Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Sociologji

KORRUPSIONI, NJË PROBLEM GJUHE?

Para pak ditësh, disa miq e të njohur sollën në rrjetet e tyre sociale një numër shprehjesh frazeologjike, idiomash, proverbash e fjalësh të urta që flisnin për bashkëjetesën tonë të shëndetshme dhe harmonike me korrupsionin (qoftë në mënyrë aktive apo pasive), ryshfetin, mitëmarrjen, vjedhjen e të tjera vese, ndaj të cilave opinioni është gjithnjë e më i ndjeshëm.

Ishin si një rrëfim i çiltër për dobinë e të marrit nën dorë e mbi dorë. U sollën shprehje që rrëfenin se paratë e shtetit janë si uji i detit (pra, asgjë e keqe nëse fut duart aty e mbush xhepat e tu); u përmendën sentenca prekëse që flisnin për vështirësitë që ka karroca të ecë po qe se nuk “lyen rrotën” (funksionimi i hallkave sociale e institucioneve shtetërore); dilte diçka edhe për dobinë e filozofisë së thellë popullore që na kujton se, që punët të shkojnë “mbarë”, është me interes vital “që një dorë të lajë tjetrën”. Të dyja pastaj të ngrihen pak më lart e të lajnë fytyrën. E plot të tjera.

Nuk është se të tilla shprehje janë inekzistente edhe në gjuhë të tjera, por ajo që të habit te rasti ynë është se ti, në vështrim të parë, nuk sheh asgjë të keqe në to. Mësohesh shumë shpejt me moralin e tyre versatil, me lezetin e tyre të veçantë që të bën të ndihesh i përligjur kur fëlliq veten, që të shtyn të mendosh se një botë si e jona nuk mund të funksionojë pa një marrëdhënie të tillë që sfidon drejtësinë dhe qytetërimin. Ajo ngec e shembet pa to.

Më tej, e gjithë kjo më kujtoi se para disa muajsh pata sjellë e komentuar në llogarinë time një artikull të The New Yorker, i cili trajtonte ndikimin e gjuhës në formimin e mendësive dhe strukturimin e karakterit të popujve.

Sakaq, në një seksion të vetin, i njëjti artikull sillte mendimet e një dijetari të shquar indian, i cili shihte me entuziazëm faktin se etnia e tij (Danti, a Gatni, nuk e kujtoj mirë), duke mësuar masivisht anglishten, po krijonte një mendësi tjetër që do ta nxirrte,  dhe madje po e nxirrte, atë popullsi nga statusi i pastruesve të kanaleve të ujërave të zeza, të transportuesve të plehrave, të shërbëtorëve e punëtorëve të pakualifikuar, lypësve, etj.

Te gjuha e re që mësonin, ata përftonin peshën e të qenit me dinjitet, të bërit padronë të jetës së tyre dhe, për pasojë, ngritjen sociale.

Në fakt, këtu nuk ka asgjë të re për sociolinguistët. Të paktën për ata që janë të njohur me hipotezën e quajtur të Sapir–Whorf, të formuluar nga Edward Sapir dhe Benjamin Lee Whorf, që ndryshe njihet si hipoteza e relativitetit linguistik. Në të thuhet se struktura e një gjuhe ndikon në mënyrën se si folësit e saj perceptojnë e organizojnë botën e tyre. Thënë ndryshe, vizioni ynë real nuk është kurrë i pavarur nga gjuha që flasim. Ajo formon dhe kufizon proceset njohëse (cognitive). Gjuha na orienton ku të përqendrojmë vëmendjen, kohën, hapësirën, emocionet dhe si duhet të veprojmë në përditshmërinë tonë. (Për më gjerë shih te SimplyPsychology.)

Problemi shfaqet më dukshëm e më lexueshëm te anekdotat, fjalët e urta, shprehjet frazeologjike, të cilat luajnë një rol edhe më të prekshëm në formimin moral dhe simbolik të një kombi. Ato shërbejnë si transmetuese vlerash, normash morale, kodesh sjelljeje. Disa shkojnë edhe më tej dhe i shohin si shprehje të identitetit kombëtar dhe kujtesës kolektive, madje i quajnë “pako portative vlerash morale”. Por nuk mungojnë as ata që i shohin si një “katekizëm laik”, pra një mjet të fuqishëm që ndikon në edukimin dhe refleksionet etike e morale. Apo imorale, sipas rastit.

Gjithsesi, dua të theksoj këtu se hipoteza e relativitetit gjuhësor nuk thotë se gjuha na shtrëngon, por se ajo na orienton. Nëse një kulturë ka një arsenal të tërë shprehjesh që e justifikojnë korrupsionin, atëherë mendja e fëmijës që i dëgjon ato rritet me idenë se “kështu funksionon bota”; morali i përditshëm bëhet elastik; ndjenja e fajit zbutet; përgjegjësia shpërndahet në mjegull. Pra, gjuha nuk e krijon korrupsionin, por e bën të padukshëm si problem.

Në këtë pikë shohim se frazeologjitë në fjalë janë fosile të mendësisë së një periudhe të caktuar. Janë si sedimentet e një kulture të mbijetesës, ku rregulli nuk ishte ligji, por marrëveshja e fshehtë. Dalin si shprehje të atyre demonëve të vjetër të shoqërisë sonë që, në mënyrë transcendentale, përcjellin struktura mendimi mjaft të hershme, në mos, paleolitike.

Nuk është se na mungojnë edhe frazeologjitë e tjera, ato që na ndezin shkrepësen patriotike etj. Kurrsesi. Por duke qëndruar sot te shprehjet e veçanta që analizuam më sipër, te ato që flasin për bashkëjetesën tonë pa shumë probleme me krimin e korrupsionin, madje i shohin si domosdoshmëri jetike, pyes nëse mund të nxjerrim ndonjë përfundim paraprak. A mund të themi, fjala vjen, se të keqen e kemi në gjuhë? Më saktë, te strukturat e lashta e arkaike të të menduarit që na përcjellin shprehjet frazeologjike,  ato që ishin të vlefshme për funksionimin e shoqërisë dhe ruajtjen e kohezionit social deri dje, por që sot, si ato qelizat e çmendura, na janë kthyer kundër dhe po shkatërrojnë sistemin tonë imunitar, duke e bërë të paaftë t’i përgjigjet zhvillimeve të një shoqërie të vërtetë evropiane.

Për pak jam i tunduar të them se pyes për një popull mik. Por, nga një lexim i fundit, kjo, me sa shoh, nënkuptohet.

 (c) 2026 Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Gemini.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin