa te Dritëro Agolli dominon një strukturë më lineare dhe më e drejtpërdrejtë narrative, ku zhvillimi i ngjarjes dhe karakterit ruan një vazhdimësi më të qëndrueshme dhe më afër modelit realist tradicional.

Në dallim prej Dritëroit dhe Kadaresë, te Koço Kosta rrëfimi shndërrohet në një formë të vetëdijshme destabilizimi të narrativës, ku prishja e linearitetit, tensionimi i gjuhës dhe shpërbërja e personazhit e zhvendosin tekstin nga modeli i romanit tradicional drejt një hapësire më provokative, ku forma nuk konfirmohet, por vihet në provë. Gjuha nuk është vetëm mjet përfaqësimi, por material i ekspozuar ndaj eksperimentimit stilistik dhe semantik, ku provokimi formal shoqërohet me një vetëdije të fortë mbi aktin e shkrimit.

Në letërsinë shqipe bashkëkohore, kufijtë mes “librit” dhe “veprës” bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Në disa raste, romani ndërtohet si reflektim mbi realitetin shoqëror dhe politik, duke ruajtur një strukturë narrative më të çlirët, si te disa romane të Ben Blushit ku ideja qendrore organizon rrëfimin dhe e kthen atë në formë më shumë argumentuese sesa thjesht estetike. Te Të lirë e Lea Ypit, kufiri midis krijimit dhe autobiografisë zhvendoset, duke prodhuar një narrativë reflektuese që fiton koherencë përmes strukturës së përvojës dhe mendimit. Ndërkohë, në romanin më eksperimental bashkëkohor vërehet prirja për fragmentim dhe montazh zërash, duke zhvendosur fokusin nga fabula te procesi i rrëfimit.

Për ta kuptuar këtë paqëndrueshmëri, teoria e Pierre Bourdieu ofron një kornizë më të gjerë. Letërsia nuk prodhohet në një hapësirë neutrale, por brenda një fushe kulturore ku vlera estetike është rezultat i marrëdhënieve të forcës, mekanizmave të legjitimimit dhe instancave të njohjes simbolike.

Në këtë kuptim, dallimi midis librit si produkt qarkullues dhe veprës si formë e konsoliduar estetike bëhet edhe çështje e strukturave të njohjes dhe jo vetëm e cilësive të tekstit. Në letërsinë shqipe, mungesa e një kritike të qëndrueshme e bën këtë dallim edhe më të paqartë.

Këtu lind edhe një pyetje që prek drejtpërdrejt mënyrën e prodhimit letrar bashkëkohor: si mund të shkruhet një roman në dy muaj? Një roman kërkon jo vetëm ide, por sedimentim të formës, rishkrim dhe distancë ndaj materialit të vet. Kur ai shkruhet nën presionin e kohës ose me synimin e drejtpërdrejtë për t’u paraqitur në panair, procesi zhvendoset nga ndërtimi i një vepre drejt prodhimit të një objekti qarkullues. Në këto kushte, shkrimi rrezikon të mos jetë më formë që konsolidohet, por produkt që përmbush një cikël tregtar të paracaktuar.

Libri dhe vepra nuk janë sinonime. Libri i përket qarkullimit; vepra i përket kohës. Letërsia nuk matet me numra, por me forma që i mbijetojnë kohës përmes vlerës që mbajnë.

Në këtë kontekst, mungesa e kritikës letrare bëhet një problem thelbësor. Pa një kritikë të specializuar, të aftë të dallojë dhe të vlerësojë, letërsia humbet mekanizmat e saj të brendshëm. Kritika nuk funksionon më si gjykim, por si përshkrim ose promovim. Kur kjo ndodh, botimi dhe ekspozimi zëvendësojnë vlerësimin, duke krijuar një realitet ku shtimi i librave nuk nënkupton domosdoshmërisht lindjen e veprave.

Problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e kritikës, por edhe te mungesa e kurajos për të gjykuar. Kur kritika nuk arrin të evidentojë mangësitë reale të një teksti; dobësinë strukturore, mungesën e thellësisë apo nivelin e pamjaftueshëm estetik, ajo humbet funksionin e saj themelor. Në këtë rast, heshtja do të ishte më e ndershme sesa një ligjërim i mbushur me lavde të pamerituara. Sepse, duke i atribuar një libri vlera që nuk i ka, kritika nuk e ndihmon autorin, por e stabilizon në kufizimet e tij; njëkohësisht, ajo e keqorienton lexuesin. Kështu, kritika nuk funksionon më si filtër cilësor, por si mekanizëm inflacioni vlerash, ku gjithçka ngrihet artificialisht në nivelin e “veprës”, dhe pikërisht për këtë arsye, vetë nocioni i vlerës humbet kuptimin.

Gjithë sa u parashtrua më sipër nuk synon të japë përkufizime apo të vendosë kufij të prerë, por vetëm të sjellë në mënyrë modeste në vëmendje një çështje që, edhe pse qarkullon shpesh në formë të nënkuptuar në diskutimet tona, rrallë e trajtojmë hapur në hapësirën publike të debatit letrar.

(c) 2026 Luan Rama. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. “NOLI ME TANGERE” LIBRAT QË KAM SHKRUAR

    Po ta shohësh ftohtë, problemi kryesor i shkrimit është se Luani përdor një aparat teorik që, në nivel praktik, nuk zbret realisht në terrenin e letërsisë shqipe. Ka shumë formulime që tingëllojnë serioze: “domosdoshmëri formale”, “dendësi semantike”, “strukturë”, “regjim vlere”, por ato mbeten në nivel deklarativ, dekorativ, dhe nuk provohen mbi tekstet konkrete të autorëve shqiptarë që përmend.
    Në këtë kuptim, do të ishte më mirë të mos përmendeshin Jakobsoni, Bourdieu, Beketi, Xhojsi, Prusti e të tjerë, nëse shkrimi nuk hyn realisht në mekanizmin estetik që i bën këta autorë të mëdhenj. Emrat funksionojnë më shumë si aureolë teorike sesa si bazë analize.
    Të thuash se “te Xhojsi kemi eksperimentim radikal me gjuhën” është e vërtetë, por elementare. Të thuash se “te Prusti fokusi zhvendoset drejt kohës dhe kujtesës” është përshkrim enciklopedik, jo analizë. Një kritikë serioze tregon se si organizohet fjalia, si funksionon ritmi, si prodhohet vetëdija, si deformohet koha narrative, si ndërtohet polifonia dhe si vetë gjuha krijon strukturë mendimi.
    Por ka dhe një kontradiktë thelbësore. Luani kërkon rigorozitet estetik, pa e ushtruar këtë rigorozitet mbi objektet që analizon. Shpall standardin, por pa demonstrim.
    Konkretisht, Kadareja përkufizohet me formula të përgjithshme si “sistem shumëplanësh simbolik”, Agolli me “strukturë lineare”, Koço Kosta me “destabilizim narrativ” dhe “eksperimentim stilistik”. Por ku është analiza? Cili roman? Cila fjali? Cili mekanizëm gjuhësor? Cili organizim formal konkret?
    Në mungesë të kësaj, teksti rrezikon të bëhet pikërisht ajo që kritikon: një prodhim diskursi prestigji. Shkrimi jep përshtypjen e dikujt që ka lexuar teori dhe ka përvetësuar gjuhën e saj, por që mbetet larg thellësisë së problemeve që hap.
    Kur shkrimi nis me shembuj të ndritshëm nga letërsia perëndimore dhe përfundon me krahasime mekanike me autorë shqiptarë, kontrasti bëhet shumë i dukshëm. Sepse tjetër është koncepti i Kohës, i gjuhës dhe i formës te autorët e mëdhenj dhe tjetër është përdorimi i temave të mëdha pa themel të mjaftueshëm filozofik e estetik.
    Konkretisht: një roman si “Kush e solli Doruntinën” përfundon në finale duke u ngarkuar me një formulë që tingëllon më shumë si parafrazë banale ideologjike sesa si zgjidhje e thellë metafizike. Po ashtu, kur Ben Blushi trajton tema si Zoti, shpesh konceptimi mbetet në nivelin më profan, të imagjinatës njerëzore, jo në një horizont të vërtetë filozofik, ku koha, materia, shpirti apo universi të mendohen me thellësi reale.
    Do të ishte më mirë të liheshin të qetë gjigantët e mendimit dhe të letërsisë. Ata nuk u bënë të mëdhenj vetëm nga teknika letrare, as nga fryrjet me pompë, por nga një traditë e gjatë e vetëdijes kritike, filozofike dhe shpirtërore. Pikërisht kjo mungon në Shqipëri jo vetëm si praktikë, por shpesh edhe si ide.
    Dhe kur kjo mungesë vihet në dukje, reagimi është pothuaj gjithmonë i njëjtë: jo reflektim, por mbrojtje instinktive. Sikur çdo kritikë ndaj librit të përjetohet si cenim personal. Në vend të hapjes ndaj gjykimit, dëgjohet vetëm një “noli me tangere”: mos m’i prek librat që kam shkruar.
    Prandaj problemi nuk është vetëm te një kritikë e dobët letrare, por te një kulturë që nuk e duron dot kritikën si akt pastrimi. Pa këtë përballje, duke qenë dakord edhe me titullin dhe ilustrimin e mençur të Ardian Vehbiut, librat mund të shtohen; por veprat që synojnë ndryshimin e fatit njerëzor, dhe jo thjesht llomotitjen, nuk lindin.

Lini një Përgjigje te martikorobertAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin