Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

MË THUAJ Ç’PREMISË KE…

Në shkollë na patën mësuar se çfarë është silogjizmi kategorik, një formë argumenti logjik që lejon të arrihet në një përfundim të drejtë, duke u nisur nga dy pohime a propozita që mbahen si të vërteta.

Për shembull:

  1. Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm.
  2. Sokrati është njeri.
  3. (Prandaj) Sokrati është i vdekshëm.

Propozitat 1 dhe 2 quhen premisa, prej të cilave 1 është “premisa e madhe” dhe 2 “premisa e vogël”. Premisa e madhe shpreh diçka të përgjithshme, ndërsa premisa e vogël diçka specifike – një rast ose fakt të caktuar.

Rregulla që i nënvendoset çdo silogjizmi është kjo: nëse dy premisat janë të vlefshme, atëherë edhe përfundimi do të jetë i vlefshëm.

Ka forma të ndryshme të silogjizmit, por nuk është këtu vendi për t’i ilustruar – sepse të gjitha janë instanca të strukturës së shpalosur më lart.

E kam të qartë që shumë prej lexuesve këto i dinë, dhe një pjesë edhe më mirë se unë; arsyeja pse e përshkrova silogjizmin, është ngaqë dua të ndalem te mënyra si vepron dizinformimi “nën rrogoz”.

Ka gjithnjë njerëz që përdorin forma silogjizmi të gabuara, p.sh.:

  1. Të gjithë korbat janë të zinj
  2. Ky zog është i zi
  3. Ky zog është korb (gabim, sepse të gjithë korbat mund të jenë të zinj, por jo të gjithë zogjtë e zinj janë korba).

Megjithatë, më shpesh gabimet në arsyetim ndodhin ngaqë nisemi nga premisa që nuk i kemi verifikuar, dhe që gabimisht i mbajmë si të vërteta (assumptions).

Në fakt, një nga synimet e arsimimit dhe të informimit publik, është që t’u vërë njerëzve në dispozicion propozita të vërteta (të verifikuara), që këta t’i përdorin pastaj për silogjizmat e tyre të përditshme.

Nëse ti je në Fier dhe radioja njofton se aksi Tiranë-Durrës është i bllokuar për shkak të një aksidenti, atëherë ti mund të zgjedhësh që të vish nga Fieri në Tiranë nëpërmjet aksit Elbasan Tiranë, sa kohë që e merr informacionin e trafikut për të vërtetë.

Tani, burimet alternative të informacionit nuk i sulmojnë drejtpërdrejt bindjet dhe mendimet e publikut, por i destabilizojnë, duke e ushqyer publikun me premisa të lëkundshme dhe të gabuara.

Nëse ti lexon përditë në rrjet lajme për vaksinat si të rrezikshme për shëndetin, toksike e kështu me radhë, atëherë fillon të marrë formë, në “enciklopedinë” tënde, bindja se vaksinat janë të dëmshme. Një hap e ndan këtë nga momenti kur ti mund të fillosh ta përdorësh këtë si premisë (të madhe) të një silogjizmi:

  1. Vaksinat janë të dëmshme
  2. Më thonë që të vaksinoj djalin
  3. Vaksina mund/do t’i bëjë dëm djalit

Premisa e vogël (“më thonë që të vaksinoj djalin”) ka të bëjë me politikën e shëndetit publik – ose me nxitjen e prindërve për t’i vaksinuar fëmijët. Kjo politikë mbështetet zakonisht në orientime të përgjithshme të dhëna nga autoritetet shëndetësore – të cilat përcaktojnë se cilat vaksina duhen bërë nga fëmijët, në ç’moshë dhe sa herë, etj.

Nëse ty si prind të duhet të marrësh vendimin për të vaksinuar fëmijën – sepse fëmija vetë nuk e merr dot – atëherë ky vendim varet nga raporti midis sa u beson autoriteteve shëndetësore publike dhe sa u beson burimeve të informacionit alternativ.

Ndodh që informacioni alternativ – se vaksinat janë të dëmshme, toksike, të patestuara, eksperimentale, etj. – që ka mbërritur tek ti nëpërmjet leximeve në rrjet ose leximeve të tjera, të ketë zënë tashmë vend mirë në dijen tënde, aq sa të ndikojë në vendimin për ta refuzuar vaksinimin.

Në ato vende ku vaksinimi i fëmijëve, për disa sëmundje, është i detyruar, atëherë dija që ti ke, se vaksinat mund ta dëmtojnë shëndetin e fëmijës, duke shkaktuar autizëm etj., do të të futë në konflikt me autoritetin publik.

Dhe ngaqë shumë prej nesh jemi mësuar që të mos dyshojmë për premisat e silogjizmave që bëjmë, nuk na shkon ndërmend që premisa e madhe mund të jetë e pavërtetë dhe ngulim këmbë që vendimi për të mos e vaksinuar fëmijën është i arsyeshëm.

Për t’u shënuar këtu është që alternativët dhe dizinformuesit nuk i thonë publikut drejtpërdrejt që të mos i vaksinojë fëmijët – por vetëm sa mbjellin, në dijen kolektive, farët e premisave të mëdha të gënjeshtërta.

Nëse ti përdor një premisë të madhe të gënjeshtërt, arsyetimi i drejtë do të çojë në një përfundim të pasaktë ose të gënjeshtërt.

Për shembull:

  1. Vaksinat shkaktojnë autizëm
  2. Djali i Shpresës është me autizëm
  3. Djalit të Shpresës ia shkaktoi autizmin vaksina

Këtu janë bërë shumë gabime njëkohësisht: sepse nuk është e provuar që vaksinat shkaktojnë autizëm; sepse autizmi mund të vijë nga shumë faktorë dhe shkaqe; dhe vetë diagnoza e autizmit është shpesh e diskutueshme.

Megjithatë, një pseudosilogjizëm si ky më lart i bën shumë prindër anksiozë ndaj vaksinave.

Në jetën e përditshme, arsyetimi merr zakonisht një formë tjetër. Nis nga një konstatim i rastit: djalin e Shpresës e diagnostikuan me autizëm, që mund të funksionojë si premisë e vogël. Ti vetvetiu pyet – çfarë mund ta ketë shkaktuar autizmin? Aq më tepër që ti ke vetë një fëmijë të vogël dhe kërkon të bësh çmos, që kjo të mos i ndodhë fëmijës tënd.

Dhe thua: autizmin mund t’ia ketë shkaktuar vaksina që ka bërë, sepse ke dëgjuar e lexuar poshtë e lart, që vaksinat shkaktojnë autizëm.

Ky lloj arsyetimi nuk është silogjizëm; sa kohë që ti formulon një hipotezë të arsyeshme, për të shpjeguar diçka që ke vënë re, atëherë kemi të bëjmë me abduksion. Abduksioni zakonisht shërben për të krijuar një hipotezë pune. Për shembull, një mjek e vë diagnozën e gripit me abduksion, duke vrojtuar simptomat e jashtme të pacientit, pa e identifikuar në laborator infeksionin viral përkatës. Ky lloj kërkimi i së vërtetës kërkon profesionizëm.

Një shembull tjetër: pasqyra mund të thyhet nga ndryshimi i temperaturës, stresi i dërrasës ku është montuar, ose edhe thjesht ngaqë e goditi dikush ose diçka; por kjo nuk përjashton që dikush të nxjerrë, me abduksion, që e ka thyer “syri i keq”.

Abduksioni nuk e ka sigurinë e silogjizmit; nëse ti hyn në makinë dhe përpiqesh ta ndezësh, por makina nuk ndizet, atëherë do të mendosh se mund të ketë diçka që nuk shkon me baterinë ose sistemin elektrik ose ndonjë mekanizëm tjetër; edhe pse, teorikisht, mundet edhe që makinës dikush t’ia ketë çmontuar dhe vjedhur motorin gjatë natës. Por kjo mundësi e fundit është e pagjasë.

Le të mendojmë, për një çast, sikur portalet të fillojnë të japin gjithnjë e më shpesh lajme për persona, të cilëve po ua vjedhin natën motorin e makinës së parkuar; nëse ti u ekspozohesh mjaftueshëm këtyre lajmeve, atëherë gjasat janë që do të fillosh të dyshosh pak më fort, se kështu mund të ketë ndodhur edhe me ty.

Natyrisht, mund ta verifikosh në çast nëse motorin e makinës ta kanë vjedhur apo jo; më e vështirë është të verifikosh lidhjen mes vaksinave dhe autizmit. Pa u zgjatur më tej në hollësitë e abduksionit, po mjaftohem të them se saktësia e tij varet edhe ajo nga zgjedhja e premisës së duhur (në rastin e makinës që nuk ndizet, premisa se “ia kanë vjedhur motorin” është e drejtë në vetvete, por ka shumë pak gjasa që të vlejë për arsyetimin; propozita se makina që ia kanë vjedhur motorin nuk mund të ndizet mbetet e saktë, pavarësisht nga sa zbatohet dot në rastin konkret).

Dizinformuesit dhe konspiracistët i përhapin të pavërtetat në mënyrë të tillë, që t’i zëvendësojnë bindjet me një lloj gjendje mendore të turbullt, ku një person beson disa gjëra të ndryshme njëkohësisht – për shembull, që vaksinat parandalojnë sëmundjet ngjitëse dhe që vaksinat shkaktojnë autizëm; pa qenë në gjendje të arsyetojë drejt, për marrëdhëniet mes këtyre propozitave.

Tipik është rasti i “Katovicës”, një histori e rreme që vazhdon të qarkullojë sot e kësaj dite dhe të shpjegojë efektet e ndërrimit (ose “ndërrimit”) të pushtetit në Shqipërinë e viteve 1990.

Teoria konspirative e Katovicës shqiptare thotë se ndryshimet politike që ndodhën në Shqipëri gjatë viteve 1990 e më pas ishin të planifikuara gati në detaje që në fund të viteve 1980, sipas një letre që iu dërgua Ramiz Alisë nga Gorbaçovi – në atë kohë sekretar i përgjithshëm i PK të BRSS – në përfundim të një takimi sekret të krerëve të vendeve të Lindjes, në Katovicë të Polonisë.

Kjo teori, për t’u konfirmuar, do të kërkonte:

  1. Prova se summit-i në Katovicë është mbajtur vërtet – të cilat deri më sot nuk janë sjellë.
  2. Prova se Gorbaçovi i ka dërguar një letër udhëzuese Ramiz Alisë pas atij takimi – të cilat deri më sot nuk janë sjellë, pasi një letër të tillë nuk e ka parë kush.
  3. Prova se Ramiz Alia me të vetët vërtet e kanë zbatuar planin e Gorbaçovit, duke marrë vendime në instancat më të larta të PPSh-së dhe të pushtetit komunist.

Asnjë nga këto nuk është vërtetuar gjëkundi; e megjithatë miti i Katovicës vazhdon të ushqehet gjerësisht dhe të nxjerrë krye si pa të keq, në analizat politike. Disa nga ata që vazhdojnë ta promovojnë, e mbështetin qëndrimin e tyre me argumentin se ai mit i ka parashikuar saktë zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri – por nuk ka nevojë të jetë njeriu logjicien, për ta kuptuar se argumenti këtu është logjikisht i gabuar.

Tek e fundit, nëse gjyshja e ysht fëmijën e sëmurë, që të trembë xhindet dhe fëmija shërohet, kjo nuk do të thotë se e shëroi yshtja.

Problemi këtu nuk është nëse shpjegimi i “Katovicës” ka apo nuk ka bazë reale; por që ai ka zënë vend tashmë në “bibliotekën e premisave” – ku cilido mund të tërheqë një premisë për silogjizmin (ose abduksionin) e vet. Për fat të keq, në epokën e tanishme, kjo bibliotekë është e dëmtuar, për të mos thënë e hack-uar, sa kohë që shumë premisa të gatshme atje janë shtuar nga konspiracistët, turbologët, spekulatorët dhe heronjtë e mbrëmjeve televizive.

Mund të pyetet edhe se ç’interes kanë dizinformuesit dhe konspiracistët, që të mbjellin dije alternative në mendjet e njerëzve, duke u gjetur vend premisave të rreme në “bibliotekë”. Po të përjashtojmë ata që u besojnë vërtet historive dhe teorive që mbrojnë, dhe ata të tjerët që kanë kapacitet mendor të kufizuar, ose nuk kanë as formimin mendor elementar që duhet t’ua kish dhënë shkolla, mund të supozojmë se synimi i dizinformimit është të minojë autoritetin – tradicional, zyrtar, shkencor, institucional, politik; duke vënë në diskutim jo thjesht gjërat që janë objekt i kësaj apo asaj teorie konspirative, si udhëtimet e amerikanëve në Hënë në vitet 1970, por tërthorazi gjithçka të bashkëlidhur me të (besueshmëria e informacionit publik, mundësitë praktike për të dalë nga orbita e Tokës, të tjera si këto). Në thelb, synimi i konspiracionistëve është politik, dhe ka të bëjë ose me rrëzimin dhe zëvendësimin e establishmentit; ose me manipulimin e opinionit publik, përfshi edhe rastet kur vjen nga segmente të establishmentit vetë.

Ka edhe teori konspirative që pastaj rezultojnë të vërteta. Për shembull, tabloidët në SHBA për një kohë të gjatë ngulën këmbë se kompanitë e duhanit dhe të cigareve (Big Tobacco) e dinin që pirja e duhanit shkaktonte kancer dhe sëmundje të zemrës, por e mbajtën këtë të fshehtë dhe e manipuluan publikun për dekada. Rezultoi që kish ndodhur vërtet kështu. Edhe aluzionet e supozimet se shumë drejtues të Kishës Katolike ishin angazhuar në fshehjen e abuzimeve seksuale të klerit të tyre me fëmijët në fillim u shpërfillën si konspiracioniste, por pastaj u provuan të vërteta. Por as këto raste nuk mund të merren si argumente për t’u dhënë më shumë hapësirë teorive të komplotit dhe konspirativistëve në dijen dhe në vetëdijen publike; edhe sikur një teori e tillë të vërtetohet më pas, ky vërtetim gjithnjë ka nevojë për metodat e pranuara të vërtetimit, që nuk janë konspirative.

Prandaj do të thoja se, kur dëgjojmë dikë që të thotë literalisht budallallëqe, kjo nuk do të thotë se ky është budalla – shpesh gabimi ka të bëjë me zgjedhjen e premisës së gabuar; zgjidhje që ndikohet fort nga trysnia e mass mediave dhe nga efekti psikologjik “shërues” i disa prej këtyre premisave (“ne jemi populli më i vjetër në Europë”); siç ndikohet edhe nga mungesa e të menduarit kritik dhe dobësitë e formimit bazë.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin