Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Teatër

SHIJE KULTURORE DHE PRAKTIKË POLITIKE

Në mars 1991 një autor i njohur i Kinostudios dhe Theatrit Popullor shkruan në shtypin kulturor se njerëzit kanë humbur dëshirën për punë dhe për humor. Kinematë, teatrot dhe stadiumet nuk mbushen as përgjysmë. Jemi nga popujt më të vjetër e më dinjitozë të Rajonit, thotë, le të vëmë logjikën mbi pasionet, edhe pse është e trishtueshme të zbulosh pas gjysmë shekulli se ke mbetur prapa.

T’i lërë mënjanë populli pasionet që vetëm i ka shtypur!

E njëjta racë autorësh mbështet zgjedhjen president të Ramiz Alisë, pasardhësit të diktatorit, prurësit të demokracisë ky që, kur mijërat mësyjnë portet e Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit, thotë: “Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim” dhe ngec kjo thënie prej leshi të zi magjie në kokolepsjet e reformave për tranzicion.

Po këto ditë shfaqet në Teatrin Kombëtar “Vizita e damës plakë” që kthen në skenë Edi Luarasin, 18 vjet e përzënë nga profesioni me gjithë të shoqin, Mihal Luarasin, ai regjisor i dënuar me burg. Shiten gjithë biletat. E keni parasysh: Kler Cahanasiani vjen bilionere në vendlindje për t’u hakmarrë kundër Alfred Ilit që i kishte mohuar fëmijën dhe dashurinë në rininë e hershme dhe jo aq të pafajshme.

Në prag të zgjedhjeve të para demokratike, popullit i kërkohet t’i thotë “stop hakmarrjes” dhe t’u ruhet ultrave, kontigjent i Partisë Demokratike që thërrisnin “Komunistët në litar!”. Nga ekzili, Kadareja e shikon kombin në provë si në invazionin e parë osman. “Demokracia nuk është vetëm e butë dhe e pellushtë”, thotë, “ajo ka edhe grushtin e saj të hekurt.”[1] Nxitje për dhunë e quan kolegu Fatos Arapi, edhe pse ka një marrëveshje në opinionin publik, figura si Ismail Kadareja që identifikohen me Shqipërinë, të mos preken.

Prej muajsh diskutohet roli i artit dhe intelektualit nën diktaturë dhe si do të jetë e ardhmja e profesionit në shoqërinë e tregut të lirë. “Treg dhe kulturë nuk kanë ditur të bashkëpunojnë në shoqërinë tonë”, shkruan Natasha Lako.[2] “Më e saktë do ishte të pyetej cili do të jetë roli i kulturës në shtetin pluralist”, shton Fatos Kongoli, që vjen dhe e ashpërson gjuhën ndaj atyre që kishin çarë para me himne, ujë trëndafili e hosanara, ndryshe kronofagë: një tip krijuesi-nëpunës sui generis, një lloj brejtësi metodik i themeleve të vetë fabrikës që i prodhoi. “Nuk di a do të llogaritet ndonjëherë se ç’kohë kanë ngrënë kronofagët letrarë në formë lejesh krijuese, oraresh të reduktuara apo profesionesh të lira. Dekada të tëra.”[3]

Të gjithë janë dakord që nuk mund t’i shpallë më me dekret Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve profesionistët. I tillë duhet të jetë këtej e tutje ai që e siguron jetesën falë cilësisë së veprës.[4] Komiteti i Kulturës dhe Arteve shpall shkëputjen nga koncepti etatist i organizimit të jetës artistike dhe kulturore, nga lëvizjet amatore dhe festivalomanitë pa cilësi dhe të kushtueshme për shtetin, si dhe zgjerimin e sektorit të jashtëm dhe hapjen me botën. 

Në këtë moment, në Shqipëri ka 10 trupa teatri, 15 trupa estrade, 1 cirk dhe 27 trupa kukullash, me rreth 1280 punonjës. Për 1 lekë të ardhura harxhohen 5 lekë shpenzime, që arrijnë shumën 15 ml lekë nga buxheti. Vetëm pagat e punonjësve zënë 70% të vlerës, prandaj:

Ka ardhur koha të krijohen trupa artistike të pavarura nga shteti. Duhen mbështetur fillimisht me pajisje, instrumenta dhe objekte kundrejt tarifave përkatëse. Aktivizimi i tyre do të konkurrojë trupat shtetërore duke i bërë më të ndjeshme për cilësinë e shfaqjeve. Me futjen e ekonomisë së tregut angazhimi i shtetit duhet të përqendrohet tek Teatri i Operës dhe Baletit, Teatri Kombëtar, Kinostudioja, Cirku dhe 2-3 grupime të teatrove artistike në rrethe. Në këto duhen bërë shkurtime fondesh dhe shkurtime në struktura që janë të mbingarkuara.[5]

Qeveria e Stabilitetit krijon një ministri për Kulturën dhe një nga vendimet e para është decentralizimi i shtypit. Botohet revista “DeT” (Drama dhe Teatri) e përdymuajshme në varësi të Ministrisë, ku për herë të parë propozohet “Rinoceronti” i Ionesco-s, ese nga Lorka, Show, Mileri, Çehovi, një dramë e Rexhep Qosjes. Për numrin e radhës njoftohen “Kaligula” e Camus-it, “Duke pritur Godonë” e Beckett-it, Sartre-i dhe nga dramaturgët shqiptarë të ndaluar, Minush Jero e Fadil Paçrami. Këta të fundit, bashkë me artistë si Maks Velo, kërkojnë dhe arrijnë të marrin pafajësinë nga sistemi i drejtësisë për dënimin nën diktaturë. Kush ishte zhdukur nga skena si Edi Hila dëshiron që jeta të rifillojë aty ku kishte nisur prishja, më 1944.[6] Të tjerë si Edi Rama pretendojnë art dhe moral të ri që bazohet në zgjedhjen e lirë, sadoqë “shoqëria është jo vetëm e paemancipuar, por edhe e pasur me aberracione të frikshme”.[7]

Në këtë fazë pritet liberalizimi i çmimit të veprave të artit dhe krijimi i agjencisë për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Respektimi i ligjit për pronën intelektuale vendoset si kusht për licencimin e gjashtë shtëpive të para botuese, teksa shkon drejt falimentit shtypshkronja shtetërore “Naim Frashëri”. Duhet që kalimi i institucioneve kombëtare të kulturës në ekonominë e tregut të bëhet pa prekur formën e pronësisë dhe duke ndryshuar sistemin e pagave e të punësimit me kontrata kolektive. Me miratimin e ligjit të asistencës sociale fillon epoka e peticioneve kundër pensionimit të parakohshëm për krijuesit. Aksione reformuese këto që provokojnë dhe rikthejnë nga nëntoka e sheshit “Skënderbe” jehonën e zërit të një amerikani: veproni si Polonia, Hungaria, Mongolia, veproni shumë shpejt dhe në mënyrë dramatike, veproni me hap radikal, me “shock therapy” veproni, para se të zhduket mbështetja politike për ju. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Misionarë nga bota zbresin në vendin post-ateist, që ka popullatën me moshën më të re mesatare në Europë, 24 vjeç. Në Tiranë, Korçë e Shkodër mbushin stadiumet manifestime kristiane, festivale të Jezusit dhe këngë ulfësh. Po Shqipëria e rrugës është prapë aty: në vend të vezës, qumështit e bukës, mban radhë për të paguar ujin. Qindra mijëra dollarë qarkullojnë nëpër duar në tregun e zi të këmbimit valutor. Midis kioskave të biznesit të vogël, lokaleve e dyqaneve, mbijnë tezgat e shtypit. Jeta rrohet për t’u treguar në gazetë. Shqipëria po bëhet vend gazetash. Lajmërimet ekonomike krehin shkurt dhe qartë kërkesë-ofertën: shëno emrin dhe adresën. Dëshirat dhe shqetësimi për të bukurën janë pjesë e përditshmërisë. Shkruhet me oreks dhe trallisje për seksin, kulturën seksuale dhe SIDA-ën. Kërkohet alta moda dhe mbahen sfilatat e para në Piramidë, ish-muzeu i Enver Hoxhës i kthyer në Qendër Ndërkombëtare për Kulturën. Në Vilën 31 sera e luleve shndërrohet në restorant dhe vetë Blloku në treg ku imitacione vështrimesh, pëlqimesh, dëshirash, lakmish, këmbehen me nge. Ka dhe një ditë më tepër pushim në javë. Parlamenti ka hedhur një hap drejt shtetit social për t’i dhënë weekend një populli që ka punuar shumë dhe është paguar keq. E kur populli do që të pushojë, radhët e të papunëve shkojnë në 450 mijë.

Një bar-diskotekë, “Café des Artistes”, hapet në tarracën e Pallatit të Kulturës nga një shoqëri pulieze, që sipas marrëveshjes me qeverinë demokrate, duhet të rikonstruktojë një pjesë të objektit.[8] (Flitet se lidhjet me Camorra-n që kishte vendosur shteti shqiptar nën drejtimin e Hoxhës, po shërbejnë si bazë për investimet italiane.) Në krahun tjetër të Pallatit, në nëntokën e Bibliotekës Kombëtare, bar “Lux”-i frekuentohet nga balerina ruse e moldave në tranzit për t’u trafikuar drejt Italisë. Kronikat njoftojnë përfshirjen e shqiptarëve në trafikun e drogës dhe valutës false për llogari të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare e lidhur me mafien pulieze “Sacra corona unita”. Përbri “Lux”-it e deri tek “Disco Albania” është hapur një gropë për investim në emër të Hajdin Sejdisë, pararendës i firmave piramidale. “Politikanët këtu i kam në thes”, thotë nga arratia.

Në diskotekën mes gropës së fajdexhiut nga Lugano dhe pallatit të Kadaresë, organizohen spektakle me regjinë e Grabockës, e cila brenda pak vitesh ka kaluar nga maratonat e këngës popullore tek ato të bukurisë trupore për ekranin e Televizionit Shqiptar, që si çdo televizion kombëtar në tre dekadat e ardhshme “respekton dëshirat e klaneve dhe të atyre që kanë të paguajnë”, për ta thënë me fjalët e Ben Shakës. Cirku nuk jep më bukë, skena të tjera nuk ka, kështu që mjeshtri i kllounadës, bashkë me gruan dhe të birin, ka krijuar “Lozonjarin”, një grup varieteje në kushte rrethanore, që si në një sequel neorealist, lëviz me një makinë nga Prrenjasi, në Rrëshen, Peqin, Gramsh, Kavajë e Librazhd dhe përdor një qendër zëri 250 Wat për të dëgjuar populli çfarë thuhet tek “Beni bën shaka”.

Sallat, muzetë, kinematë, bibliotekat janë në rënie. Kërkohet dorëheqja e ministrit të Kulturës Dhimitër Anagnosti, që ndërsa shantazhohet me grevë në Teatrin Kombëtar, vendos të bëjë shkurtime në Kinostudio dhe të urdhërojë mbylljen e Ansamblit. Artistëve u duket absurde që një shitës i rëndomtë bëhet milioner me lokalet e Teatrit të Operës apo të Kinostudios, kur mund t’i shfrytëzojnë vetë këto ambiente duke zbutur kontradiktën me shtetin konservator. “Zoti Anagnosti bëhet pengesë për gjithçka, edhe për ngritjen e një trupe private”, shkruajnë në peticion. “Premtoi ligje për krijimtarinë dhe që artistët të rifitonin dinjitetin e nëpërkëmbur. Çmimet janë liberalizuar, dietat për xhirimin e një filmi vendosen sipas ligjit të vitit 1974, 20 lekë në natë.”[9] Vjen përgjigjja e ministrit: Ligjet duan kohë dhe ne mbështesim të talentuarit e jo skarcitetet e realizmit socialist.[10]

Në një sektor po aq problematik si Teatri Kombëtar Anagnosti emëron Neritan Alibalin që kritikon gazetave. Çatija pikon, kaldaja s’punon, banjat si banja publike, aktorë që kanë hapur kioska dhe vijnë në Teatër për të marrë rrogën, të vjetrit janë shënuar në rreth nga fushtatat antikomuniste, grupet e gallatës në sallë gjuajnë me llastiqe dhe hanë fara luledielli gjatë shfaqjes. Për të gjitha, Ministria jep me sforco një fond, hyn në fuqi një rregullore dhe shërben një polic. Në oborr mbillen pisha për një memorial të blertë në kujtim të aktorëve të shquar. Lidhet marrëveshja me Teatrin Nacional të Bukureshtit për shkëmbim artistik dhe ç’është më e rëndësishmja, bursa për studentë, aktorë dhe regjisorë shqiptarë. Në bashkëpunim me Bankën Kombëtare hapet Lotaria Arti dhe një përqindje e madhe nga shitja e biletave i shkon Teatrit Kombëtar jo në vlerë parash, por në çfarë i duhet.

Në të njëjtin vit në Angli, kryeministri John Major prezanton idenë e Lotarisë Kombëtare si shpëtimtare të arteve. Financimi vihet në zbatim pak më vonë dhe paratë që do të mblidhen nga blerja e biletave ndahen për pesë kauza: art, bamirësi, trashëgimi, projekte të mijëvjeçarit dhe sport. Arti do të administrohet nga Këshilli i Arteve. Asgjë më pak se një “revolucion kulturor” thuhet për këtë operacion.[11]

Me të ardhurat e Lotarisë Arti bëhen gërmat në fasadë, dyert kryesore prej druri dhe kolltukët që trashëgohen deri ditën kur qeveria e Edi Ramës shemb Teatrin (2020).

Në vitin 1994 buxheti i Teatrit Kombëtar është 94.000 dollarë dhe për prodhimin e një shfaqjeje, 1500 dollarë. Alibali kërkon reformë sociale, jo radikale: funksionimin e kontratës individuale dhe zbatimin e vendimit të qeverisë, që njihet si “ligji i 90 përqindëshit”, sipas të cilit, artistët gëzojnë të drejtën e ndarjes mes tyre të 90%-shit të të ardhurave nga shitja e biletave, ndërsa teatrot përfitojnë 10%-shin e mbetur. Një aktor me rrogë mujore 5 mijë lekë, fillon të gëzojë 40 mijë lekë për angazhimin në një produksion. Kështu nisin të kërkojnë humorin. Shqyhen dyert për komedinë tragjike “Këngëtarja tullace”. Një akt në përputhje me rrethanat e ekonomisë së tregut e quan Alibali, ku institucionet duhet të mbijetojnë të vetme dhe një masë kalimtare e një periudhe tranzicioni, kur artistët trajtohen moralisht dhe financiarisht si shitës bananesh. “Është e kuptueshme”, thotë ai, “që kjo masë të mos ekzistojë pas bërjes së plotë të reformës në art.”[12] Pothuaj dy vjet më vonë Alibali dorëhiqet, sepse reforma shkallë-shkallë nuk po funksiononte.[13]

Me pasardhësin Gëzim Kame vëmendja kalon tek kushtet e punës dhe objekti i Teatrit Kombëtar. Gjithmonë do ngatërrohen muret dhe llaçi me reformat. “Pritet nga çasti në çast të shembet. Zgjidhja është ta kthejmë në muze dhe të gjejmë një tjetër vend, godina e Parlamentit do na dukej e përshtatshme.”[14] Kames nuk ia vë kush veshin, megjithëse ka autoritet si regjisor i Lorca-s, Dürrenmatt-it, disidentit Kasëm Trebeshina, si mbështetës i “Studios eksperimentale” për të rinjtë nga Akademia e Arteve. Vetë Akademia është në rrugën e një gjysmëreforme. Nuk ka ndryshuar puna me aktorin që historikisht është bazuar në “Sistemin” e Stanislavskit, teori e përcjellë gojarisht, e përkthyer pak në shqip, për të mos folur për mungesën e njohjes së praktikave të Brecht-it, Grotowski-t apo Kantor-it. Disa aktorë dhe regjisorë të rinj marrin bursa afatshkurtra në British American Drama Academy falë Fondacionit Soros, që në këta katër vjet aktivitet në Shqipëri ka qarkulluar rreth 1 milionë dollarë në arsim dhe specializime. Sidoqoftë, duhen ndryshuar programet mësimore me më shumë orientim drejt teatrit eksperimental. Estetët demokratë, ndër ta Xhevdet Feri në drejtimin e Arteve Skenike, thonë: “Shqipëria do bëhet dhe do ta bëjmë ne.”

Për të bërë reforma në kulturë, vendi duhet të ketë fuqi ekonomike. Nga njëra anë mbyllen fabrikat e socializmit, kolapsojnë industritë ushqimore dhe të tekstilit, nga ana tjetër hapen fabrikat e kapitalizmit, si ajo e Cola-Cola-s, që janë investim pa prodhim vendas. Rrugët dhe sheshet ndërrojnë emërtimet e regjimit të shkuar, por Tirana, një nga kryeqytetet e pakta që furnizohet me ujë të pijshëm nga burime natyrale, nuk ka ujë në rubinet. E djathta në pushtet krenohet që në këtë moment të privatizimit masiv, 60% e të ardhurave të shtetit vijnë nga biznesi privat dhe njerëzit janë të kënaqur me drejtimin që po merr vendi, thonë sondazhet. Jemi vendi më optimist i Europës.

Në mënyrë tjetër janë entuziastë grupet rock dhe të rrymave grunge, black, death apo heavy metal, nga “Thunder way” tek “Fish Hook” i Bojken Lakos, që hedhin në qarkullim albumet muzikore dhe i prezantojnë në koncerte, në dyqane të muzikës, kioska të rastit apo thjesht në trotuar. Vijnë nga gjithë qytetet në Odeonin e Piramidës për festivalin e rrokut alternativ, ndërsa Gjebrea nxjerr albumin e parë “Vargje për vete”, incizuar në Itali, shumëfishuar në Kroaci në 3000 kopje, me humbje ekonomike, kuptohet, “por artistët në përgjithësi janë idealistë”. Në ekranin e televizionit shtetëror telenovelat “Dinasty”, “Dallas”, “Beautiful”, zëvendësohen me latino-amerikanet “Madalena” e “Celeste” dhe kinematë publike që kanë dalë me vetëfinancim, shfaqin filma pornografikë e ndonjë të vjetër si “Herkuli kundër Romës”.

Parlamenti kompenson në letra shtetin ligjor, të cilit jeta dita pas dite, si një makineri brezash, i del kundër. Diskutohet legalizimi i abortit, por gratë nuk njohin përdorimin e kontraceptivëve. Shtypi i shkruar i jep kurorën kronikës së zezë, ku bëhet rutinë botimi në faqen e parë i fotove dhe lajmeve të tmerrit: të mbytur, viktima në morg, vrasje makabër, dekapitim, përdhunim, pedofilë. Nuk ngjallin më pak turbullim për nga poshtërimi fotot e emigrantëve barkas në këmbët e policëve të “Fshesës greke”. Po ka edhe racizëm brenda llojit si ndaj Bathores së revoltuar, fëmijëve të uritur, të palarë e të veshur keq. Edhe për këtë ndez debat “Lamerica” e Gianni Amelio-s, pa u shfaqur akoma në Shqipëri. Kadareja mendon se na trajton si vend barbar që nuk meriton të hyjë në familjen europiane.[15] Fatos Lubonja kërkon arsye të brendshme, shkakun e zhgënjimit tek mijëra refugjatë që ikin, tek prostitutat shqiptare qyteteve të Italisë – në çdo tre prostituta që rrahin rrugët e Torinos, njëra pre tyre është shqiptare[16] – tek hajdutët që kanë mbushur burgjet e Gjermanisë dhe Zvicrës, tek plehërat rrugëve të Tiranës, tek qeveria që burgos gazetarë. Revistën e tij “Përpjekja” nuk e shqetëson imazhi jashtë i Shqipërisë, por punët brenda dhe vonesat për ngritjen e një kulture të mendimit kritik. Pjesën tjetër të peizazhit shkrimor e selitin revistat letrare “Mehr Licht” dhe “Aleph”, krijimi i të cilave zbut tranzicionin që nxori nga qarkullimi organet e Lidhjes së Shkrimtarëve, “Revistën Letrare” (ish-revista “Nëntori”) dhe gazetën “Drita”, më e vjetra në vend. Lidhja është bërë organizatë e pavarur tani, që merret me shkrimtarët e së shkuarës.

Në këtë periudhë, Fondacioni Soros financon 100 mijë dollarë për 100 ton letër në mbështetje të revistave dhe botimeve që i mungojnë tregut: Flober, Dostojevsk, Prust, Frojd, Berlin, Hobsbawm. Dy libra, “6 maç” e Ervin Hatibit dhe “Delirium” i Mimoza Ahmetit këputin dukshëm lidhjet me vazhdimësinë e poezisë së të kaluarës dhe propozojnë një univers ndjesish, tensionesh, çorientimesh, pjesë e një kulture individualiste, jotregimtare. Vepra e tyre personalizohet dhe ata vetë janë dy figura të hershme postmoderniteti. Nuk mund të lexosh poezitë e Hatibit dhe të Ahmetit pa përfytyruar autorin dhe eksperiencat e tij jetësore që bëhen burim frymëzimi dhe i shqetësimeve estetike.

Krahas Sorosit është roli i Fondacionit “Vebi Velija” që krijon një çmim ndërkombëtar “Kadare” dhe shpall një strategji aksioni të shtetit në kulturë dhe për ndarjen e kulturës nga tregu. Velija, një biznesmen nga Maqedonia e Veriut, beson se fondacionet kulturore plotësojnë rolin e shtetit në politikat e organizimit dhe drejtimit të jetës kulturore.[17] Në kohën e armëve sheshit, qendrës së tij të biznesit ku ndodhet edhe Fondacioni i vënë 10 kg tritol. 

Në vitin 1996 Ministria e Kulturës krijon për herë të parë një fond për projektet kulturore dhe ka një presion që paratë të mos shkojnë për folk dhe kitsch. Nuk ka raporte financiare mbi shpërndarjen e buxhetit nga Ministria.

E kaluara pret ndërkaq t’i kushtojnë vëmendje. Kujtim Çashku xhiron “Kolonel Bunker” dhe vështrimi mbi përditshmërinë i Anna Nehrebecka-s, aktores që luan gruan e huaj të martuar me shqiptar gjatë komunizmit, vlen të rikujtohet: 

“Në Poloni ka ekzistuar diktatura, por ne nuk kemi lejuar të poshtërohemi, kemi pasur një jetë të dytë që na lejonte të mbijetonim, kjo sepse polakët e kanë të shtrenjtë lirinë e vet edhe të kombit. Me tmerr shikoj se këtu njerëzit, shtrirja e gjatë në kohë e diktaturës, i ka zhveshur… E shoh në apartamentët ku ju jetoni, në bunkerët që ju rrethojnë, mugesa e dritave, kushtet e punës. Ndoshta dhe gaboj, por këto janë impresionet e mia. Mendoj ndonjëherë, këta njerëz që iu nënshtrohen kushteve të tilla, të jenë ata që rrëzuan buste e pushtete? Më duket se duhet të kalojnë disa gjenerata që gjendja të ndryshojë dhe këtë ndryshim unë e uroj me gjithë zemër.[18]

Varfëria, ekonomia e paligjshme dhe korrupsioni me bazë thyerjen e embargos ndaj ish-Jugosllavisë, qarkullimin kontrabandë nga cigaret tek nafta, janë paradhoma e firmave huamarrëse, legjitimuar nga zgjedhjet e dhunshme të vitit 1996 që konfirmojnë Berishën neodiktator dhe hapjen e portave ekstreme të nëntëdhjetëeshtatës.

Pavijoni i sëmundjeve mendore në Tiranë mbushet me pacientë, shumë prej tyre me një histori emigracioni ilegal në Greqi.[19] Vetëvrasjet shtohen.

Lajmi i botimit në shqip të romanit “Emri i trëndafilit” e shtyn Umberto Eco-n të ulet t’u shkruajë dy radhë italianëve që i quajnë shqiptarët popull hajdutësh e prostitutash që duhen hedhur në det. Por “ka dhe një Shqipëri tjetër që lexon”, shton ai.[20] Ka dhe një Shqipëri ku bëhet teatër.

Vijon në numrin e ardhshëm: III. Hëna e re

© 2026 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Intervistë më Ismail Kadarenë. “Pajtimi kombëtar, prova më e madhe.” Drita, 31 mars 1991, f.3.

[2] Grup autorësh. “Më mirë rreziku i humbjes, sesa buzëqeshjet e pabarabarta të të paaftëve.” Drita, 31 mars 1991, f.6.

[3] Fatos Kongoli. “Pragu i fundit të disa paradokseve,” Drita, 5 maj 1991, f.5.

[4] Diana Çuli. “Më mirë rreziku i humbjes…” art.cit.

[5] Sipas raportit të Thoma Kostës, drejtor i Financës në Komitetin e Kulturës dhe Arteve, që drejtohet nga Moikom Zeqo, kohë kur diskutohet kthimi i Komitetit në Ministri Kulture. “Më mirë rreziku i humbjes…”, art.cit. Drita.

[6] Intervistë me Edi Hilën. “Dua ta rifilloj aty ku nisi prishja.” Drita, tetor 1991, f.4.

[7] Intervistë me Edi Ramën. “Një art i ri kërkon edhe një moral të ri.” Drita, nëntor 1991, f.4.

[8] Gazeta Shqiptare, nr.55, qershor 1993.

[9] Grup autorësh. “Ministria e Kulturës kacavirret pas ligjeve të vjetra”, Koha Jonë, qershor 1993, f.6-7.

[10] “Artistët kërkojnë dorëheqjen e ministrit Anagnosti.” Koha Jonë, qershor 1993, f.5.

[11] Liz Tomlin. British theatre companies 1995-2014. London: Bloomsbury Publishing, 2015, f.27.

[12] “Ministria e Financave mbikëqyr shpërblimet”. Republika, korrik, 1998.

[13] Neritan Alibali, intervistë me autorin, nëntor 2025.

[14] Intervistë me Gëzim Kamen. “Godina e Parlamentit të bëhet Teatër.” AKS, janar, 1995, f.2.

[15] Intervistë me Ismail Kadarenë. “Shqipëria kundër Lamerica, Italia kundër Kadaresë”. AKS, janar 1995, 10-11.

[16] Sipas raportit të policisë italiane, qershor 1996, cituar në Fabian Kati. “Mbi emigracionin shqiptar.” Përpjeka nr.9, 1997, f.21.

[17] Vebi Velija. “Shteti dhe kultura.” AKS, prill 1995.

[18] Rudina Xhunga. Intervistë me Anna Nehrebecka-n, AKS, dhjetor 1995.

[19] Koha Jonë, prill 1998, f.19

[20] Umberto Eco, “Nuk janë vetëm hajdutë dhe prostituta. Një propozim për shqiptarët e tjerë.” Përpjekja, nr.10, 1997, f.109-110, marrë nga L’espresso, prill 1997.

Ky shkrim është pjesë e një cikli mbi temën “Post-Komunizmi në Shqipëri – E tashmja e gjatë”, mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autores dhe në asnjë rast nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse. Seria e shkrimeve do të botohet si kolanë speciale e revistës Peizazhe të Fjalës.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Për të gjykuar nivelin e një artikulli studimor në Shqipëri, madje edhe të atyre që paraqiten si më seriozët, mjafton të shikosh literaturën në fund të tij. Zakonisht ajo përbëhet pothuajse vetëm nga emra studiuesish apo shkrimtarësh shqiptarë, shpesh nga më të dëgjuarit. Nuk kam asgjë kundër tyre; problemi nuk është kombësia, por izolimi intelektual që kjo praktikë prodhon.

    Pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë: çfarë do të ndodhte sikur kjo literaturë të përfshinte, krahas autorëve vendas, edhe emra si Dekarti, Spinoza, Kanti, Hegeli, Kierkegaard, Dostojevski, Niçja, Bergsoni, Huserli? Sa më e pasur do të ishte atëherë kultura mendore e një shoqërie të shumëvuajtur si ajo shqiptare?

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin