Mësime nga Salemi
Ka qenë muzeu i vetëm në të cilin nuk bleva asnjë suvenir. Kur dal nga muzetë, si shumica e vizitorëve, zakonisht hyj në dyqanet e tyre të suvenirëve, ku, mes xhinglave të vlefshme e të pavlefshme, përpiqem të marr me vete ndonjë kujtim. Muzeu në të cilin nuk bleva asgjë ishte ai i Salemit. Qyteti, i cili që nga çasti kur u emërtua, nuk e justifikoi kurrë domethënien e emrit që i vunë.
Salemi u pagëzua me këtë emër nga puritanët e krishterë të cilët mbërritën nga Anglia në atë breg të Oqeanit Atlantik në shekullin e shtatëmbëdhjetë, me shpresën për të ndërtuar në atë kontinent një komunitet që do të jetonte aty sipas rregullave të vullnetit hyjnor. Emri Salem vjen nga një prej fjalëve më kuptimplota të hebraishtes, Shalom, dhe nënkupton paqe. Në Testamentin e Vjetër, Gjeneza e përmend Salemin si emrin e hershëm të Jeruzalemit. Salemi në Massachusetts do të ishte kështu një qytet që do të mbartte premtimin e paqes hyjnore, por që, për ironi të fatit, përjetoi një nga dramat më të errëta të shoqërisë së asaj kohe. Salemi jo vetëm që nuk njohu paqe, por e vrau atë.
Muzeun e vizitova në pranverën e dy viteve më parë. Ai mbart historinë e gjykimit dhe të ekzekutimit, nën akuzën e praktikimit të magjisë së zezë, të nëntëmbëdhjetë banorëve të Salemit në vitet 1692 -1693. Ishin gjyqe ku paranoja kolektive, dëshmitë e rreme dhe besimi i verbër në ligjin puritan të kohës çuan në vdekjen e këtyre njerëzve.
Por çfarë ndodhi në Salem? Në dimrin e vitit 1692, në shtëpinë e pastorit puritan Samuel Parris, e bija e tij e vogël, nëntëvjeçarja Beti, filloi të zgjohej natën duke u dridhur dhe duke folur fjalë të pakuptimta. Pranë saj ishte mbesa e pastorit, njëmbëdhjetëvjeçarja Abigail Williams, e cila nisi të shfaqte të njëjtat sjellje si kriza, lot e britma. Mjeku që u thirr nuk mundi të japë një diagnozë të sëmundjes, duke e konsideruar atë si “një sëmundje misterioze”. Gratë e Salemit nisën të luteshin, por asgjë nuk ndryshoi, derisa dikush pëshpëriti fjalën që askush nuk guxonte ta thoshte me zë të lartë: magji!
Banorët e Salemit ishin thellësisht të ndikuar nga besimi i tyre protestant dhe doktrina e puritanëve, dhe jetonin të mbërthyer nga frika e djallit dhe fuqisë së tij, duke besuar se çdo gjë e keqe që ndodhte ishte pasojë e ndikimit të tij. Frika e madhe ndaj djallit lidhej me idenë se shpirtrat e këqij mund të depërtonin tek njerëzit përmes shtrigave ose tundimeve, duke i bërë banorët të dyshonin për çdo sjellje të pazakontë ose të pashpjegueshme. Në Europë, gjyqet për shtrigëri po pakësoheshin, por në Massachusetts po ndodhte e kundërta.
“Sëmundja” u përhap edhe tek tre vajza të tjera. Ato rrëzoheshin përtokë duke u dridhur si të kapluara nga epilepsia, pohonin se duar të padukshme përpiqeshin t’i mbysnin dhe se flisnin me shpirtrat e errësirës. Kur i pyetën se kush ua kishte bërë këtë magji, vajzat treguan me gisht shërbëtoren e shtëpisë dhe dy gra të tjera të fshatit. Çdo fjalë e tyre u kthye në akuzë, çdo ëndërr e parë prej tyre u shndërrua në dëshmi. Histeria kishte marrë dhenë. Vajzat u konsideruan dëshmitare të pakundërshtueshme dhe gjyqet pasuan njëri-tjetrin. Trekëmbëshat u ngritën në kodrën famëkeqe të Salemit, ku katërmbëdhjetë gra dhe pesë burra u varën nën akuzën e ushtrimit të magjisë së zezë.
Për ta bërë edhe më reale këtë tragjedi, muzeu ka rikrijuar qelitë ku të dënuarit prisnin gjykimin dhe ekzekutimin. Ato janë të errëta, të ngushta dhe të pajisura me manekinë që u ngjajnë të dënuarve të vërtetë. Teksa ecën në korridoret mes tyre, dëgjon psherëtimat dhe qarjet e të burgosurve, të ndërthurura me imitimin e fishkëllimës së erës që fryn jashtë, një efekt zanor ky që ta shton ngjethjen. Është një përjetim që nuk e harron lehtë, dhe ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse dola nga ky muze pa blerë asnjë suvenir.
Në vitin 1953, Artur Milleri shkroi dramën Shtrigat e Salemit – në anglisht titulli është The Crucible. Në atë kohë, senatori amerikan Joseph McCarthy kishte nisur atë që në histori njihet me emrin “gjuetia e shtrigave” kundër individëve të dyshuar si komunistë në Shtetet e Bashkuara. Amerika e kujton atë periudhë të Luftës së Ftohtë si një kohë ankthi dhe frike, kur marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik ishin shumë të tensionuara. Frika ndaj spiunëve komunistë që mund të ishin infiltruar në Amerikë nga Bashkimi Sovjetik qe e madhe, dhe shumë njerëz u përballën me akuza dhe gjyqe të rënda. Kështu Milleri shkroi Shtrigat e Salemit si një alegori ndaj kësaj histerie politike dhe për të treguar absurditetin dhe rrezikun që mund të sillnin pasojat e saj.
Do të ndalem tek një personazh i vetëm i kësaj drame, tek John Proctori, një burrë i martuar që kishte kryer tradhti bashkëshortore duke fjetur me Abigailin, një nga tre vajzat që akuzuan banorët e Salemit për shtrigëri. Ai përfundoi nën akuzë nga dashura e tij, e cila paditi për praktikim të magjisë, pasi ai kishte refuzuar të linte gruan e tij, e cila gjithashtu ishte e akuzuar për të njëjtën arsye, dhe të bashkohej me të. Një dramë pasioni që përfundoi me varjen e dy bashkëshortëve të pafajshëm. Milleri e përshkruan Proctorin si një hero tragjik, i cili e vuan fajin e tradhtisë bashkëshortore, por që mban anën e bashkëshortes kur ajo akuzohet si magjistare. Ai është i guximshëm, i drejtë dhe moralisht i dobët, tekefundit një njeri i thjeshtë që përballet me padrejtësinë. Në fund të dramës, Proctori nuk pranon të firmosë një dëshmi të rreme, nuk pranon presionin që i bëhet nga e dashura e tij akuzuese për të braktisur të shoqen dhe për të shpëtuar veten, demaskon histerinë që ka kapluar qytetin, zgjedh dinjitetin dhe vdes me nder.
Në vitin 2018, autorja amerikane Kimberly Belflower e rishikoi veprën e Artur Millerit dhe, duke u përqëndruar vetëm tek figura e John Proctorit shkroi dramën muzikore “John Proctor is the Villain”. Po zgjedh ta përkthej titullin: Xhon Proktor është fajtori. Ngjarja zhvillohet në një klasë të një shkolle të mesme në një zonë rurale të Georgias, në Amerikë, ku nxënësit vendosin të interpretojnë pjesën teatrale Shtrigat e Salemit. Ndërkohë që drama po vihej në skenë, babai i Ivit, një nga nxënëset e klasës, e cila vjen nga një familje e pasur, përballet me akuzën e ngacmimit seksual nga një punonjëse e tij. Ngjarja ndodh gjatë kohës kur lëvizja #MeToo ishte në pikun e saj. Ivi, e tronditur tërhiqet nga roli i saj, dhe ky largim krijon debat në klasë duke bërë që nxënësit të trajtojnë tema të nxehta e delikate si ato të abuzimit me pushtetin, abuzimit seksual dhe të pabarazisë gjinore duke sjellë edhe si shembull marrëdhënien jashtëmartesore të personazhit të dramës së Millerit, John Proctorit. Mësuesi i tyre, duke e krahasuar ngjarjen që i ndodhi babait të Ivit me historinë e dramës që po vënë në skenë, u thotë nxënësve se pavarësisht tradhtisë bashkëshortore, John Proctori sidoqoftë mbetet një njeri i mirë dhe një hero. Por kur ai thotë këto fjalë, njëra nga nxënëset e akuzon mësuesin për marrëdhënien seksuale që ai kishte pasur me të vitin e shkuar. Dinamika e dialogëve ngjason me ato të dramës së Millerit, por në fund klasa e lejon spektatorin të vendosë për figurën e John Proctorit duke lënë të hapur pyetjen:
A është John Proctori fajtor apo hero?
Nëse një shkrimtar amerikan si Milleri e përshkruan Proctorin si një hero tragjik, një shkrimtare amerikane gjashtëdhjetë e pesë vjet më vonë e vesh Proctorin me kostumin e një heroi të diskutueshëm, morali i të cilit tashmë shihet ndyshe. Marrëdhënia e tij me Abigailin nuk konsiderohet më si një dobësi njerëzore, por si një marrëdhënie ku një burrë i martuar, duke përdorur pushtetin që i jep seksi i tij, shfrytëzon një vajzë shumë më të re se ai në moshë. Një pyetje “nga klasa” e dërgon Johnin sërish në bangon e të akuzuarve. Kimberly Belflower i jep kështu zë personazheve që Artur Milleri nuk i dëgjoi.
Nuk i dëgjoi, apo në atë kohë McCarthizmi ishte një çështje më e rëndësishme për Millerin, duke lënë mënjanë mëkatet personale të heroit të tij?
Në veprën e Millerit, John Proctori është heroi i akuzuar, i cili, nëpërmjet sakrificës vetëmohuese të tij, ruan integritetin moral të qytetit dhe lufton pushtetin politik dhe fetar të kohës. Kur i ofrohet mundësia për të shpëtuar veten, ai e refuzon atë, duke zgjedhur vdekjen. John Proctori martirizohet dhe refuzon të bëhet pjesë e sistemit paranojak të kohës.
Kimberly Belflower ngre pyetjen se sa i ka kushtuar shoqërisë morali i këtij heroi. A e vë ajo në dyshim rolin parësor të këtij personazhi apo merret vetëm me pasojat?
Në veprën e Belflowerit, sakrifica individuale e John Proctorit në Salemin e shekullit të shtatëmbëdhjetë fillon e shpërbëhet kur nuk përputhet me pritshmëritë morale të shoqërisë së sotme.
A është heroi i djeshëm një antihero i të sotmes? Po i së nesërmes?
© 2026 Marelba Fushekati. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është përpunuar me GPT1.5 Medium.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.