Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

ZGJIDHI ARMIQTË!

CITATE DHE TROKITJE

Më thuaj se çfarë nuk lexon, të të them se cili nuk je. Ne, që na rritën me letërsi të Realizmit Socialist në një vend me diktaturë, edhe duke mos e dashur më atë letërsi, ajo gjithsesi i dha lexuesit të saj aftësinë për të urryer dhe paranojën e armikut, një Est-Etikë të mar(r)ë, keqkuptimet e shpeshta me leximet, shijet e paracaktuara, mendimet këmbëngulëse, ku vërtet duket sikur mendojnë këmbët, atë kritikën e vrazhdë patologjike si sjelljet e vetë kritikut.

Trimi i mirë me (a)rmiq shumë.

Ja, që fjalët e urta nuk janë dhe aq të urta dhe dita e mirë (nuk) duket që në mëngjes dhe porosia biblike që armiqtë t’i kthejmë në vëllezër, me antikulturën e mbrame është zbatuar së prapthi, duke bërë vëllezërit armiq. Aftësihumbur për të dalluar kundërshtarin nga armiku.  

Kjo gjendje atavike jona ka histori dhe rrethana, malin dhe dimrat, luftën dhe armëpushimet, shkollën dhe detin, varfërinë dhe sekretarin e partisë, kuajt dhe trenat, etj, etj, dhe do të donte trajtime të veçanta nga specialistë, studiues të historisë, strategë ose antropologë a shkrimtarë a kritikë të (anti)realizmit socialist, por medoemos psikologë. Më shpesh në ekip mund të thirrej psikiatri.

Unë do desha të thosha se zotësia tani mbetet në zgjedhjen e armikut. Nëse zgjedhja e mikut më shumë shihet si instinkt, zgjedhja e armikut përbën vetëdije.

Ne flasim shpesh për miqtë, për besnikërinë, për shtëpinë që hapet kur trokasin, për tryezën që shtrohet. Por harrojmë se edhe armiku hyn në të përditshmen tonë, më shumë se në shtëpi dhe po nuk ishte në tryezë, është në meny, sipas një thënie tjetër, tmerrësisht të urtë. Miku na tregon, jo thjesht pranë oxhakut si në një poemë të harruar të viteve shkollore, por se cilët jemi, ndërsa armiku na përcakton…                                                                            

Tradita shqiptare ka një paradoks madhështor. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Mikut i hapej dera pa kushte, por dhe armikut, kur midis ishte Besa. Si armik ishte dhe më i paprekshëm, se mbi ta ishte një ligj i pashkruar: nderi. Përballja kishte rregulla (dhe duhet të ketë…) Armiqtë sot demonizohen për t’u shkatërruar pa skrupull. Çmitizo duke krijuar mitin e çmitizimit.

Sipas dialektikës së Hegelit, vetëdija lind përballë tjetrit. Në përballje, e kuptoj unë. Identiteti ndërtohet përmes dallimit.

Aristoteli e quante miqësinë një nga virtytet më të larta të jetës etike. Por ai dinte se miqësia e vërtetë kërkon barazi në virtyt. E njëjta gjë vlen edhe për armiqësinë.

Zgjedhja e armikut është zgjedhje e vetes. Nëse si armik pranon mediokritetin, rrezikon të bëhesh pasqyra e tij. Por kur ke padrejtësitë, mund të kthehesh në një zë që dëgjohet. Po mposhte frikën, je më i lirë.

Më pëlqen përsiatja, miku të jep strehë, armiku të jep formë. Të jesh aq i fortë sa të zgjedhësh armiq të fortë dhe aq i ndershëm me atë që të kundërshton. Edhe armiqësia të lartëson siç mund të të ulë dhe miqësia.   

Kur Friedrich Nietzsche thoshte: “Duhet të kesh armiq të denjë”, ai e shihte kundërshtarin si provë force, si shkallë ngjitjeje. Prandaj çështja nuk është të mos kesh armiq, por cilësia e armikut. Kë lejon ti të jetë armiku yt?

Winston Churchill kishte bindjen se armiqtë tregojnë se ke bindje, qendrimi ndaj tyre tregon se ke qëndrim.

Oscar Wilde ka shkruar: “A man cannot be too careful in the choice of his enemies.” Është armiku që të përcakton.

Umberto Eco flet dhe për “shpikjen e armikut”, se shoqëritë kanë nevojë për shfaqjen e kundërshtarit për të qartësuar kufijtë e tyre. E duan dhe e presin, por dhe duan të mos vijë kurrë e megjithatë do të presin gjithmonë si në romanin fantastik të Dino Buzzati-t, “Shkretëtira e tartarëve”, po dhe si në Shqipërinë reale në gjysmë shekulli diktaturë. Por Eco paralajmëron se armiku i shpikur është më i rrezikshëm se ai real. Sepse i pari lind nga frika, jo nga madhështia. Shih, shih, po frikë madhështore a ka? – më vjen të pyes.

ARMIKU NË LETËRSI,
ATY-KËTU…

Do të doja një sintezë të armikut në letërsi. Nuk është e lehtë prej pafundësisë së letërsisë dhe prej shumëllojshmërisë marramendëse të armikut dhe them se armiqësia në letërsi është si në jetë.

Po mendoj poemën e parë në Europë, “Iliada” Homerike, ai epos i madh dhe i lashtë i luftës, a është poemë e armiqësisë? Në thelb është e tragjedisë së armiqësisë. Konflikti mes Akilit dhe Hektorit është përballje e dy madhështive. Madje kulmi i poemës nuk është vrasja, por kur Priami i lutet Akilit për trupin e djalit të varë nga ai dhe Akili, vrasësi, qan bashkë me të. Pra është poema mbi dinjitetin e përjetshëm të kundërshtarit, etj, etj.

Përballë vdekjes, armiqësia zbutet në dhimbje të përbashkët. Vdekja i barazon të gjitha, thoshin latinët. Po edhe lotët, them unë.

Shkrimtarë të mëdhenj kanë pasur armiq të mëdhenj.                                      

Ja, Tolstoi në esenë e tij të famshme “Mbi Shekspirin dhe Dramën” (1906), e kundërshton hapur adhurimin botëror për Shekspirin. Veprën e tij madhore ai nuk e sheh si të natyrshme, as me moral të qartë dhe pa porosi etike të drejtpërdrejta. Mendon se personazhet shekspiriane nuk janë psikologjikisht të vërtetë, por të ekzagjeruar. Të lavdëruarit e Shekspirit, sipas tij, është një “hipnozë kolektive” e krijuar nga autoriteti kulturor evropian.                               

Një paradoks i bukur i historisë së letërsisë: një gjigant që mohon një tjetër gjigant.

 Por një djalë nja 25 vjeçar atëherë ngrihet kundër Tolstoit, që sipas tij po e gjykonte Shekspirin me kritere moraliste, didaktike. Shekspiri është madhështor, sepse e paraqet jetën në kompleksitetin e vet pa predikime. Ai djalë ishte Noli ynë që mbronte autonominë e artit ndaj moralizimit absolut. Ndërsa atdheu i tij nuk ishte ende i pavarur, në konflikt me Perandorinë Osmane, kur dhe ishte krijuar një Rilindje Shqiptare në armiqësi të hapur Turqinë. Po ndal pak këtu:

Vendi ynë i vogël ka patur armiq të mëdhenj.

Shqipëria nuk e zgjodhi Perandorinë Otomane, përkundrazi, e luftoi atë parreshtur, që në fillimet me Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, që u bë dhe mburojë e Europës dhe e krishterimit të saj. Gjatë 5 shekujve pushtim kryengritjet nuk reshtën, ndërkaq të shumtë ishin ata që do të shërbenin në hierarkitë më të larta të perandorisë, në kryeqytet dhe si guvernatorë provincash, etj, por dhe në kulturë.

Tani shteti turk është mbështetje për qeveritë shqiptare, madje edhe mbrojtje; aq sa që po u kërkohet atyre të rishikojnë tekstet shkollore, 500 vjet pushtim të shihen si bashkëjetesë, ndërsa në takimet e mëdha të nivelit më të lartë, busti i Skënderbeut largohet nga sfondi presidencial i bisedimeve… Me letërsinë puna është ndryshe, armiku është tjetër, thënë shkurt, janë mosvlerat letrare.

Një mik i Imzot Nolit, ndërkohë dhe kundërshtar i tij, Faik Konica, një mendje e madhe,  ishte në konflikt jo vetëm me Turqinë dhe fqinjët shovinistë të Shqipërisë, por dhe me shqiptarët vetë. Ai qortonte ashpër prapambetjen, folklorizmin bosh dhe provincializmin, ironizonte servilizmin ndaj të huajve, kërkonte një Shqipëri europiane në mendësi, jo vetëm në gjeografi. Rilindja u përplas me pushtetin perandorak. Konica u përplas me mentalitetin shqiptar. Rilindja bëri doktrinën e patriotizmit, Konica bëri Kritikën e Doktrinës.

POLITIKA E KTHIMIT TË MIQVE NË ARMIQ

Zgjedhja e armikut është dhe politikë. Me shtetet patjetër. Ne si komb kemi përvojë shekullore me armiqtë, aq sa dhe historinë e shohim me armiqësi, edhe kujtesën, edhe fqinjët, edhe Europën, duke besuar se edhe ato na kanë parë më me armiqësi.  

Armiqtë e zgjedhur keq prodhojnë tirani. Popujt që zgjedhin armiq imagjinarë bien në paranojë kolektive…

Po i lë citatet dhe po hidhem në shekullin XX, ku pas pavarësisë, Shqipëria mbase shtoi si armik po aq të fortë dhe vetveten, ndërsa gjatë L2B pushtohet nga Italia fashiste që donte të ribënte perandorinë romake dhe më pas nga nazizmin gjerman, të cilët bota i mundi.

Pikërisht fitimtarët shqiptarë do të armiqësoheshin me fitimtarët e mëdhenj të luftës, aleatët, së pari me Anglezët dhe Amerikanët dhe me Bashkimin Sovjetik dhe me Europën.

Shqipëria Socialiste nuk kish pse t’i zgjidhte armiqtë, armiku i saj ishte bota e gjithë.

Pas brezit të fitimtarëve, gjeneratat e mëpasme zakonisht nuk janë dhe aq zulmmëdha dhe më pak të lavdishme. Në Shqipërinë tonë të mbyllur dhe të rrethuar me armiq, të jashtëm që nuk u panë kurrë, imperializmi ndërkombëtar dhe revizionizmi po aq ndërkombëtar dhe armiku i brendshëm, pranë, ngjitur, thënë përmbledhshëm: vetvetja, rinia kaloi nën alarm. Sipas Konicës nuk kishte të rinj, por më të rinj në moshë.

Në vitet e para ishin miqësirat e mëdha politike, të frikshme në gëzimin e tyre, por që u kthyen në armiqësi të mëdha politike, që na i bënin ende më të frikshme në kërcënimin e tyre.

Miqësia me popujt e Jugosllavisë, kaloi shpejt, nja 4 vjet, deri në vitin 1948, shkak ishte Stalini i gjallë, pastaj u kthye siç kishte qenë, një armiqësi shekullore dhe pasi u shpërbë Jugosllavia, u përqendrua me Serbinë, te krimet dhe masakrat e saj përreth e deri në Kosovë, që iu përgjigj me armë e u shkëput.

Dhe çuditërisht ka trashëgimtarë të nostalgjisë serbe, nga që përfaqësoheshin në krijimin e partisë komuniste shqiptare dhe sollën Enver Hoxhën në krye.   

Ndërsa me Bashkimin Sovjetik ajo që quhej “miqësi e përjetshme” zgjati nja 15 vjet deri në 1961 dhe shkak sërish ishte Stalini, por i vdekur. Urrejtja e trashëguar, sipas së cilës të këqijat më të mëdha na kishin ardhur nga qendra, nga Moska, ndeshej me nostalgjinë e trembur të miqësisë me ta. Arsyet ishin politike. Arti dhe letërsia vetëm e pësonin nga armiqësitë.  

 Pas prishjes me Moskën, Tirana politike u lidh fort me Pekinin e Mao Ce Dunit, një aleancë e pazakontë: një vend i vogël ballkanik, Shqipëria, me gjigandin aziatik, Kinën, dhe shkak tani do të ishte stalinizmi.

Ekonomikisht dhe ushtarakisht përfitimet për shumë vite me radhë do të ishin ekzistenciale, vaporët kinezë çanin oqeanet duke valëvitur flamurin shqiptar, se Kina e Maos ende nuk ishte pranuar si anëtare e OKB-së. Pas vdekjes së Maos dhe hapjes së Kinës drejt SHBA-së (sidomos pas afrimit me Richard Nixon), Shqipëria e akuzoi edhe Kinën për tradhti ideologjike. Në vitin 1978 marrëdhëniet u ndërprenë. Ata që kishin ëndërruar ca Perëndim, e gjykonin të nxituar prishjen.

Dhe vërtet pamë dendur dokumentarë se si sundimtarët e pandryshueshëm shqiptarë putheshin me sundimtarët jugosllavë e sovjetikë e kinezë në aeroporte dhe kongrese. Me gratë e tyre nuk u panë ndonjëherë puthje në ekrane.

Edhe letërsia me artet e Realizmit Socialist nuk kishin puthje. Revolucioni kulturor kinez la pasojat e veta si një sëmundje.

Kështu Shqipëria kaloi nga një varësi miqësore-armiqësore në tjetrën deri në vetëmbylljen shokuese e të gjatë si në një bunker lufte, ku, siç thamë, pritej me ankth dhe përgjërim armiku, që s’vinte e s’vinte. Dhe ajo mosardhje edhe ashtu na pengonte ëndrrën…

Po a mësuam nga ajo metafizikë se armiku i vërtetë ishte koha jonë që kaloi, ajo vetmi kolektive, boshllëku, ku nuk realizohej asnjë premtim, horizonti i pritjes nuk lëvizte, i zbehtë si fytyrat e gjeneratave që vdisnin dhe lajmet ishin vetëm me suksese. Artet të gjitha entuziaste. Kurrë nuk e kuptuam se armiku nuk do të ishin ushtritë e tij, por vetë pritja jonë. Pritej e ardhmja e madhe duke patur armik të ardhmen.

Më shumë se pragmatike dhe parimore, të gjitha bëheshin për të sunduar, jo vetëm ajo që u vetëquajt diktatura e proletariatit dhe ku? – në vendin pa proletarë, të udhëhequr nga marksist-leninisti i vetëm në pushtet në të gjithë botën, Enver Hoxha, por dhe që të ruhej froni i tij përjetësisht. Grotesk i hatashëm, tragjikomik. Një ideologji që pretendonte internacionalizëm, përfundoi në izolimin më të thellë nacional. Por një vend i rrethuar është më i lehtë për t’u sunduar. Dhe nuk pushoi asnjëherë kushtrimi i rrethimit imperialisto-revizionist, sepse armiqësia me jashtë ushqente mobilizimin brenda si me një uri bishash. Edhe në letërsi kështu…

Burgjet dhe kampet e punës shtoheshin jo vetëm si institucione ndëshkimi, por dhe si mekanizma pedagogjikë të terrorit, ndërkaq dhe puna e papaguar e të burgosurve në tharje kënetash, në hapje themelesh, në ngritje stadiumesh dhe aeroportesh, në nxjerrje mineralesh si skllevërit, ishte jo vetëm shkelje e parimit: shpërblimi sipas punës, por dhe vjedhje ordinere, e madhe e shtetit, e pakthyer ndonjëherë. Po ku shkonin ato para? Apo mbahej Realizmi Socialist?

         Spastrimet e njëpasnjëshme, armiqtë e shpallur periodikisht e në vazhdimësi, edhe sot me forma të tjera të traumave demo(n)kratike, krijuan pasigurinë permanente, gjendje që e pësuan edhe artet, jo duke e dëshmuar atë, por duke u bërë pjesë e saj. Ndodhën:

         Internalizimi i frikës –

Jo vetëm nga burgu, por dhe frika nga vetë fjala e lirë e letërsisë – si e tillë, e mendimit, e heshtjes së gabuar me pasoja ndalimet, të librave dhe autorëve. Shkrimtari ashtu si qytetari mësoi të jetonte me dy gjuhë: një publike dhe një të fshehtë. Kjo krijoi ndarje të brendshme mes një “uni zyrtar”, të një Realizmi Socialist dhe të një “uni familjar”, të fshehtë, edhe me një “letërsi sirtarësh”, të paktën njihej si lexim i letërsive të tjera, në armiqësi me njëra-tjetrën.

       Shkatërrimi i besimit –

Ndërtimi i socializmit, politika në plan  të parë, kontrolli, dosjet, spiunimi i ndërsjellë, heqjet nga puna, dënimet etj, rrënuan marrëdhëniet njerëzore, edhe ato mes shkrimtarëve dhe me lexuesin  e tyre. Trauma më e thellë ishte humbja e besimit mes njerëzve dhe me librin duke e parë si si sulm të propagandës.

Ndërkaq besimi në Zot ishte i ndaluar me ligj, xhamitë dhe kishat qenë shembur dhe ishin zëvendësuar me komitetet e partisë dhe ato ekzekutive.  

       Koha e ngrirë –

Mbyllja dha një ndjesi pezullie të kohës dhe trumën e tranzicionit të vështirë, kur bota na u hap befas…

       Trauma nuk është vetëm individuale, por dhe mes brezash. Pasardhësit trashëguan stigmën, urrejtjen dhe armiqësinë, heshtjen, ndjenjën e fajit pa faj, dhunën e etërve, lavdinë e panevojshme.

Letërsia pritej ta merrte veten e para…

PostRealizmi Socialist

Fitimtarët imitojnë të mundurit e tyre, është një thënie latine. Realizmi Socialist nuk ishte thjesht metodë letrare, por doktrinë shtetërore, që kërkonte: Hero pozitiv,/ Partinë si udhëheqëse./ Armikun e jashtëm (imperializmi, revizionizmi)./ Armikun e brendshëm (sabotatorët, tradhtarët, “liberalët”)/ Formë kombëtare,/ përmbajtje socialiste, etj.        

Armiku nuk ishte element dramatik i lirë, por domosdoshmëri ideologjike. Pa armik narrativa e mobilizimit të Realizmit Socialist do të binte. Fantazma e tij avitet ende…

Konflikti nuk buronte nga jeta dhe nga jeta tjetër, ajo e letërsisë, as nga përpjekja për lumturi dhe në kërkim të së bukurës, as nga tragjikja njerëzore, por nga skema doktrinare. Kjo e bënte modelin absurd, sipas meje, në plan estetik.

Në çdo vepër duhej të kishte një armik, madje të madh sa populli përballë, pa e dalluar qartë që armik ishin sistemet politike dhe jo popujt.         

Çdo vepër arti e asaj kohe kalonte përmes Skillës dhe Karibdës, një rrjete të fortë ideologjike…

Jo se nuk pati shmangie dhe qëndresë. Unë kujtoj, si gjimnazist atëherë, romanin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit, që pasi u ndalua, donim ta lexonim. Deheroizëm si në letërsitë e vendeve revizioniste, klasë punëtore që vuante si një viktimë e sistemit të vet.

Po kështu gjetëm dhe librin me poezi të poetit Fatos Arapi, “Më jepni një emër”, e kishin çuar jo librarive, por në fabrikën e letrës për ta ricikluar sakaq në letër.  

Me novelën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, sot romani “Pallati i ëndrrave”, shkrimtari më i njohur, Ismail Kadare, kundërshtoi metaforikisht, armiku ishte brenda sistemit, anonim, mekanik, një aparat shtypës universal. E lexova në burg dhe na erdhi shumë keq që u kritikua aq ashpër. Figura e armikut tek Kadareja shpesh tejkalonte propagandën dhe bëhej simbol i fatit tragjik të kombeve të vogla mes perandorive.

   Fat kësisoj pati dhe novela “Ata të dy e të tjerë” e Koço Kostës, isha ende në burg dhe prisnim me padurim pjesën e dytë, vazhdimin në revistën letrare, ku ishte botuar, por nuk doli kurrë.

Po a mund të shkruhej pa armik në një regjim që jetonte nga armiku? Vonë do të mësoja se armiku i shpikur prodhon paranojë dhe sajesa të mban peng.

Në atë kohë një pjesë e duhur dhe e vyer e letrave shqipe o ishte e harruar në mërgim, o kishte fatin e autorëve të vet në burg ose nëndhé me të pushkatuarit. Nuk lejoheshin veprat e Faik Konicës, të Ernest Koliqit, Atë Gjergj Fishtës, Etem Haxhiademit, Musine Kokalarit, Isuf Luzajt, Arshi Pipës dhe as që dihej që në burg dhe internimeve shkruanin romane Astrit Delvina, Kasem Trebeshina, Lazër Radi, etj   

Sot ka ardhur ajo që quhet “Letërsi tjetër” dhe ka sjellë të vërtetat dhe moralin që mungonte, kam shkruar, kolegët e Realizmit Socialist pa empati i ndenjën ftohtë dhe larg si armikut të padukshëm, e pengonin me frikën se erdhi “letërsia e burgjeve” të zëvendësojë letërsinë shqipe, kur në fakt ajo erdhi dinjitoze të sjellë vetveten duke i pasuruar kështu letrat shqipe.

Konfliktet vazhdojnë. Edhe ndryshe Pa madhështi. Mediokriteti sot kërkon të ndjehet i barabartë në vlera dhe dhimbje. Së pari duke shpërfillur vuajtjen nëpër burgje dhe internime, pastaj dhe letërsinë e saj. Duke e sulmuar, krijohet iluzioni i barazisë socialiste. Lufta bëhet mënyrë për t’u dukur.

Unë do të thosha se, nëse pranon të përfshihesh në çdo grindje, e shpërndan energjinë tënde në hiçnajë. Të mos përgjigjesh ose të përballesh vetëm me kundërshtarë të denjë. Armiku i vërtetë nuk është ai që shpif, por ai që të sfidon me vepër. Të tjerët janë zhurmëtarë. Nuk po them llapaqenër. Duhet luftuar dhe “Mbreti lakuriq” brenda vetes…

Ndërkaq do të doja të ndërmendja një debat të lirë, me vlera e jehonë ndërkombëtare mes dy shkrimtarëve më të njohur në dy shtetet shqiptare në Ballkan, Ismail Kadare në Tiranë dhe Rexhep Qosja në Prishtinë.   

Kadareja shpalos një vizion perëndimor, estetik dhe universalist të letërsisë shqiptare.

Qosja thekson dimensionin kombëtar dhe historik, sidomos çështjen e Kosovës dhe rolin e intelektualit në shoqëri.

Debati u ashpërsua rreth rolit të shkrimtarit gjatë komunizmit, të interpretimit të historisë shqiptare dhe identitetit kulturor shqiptar (orientim europian apo theksim i veçanësisë historike). Në fakt po dukej si përplasje e drejtimeve shpirtërore dhe kulturore të kombit në periudhën pas diktaturës, e dy mënyrave për të qenë intelektual shqiptar.

Kadareja e shihte identitetin shqiptar si thelbësisht europian.

Qosja shihte intelektualin si ndërgjegje kombëtare aktive, që lidh fort letërsinë me historinë, që na ka lidhur dhe me Orientin.

A duhet të prijë estetika apo angazhimi kombëtar? Ky debat a do të jepte modelin e kulturës shqiptare pas shekullit XX?

Pati edhe fyerje të ndërsjella publike, polemika të ashpra në shtyp e intervista, aq sa toni shpesh kaloi nga debat teorik në personalizim si një duel.

Për kulturën shqiptare, mendoj se modeli më pjellor do të ishte bashkëjetesa, autonomi estetike, pa ikur nga përgjegjësia qytetare, art me standarde të larta, por me vetëdije historike, pa u bërë as zëdhënës politik, as i izoluar në kullë fildishi.

*   *   *

Atëhere, pra, zgjidhi armiqtë!

Është një thirrje, që çuditërisht shqipja foljen aty e ka si derë me dy kanata kuptimore.

Nga njëra anë, “zgjidhi” do të thotë përzgjidhi, dalloji, veçoji, mos i ngatërro armiqtë me hijet, me frikërat, me keqkuptimet. Është thirrje për kthjelltësi morale. Të njohësh armikun do të thotë të njohësh edhe veten, sepse shpesh armiqësia lind nga errësira e brendshme.

Nga ana tjetër, “zgjidhi” do të thotë çliroji, hiqu prangat, këpute zinxhirin. Do të ishte një akt i pazakonshëm, gati ungjillor në thellësinë e vet, çlirimi i armikut si çlirim i vetes. Sepse armiku i lidhur na mban edhe ne të lidhur, me vigjilencën dhe urrejtjen, me hakmarrjen dhe frikën. Duke e zgjidhur, ne nuk e amnistojmë të keqen, por refuzojmë të bëhemi robër të saj. Të dallosh armikun e vërtetë dhe në të njëjtën kohë të mos e lësh shpirtin tënd në pranga.

Zgjidhi veprime e tua, do të veçosh apo do të çlirosh?

“Zgjidhi…” si një thirrje për kthjelltësi dhe për liri njëherësh.

(c) 2026 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin